E merkure, 09.10.2024, 01:33 AM (GMT+1)

Kulturë

Isa Buletini në Vlorë

E diele, 02.12.2007, 02:15 AM


Nga Qerim Vrioni

Qerim Vrioni
Duke kaluar nëpër duar e shqyrtuar shumë fotografi që “flasin” për Historinë e Shqipërisë, qendrova dic më gjatë tek fotoja ku paraqitet Isa Buletini me trimat e tij në Vlorë më 28 nëntor 1912. Kjo është data e cila shoqëron foton sa here botohet në libra historie a në shtypin periodik. Në të vërtetë kjo fotografi e vyer, është realizuar dy-tri ditë pas kësaj date, sepse për shkaqe të ndryshme jashtë dëshirës dhe vullnetit së tij, ai mbriti në qytet me vonesë. Isa Buletini ishte ftuar si përfaqësues i Kosovës nga Ismail Qemali për të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar i cili do shpallte pavarësinë e Shqiperisë. Ai ishte një nga udhëheqësit kryesor të kryengritjeve shqiptare të vitit 1910, me aftësi të dalluara organizimi dhe drejtimi, aqsa turqit mendonin se kishin të bënin me ndonjë gjeneral të huaj. Më 1913, bashkë me Ismail Qemalin dhe Luigj Gurakuqin shkon në Londër për të protestuar në emër të qeverisë shqiptare kundër copëtimit të Shqipërisë nga Fuqitë e Mëdha. Duke përbërë një pengesë të forte e të përherëshme për synimet grabitqare të fqinjëve, Isa Buletini u vra pabesisht nga shovinistët malazesë në Podgoricë, më 23 janar 1916.
Në atë vjeshtë të tretë të vitit 1912, ai vinte në Vlorë me rreth 100 luftëtarë, shumica e të cilëve të kalitur në përpjekjet kryengritëse të 1910, veçanërisht në përleshjet me turqit në Grykën e Cernalevës dhe atë të Kaçanikut e, njëherazi ata përbënin, si të thuash “garden” e Kuvendit. Emri i Kaçanikut ishte bërë i dëgjuar edhe në Shqipërinë bregdetare, kësisoj edhe në Vlorë. Trimat kosovarë kishin përshkuar rrugë të gjatë e të lodhëshme disa ditore me kuaj drejt Vlorës, por lodhjen natyrshëm, u a lehtësonte mjaft qëllimi i shenjtë për të cilin po udhëtonin, do merrnin pjesë në Shpalljen e Pavarësisë, ngjarja më e madhe shekullit XX për Kombin Shqiptar.
Fotografia është bërë në rrugën kryesore të qytetit, në atë kohë me emrin “Liria” (sot rruga muze “Justin Godard” në lagjen e vjetër Muradie), disa dhjetra metra para se ajo të bashkohet me “Sheshin e Flamurit”. Autori i saj ishte një fotograf shqiptar emri i të cilit fatëkeqësisht, ende nuk njihet. Ai kishte ngritur trikëmbëshin e aparatit aty për të përjetësuar ato ditë të shënuara, e ndoshta ishte edhe në dijeni se atypari, do kalonin kosovarët me Isën në krye. Ajo ishte rruga që lidhte lagjen ku ata banonin (Topana), me qendrën. E, kur janë dukur në krye të rrugës, me veshjet karakteristike e, si përherë me nga një armë brezi, mbase fotografit i janë dridhur pak duartë, e i janë shtuar rrahjet e zemrës, por shpejt e ka mbledhur vehten. Pa i porositur fare trimat që do fotografonte (sic bëjnë rëndomë fotografët), se dhe koha s’priste, ka shkrepur aparatin një herë, dy herë…kurse ata ecnin fare të shkujdesur drejt tij. Gjithçka mund të ketë përfunduar me përshëndoshjen dashamirëse të të dy palëve, por me gëzimin e madh të fotografit se kish përngrirë në letrën fotografike pjesëmarrës të shquar të ngjarjes historike, i vetdijshëm dhe i kënaqur për përjetësimin kësisoj të atmosferës së ditëve të lirisë.

Isa Buletini, edhe pse nuk është në qendrën optike të fotos, kuptohet lehtë se është kryesori në atë grup njerëzish, edhe ngase ai ecën një hap para të tjerëve.
Nga vështrimi i fotos të bijen në sy trupat viganë të tyre, por sidomos ecja e lirëshme dhe dinjitoze. Kishin të drejtë, Pavarësia ishte shpallur e, ata ishin tashmë njerëz të lirë në shtetin e tyre, nën atë cope qielli që u kish rënë në pjesë.
Vëllezërit nga Kosova u pritën me bujari të madhe nga të gjithë qytetarët vlonjatë në shtëpitë e tyre, shumica në lagjen e vjetër “Topana” (sot “Katër heronjtë”), në pjesën e sipërme të së cilës u krijua dhe vend-fushimi i kafshëve dhe pajisjeve luftarake të tyre. Kjo ishte një kodër a bregore vogël e mbushur me ullinjë, prej nga shihej mirë krejt qyteti. Vendasit dhe miqtë u miqësuan shpejt me njeri-tjetrin, madje të parët, si për t’i nderuar më shumë ardhësit, filluan t’a thërrisnin kodrën thjeshtë dhe shkurt “Kaçanik” me qënë se pjesa më e madhe e tyre kish luftuar në Grykën e Kaçanikut. Kështu nisën t’a quanin bregoren më pas banorët e qytetit, ndonëse mjaft njerëz në Vlorë nuk ja dinin më vonë origjinën e këtij emri, por kjo s’kish ndonjë rëndësi. Kodra “Kaçanik” po kthehej kësisoj, në një përmendore të veçantë historike për përjetësimin e ardhjes së Isa Buletinit me trimat e tij në Ngritjen e Flamurit . Kjo ka ndodhur në vitin e Madh 1912, e prej asaj kohe vazhdoi me dhjetra vite e vazhdon e sot e gjithë ditës që ajo të thërritet “Kaçanik” edhe pse tanimë e mbushur me banesa. Gjithashtu vlen të shënojmë se rruga kryesore e lagjes Topana, ku kalonin në atë kohë, cdo ditë edhe kosovarët, prej rreth 70 e ca vitesh quhet me vendim të autoriteteve lokale të atëhershme, “Isa Buletini”, ndërsa 2-3 dhjetëvjecarë më pare (aty nga vitet ’70), me emrin e Fatosit të Kosovës u quajt një nga lagjet e reja më të mëdha të qytetit të Flamurit.
Kështu, Isa Buletini erdhi në Vlorë para 95 vitesh , por ai vazhdon të jetë atje me rrugën dhe lagjen që mbajnë emrin e tij, por veçanërisht me toponimin mitik “Kaçanik”. Emri i Isa Buletinit bashkë me atë të Ismail Qemalit, jetojnë në këtë qytet prej 95 vjetësh, por ata do jetojnë edhe 195 e shumë e shumë vite të tjerë, bashkë me emrat e të gjithë atyre patriotëve që u përpoqën për shpalljen e Pavarësisë, deri sa të jetojnë shqiptarë në Vlorë, Prishtinë, Tetovë, Ulqin e kudo ku do të rrojnë njerëzit që i thonë bukës, bukë dhe ujit, ujë.
Këto gjera më erdhën në mendje tani duke vështruar këtë fotografi të vjetër, të çmuar e pa emër autori. Tani, kur ndodhem me mijëra kilometra larg fizikisht nga Shqipëria dhe sidomos nga Vlora, qyteti, ku si fëmi, i ri dhe burrë, kam pritur e përcjellë dhjetra herë me gëzim e dashuri, Ditën e Madhe të 28 Nëntorit, Ditën e Flamurit.

Michigan (SHBA),
Nëntor 2007



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora