E premte, 01.03.2024, 08:30 AM (GMT)

Kulturë

Ferri: Filmat e para '90-ës, pronë publike

E diele, 04.11.2007, 03:03 AM


Nga Alma Mile
 
Nënshkrimi i një marrëveshjeje me Giffonin, u rihap kineastëve shqiptarë seksionin e filmave për fëmijë. Drejtori i QKK-së, Xhevdet Ferri, flet për filmin për fëmijë, bordin e ri dhe për kthimin e prodhimeve të '90-ës, autorëve

Sapo ka nënshkruar një marrëveshje me drejtuesit e "Giffoni Film Festival" dhe është i kënaqur që në programin e Qendrës Kinematografike, po ringjallet një seksion i ri, dikur shumë i suksesshëm. Për drejtorin e QKK-së Xhevdet Ferri, nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i vjen për hise "strategjisë" që po ndjek për mbajtjen gjallë të filmit shqiptar. Madje është edhe shumë optimist, pasi Shqipëria sipas tij, këtë vit është kampione në rajon për prodhimin e filmave. Në një kohë kur bordit drejtues të QKK-së po i vjen fundi, Ferri propozon formulën më të përshtatshme, atë të tri bordeve për çdo gjini dhe një të përbashkët. Gjithashtu ai jep mendimin e tij edhe për pretendimin e kineastëve për kalimin e prodhimeve të para '90-ës autorëve. "Është një pronë publike, jo thjesht intelektuale dhe për këtë duhet një vullnet i fortë politik", - thotë Ferri, i cili prêt një përgjigje nga MTKRS për ngritjen e Qytetit të filmit në ambientet e ish-Kinostudios. Një ide që e ka dorëzuar me kohë në tryezat e ministrisë.

Qendra Kinematografike i kthehet filmit për fëmijë pas një kohe shumë të gjatë, pse kjo shkëputje gati 20–vjeçare?

Duke qenë se prodhojmë shumë pak, të gjithë autorët synojnë tek filma me tema të mëdha dhe me efekt të madh, gjë që në dukje mund të jetë një koncept i gabuar, filmi për fëmijë nuk e ofron. Dikur prodhonim, por me orientim, se sa për të rritur, për fëmijë, për fshatin, për qytetin…, gjë që përputhej me sistemin. Sistemi që kemi tani është në funksion të individit. Është individi ai që gjeneron idenë dhe krijimtarinë dhe shteti mbështet financiarisht, me qëllim që ideja të zhvillohet deri tek filmi. Ne po bëjmë pikërisht këtë, aty ku ne po konstatojmë se ka gropa të pambuluara nga aktiviteti kinematografik, po shpallim seksione të posaçme, si për atë alternativ, eksperimental, në mënyrë që ato kategori që përjashtohen automatikisht nga këto shtylla kryesore të sistemit, të zhvillohen. Të hapim seksione të posaçme, të vëmë në dispozicion buxhete, në mënyrë që kineastët të mendojnë dhe për këto boshllëqe. Këtë gjë ne po e bëjmë me "Giffonin" për të bërë një film për fëmijë.

Si do të përzgjidhet projekti këtë prodhim?

Ne do të shpallim seksionin e posaçëm, që nga QKK do mbështetet me një buxhet të veçantë. Do ofrohen projektet, do zgjedhim më të mirët, do t'i ndajmë me "Giffonin" për të bashkuar kapitalet dhe për të përcaktuar se nga do burojnë forcat krijuese, teknika, etj..

Cili është fondi që do vihet në dispozicion të këtij projekti?

Një film mund të bëhet dhe me 200-300 mijë euro, por në Evropë po nuk sigurove 1 milion euro, s'të merr njeri seriozisht. Për këtë do të flasim kur të kemi një projekt në dorë. Megjithatë duam t'ua bëjmë me dije kineastëve që kjo mundësi ekziston dhe kush ka ide dhe projekte, është i ftuar sepse është hapur një derë.

Si po shkon procesi i zgjedhjes së bordit të ri të QKK-së, e keni gjetur se cila do të jetë formula e kësaj strukture?

Mandati i bordit mbaron në 5 dhjetor. Kemi bërë disa konsulta me shoqatat, pasi ua njeh ligji ekskluzivisht të zgjedhin bordin dhe jo kryetari. Jemi në momentet e fundit për të diskutuar formulën më të mirë. Po merr terren ideja që t'i mbajmë tri borde të veçanta, por me një bërthamë të përbashkët me katër veta, ku shoqatat do propozojnë një kandidat. Do jenë tri borde për çdo gjini, por do jetë edhe një bord permanent, që të ruajë vazhdimësinë e politikës së qendrës, por dhe një lloj kontrolli mbi mbledhjet, se në të kundërt, po bëmë tri borde të shkëputura nga njëri-tjetri , fuqizohet pushteti i kryetarit. Bordet nuk e dinë se çfarë bëhet në qendër veç e veç, kurse me një bord me një bërthamë permanente dhe për çdo gjini shtojmë nga tre të tjerë, gjithnjë të propozuar nga shoqata, punët do të shkojnë më mirë. Gati 70-80% e shoqatave që kanë marrë pjesë në konsulta e quajnë si formulën më të mirë, megjithatë mbetet për tu diskutuar. Nuk është një qëllim në vetvete, është një e drejtë ligjore.

Kohët e fundit kineastët kanë ringritur çështjen e kalimit të prodhimeve të para '90-ës, autorëve, cili është mendimi juaj mbi këtë pretendim?

Është një debat i vjetër. Janë eksperimentuar disa forma. Është një handikap, sepse autorët nuk kanë pasur kontratë me shtetin kur i kanë bërë këto filma. Ka dalë një ligj i ri "Për të drejtat e autorit", që njeh shumë të drejta. Problemi është si do të ndahet administrimi, kur ndërkohë shteti ka hapur Zyrën e të drejtave të autorit, që po punon për të mbushur boshllëqet, që ka sistemi nga pikëpamja juridike. Ka një pretendim të kineastëve, por kjo do një vullnet politik, që ata ta marrin dhe vetadministrojnë gjithë fondin, si pronë ekonomike të tyre. Unë vetë anoj nga ana e kineastëve edhe pse më duket një ide shumë e vështirë për tu realizuar, pasi në fund të fundit ajo është edhe një pronë publike, dhe ekonomike, nuk është vetëm intelektuale ( t'iu njohim të drejtën e t'iu bëjmë pagesën për pronën intelektuale). Por është një pronë publike, është bërë me paratë e shtetit, kështu që ekonomikisht nuk e di nëse mund të realizohet. Nëse ka vullnet politik në Parlament, le ta kalojnë. Le ta gëzojnë, përse jo.

Do mund të zgjidhej ky problem thjesht me një fond për kompensim?

Dhjetë fish sikur të na e shtojnë fondin nuk ka për të dalë për një gjë të tillë. Kinematografia është një luks shumë i shtrenjtë. Megjithatë këtë vit, ju siguroj që jemi vendi që kemi prodhuar më shumë në rajon dhe që po e mbajmë kinematografinë gjallë, më shumë se të gjitha vendet e tjera. Dhe kjo falë individit. Me një buxhet prej 1,5 milionë dollarësh që kemi në dispozicion të projekteve, në Shqipëri janë instaluar mbi 5 milionë dollarë. Kemi tre premiera këtë vit. Patë "Mao Ce Dunin" dhe do të shikoni edhe filmin e Artan Minarollit dhe Pirro Milkanit, që ka mbaruar procesin laboratorik. Kanë mbaruar xhirimet tre filma të tjerë artistik me regji të Saimir Kumbaros, Spartak Pecanit dhe Fatmir Koçit. Janë të tre në postproduksion dhe besoj se në pranverë premierat do të jenë gati, ndërkohë që kanë mbyllur kontratat dhe kanë siguruar financimet Gjergj Xhuvani dhe Artan Minarolli. Me këto të dhëna, natyrisht që jemi kampionë në rajon. Ka një lloj entuziazmi që duhet mbajtur, por paratë nuk mjaftojnë kurrë.

Industria filmike në Shqipëri ka çaluar gjithnjë tek distribucioni, keni ndonjë ide se si mund të zgjidhet ky problem?

Distribucioni i filmit lidhet me dy probleme të mëdha, që janë mungesa e sallave të kinemasë dhe pirateria. Të gjithë ne, përfshirë dhe mua, kemi humbur kulturën e të shkuarit në kinema, shikojmë DVD, apo dixhitalb dhe kjo bën që edhe disa aksione që kanë pasur njerëzit në bursën e kinemasë, i kanë humbur sepse kanë falimentuar. Këtu duhet të ndërhyjë shteti që të çlirojë nga detyrimet njerëzit që duan të ngrenë një biznes në kinematografi. Në propozimin e qytetit ne kemi futur dhe një kapitull të tillë, që njerëzit që merren me kinematografi, të jenë klientë të këtij qyteti dhe të çlirohen nga taksat për një periudhë të caktuar, në mënyrë që ta stimulojmë jetën e kinemave.

Ka ekzistuar një projekt për kthimin e Kinostudios në një qytet filmi, ka ndonjë zhvillim rreth tij?

Është një ide e vjetër. Është një material në letër që i është dorëzuar qeverisë për të marrë dhe rikonceptuar ish-Kinostudion si një administrim kapitalesh. Është koncepti i një qyteti, që përveçse të konservojë, të ruajë, të ofrojë aq sa mundet në shërbimet kinematografike, që janë shumë të pakta. Pjesa më e madhe është pushtuar, por fatmirësisht jo nga subjekte që nuk janë të afërta me ne. Janë kryesisht televizione dhe kompani që punojnë në fushën audiovizuale. Një pjesë e të ardhurave nga qeratë, që shkojnë në buxhetin e shtetit, ne kemi gjetur një strukturë, që t'i mbeten qytetit, që ai të zhvillohet gjithmonë në konceptin kinematografik,të kthehet edhe në një qendër kulturore, argëtimi për qytetarët. Në Tiranë kemi kinema dhe teatër vetëm në qendër dhe qeveria, parlamenti duhet t'i japë një status këtij territori. Kemi propozuar mënyrën e menaxhimit që qyteti të gjenerojë të ardhura, duke i ofruar publikut më shumë art, më shumë kulturë dhe zbavitje në periferi. Duhet thënë se është një qendër prej 150-200 mijë banorë, që nuk kanë se ku të shkojnë.

Megjithatë ka mbetur vetëm në letër…

Është depozituar një draft në MTKRS dhe duhet ngritur një komision, i cili duhet ta kodifikojë si ligj që të miratohet, sepse është një material me propozime.

Marrëveshja

Kinemaja italo-shqiptare nis me fëmijët

Qendra Kombëtare Kinematografike nënshkroi një protokoll marrëveshjeje me "Giffoni Film Festival". Drejtori i QKK-së, Xhevdet Ferri, dhe drejtori artistik i "Giffonit", Claudio Gubitozi firmosën një marrëveshje prej tre pikash. Ajo më e rëndësishmja është prodhimi i një filmi shqiptar për fëmijë. Një prodhim italo-shqiptar dedikuar fëmijëve, që rikthen traditën e mirë të 20 viteve më parë. Prej vitit 1989 Shqipëria nuk ka prodhuar më asnjë film për fëmijë. Sipas marrëveshjes këto dy institucione do bashkojnë "forcat" qofshin këto krijuese, teknike dhe financiare për të sjellë në jetë një film me metrazh të gjatë. Gjithashtu marrëveshja parashikon realizimin e një tryeze, një seminari në Napoli e më pas në Romë, për të gjetur gjuhën e bashkëpunimit mes kineastëve shqiptarë dhe italianë. Sipas Ferrit me gjithë marrëdhëniet mjaft të mira me Italinë ende nuk ka një bashkëpunim në këtë fushë dhe ky nënshkrim është një hap i parë drejt një marrëdhënieje të ardhshme. Gjithashtu parashikohet edhe trajnimi i dy të rinjve për pjesëmrrjen në një fushatë sensibilizimi për kinemanë e të rinjve. Ndërkohë që u firmos, që në edicionin e ardhshëm të "Giffonit" në Itali të realizohet një seksion me filma shqiptarë të prodhuar pas '90-ës. 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora