E diele, 25.02.2024, 03:57 PM (GMT)

Kulturë

Durrsakët e filmit shqiptar

E merkure, 07.11.2007, 06:43 PM


Aktoret e estrades dhe teatrit "Aleksander Moisiu" ne filmin shqiptar

Nga Flori Slatina

Teatri “Aleksander Moisiu” i Durrësit, sikurse Teatri Kombëtar, teatri i Shkodrës, i Korçës, Fierit apo Vlorës, me një bërthamë të mirë aktorësh ka shënuar në historinë e tij një periudhë të suksesshme në artin tonë skenik. Nga ky teatër kanë dalë disa breza të shquar aktorësh, të cilët vit pas viti krijuan fizionominë e vërtetë të këtij arti magjik. Së bashku me trupën e varietesë, një nga më të njohurat në shkallë vendi, që prej 37 vjetësh gëzon “statusin” trupë profesioniste, në përbërje të së cilës ishin regjisori "Artisti i Popullit" Gjergj Vlashi, “Mjeshtri i madh” Haxhi Rama, aktorët Spiro Strati, Meropi Xhoja, Enver Likmeta, Ramazan Njala, Aleksandër Pepa, Hadil Hasa, Aleks Llazari, Marie Dema, Lumturi Dashi, Eli Tirana, Roland Koça e Muharrem Hoxha etj, kanë një kontribut të çmuar edhe në filmin artistik.
Janë afro 20 aktorë të kësaj trupe që janë angazhuar në filmin shqiptar herë pas here, duke bërë në total rreth 150 personazhe, ku pa dyshim, në majën e këtyre artistëve qëndrojnë aktorët e shquar Guljelm Radoja, Mirush Kabashi, Vangjel Heba, Xhevdet Feri, Marta Burda, Liri Lushi, Lyfti Hoxha, Spiro Urumi, Nikolin Xhoja etj. Le t’i marrim me radhë këtë artistë të shquar një pjesë e të cilëve nuk jetojnë më por kanë mbetur të pavdekshëm, pikërisht nga ky sukses e kjo pjesëmarrje e tyre në filmin shqiptar.

1. Guljelm Radoja “Artist i merituar”, një aktor i shquar, me një karrierë të suksesshme në teatrin “A. Moisiu”, por edhe në Teatrin kombëtar. Ka interpretuar në filmin shqiptar mbi 35 role, që nga fillimi i viteve 70. Ndër rolet e tij më të suksesshme janë fotografi te “Shtigje lufte”, tenente Gurabardhi “Në fillim të verës”, Stefan Bardhi te “Mësenjtorja”, gjeneral gramafoni te “Gjeneral Gramafoni”, Lym Kepi te “Nëntori i dytë”, Petro te “Kush vdes në këmbë”, prifti te “Kthimi i ushtrisë së vdekur”, i huaji te “Dashuria e fundit”, etj. Karakteristikë është se shumica janë role kryesore, të vlerësuara edhe me çmime e medaljone.

2. Mirush Kabashi “Artist i merituar”, përveç rolit mjeshtëror të Sokratit në teatër, si dhe disa roleve në teatrin e Durrësit, ka një kontribut të çmuar në filmin artistik, duke interpretuar në mbi 20 filma. E ka nisur karrierën në një film televiziv “Zani partizani”, e më pas shkëlqeu në disa role, ku veçojmë Shazivarin tek “Koncert në vitin 36”, njeriu me shishe “Emblema e dikurshme”, piktori “Ne vinim nga lufta”, Nikollaqi te “Karnavalet”, Bakja te “Gëzhoja e vjetër”, Brahushi te “Dora e ngrohtë”, Lithani “Kohë e largët”, Maku te “Zëvëndësi i grave”, etj.

3. Nikolin Xhoja “Artist i popullit”, ka në galerinë e tij 8 role, por ka mbetur në kinemanë tonë për dy role nga më të bukurit e saj, atë të Xha Beqos te filmi “Kapedani” dhe Përparimtarin tek “Çifti i lumtur”. Por me mjeshtëri të lartë janë interpretuar edhe rolet e tjera si kuzhinieri te “Horizontet e hapura”, Magazinieri “Udhëtim në pranverë”, baca Leka te “Thirrja” apo rolet e tjera në filmat “Furtuna”, “Ndërgjegjja”, Në prag të jetës”. Ka një kontribut të madh në teatrin e Durrësit pasi ka qenë themelues e shtylla qendrore e tij.

4. Vangjel Heba “Artist i merituar”, një artist i kompletuar, me një karrierë të gjatë e të suksesshme në teatrin “Aleksandër Moisiu”, me mbi 22 role në filmin artistik, ku shquhet për interpretimin të gjallë, të besueshëm e me nivel të lartë artistik, veçanërisht në rolet e tij në rolet e Vasilit “Furtuna”, Murrashi te “Toka jonë”, Aliu te “Malet me blerim mbuluar”, Fane Mërtiri “Gurët e shtëpisë sime”, dom Gjoni “Thirrja”, Dr. Sokrati te “Botë e padukshme”, etj. U nda nga jeta para disa ditësh.

5. Xhevdet Feri “Artist i merituar”,, përveç angazhimit disa roleve në teatrin e Durrësit, ka interpretuar në filmin shqiptar mbi 15 role, kryesisht role të para, duke u vlerësuar me çmime për interpretimin e tij. Shquhet për rolet e tij si Marko “Vëllezër dhe shokë”, Pali “Besa e kuqe”, Agroni “Hijet që mbeten pas”, Martini te “Treni niset në shtatë pa pesë”, “Gjon Kodri te “Vitet e pritjes”, Trimi “Përrallë nga e kaluara”, Sako te “Dasma e Sakos”, etj. Së fundi interpreton edhe në filmin Koha e kometës” të Fatmir Koçit. Për filmin ka kontribut edhe si drejtor i QKK.

6. Spiro Urumi “Artist i merituar”, një aktor i shquar i teatrit “Aleksandër Moisiu”, me një kontribut të çmuar në dhjetëra role. Ka interpretuar mbi 15 role në filmin shqiptar, duke nisur nga roli i H. Fulcit në filmin “Vitet e para”. Më pas ka interpretuar me sukses Markalleshin tek “Ilegalët”, Dago te “Mysafiri”, zoti Maman “Ne vinin nga lufta”, “Abdurrahman Harizi “Asgjë nuk harrohet”, konsulli “Pranverë e hidhur”, investitori i huaj te “Fundi marrëzisë”, etj.

7. Marta Burda “Artist i merituar”, një aktore që karrierën e nis në Teatrin Kombëtar, por që u dallua për nivel të lartë në teatrin “Aleksandër Moisiu”. Ka interpretuar në film mbi 15 role, ku shquhet për interpretime të saj në filmat “Nusja dhe shtetrrethimi”, Balonat”, “Dorina”, “Përtej mureve të gurta”, “Radiostacioni”, “Agimet e stinës së madhe”, “Zëvëndësi i grave”, etj. U nda nga jeta në vitin 1995.

8. Liri Lushi e nisi karrierën e saj me një rol qendror në filmin “Thirrja”, atë të sekretares së Partisë. M pas interpretoi me sukses edhe në filmat “Zonja nga qyteti”, Dorina te “Dorina”, “Blerta “Yje mbi Drin”, Dila “Rruga e lirisë”, si dhe në filmat “Kush është vrasësi”, “Këtu bën ftohtë”, “Vals i ngrirë në Prishtinë” etj. Në teatrin “A. Moisiu” ka interpretuar afro 20 vjet duke interpretuar afro 50 role. Prej disa vitesh jeton në mërgim.

9. Lufti Hoxha “Artist i merituar”, ka qenë një nga figurat qendrore të teatrit të Durrësit, duke interpretuar në mbi 80 role, por ka interpretuar edhe në film mbi 13 role, duke u angazhuar që në vitin 1963 te “Detyrë e posaçme”. Më pas ka pasur sukses në filmat “Ilegalët” në rolin e të dehurit, Ndueja te “Thirrja”, krushku te “Dollia e dasmës sime”, babai i Tilit te “Shoku ynë Tili”, hamalli te “Nata e parë e lirisë”, Leko te “Vetmi” etj.

10. Xhelal Tafaj ka interpretuar mbi 10 role në filmin shqiptar, por është nga aktorët bazë të teatrit të Durrësit, me një galeri të madhe rolesh. Në film e ka nisur karrierën me rolin e ushtarit italian te “Tomka dhe shokët e tij”. Ndër rolet e tjera veçojmë Fationi te “Mysafiri”, Tranieri “Shokë të një skuadre”, Rreshteri “Pranverë e hidhur”, Kristaq Bushi te “Kronikë e një nate” etj.

11. Violeta Dede, u shfaq në filmin shqiptar në rolin e Shpresës në filmin “Shpërthimi” dhe më pas interpretoi mbi 12 role, ku shquhet veçanërisht për rolet e saj në filmat “Gëzhoja e vjetër” Miranda, Shpresa te “Skëterrë 43”, Linda te “Një ndodhi në port”, Liliana te “Ku po xhirohej një film”, gruaja e Martinit “Të paftuarit”, si dhe në filmat “Vrasje në gjueti”, “Kronikë e një nate” etj.

12. Fadil Hasa “Artist i merituar”, një aktor i shquar i Estradës së Durrësit, me një kontribut të jashtëzakonshëm në këtë estradë, i mirënjohur anembanë vendit. Ka interpretuar në film pak role, por janë të paharrueshme rolet e tij në komeditë “Zëvëndësi i grave”, në rolin e magazinierit”, dhe së fundi roli në komedinë “Mao ce Dun”.

13. Muharrem Hoxha, përveç aktivitetit të madh në teatrin e Durrësit, ka interpretuar edhe në disa filma në role të vegjël para viteve 90, si p.sh te filmi i tij i parë “Lundrimi i parë”, por me sukses në filmat televizivë, kinokomedi të Arian Çuliqit, si p.sh komshiu “Pak fresk sonte”, e më pas “Fundi i marrëzisë”, “Gjithë fajet i ka paraja”, “Dashuri me krisma”, etj.

14. Aishe Stari “Artist i merituar”, me një sukses të madh në estradën e qytetit të Durrësit, me qindra role në skeçe e parodi, por e angazhuar edhe në filmin shqiptar me mbi 5 role, ku veçohen filmat “Udhëtim në pranverë”, “Fije që priten”, “Fundi i marrëzisë”, “Dashuri me krisma” etj.

15. Ali Bega, një aktor dramatik i teatrit të Durrësit, por ka interpretuar mbi 7 role në film, si p.sh në filmat “Zani partizani”, “Dorina”, “Intendenti”, “Si gjithë të tjerët”, “Dhe vjen një ditë”, “Gurët e shtëpisë sime”, “Rrethi i kujtesës” etj. Në vitet 90 u shkëput nga teatri e jeton në emigracion.

16. Hysen Bashhysa si aktor i Durrësit ka interpretuar dhjetëra role në teatër, duke qenë aktiv edhe sot. Në film ka pesë role, duke filluar nga filmi “Një udhëtim i vështirë”, “Në pyjet me dëborë ka jetë”, “Dorina”, Gjurmë në kaltërsi”, “Vals i ngrirë në Prishtinë”.

17. Rozeta Feri, si aktore e Durrësit ka interpretuar, përveç teatrit, edhe 5 role në film përkrah bashkëshortit, Xhevdetit, disa role si p.sh në filmin “Dhe vjen një ditë”, “Vitet e pritjes”, “Tradhti bashkëshortore”, “Gjoleka, djali Abazit” etj.

18. Pëllumb Deçolli , si aktor komik, ka interpretuar me sukses mjaft role në teatër, por ka interpretuar disa role pikantë në filmin shqiptar, duke nisur me rolin në filmin “Goditja”, por veçohen rolet e tij në filmat “Karnavalet” dhe “Dy herë mat”.

19. Drita Nikolla ka interpretuar disa role në teatrin “Aleksandër Moisiu”, por në film shumë pak. Mbahet mend për një role qendror në filmin “Eja”, atë të nënës.

20. Meropi Xhoja ka interpretuar në film tre role të vegjël, nënën tek filmi “I teti në bronx”, po nënën në filmin “Dorina” si dhe një rol të vogël në filmin “Kapedani”.

21. Spiro Strati, i dalluar në dhjetëra role, skeçe e parodi në varietenë e Durrësit, është angazhuar në film në dy role të vegjël, një në filmin “Udhëtim në pranverë” dhe tjetrin në filmin televiziv “Plumba perandorit”.

22. Ramazan Njala, ka interpretuar në film vetëm një rol në kinokomedinë “Cirku në fshat”.

23. Edhe Milto Profi ka një rol të vogël në filmin televiziv “Dorina”, film që u bë sipas ekranizimit të dramës me të njëjtin titull, ku interpretuan të gjithë aktorët e teatrit “Aleksandër Moisiu”.

Regjisorët e filmit shqiptar e kanë pasur shumë të lehtë angazhimin e këtyre artistëve, pasi teatri i Durrësit, ashtu sikurse ai i Korçës, i Vlorës, i Shkodrës, kanë qenë një bazë shumë e mirë për ta. Përveç aktorëve që u përmendën më lart ka pasur edhe të tjerë që kanë interpretuar në role të ndryshme, sikurse ka mjaft aktorë të tjerë durrsakë që nuk kanë qenë pjesë e trupës së teatrit apo varietesë së Durrësit.
Sot Teatri dhe Varieteja po kalojnë momente të vështira, edhe pse herë pas here gjallërohen na ndonjë shfaqje sa për të thënë se jemi ende gjallë. Nuk ka më atë shkëlqim. Regjisorja Driada Dervishi i është bashkangjitur trupës me sukses, duke huazuar edhe aktorë të tjera nga Tirana apo rrethet. Suksesi në Maqedoni i kësaj trupe është provë se ky teatër apo ajo trupë e varietesë mund të ngjallet e të jetë edhe një herë në lavdinë e dikurshme.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora