E shtune, 05.10.2024, 01:09 PM (GMT+1)

Kulturë

‘Kënga Magjike’ nuk është skenë për prova

E marte, 20.11.2007, 08:14 PM


Shkruan: Kristi Pinderi

40 artistë ndër më të njohurit e muzikës së lehtë shqiptare do të performojnë në gjysëmfinalen e “Këngës Magjike 2007” në 23 dhe 24 nëntor. Ndersa më të mirët do të këndojnë në datën 25 në finalen e këtij aktiviteti tradicional që sjell çdo vit prurje profesionale në muzikën e lehtë shqiptare.
“Skena e këtij show, nuk është një skenë për prova”, thotë në këtë intervistë ekskluzive për MAPO-n producenti i “Këngës Magjike” Ardit Gjebrea, i cili shpjegon edhe disa nga vështirësitë që i duhet të përballojë çdo vit me “Këngën Magjike”. Ai çuditet me skepticizmin e disa artistëve në lidhje me skemën e votimit në këtë eveniment, skepticizëm që sipas Gjebresë është aq i fortë e ngulitur thellë në mentalitetin e disave sa: “s’ka trancparencë në botë që t’u vërtetojë të kundërtën e asaj që mendojnë e besojnë”.
Ai pranon se artistët janë kapriçozë dhe kokëfortë: “NE jemi kapriçozë, por jo vetëm… Jemi shpeshherë me teka, kokëfortë dhe në të shumtën e rasteve… jemi shumë të mire”. Ndërsa pyetjes se kush e ndjen më shumë peshën e kokëfortësisë së Arditit, ai i përgjigjet: Stafi, artistët pjesëmarrës dhe profesionalizmi i “Këngës Magjike”. Kokëfortësia për këtë të fundit përkthehet: “kokëfortësi në mostolerimin e antivlerave”.
Gjebrea komenton në këtë intervistë edhe miqësinë e tij me disa nga politikanët kryesorë ne vend si Fatos Nano e Sali Berisha, por refuzon të japë mendimin e tij për politikat që ata ndjekin. “Meqënëse në Shqipëri, përgjithësisht çdokush gjykon apo paragjykon politikanët, nuk më pëlqen të bëj pjesë në këtë kategori duke mos e njohur artin e politikës… Ndaj më pëlqen që t’i trajtoj të dy si miq e jo si politikanë”, përgjigjet kantautori i njohur.

“Kënga Magjike” është realisht një show apo një festival?
Ardit Gjebrea: Eshtë padyshim një show. Që kur lindi “Kënga Magjike” u dimensionua pikërisht me konceptin e një show, që do t’i ofronte më shumë këngë profesionale tregut të muzikës së lehtë shqiptare.

Po diçka të tillë mund ta bëjë fare mirë dhe një festival, apo jo?
Ardit Gjebrea: Festivali ka më tepër karakterin e një gare, gjë që unë kam tentuar gjithmonë që ta eliminoj sa më shumë te “Kënga Magjike”, pavarësisht se finalja ka dimensionin edhe të një festivali.

Ju keni pohuar vazhdimisht se “Kënga Magjike” është një skenë nga ku dalin të kënaqur të gjithë artistët, qoftë të rinj qoftë të afirmuar. Po kështu janë shprehur edhe shumë pjesëmarrës në “Kënga Magjike”. Ku qëndron formula që i kënaq të gjithë?
Ardit Gjebrea: Zakonisht këngëtarët më falenderojnë pas përfundimit të “Këngës Magjike”. Por mes tyre ka dhe të pakënaqur, gjë që lidhet me mosmbërritjen e tyre në gjysëmfinale apo dhe në finale. Por, paraqitjen televizive të këngëve përpara finales, të konceptuara gati-gati si videoklipe, transmetimin në një rrjet të gjerë televizionesh që mbulojnë Shqipërinë, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi e madje dhe Bullgarinë, e mbi të gjitha shpërndarjen diskografike që u ofron “Kënga Magjike”, artistët nuk e gjejnë kudo. Ky është një promovim i tillë që u jep mundësi atyre të jenë të pranishëm në treg, në të gjitha ato vende ku jetojnë shqiptarët.

A janë kapriçozë pjesëmarrësit në këtë show? Artistët në përgjithësi a janë të tillë?
Ardit Gjebrea: NE jemi kapriçozë, por jo vetëm… Jemi shpeshherë me teka, kokëfortë dhe në të shumtën e rasteve… jemi shumë të mirë!

Kush e ndjen më shumë peshën e kokëfortësisë së Arditit?
Ardit Gjebrea: Stafi, artistët pjesëmarrës dhe profesionalizmi i “Këngës Magjike”. Kokëfortësia për këtë të fundit përkthehet: kokëfortësi në mostolerimin e antivlerave.

Më përmendni disa antivlera…?
Ardit Gjebrea: Produksione që nuk meritojnë jo vetëm skenën por as dritën e diellit; aspirantë-këngëtarë që do të ishte më mirë të bindeshin se nuk e meritojnë emrin këngëtarë.

Nuk mendoni se është publiku ai që duhet të zgjedhë…?
Ardit Gjebrea: Ka konkurse të tjera për ta! Konkurse ku ata mund të provojnë veten. “Kënga Magjike” nuk është skenë ku këngëtarët të bëjnë prova. Ndërsa publiku jep verdiktin duke i lënë kohës seleksionimin për këngëtarët me vlera. Dhe ky është seleksionimi më i drejtë dhe më i ashpër.

Çfarë bën Ardit Gjebrea kur nuk punon për “Këngën Magjike”?
Ardit Gjebrea: Në rastin më të zakonshëm jam duke u marrë ose me koncerte, ose me krijimtari. Pjesa tjetër është ajo e zakonshmja, e njëjtë si për gjithë të tjerët.

Ju relaksoheni më shumë larg familjes apo pranë saj? Sepse të jesh kryefamiljar dhe artist njëkohësisht do të thotë shumë preokupim…
Ardit Gjebrea: Gjithmonë pranë familjes. Për më tepër që tani familja është pjesë edhe e punës sime. Me këtë kam vërtetuar që është shumë mirë që familja të jetë pjesë jo vetëm e asaj ana shumë të rëndësishme të marrëdhënieve familjare, por edhe e marrëdhënieve me punën.

Ju jeni shumë mik me politikanë të të gjitha krahëve. Ju kemi parë edhe në fotografi të bëra publike përkrah ose Fatos Nanos ose Sali Berishës, e ndonjëherë edhe me të dy njëkohësisht. Keni folur për ta gjithmonë si për dy miq. A mund të komentoni në MAPO Nanon dhe Berishën si politikanë, jo si miq?
Ardit Gjebrea: I respektoj të dy për punën që bëjnë dhe për pozicionin që kanë. Nuk besoj se nëse kjo pyetje që më bëni mua, do u bëhej liderave tanë, atëherë ata do të hynin në aspekte a detaje artistike e profesionale të punës sime. Po meqënëse në Shqipëri, përgjithësisht çdokush gjykon apo paragjykon politikanët dhe hyjnë deri në detajet më te imëta të politikës, nuk më pëlqen të bëj pjesë në këtë kategori duke mos e njohur artin e politikës… Ndaj më pëlqen që të mbeten për mua miq të mirë, në cfarëdo lloj rrethane a pozicioni politik.

Pse ju, nuk votoni?
Ardit Gjebrea: Sigurisht kam edhe unë “hit-parade”-in tim ku ka pozicione të para apo dhe vende bosh…

Rikthehemi te “Kënga Magjike”. Si do të jetë këtë vit mekanizmi i votimit? I përhershmi?
Ardit Gjebrea: Eshtë e çuditshme se si shpesh edhe mes vetë këngëtarëve ka një skepticizëm të pajustifikuar. Formula tashmë dihet: Ata votojnë për njëri-tjetrin. Votat e tyre bëhen publike, në mënyrë që secili të ketë mundësi që të verifikojë votën e tij. E megjithatë disa prej tyre janë ende skeptikë.

Ka të bëjë me mentalitetin shqiptar apo me artistë të veçuar ky fakt?
Ardit Gjebrea: Ndoshta ka të bëjë me një mentalitet të frustruar që disa prej tyre kanë. Ndoshta ka të bëjë me mosbesimin, një virus që mund të jetë marrë nga fëmijëria e ndoshta dhe nga familja e që më pas duhet të jetë rrënjosur kaq thellë në karakterin e tyre sa nuk mund të ketë transparencë në botë që t’u vërtetojë të kundërtën e asaj që mendojnë e besojnë. Për fatin tonë të mirë, nuk janë shumë të tillë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora