E shtune, 05.10.2024, 01:28 PM (GMT+1)

Kulturë

Pitt, antiheroi i "Perëndimit të egër"

E shtune, 10.11.2007, 07:03 PM


Thuhet se Brad Pitt e "njeh" mirë personazhin e tij të radhës Jesse James, shtënësi i mirë me revole enigmatik dhe mitiku antihero i "Wild West"-it. Kjo ka qenë dhe një ndër arsyet që e ka interpretuar aq mirë personazhin në fjalë, duke fituar në këtë mënyrë edhe "Kupën Volpi" si aktori më i mirë në festivalin e fundit të Venecias. Pitt, "djaloshi" i mrekullueshëm 43-vjeçar, si dhe bashkëshortja e tij, Angelina Jolie, janë sot personazhet më të njohura e të suksesshme të botës kinematografike.

I ndjekur nga të gjithë, Pitt udhëton me mori njerëzish që i shkojnë nga pas njësoj siç bënte Jesse James me gangsterët e tij. Jesse James është një nga rolet më të mira që Pitt ka interpretuar në karrierën e tij të gjatë. Filmi do të shfaqet këto ditë në shumë vende të botës. Me këtë rol, Brad ka shfaqur një shenjë të maturisë profesionale, pas një karriere të gjatë, e cila ka zgjatur më shumë se 15 vjet, pikërisht që u cilësua si një seks simbol në filmin "Thelma & Louise". Po të mos ishte për të, mijëra amerikanë nuk do të dinin se ku ndodhej Namibia, Darfuri, e aq më tepër nuk do t‘u interesonte plaga më e madhe e shoqërisë që momentalisht është AIDS.

Pitt ndodhej pak ditë më parë në Los Anxhelos për të marrë çmimin si "Aktori i zbuluar i vitit" me protagonistin Casey Affleck, përkrah Richard Gere (Aktori i vitit) dhe Dante Ferreti (skenograf i vitit) nga ana e Festivalit të Filmit në Hollivud.

Zoti Pitt, ju jeni gjithashtu edhe producenti i filmit "Jesse James". Si e keni realizuar?

Puna më e rëndësishme e një producenti është që ta lërë të lirë skenaristin dhe regjisorin për të realizuar historinë e tyre, pa ndërhyrë shumë. Ajo çka më kishte interesuar prej librit të Ron Hanson e që kishte bërë për vete Andrew Dominik, regjisorin, ishte aspekti psikologjik i Jasse James në vitet e fundit të jetës së tij, mitin e vrasësit të tij dhe mitin Robert Ford. Nuk do të më kishte pëlqyer të bëja një film "Western" tradicional nëse nuk do të kishte pasur shumë detaje.

Krejt rastësisht bie në sy edhe kënaqësia e një burri për të luajtur si një fëmijë, "cowboy"?

Sigurisht, çdo justifikim është i mirë për të shfryrë këtë ndjenjë fëmije që ndodhet brenda meje. Në fakt, më pëlqen që gjithmonë të bëj gjëra të cilat më kujtojnë fëmijërinë time, përveç pasionit ndaj armëve. Është për t‘u çuditur, unë jam rritur në mes të natyrës dhe pothuajse ishte një rit që çdo baba t‘i jepte fëmijës së tij armë të çfarëdoshme. Kur isha në kopsht kisha një pistoletë, ndërsa kur hyra në klasë të dytë mbaja një pistoletë të kalibrit 22. Im atë gjithnjë ka insistuar mbi përdorimin dhe respektin ndaj armës. Mendoj se ka bërë mirë që më ka mësuar me armë, sepse e kalova shumë shpejt atë fazë dhe që atëherë nuk kisha interes për to.

Ju dhe bashkëshortja juaj arrini të keni një familje të qetë e normale, pavarësisht vëmendjes që ju rrethon?

Jemi një familje më se normale: një nënë, një baba dhe tre fëmijë shumë të disiplinuar dhe të mrekullueshëm në të njëjtën kohë. Gjëja më e rëndësishme është që të gjejmë kohë për të qëndruar së bashku, sepse është përgjegjësia jonë t‘u japim fëmijëve një model të mirë sjelljeje, t‘i ndihmojmë të krijojnë vlerat e duhura. Në jetën time, atësia dhe familja zënë vendin kryesor. Angelina është dashuria ime, partnerja dhe nëna e fëmijëve të mi dhe gjithçka që duket nga kjo bërthamë familjare është në qendër të vëmendjes sime. Më pas vjen puna.

Ka pasur momente të veçanta që ju kanë mësuar të jeni baba?

Është një përshtatje graduale e asaj që do të thotë të kesh fëmijë, të tipit të babait që dëshiron të jesh, mënyrën si dëshiron që fëmijët të sillen përpara emrit tënd. Por jam i habitur se si gjithçka ndodh në mënyrë kaq instiktive. Është bukur të shikosh se si fëmijët e tu mësojnë prej teje, nga shembulli yt, edhe atëherë kur të duket se nuk u ke mësuar asgjë.

Gjatë gjithë kohës jeni duke udhëtuar. Nuk është pak i rëndë ky fakt për fëmijët?

Faktikisht jemi një familje nomadësh, për ne është mirë kështu. Mendoj se vendet dhe njerëzit që njohin fëmijët tonë e ne bashkë me to, do të hyjnë pak nga pak në koshiencën e tyre dhe nuk besoj t‘u bëjë keq, madje do të ndodhë e kundërta. Shkolla nuk është problem, sepse në çdo vend të botës ndiqet i njëjti program. Problemi i vetëm mbeten fotografët, gjë e cila i tremb pa masë.

Është e çuditshme që një nga aspektet e filmit "Jesse James" është një analizë e kultit të festimeve. Ju me cilët diva jeni rritur?

Kur isha i vogël adhuroja Elton John dhe isha një fans i madh i Evel Knievel, personazhi që hidhej sa andej-këndej me motoçikletë. Më pas erdhën Mohammed Ali dhe Harlem Globetrotters. Ka qenë një emocion i madh kur i takova personalisht.

Të gjithë e njohim pasionin tuaj për arkitekturën. Ju keni qenë një prej arkitektëve për rikonstruktimin e Nju Orlanes, në zonat e shkatërruara nga uragani "Katrina"?

Fatmirësisht, dëmtimet u rregulluan, sepse në fillim besoja të kundërtën. Njerëzit gabojnë nëse mendojnë se ka qenë një gjëmë e ardhur nga qielli dhe nëse jeton në atë zonë duhet të mësohesh të bindesh. Marrëzira. Uragani "Katrina" jo vetëm që ka qenë një efekt i ngrohjes globale, por dhe një shkatërrim i krijuar nga njeriu, nga një sërë gabimesh prej inxhinierëve e politikanëve. Dhe është një pjesë e madhe e vendit tonë ku askush nuk u kushton vëmendje zonave të varfra: pas 12 vitesh askujt nuk i bie ndërmend për të, ka ende 12 mijë persona që nuk kanë arritur të kthehen në shtëpitë e tyre. Kur filluam përpjekjet për rikonstruktimin u lamë të kuptonin të tjerëve se 40% e ndotjes sonë vjen pikërisht nga ndërtesat.

Edhe Leonardo di Caprio në dokumentarin e tij "Ora e 11-të" flet për rëndësinë e krijimit të ndërtesave ekologjike...

Është mjaft e rëndësishme. Në vend që t‘i kundërvihemi natyrës, ashtu siç njeriu është mësuar të bëjë gjithmonë, duhet të kërkojmë një mënyrë për t‘u integruar. Do të dëshiroja një President që të rrisë këtë lloj programi, që të na lirojë nga varësia jonë ndaj naftës. Por jam optimist. Do të duhen 10 vjet për ta kapërcyer këtë vështirësi. Do të thërrasim "mendjet më të ndritura" të Amerikës dhe botës dhe do ta zgjidhim këtë problem.

Si hyjnë këto çështje në jetën tuaj të përditshme? Riciklimi, energjia diellore...

Nuk kam arritur ende të jem ekologjik 100%, por mundohem të jap maksimumin tim. Po kaloj nga energjia gjeotermike për të kursyer ujin, në të gjitha shtëpitë po vendos panele diellore dhe do të blej makina hibride. Qëllimi? Për të mos paguar më asnjë monedhë për energjinë, ujin dhe gazin.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora