E hene, 26.02.2024, 05:04 PM (GMT)

Kulturë

Intervistë me piktorin Besnik Erebara

E merkure, 07.11.2007, 06:49 PM


“Po na sfidojnë stampimet kineze”

Nga Flori Slatina

Besnik Erebara
Besnik Erebara është një nga piktorët tiranas të Rrugës së Dibrës. Me një karrierë prej disa dekadash, ai sot punon, ekspozon dhe shtet në galerinë e tij private “Ere”, të themeluar nga ai vetë dhjetë vjet më parë. Besniku punon në të gjitha teknikat si në akuarel, pastel, tempera e vaj. Në pikturën e tij tenton të flasë sa më thjesht e me një penelatë të pasur koloristike. Në të shumtën e rasteve ka shpërthime që të krijojnë përshtypjen e një shqetësimi të brendshëm, shqetësim i kohës. Tablotë dhe punimet e tij më të rëndësishme janë: "Mbrojmë tokën tonë", "Veterani tregon", "Komiti me abetare", "Vjeshtë", "Vajzat volejbolliste", "Xhamia Sahati Tiranë", "Portret luftëtari 1912", "Nudo", "Perëndim mbi manastir", etj. Disa nga punimet e tij sot janë pronë e koleksionistëve nga disa vende të botës si Ankara (Pazari i Tiranës), Nju Jork, Zyrih, Itali, Athinë, etj. Besnik Erebara ka krijuar individualitetin e tij krijues. Ai ndien shqetësimet dhe problemet e kohës, i kursyer në kritika e i vëmendshëm ndaj fenomeneve që shqetësojnë sot artet figurative. Mbi të gjitha kopjimet dhe stampimet kineze apo turke janë bërë një konkurrencë e padenjë për të jitëh piktorët, ndaj edhe vëmendja e shtetit duhet të jetë më e madhe në këët drjetim.
U lind në Tiranë në 25 qershor 1951. Në vitin 1966 vazhdon liceun artistik "Jordan Misja" me pedagogët e nderuar Naxhi Bakallin dhe Sadik Kacelin. Nëvitin 1971 fiton konkursin dhe vazhdon studimet në Akademinë e Arteve në Tiranë në specialitetin e arteve të aplikuara. Mbrojtjen e diplomës e bën në specialitetin e qelqit artistik, duke realizuar një seri ndriçuesish inkandeshent për interier dhe eksterier, e realizuar e gjitha me material ku më vonë disa prej tyre u vendosën në ambientet e hotel "Tiranës". Vlerësohet maksimalisht dhe me diplomë të veçantë për punimin. Pas studimeve emërohet në ndërmarrjen elektro-teknike si specialist në modelimin e ndriçuesëve elektrikë deri në vitin 1991. Krahas punës së përditshme Besnik Erebara i përkushtohet me pasion artit të pikturës. Merr pjesë për herë të parë në ekspozitën kombëtare të 1976. Më pas merr pjesë me radhë në të gjitha ekspozitat kombëtare e lokale me punimet e tij, të cilat janë vendosur në institucione të ndryshme të vendit.

- Si ndiheni në galerinë tuaj “Ere”?
- Galeria “Ere” është hapur në vitin 1997 dhe ka 10 vjet eksperiencë. Kam punuar në të gjitha fushat e pikturës, kam punuar peizazhin, natyrën e qetë, portretin, kompozimin, peizazhin karakteristik etj. Galeria është njohur jo vetëm në Tiranë, por edhe nga shumë qytetarë të rretheve, jo vetëm nga shqiptarët, por edhe nga të huajit, pasi janë të shumtë ata që sot kanë në koleksionin, apo shtëpitë e tyre një punë të kësaj galerie, duke filluar nga Kanadaja, SHBA, Franca, Belgjika, Zvicra, Italia, Greqia etj. Pak a shumë unë ruaj në punimet e mia karakterin realist e impresionist, pa përjashtuar edhe punime të karakterit modern, pak abstrakt , duke iu përgjigjur edhe preferencave të vetë blerësve. Për sa i përket ecurisë së punës, mund të them se ka një rënie në shitjen e tablove. Më parë ka qenë më mirë, tani tregu është në rënie, edhe në krahasim me vitet e tjera. Ka shumë faktorë, por do të veçoja atë të anës ekonomike, uljen e fuqisë blerëse.
Ajo që vërej me shumë kënaqësi është fakti se sot tek mjaft qytetarë ka hyrë kultura e të dhuruarit të një vepre artistike. Sot mjaft njerëz bëjnë dhurata një pikturë, gjë që ka qenë shumë pak e pranueshme më parë. Kjo ka ardhur edhe nga emigrantët, pasi ata kanë sjellë me vete edhe këtë lloj kulture, njëherësh edhe fuqinë blerëse.

- Cilat janë kategoritë që blejnë më shumë pikturën tuaj?
- Zakonisht është një kategori e caktuar e shtresës së mesme, të cilët kanë edhe një kulturë më të madhe artistike, një tërheqje ndaj së bukurës, apo ndaj një vepre arti. Por nuk përjashtoj edhe të huajt, të cilët priren kryesisht ndaj peizazhit karakteristik shqiptar. Ndër peizazhet më të rëndësishme e më të vlerësuara janë ato me qytetet e Beratit, Gjirokastrës, Krujës etj, por edhe me vende karakteristike shqiptare. Por ehe shumë njerëz kërkojnë tablo nga qytetet e tyre. Ka pastaj edhe një aspekt tjetër punës sime, që është piktura me porosi. Eshët një fenomen jo fort pranishëm, por gjithsesi është përcaktues. Ka edhe njerëz që dëshirojnë të kenë si kujtim shtëpinë e tyre të vjetër, në fshat apo diku larg. Por përgjithësisht më të pranishme në ambientet e banimit janë peizazhet lirike e sidomos natyrat e qeta. Në punën time këto dhjetë vjet kam testuar preferencat e blerësve dhe shikoj se peizazhet dhe natyrat e qeta janë më atraktive dhe kanë më shumë admirues e blerës. 90% e tyre duan peizazhin e natyrën.

- A jeni i kënaqur nga puna juaj dhe si e shikoni ju sot tregun e pikturës?
- Tregu i pikturës nuk është mirë. Jo vetëm për arsyet që thashë më lart, por ka edhe një arsye tjetër për të cilën shteti, si rregullator, duhet të bëjë patjetër diçka. Eshtë një konkurrencë e pandershme me stampimet kineze e turke, duke i servirur ato për origjinale. Unë nuk mund ta ndaloj, secili bën punën e tij, por ajo të paraqitet si një stampim i një pikture të bërë në Turqi apo në Kinë. Eshtë konkurrencë e pandershme, pasi ata e shesin me një çmim më të ulët dhe më konkurron jo denjësisht. Në pozicionin që unë jam paguaj taksat e shtetit, të baskisë, detyrime të tjera dhe ndihem i rrezikuar nga këta tregtarë të këtyre kopjeve të shëmtuara të artit. Shteti duhet të ndërhyjë në mes, duke ndarë veç artistët, piktorët profesionistë, me një emër e me përvojë dhe veç tregtarët e rëndomtë apo piktorët kopjues, të cilët kanë lënë profesionin e tyre si tornitorë, hidraulikë apo ku di unë, dhe janë bërë piktorë. Shteti me strukturat e tij duhet të na ndihmojë në këtë mes, pa lënë mënjanë edhe një lloj mbështetje apo subvencionimi që duhet të na bëjë, se faktikisht edhe na takon. Fakti është se viti 2007 ka qenë viti më i dobët për sa i përket shitjeve dhe këtë nuk e them vetëm unë por shumë piktorë të tjerë profesionistë në të gjitha galeritë e kryeqytetit. Jashtë shteti i ndihmon, mbron dhe i subvencionin piktorët e galeritë, dhe nuk i çon ata drejt falimentimit. Ky është realiteti shqiptar sot.

- Dukeni sikur jeni tërhequr në ekspozita personale apo në konkurrime kombëtare të pikturës?

- Jo, nuk është se unë jam tërhequr, kam qenë i pranishëm në një ekspozitë te galeria “Gjikondi”, ku mblidhen disa piktorë dhe botohet edhe një guidë me piktorë të ndryshëm edhe në revistën “Çelësi kult”. Gjithashtu kam marrë pjesë në ekspozitën e përvitshme “Riviera”, ku marrin pjesë deri në 40 piktorë. Ndërsa më parë kam marrë pjesë në konkurset ”Onufri”, dy tre vitet e para e pastaj ai ndërroi drejtim, dhe ka një ambient jo fort dashamirës. Sot piktorët ekspozojnë me grupe dhe me këtë rast po ju them se ne jemi duke ngritur edhe shoqatë e piktorëve tiranas. Jemi në hapat e fundit, një grupim me mbi 20 piktorë, sepse një shoqatë do mbrojë më fort të drejtat tona si dhe do të na japë mundësi më të mëdha ekspozimi e ballafaqimi.
Njëherësh plani ynë më i afërt është një ekspozitë e madhe, e ideuar nga kryetari i minibashkisë nr. 8 z. Arben Tafaj, i cili do të mbledhë në një ekspozitë të gjithë piktorët kryeqytetas për Tiranën, me rastin e përvjetorit të shoqatës “Tirana”. Nëse do të ketë sukses mendohet që ky aktivitet të jetë i përvitshëm, me punime dhe autorë të rinj, pra piktorët e Tiranës për Tiranën.

- Cili është mesazhi juaj?
- Në radhë të parë duhet të them se shteti duhet të jetë më sensibël ndaj artistëve dhe veçanërisht ndaj piktorëve. Sot i janë dhunë shumë përparësi letërsisë, muzikës, filmit, teatrit etj, por shumë pak i vëmendje i është kushtuar arteve figurative. Piktura ka ngelur e veçuar e braktisur. Nuk ka një vlerësim për t’i dhënë asaj vendin që i takon. Piktura në shtatë artet rendet i pari, por ka vajtur në vendin e fundit, pikërisht nga kjo mosvëmendje e shtetit.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora