E enjte, 28.03.2024, 10:25 AM (GMT)

Kulturë

Josif Papagjoni: "Ideologjizimi" dhe institucionalizimi "pozitiv" i artit të pasluftës

E shtune, 24.11.2007, 06:15 PM


Për herë të parë në një libër historie të popullit shqiptar, i kushtohet kaq rëndësi dhe i jepet kjo hapësirë artit dhe kulturës shqiptare. Të paktën, kështu pohon një prej hartuesve të vëllimit IV të Historisë së Popullit Shqiptar (1939-1990), përgjegjës për pjesën e "artit", prof. dr. Josif Papagjoni.

Duke e cilësuar botimin e historisë së popullit shqiptar në katër vëllime, një ndërmarrje të mirëpritur, dhe pse jo të guximshme, "për të dhënë një vektor të drejtpeshuar të historisë së kombit shqiptar që nga zanafilla e deri më sot", Papagjoni vlerëson përpjekjen dhe punën e bërë për ta zhveshur historinë e artit dhe të kulturës "nga shumë interpretime shpesh tepër subjektive, të politizuara e të ideologjizuara".

Në vëllimin IV të Historisë së Popullit Shqiptar, ju jeni hartuesi i "historisë" së artit shqiptar në periudhën 1939-1990. Si trajtohet arti dhe kultura në këtë vëllim dhe ç'pjesë zë ai?

Ky është teksti më i madh dhe më i plotë që është ndërtuar, pasi tekstet e tjera të historisë kanë shumë pak për artin dhe kulturën e kësaj periudhe. Ndërsa në këtë vëllim, duke qenë më i gjerë, vetiu dhe tema zgjerohet. Në tekstet e tjera të historisë kapitulli i artit ka qenë përmendur fare pak.

Në këtë vëllim është "zhveshur" historia e artit dhe e kulturës nga shumë interpretime shpesh tepër subjektive, të politizuara e të ideologjizuara, të ardhura sikurse dihet nga ndërfutja e faktorëve politikë në trajtimin e ngjarjeve të rëndësishme historike. Kjo posaçërisht, ka qenë shumë e mprehtë në periudhën që përfshin vëllimi IV, që zë fill me pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste në prill të '39-ës dhe mbërrin deri në vitet '90. Pra, kemi të bëjmë me një periudhë tepër kontradiktore, komplekse, ku premisa, shkaqe, faktorë, rrethana të ndryshme veprojnë në mënyrë aktive dhe ku posaçërisht politika, ideologjia ndërhyn gjerazi, deri në thelb, në interpretimin e fenomeneve historike. Unë së toku me të ndjerin prof. dr. Jakup Maton, i cili është larguar nga jeta, në këtë projekt morëm përsipër të trajtojmë historinë e arteve në Shqipëri. Doemos në periudhën e Luftës II Botërore, që u quajt në fushëpamjen tonë kombëtare Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare, arti nuk mund të gjente dot plotërinë e vet, ai ishte i cunguar nga faktorët e pushtimit. Por nga ana tjetër, nuk mund të mohohen gjithashtu disa arritje të realizuara nga artistë të ndryshëm, por këto arritje gjithnjë mbeten "të gjymta", sepse nuk i ndërtohej hapësira e nevojshme për të krijuar kushte për një zhvillim të mbrothtë të artit.

Ajo që është thelbësore në qasjen tonë si studiues është një qëndrim i drejtpeshuar. Ne nuk kemi dashur asnjëherë të mohojmë totalisht gjithçka në mënyrë të verbër, atë që është bërë dhe është realizuar me mund, pasion, djersë dhe talent nga artistët shqiptarë ashtu si nuk kemi dashur të biem në kurthin e vjetër të glorifikimit, të mburrjes dhe të hierarkive të ndërtuar dikur, por që sot mund të jenë fiktive. Por jemi përpjekur me një sy një çikë më të ftohtë të shikojmë se ku janë defektet e arteve shqiptare në këtë periudhë: mungesa e lëvrimit të individualiteteve, të metodave të ndryshme, se duke qenë një regjim totalitar monist nuk e lejonte që dhe në art të kishte pluralitet, shumësi metodash, stilesh. Prandaj, nuk mund të gjejmë bie fjala në këtë kohë pikturë surrealiste apo pikturë impresioniste. Edhe ato tendenca që shfaqeshin, kritikoheshin rreptë dhe quheshin fiktizma dhe menjëherë mbylleshin. Vetëm në fund të viteve '80-të filloi të lëvizte diçka më mirë në artet figurative, ku edhe përpjekjet për të përqafuar rrjedha që bota i kishte kaluar me kohë që për ne ishin më moderne, ashtu sikundër u vu re kjo edhe në ndonjë shfaqje teatri, film apo muzikë ku përpjekjet e artistëve përqendrohen për të përqafuar edhe gjëra që nuk kishin mundur t'i bënin dhe më parë.

Megjithatë, mund të përmendim edhe krijime që i kanë rezistuar kohës. Si e keni trajtuar këtë "pjesë të artit" dhe momentet "kyçe" në zhvillimin artistik të kësaj periudhe?

Do të veçonim shumë kompozime në muzikën e ashtuquajtur partizane, në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare, kompozime që i kanë mbetur shoshës së kohës, sikundër do të veçoheshin shfaqjet e shumta teatrore posaçërisht në Lëvizjen Nacionalçlirimtare, mjafton të përmendim që vetëm në Kongresin I të Helmësit u paraqitën mbi 40 shfaqje teatrore, që në fund të fundit dëshmon një dashuri dhe pasion të madh të njerëzve, të rinisë për të kapur artin. Por duke e lënë këtu këtë pjesë të historisë, çka është më e rëndësishme është pjesa gati 45-vjeçare e shtrirjes së periudhës së diktaturës nën okelion e të ashtuquajturit realizëm socialist. Më së pari, do të desha të vija në dije që në pikëpamje të mesazheve, të ideve, të laryshisë së formave, të stileve, të rrjedhave historike, realizmi socialist duke qenë se ishte një metodë e ngurtë dhe doktrinore pranoi në mënyrë të dukshme gjithë këto prirje që përmenda pak më parë. Pra, ai e ngurtësoi krijimtarinë dhe e vendosi në disa binarë, në të ashtuquajturin shtrat të prokursit, ku përpos miteve politike dhe ideologjike, përpos disa parimeve të dhëna, të përfunduara dhe të padiskutueshme të realizmit socialist, parime estetike, doktrinore që rridhnin direkt nga kupola e marksizëm-leninizmit si ideologji nuk mund të dilnin dot. Kështu që është kjo arsyeja pse përgjithësisht arti në Shqipëri, në të gjitha gjedhet e veta, përfshi artet vizuale, figurative, pikturë, skulpturë, përfshi muzikën dhe gjithë nënllojet e saj, teatrin, kinematografinë, pra artet në tërësi, sa i takonideve që ai artikulonte, porosive, mesazheve, ishin thuajse të paracaktuara dhe kishin një ngushtim, një mungesë frymëmarrjeje që vinte pikërisht nga mungesa e lirisë së shprehjes, nga mungesa e lirisë së aplikimit të stileve, të profileve, rrjedhave të ndryshme, poetika të ndryshme teatrore e artistike. Kjo në studimin tonë është vënë në dukje dhe sa herë kemi prekur fenomene të zhvillimit të arteve në të gjithë fushat e arteve, gjithnjë kemi pasur parasysh këtë faktor frenues dhe këtë faktor ideologjizues që vinte i imponuar. Ka posaçërisht disa periudha të rënda të artit në këtë kohë që jemi përpjekur t'i vëmë në dukje, sikundër është periudha e fillimit pas viteve të luftës kur u goditën të gjitha prirjet e tjera jashtë kësaj tendence politike ideologjizuese, me formimin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe përjashtimin e shumë autorëve, njerëzve të shquar të artit.

Së dyti, kemi vitet '60-të kur u duk se Shqipëria po bënte një kthesë apo një përqafim duke i dhënë një çikë liri më tepër prirjeve moderne ose të reja në arte. Por edhe kjo shpejt u mbyt dhe është pastaj periudha më e vështirë e arteve në Plenumin IV të Komitetit Qendror, kur arti u godit me të vërtetë në palcën e vet gjeneruese të tij dhe u shtrëngua të bjerë më tepër në klishetë dhe në skemat e parapara që rekomandoheshin nga kritika zyrtare dhe nga kupola partiake në përgjithësi. Por duke i lënë tutje dhe duke anashkaluar këtë faktor pengues, që janë thelbësorë në pikëpamje të mënyrës së ekzistencës së arteve në Shqipëri, të profilit dhe të fytyrës së tyre, në studimin tonë ne ndërkaq kemi paraqitur edhe arritje të dukshme që janë shënuar në artet në këtë periudhë, arritje që kanë të bëjnë posaçërisht me zgjerimin e arteve, me krijimin e arteve të reja profesioniste, me anën sasiore që nuk është e paktë, me ndikimin që këto arte kanë patur me publikun, popullarizimin e tyre, etj. Kështu, janë vënë në dukje shumë arritje të arteve, posaçërisht është periudha kur në Shqipëri ngrihen institucione profesioniste që paguhen nga shteti, financohen dhe zgjerohen më tej në këtë periudhë. Në vitin 1945 ngrihet Teatri i Shtetit, i cili në '47-ën u quajt Teatri Popullor dhe në '90-'91 u quajt pastaj Teatri Kombëtar. Përpos Teatrit Kombëtar, i cili arriti në një trupë prej deri 60 aktorësh dhe artistësh të ndryshëm, në Shqipëri u ngrit sistemi i teatrove profesioniste. U ngritën pas Teatrit të Shtetit, Popullor edhe dhjetëra teatro të tjera, teatro në Shkodër, në Korçë, në Vlorë, në Elbasan, në Gjirokastër, në Fier, në Berat. Dhjetë teatro dhe përpos tyre u ngritën edhe 25 trupa profesioniste të estradave. Pra, ishin 35 trupa teatrore të paguara dhe të subvencionuara nga shteti me shumë artistë dhe aktivitet shumë të gjerë në pikëpamje të premierave që përgatiteshin, të shfaqjeve që jepeshin, turneve që zhvilloheshin, të festivaleve që mbaheshin. Po e njëjta gjë vërehet edhe në fushën e muzikës. Është periudha kur ngrihen institucionet profesioniste në këtë fushë, ngrihen filarmonitë, orkestrat simfonike në qytetet kryesore të vendit dhe që kulmoi natyrisht me Filarmoninë e Shqipërisë që u kthye në Orkestrën e madhe të Teatrit të Operës dhe të Baletit. Është periudha kur ngrihen shumë ansamble profesioniste. Pothuaj të gjithë qytetet e mëdha të vendit kishin grupe ansamblesh, përpos lëvizjesh shumë të gjerë të lëvizjes amatore, e cila shtrihej në çdo ndërmarrje dhe kooperativa. Pra, gjithnjë faktori i ngritjes profesionale dhe ngritjes në një nivel të ri profesionist të artit është një vektor kudo i gjendur në këtë periudhë. E njëjta gjë ndodh në artet figurative, ku kemi ngritjen e shumë galerive, sikundër Galeria Kombëtare e Arteve, ku kemi promovime ekspozitash si ato të herëpashershme në prag jubilesh, ekspozita kombëtare. Është periudha kur ngrihet dhe institucionalizohet filmi shqiptar, duke nisur nga kronika e parë e Hamdi Feratit një kronikë dokumentare, derisa mbërritëm në filmin e parë shqiptar me metrazh të gjatë, "Tana" të Kristaq Dhamos dhe në fund të viteve '80-të, Kinostudioja "Shqipëria e Re" prodhonte mesatarisht 13-14 filma artistikë shqiptarë, çka në raport me popullsinë është një shifër shumë e lakmuar dhe e avancuar në raport me shumë vende të tjera. Ndërsa po ta shikojmë në një aspekt thjesht të krijimtarisë, do të vëmë re se është pikërisht kjo periudhë që nxori dhe përpunoi artistët e shquar shqiptarë në teatër me aktorë të kalibrit shumë të mirë, regjisorë që kishin mbaruar shkollat jashtë vendit, piktorë dhe skulptorë të shquar, kompozitorë, dirigjentë, instrumentistë, në koreografi dhe në të gjitha fushat e arteve. Vëmë re që në këtë periudhë ka përgjithësisht një zhvillim të mbrothtë të arteve, institucionalizimin e tyre dhe për herë të parë shikojmë që në artet shqiptare mbërrijmë ose kultivojmë të gjitha zhanret apo gjedhet e tyre thuajse pa përjashtim, duke i dhënë në përgjithësi arteve të zhvillohen brenda ligjësive dhe strukturave të tyre. Për sa i përket ideve, përmbajtjeve, mesazheve që përcilleshin në veprat e artit, këtu pa diskutim ka shumë vend për t’u diskutuar dhe ky ka qenë një nga problemet më të mprehta për studimin tonë, për të ndërtuar një drejtpeshim dhe një balancë ku është e mira dhe ku është e keqja.

Siç përmendët dhe vetë e ashtu si tashmë dihet, arti dhe kultura i kanë shërbyer ideologjisë së kohës. Megjithatë, mund të vlerësojmë si pozitive disa krijime artistike "të politizuara". Mund të flisni më gjerë dhe konkretisht se si përtej "politizimit", në vite, ka pasur ndikime për mirë në zhvillimin artistik, jo vetëm sasior?

Sigurisht, në studimin tonë për sa u përket arteve në periudhën e diktaturës, natyrisht hiqet glorifikimi dhe shumë komplimente dhe aureola që kishte për zhvillimin e arteve në përgjithësi. Dhe kjo, sepse ndryshon kriteri i vlerësimit. Duke qenë se tashmë e dimë që arti ishte i ndotur nga pikëpamja ideore, shpesh promovonte gënjeshtrën, deformimin e historisë, deformimin e së vërtetës njerëzore dhe shumë deformime të tjera që vinin të imponuara, për të pasqyruar kësisoj këtë realitet, pra kemi konstatuar dhe vënë në dukje që një pjesë e madhe e veprave artistike të bëra atëherë, sot nuk mund të krijojnë impakte pozitive dhe të fuqishme mbi publikun. Bie fjala, dramaturgjia shqiptare, e cila ishte lënda bazë e teatrit, sado që u krijua një plejadë dramaturgësh të suksesshëm që nga pikëpamja strukturore, formale, sollën risi në dramaturgji, sikundër janë: Kol Jakova, që në dramat e tij ka një strukturë të plotë dhe të bukur dramatike; Ruzhdi Pulaha, që pavarësisht shumë dramave të tij që venë në qendër të ashtuquajturat ngjarje heroike të Partisë së Punës etj., prapë si drama shumë syresh janë të guximshme sepse prekin dhe takojnë probleme të mprehta morale të asaj kohe. Duke bërë madje një kritikë me shumë guxim ndaj korrupsionit në administratë, të deformimit dhe të prishjes së njeriut të pushtetshëm dhe të padrejtësive, duke kërkuar të drejtë dhe më shumë liri. E njëjta gjë është edhe me dramat e Fadil Paçramit, që në plenumin IV u ndëshkua me burg, drama që një pjesë e tyre pavarësisht se kanë mbishtresim të fortë politik, kanë realisht edhe guximin për të kritikuar aq sa mund të kritikohej asaj kohe, dukuri dhe fenomene që shtrembëronin dhe ceknin lirinë e njeriut dhe gjithashtu të shoqërisë. Mora vetëm dramaturgjinë, e cila në përmbajtjen e vet ka shumë defekte, shumë mangësi, nuk e jepte të vërtetën e jetës ashtu siç duhej, ishte e pushtuar nga skemat, në të gjitha aspektet e pasqyrimit të skenave e subjekteve historike apo atyre bashkëkohore. Po e njëjta gjë është edhe në libretet e operave, ku ka shumë mite. Po ashtu dhe në artet vizuale, në skulpturë dhe në pikturë, ku shpesh butaforia, modelet "monumentale", "gjigantomane", me muskuj të nxjerrë e të fryrë të punëtorëve mbi diga ose kantiere, ku pjesa intime, njerëzore, gjendja natyrale e tij, brengat e tij, nuk mundën të jepeshin ashtu sikundër mundej. Skematizmi është i shfaqur dhe në skulpturën e pikturën monumentale, ku ka ngjarje të mëdha që janë të politizuara dhe ka një lloj "epiciteti" që është më shumë i jashtëm, sesa burimor. E njëjta gjë dhe në kinematografi, ku vetëm trajtimi i LANÇ-it kishte shumë defekte, nuk dëshmohej e vërteta sikundër ishte në këtë luftë dhe bie fjala kishte shtrembërime e deformime të figurës së ballistëve, ose të kundërshtarëve të Partisë apo të Frontit duke i trajtuar në mënyrë groteske dhe të karikaturizuar, çka nuk ishte e vërtetë. Ose në periudhën e ndërtimit të të ashtuquajturit socializëm, ku shpesh skemat politike e dominonin jetën e njeriut dhe gjithnjë do të shikonim një njeri, i cili shkonte me dëshirë në fshat, kur kjo nuk ishte e vërtetë,;ose do të shikonim një njeri i cili ia falte pronën partisë për kolektivizimin ose një njeri i cili kërkonte të fitonte më shumë, mirëpo quhej i keq dhe kështu pafundësisht skema të tilla, të cilat e ngushtonin frymëmarrjen dhe praninë e të vërtetës në art. Të gjitha këto lidhen me ndërhyrjen brutale, të ashpër, agresive të faktorit jashtëartistik, sikundër është politika dhe ideologjia. Artet jo më kot u quajtën nga vetë Partia e Punës dhe artistët si ndihmës të partisë, pra njerëz-instrumente që ndikonin për të bërë një propagandë dhe moral brenda klisheve dhe kornizave të dhëna. Në këtë sens arti është tejet i dëmtuar, por në drejtimet që thashë më lart arti ka shumë zhvillime. Sepse është pikërisht kjo kohë që prodhoi artistët e shquar shqiptarë, që iu dha hapësirë lindjes, kultivimit dhe zgjerimit të gjithë zhanreve të artit. Është kjo kohë e institucionalizimit të artit me institucione të financuara dhe të shpërndara në të gjitha qytetet. Është kjo kohë që ne shohim biblioteka dhe muze në të gjitha fshatrat dhe ku ndërtohen me të vërtetë në mënyrë të çuditshme shumë kënde muzeale. Është kjo kohë kur kemi një zhvillim të jashtëzakonshëm të folklorit, jo vetëm në pikëpamje të festivaleve folklorike në rrethe dhe në Gjirokastër, por të lëvrimit dhe të ngjalljes e nxjerrjes nga harresa e pluhuri të shumë vlerave folklorike, kultivimit dhe përpunimit të aftësive dhe dhuntive të shumë njerëzve që merreshin me artin popullor folklorik.

Së fundmi, ç'mund të thoni për atë çfarë po përjeton arti dhe kultura në Shqipëri pas viteve '90-të?

Pas viteve '90, legalizimi i lirisë politike në radhë të parë solli në mënyrë të vetvetishme legalizimin e lirisë krijuese. Ne flisnim dikur për liri krijuese, por ajo nuk ishte liri e vërtetë, ishte liri brenda disa skemave, brenda disa parimeve të caktuara. Ndërsa tani në artet shqiptare, në vitet e para vihet re një vrap i madh, turravrap, dëshirë e madhe për të kapur ato gjëra që nuk ishin kapur, për të shijuar ato gjellë që nuk ishin shijuar. Kështu që kemi një ndikim në të gjitha fushat e artit, për të aplikuar metoda, stile, shkolla të artit botëror, posaçërisht të Evropës Perëndimore. Kjo u vu re në mënyrë të menjëhershme në të gjithë artet figurative, në pikturë ku ka zhvillim më të madh, më pak në skulpturë. Në pikturë, ku mundësitë janë më të mëdha, kemi një përqafim të gjithanshëm dhe kemi stile, shkolla të shumta që duken tek artistë të ndryshëm. Kjo u vu re dhe në muzikë, ku ka përfaqim të po të njëjtave rrjedha, stileve, shkollave të ndaluara dikur. Kështu dhe në teatër, me ardhjen e pjesëve që dikur quheshin të anatemuara, të papranueshme, autorëve të mëdhenj evropianë dhe botërorë. Kështu që jo vetëm në Teatrin Kombëtar, por edhe në teatrot e tjerë shqiptarë, kanë mbërritur shumë autorë nga penat më të fuqishme dhe të lavdëruara. Dhe të gjitha këto i kanë dhënë një ngjyrë, një kolor, një sens tjetër arteve. Artet janë bërë më njerëzore, më humane, janë më pranë njeriut, janë më të vërteta, nuk gënjejnë shumë. Këto janë mbërritjet më të mëdha të artit, si dhe përpjekjet për t'u integruar me simotrat dhe sivëllezërit në botë nëpërmjet pjesëmarrjeve në festivale, ekspozita në vend dhe në botë. Këto sot janë bërë praktikë jo vetëm e menaxhimit por edhe artistik, sepse shkëmbehen përvoja, ide. Mësohet nga njëri-tjetri dhe arti rreket të ecë me po të njëjtin hap që aplikohet në botë. Këto janë anët pozitive. Ndër anët negative që vihen re, në radhë të parë janë kushtëzuar shumë burimet e financimit, mecenatët e artit të cilët mungojnë. Nuk është puna vetëm e shtetit, ai është mecenati më i madh i artit, sepse përfaqëson taksapaguesit shqiptarë dhe nëse ky taksapagues kërkon të shijojë dhe art, atëherë shteti duhet të ofrojë më shumë para, sepse arti është pjesë e luksit të një shoqërie. Mirëpo financimet nga shteti janë shumë më të pakta. Është kjo arsyeja që të gjitha institucionet e artit mbërritën në një krizë ekzistence, u shkurtuan personelet artistike. Marrim p.sh Teatrin Kombëtar që ishte 60 vetë, sot ka 30 aktorë, është përgjysmuar. Po kështu teatrot e tjerë. Një teatër sot në Vlorë ka 6-7 aktorë, në Durrës ka 3-4 aktorë, në Korçë 7-8, në Shkodër 5-6. Pra, reduktimi i personelit artistik nga mungesa e financimit nga ana e shtetit, është faktori kryesor pse këto institucione janë reduktuar. Personeli artistik është reduktuar dhe arti gjendet në një krizë të fortë mbijetese. Kjo është mangësia më e madhe e kësaj kohe, sikundër nga ana tjetër do të thosha se shpesh akoma nuk ka mbaruar dëshira ose nepsi për të provuar të huajt. Kjo përpos anës së mirë që solli, sjell dhe një gjë të keqe, sepse i jep shanse të pakta krijimtarisë kombëtare që të lançohet. I jep shanse të pakta dramaturgjisë, kompozitorëve shqiptarë që të bëjnë vepra madhore, opereta, simfoni, suita, ose koreografëve. Iu jep shanse të pakta pse jo piktorëve dhe skulptorëve, sepse kur nuk porositen nga mecenatë të fuqishëm që është shteti dhe mecenatë të biznesit, që nuk funksionojnë fare në Shqipëri, atëherë si mund të kemi ne tablo të mëdha që të dekorojmë mjediset e godinave jo vetëm kulturore por edhe sociale? Si mund të kemi skulpturë të dimensioneve të mëdha, që të dekorojë qytetet tona? E kështu me radhë. Kur nuk kemi financim, si mund të kemi film? Financimet janë kaq të pakta, sa ne bëjmë sot 1-2 filma në vit. Një periudhë kohe në vitet '90 u ndërpre komplet. Kështu, për të gjitha artet, mungesa e financimit nga ana e shtetit dhe krijimi i një mekanizmi të tillë që biznesi të financojë, kjo është një mangësitë që vërehet sot. Ashtu sikundër do të thosha ka dhe një mangësi tjetër: ajo që quhet kiç-art, arti i ashtuquajtur i popit. Por ndonjëherë edhe këtu kemi keqkuptime, pasi kemi një vërshim të madh të vulgaritetit në art, të banalitetit. Nuk dua të mohoj bie fjala, një mori të pafund këngësh që bëhen sot dhe transmetohen nga disa stacione. Janë me qindra videoklipe që dalin dhe një dalje masive këngëtarësh, mirëpo po ta shikosh në një vështrim vertikal se ç'janë këto këngë, atëherë këtu del problemi sesa ato janë shqiptare, sa kanë një frymë shqiptare që është e domosdoshme ta kenë. Ky është një problem. Nuk duhet ta mohojmë absolutisht atë që quhej dikur karakter kombëtar. Sigurisht, ky është term i diskutueshëm, por nga ana tjetër prania e frymës dhe shpirtit të popullit në krijimtarinë e një krijuesi shqiptar duhet të ndihet.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora