Kulturë
Për piktorin shijakas Agim Faja, "Nudo është maja e pikturës"
E hene, 19.11.2007, 11:27 PM
Para vitit 1990: Vështirësitë jo aq nga modelet, se sa nga "komisionet partiake"
Dhjetëra e qindra vizatime nudo dhe shumë piktura nudo
Kanë mbijetuar në kënde të fshehura me kujdes nga piktori Agim Faja në studion e tij në Shijak, për të qenë më pas pjesë e dhjetëra ekspozitave pas viteve '90. Piktori Agim Faja me një periudhë më se 40-vjeçare punë krijuese ka treguar një kujdes të jashtëzakonshëm në ruajtjen dhe sistemimin e të gjithë punës së tij të gjatë krijuese, por edhe hedhjen në letër të qindra kujtimeve, mbresave, hulumtimeve kryesisht të karakterit historik dhe atij dokumentar.
Faja pohon se piktura e tij e parë nudo daton kur ai ishte shumë i ri, në auditoret e Institutit të Lartë të Arteve, sot Akademia e Arteve dhe se gjatë gjithë kohës, sa hapur, e sa në fshehtësi,
nuk i është ndarë nudizmit në pikturë.
Për këtë "përkujdesje", por edhe për peripecitë disavjeçare, piktori shijaks Agim Faja fletë në një intervistë për gazetën "Metropol".
Keni përjetuar dy realitete krejt të ndryshme, atë të realizmit socialist dhe kohën e sotme moderne. Në ç’raport ka qëndruar liria juaj në krijimin artistik mes këtyre epokave?
Kam qenë veçse 29 vjeç në kohën që kam fituar të drejtën profesionale për të dalë në profesion të lirë. Mosha shumë e re dhe vullneti për të krijuar sa më shumë më ka rrëmbyer në ato vite, të cilat kanë lënë gjurmë të forta në jetën time, por edhe në art pasi kam prodhuar shumë, aq sa e kam të pamundur të numëroj punimet e realizuara. Sigurisht që kohët ndryshojnë, aq më shumë kur bëhet fjalë për epoka diametralisht të kundërta. Në një farë forme diktaturat bëjnë art. Bota njeh mrekulli në art në epoka inkuizicioni. Të qenurit rebel është në shpirtin e krijuesit dhe pikërisht kjo ka nxitur egoizmin tonë për të mbajtur artin duke mos rënë në sy. Profesorët tanë ishin fillimisht të shkollës ruse, të cilët u larguan pas prishjes së marrëdhënieve me ish-Bashkimin Sovjetik. Politika sigurisht kishte ndikim në art, por në pikturë ne patën fat pasi na erdhën pedagogë nga vende deri diku demokratike si pedagog çek, polak, hungarez që ishin më liberal. Nga ana tjetër padija dhe tendenca servile ndaj pushtetit të kohës dhe dogmave në karakterin e shumëkujt e ka bërë edhe më të ashpër natyrën klasore të kohës, e cila ushqente tendencën e prirjes realiste edhe në art. E ashpër klima është bërë pas viteve 1974, që përkon me kohën e ndëshkimeve të pasplenumit të IV të PPSH-së. Arti pra edhe piktura u goditën rëndë. Piktorë, si E. Gjergo, A. Oseku e të tjerë si dhe skulptorë, poet etj., u persekutuan, nuk u lejuan të merreshin me punë krijuese e kështu me radhë.
Deri para viteve ‘74 ju keni punuar lirshëm edhe në pikturat dhe vizatimet nudo?
Për të qenë i sinqertë unë nuk kam hequr dorë nga nudo as para vitit 1974, as pas tyre edhe as tani që jam 68 vjeç. Është profesion dhe kur e ke të përzemërt nuk ka të bëjë nëse të lejohet apo jo. Tjetër gjë nëse do të themi se këtë punë e kemi bërë apo e bëjmë në fshehtësi. Për herë të parë kemi ekspozuar nudo në vitin 1962, ndërsa punimi nudo i përket vitit 1957 në moshën 18-vjeçare në bashkëpunim me profesor Kel Kodhelin. Ishte një punim në skulpturë me pjesën e pasme, por që nuk të ngjallte ato impresione që afron piktura me ngjyrë dhe thellësi të pazëvendësueshme imagjinare. Kam shumë punime. Janë rreth 35 piktura femra e meshkuj nudo dhe qindra vizatime. Sigurisht që këto nuk i përkasin vetëm kohës para plenumit të IV të vitit 1974. Që kur ishim studentë pikturonim nudo dhe pedagogët na rrinin te koka duke dhënë udhëzime. Për ne nuk kishte asgjë tabu. Pse jo edhe për subjektet tona që do të ishin vajza të reja, femra me ngjyrë, djem e burra të profesioneve të ndryshme. Më tërhiqte nudizmi si dhe kompozimi në portret, peizazh, natyrë të qetë apo edhe ilustrimi që pas disa vitesh do të më bënte për vete.
Si siguronit ju modelet për pikturë, apo ishte pedagogu që afronte në studio djemtë e vajzat për t’u pikturuar?
Dilnim me grupe të vogla. Qëndronim kryesish para Bankës së Shtetit në Tiranë. Aty ishin edhe stacionet kryesore për në Kombinat e për në Kinostudio. Shikonim me vëmendje njerëzit dhe sapo e pikasnim i viheshim nga pas. E takonim, prezantoheshim dhe i afronim punën e përbashkët. Modelet dhe modelët paguheshin dhe paga i joshte ata. Sigurisht femrat që ne bënim objekt ishin të shkathëta dhe të emancipuara, pasi atyre do t'ju duhej të qëndronin të zhveshura për disa orë para nesh dhe nga ana tjetër ato duhej të dëgjonin me kujdes çdo kërkesë tonën që kishte të bënte me pozicionin e trupit. Nudo është maja e pikturës dhe si e tillë arti duhej t’i ishte mirënjohës. Thënë ndryshe ata djem e vajza që pozonin trupin lakuriq i shërbenin artit tonë dhe nga ana tjetër paguheshin. Vështirësia, për shembull tek unë, ishte në rastin kur bëja pikturë të një femre me ngjyrë. Një rast më erdhi një mulate në studio, ishte vetëm 17 vjeçe dhe kishte lindur një fëmijë. Sapo bebja nisi të qajë ajo nxori gjirin për
ta mëkuar. Ishte diçka e rrallë dhe mahnitëse sa edhe frymëzuese. Ajo pranoi të bëhej objekt i pikturës sime, e cila është blerë shumë shtrenjtë nga një i huaj, por më ka kushtuar shumë mund pasi ngjyra e trupit nuk ishte harmonike siç e vërejmë tek një femër me lëkurë të bardhë.
Kishin drojë fillimisht apo gjithçka rridhte qetë?
Sipas rasteve. Femrat që pranonin ishin të gatshme, zhvisheshin pa asnjë drojë në dhomë, hiqnin gjithçka dhe vinin para nesh si në një sfilatë normale. Ato tregonin kujdes në respektimin e të gjitha kërkesave. Unë i mbaj mend edhe emrat e tyre. Afërdita, Hanifja, taksistja nga Berati, studenti Gimi i matematikës e kështu me radhë. Në rastet kur bënte ftohtë ndiznim një sobë dhe puna niste pasi vendi ngrohej. Kishte raste kur na duhej të prisnim, pasi femra kishte nevojë për pak moral deri sa të dilte e zhveshur, por kjo nuk na shpenzonte shumë kohë. Ndonjëherë na duhej të kujtonim se ata paguheshin më shumë se çdo njeri në Shqipëri, madje edhe se anëtarët e Komitetit Qendror.
Ju thoni se modelet paguheshin shumë, aq sa bëni krahasime edhe me pagat më të larta të hierarkisë së kohës.
Një modele paguhej me orë. Ajo merrte 90 lekë në orë dhe në muaj paga e saj varionte deri në 35.000 lekë (të vjetra). Ju kujtoj se drejtori i Institutit të Lartë të Arteve, Vilson Kilica, merrte një pagë mujore prej 9000 lekë (të vjetra), kurse sekretari i parë i një rrethi asokohe merrte jo më shumë se 11.500 lekë (të vjetra). Puna niste në orën 08.00 të mëngjesit e mbyllej në orën 22.00. Pra një modele paguhej katër herë më shumë se pedagogu. Megjithatë, duhet pranuar se modelet gjendeshin rrallë pasi ne zgjidhnim shumë dhe ato ishin pak, pra duhej t’i kërkonim për të bërë art. Paga nga ana tjetër justifikonte edhe vështirësitë që ndeshnin në familje këto femra me prindër apo edhe burra, pasi kishte të tilla që ishin të martuara, madje edhe nëna, por me një bukuri dhe harmoni të rrallë.
U ka ndodhur që piktura juaj të ndalohej në raste ekspozitash?
Sigurisht që po. Po të mos i pëlqente komisionit një sy njeri në pikturë do të thoshte ose është frymë konservatorizmi, ose dekadente. Piktura "Porto Romano 43", është hequr ngase unë u kritikova për pesimizëm dhe mbyllje në vetmi. Të njëjtin fat pati edhe piktura tjetër që e kam titulluar "Mesditë", në pushim e vitit 1972. Janë dy femra që qëndrojnë të shtrira në një arë.
Njëra prej tyre është me gjinj paksa të ekspozuar dhe tjetra me fustan që i kishte lënë të zbuluar pak kupat e gjurit. Kam edhe të tjera që më janë hequr nga e drejta e konkurrimit. Nuk isha i vetëm. Më kujtohet se Edi Gjergo i ndëshkua me pikturën "Aksionistët" vetëm pse kishte ngjyra të ndezura. Të tilla paradokse shëtisnin gjithandej në atë kohë. Aq më shumë për ne që kishim si idhull Van Gogun, e piktorë të tjerë të ndaluar rreptësisht në Shqipëri. Unë kam shëtitur nga miniera e kuarcit në Kërnajë të Tropojës deri në minierën e kripës në Sarandë, kam shkuar në dhjetëra ndërmarrje e kooperativa, kolektiva shkollore e të tjera. Dhjetëra piktura i kam lënë mënjanë vet pasi e dija fatin e tyre, por edhe fatin tim nëse do të guxoja.
Cilat janë pikturat e tua më të shitura dhe që kanë shfaqur më shumë interes?
Shtetasit e huaj janë edhe frekuentuesit më të shumtë të studios sime këtu në Shijak. Ata kanë shfaqur interesim të blejnë përgjithësisht piktura të kohës së realizmit socialist madje punimet e mia të kësaj kohë thuajse nuk i kanë parë. Një pikturë nudo është blerë pas viteve '90 për 1500 euro, por edhe pikturat e komunizmit me jetë e motive nga ajo periudhë janë tregtuar nga 800 deri në 1000 euro. Një pjesë i kanë blerë për t’i pasur në shtëpitë e tyre, kurse në jo pak raste kanë bërë edhe tregti me to. Çdo ditë kam blerës dhe jo pak e tyre janë biznesmen shqiptarë. Kam edhe frekuentues të rregullt që më afrojnë klientelë të huaj.
Bisedoi: Xhevahir Gradica