Kulturë
Legjenda e Uilli Smith
E shtune, 08.12.2007, 06:42 PM
Uilli Smith e thur strategjinë e tij për dominimin e botës nga një tavolinë e drunjtë e shtëpisë. "E kemi quajtur Uilli global", thotë Smith, për itinerarin e udhëtimit të tij që duhet të "nxehë" globin pak përpara daljes nëpër kinema të filmit të radhës me titull "Jam legjendë", ku luan rolin e të mbijetuarit të vetëm prej një katastrofe globale të shkaktuar nga dora e njeriut. "Do të shkojmë në Hong Kong, Tokio, Kore...". Është mëngjesi pas Festës së Falënderimeve dhe Smith, tashmë 39-vjeçar, është me sytë e fryrë nga gjumi dhe i parruar pas festës së natës së shkuar, ku kishte ftuar 30 miq dhe familjarë. Bashkëshortja e tij, Xhada Pinket Smith, hyn brenda bashkë me një tabaka, ku është vendosur mëngjesi i aktorit, dhe pasi e puth, e pyet, "Do edhe gjalpë, shpirt?". Edhe ai që quhet "Xhenxhis Khani" i Hollivudit ka nevojë për pak përkujdesje, përpara se të nisë aktivitetin ditor, që fillon me studimin e shifrave që do të mund të fitohet nga filmi i ri.
Me fytyrën e rrumbullakët, veshët disi të dalë e buzëqeshjen e pandalshme, Smith mund të konsiderohet si personifikimi i njeriut që merr gjithçka me optimizëm. Me një të parë të thjeshtë, askujt nuk i shkon ndër mend se është një makinë e vërtetë prodhimi parash; nga shfaqja e filmave të tij në të gjithë botën janë grumbulluar plot 4.4 miliardë dollarë. Katër filmat e fundit të realizuar nga Uilli - "Në ndjekje të lumturisë", "Hitç", "Rrëfenja e peshkaqenit" dhe "Unë Roboti" - me fitime minimale jo më pak se 300 milionë dollarë secili, e kanë përfshirë në një kategori artistësh, e cila normalisht është e rezervuar vetëm për aktorët e bardhë të quajtur Tom. Duke qenë se Smith i është paraqitur publikut përmes artit më të thjeshtë të mundshëm (duket se karakteret e tij nuk luhen nga një aktor profesionist, por nga një djalosh që nuk di tjetër veç të jetë simpatik) janë të paktë ata që e kuptojnë se karriera e tij është ndërtuar me një kujdes të skajshëm.
Uillard Kristofer Smith Jr e krijoi skemën për të mbizotëruar kinematë dhe ekranet e televizioneve të së gjithë botës në moshën 16-vjeçare, menjëherë sapo qe tradhtuar nga e dashura e parë. "I thosha vetes se më tradhtoi, ngaqë nuk isha aq i zoti sa duhej. Më kujtohet se mora një herë vendimin që të mos isha më jo i zoti në jetën time", thotë. Sigurisht, kushdo mund të mendojë se është kompensuar më së miri, por ndryshe nuk do të ishte yll kinemaje.
Uilli është fëmija i dytë i një familjeje të shtresës së mesme në Perëndim të Filadelfias. Prindërit e tij Uillard dhe Karolina u ndanë kur ishte 13 vjeç. Nga i ati, i cili punonte në të shtata ditët e javës në kompaninë e tij për prodhimin e frigoriferëve, trashëgoi etikën e punës. Nga e ëma, nëpunëse në arsim, përqafoi nocionin "shkollimi është eliksiri i të gjitha problemeve". "Përgjigjen mbi çdo problem që na ka dalë në jetë bashkë me Xhadën e kemi gjetur te librat", thotë. Smithët kanë një librari familjare ku mund të gjendet gjithçka, nga guidat më të zakonshme, deri te libra për hinduizmin - nuk mund të mungojnë librat për fëmijët; Uillou 7-vjeçar, Xhaden 9, si dhe 15-vjeçari Treji, të cilin Uilli i ka nga martesa e parë.
Mësuesit e shkollës fillore i ngjitën nofkën "Princi" për shkak të mënyrave të pazakonta dhe të rafinuara me të cilat dinte të dilte nga telashet. Ndodhi në një festë në një lokal të vogël të lagjes ku banonte që Smith u pagua profesionalisht nga magnetizmi që tashmë e kanë bërë një ndër aktorët më të famshëm në botë. Arriti të bënte për vete të pranishmit shumë më tepër nga DJ, "Xhezi" (Xhef Touns), Di Xhei që punonte prej kohësh në atë lokal, duke tërhequr edhe vëmendjen e menaxherit të tij Xhames Lasiter, i cili tashmë prej 22 vjetësh mban nën kontroll gjithçka ka të bëjë me karrierën e Smithit, e që drejton njëherësh "Overbrook Entertainment", kompaninë producente që mban edhe sot emrin e shkollës ku kishin studiuar të dy.
Përpara se Smith të përfundonte shkollën e mesme, bashkë me Xhef Touns vendosën të krijonin albumin e tyre të parë. Suksesi i tij bëri që Smithi të vendoste të hiqte dorë nga vazhdimi i studimeve në Universitet e t‘i përkushtohej tërësisht muzikës e filmave. Dyshja do të fitonte për herë të parë një çmim "Grammy" të dhënë për muzikën hip-hop. Gjatë një turi në Azi në shoqërinë e Run-D.M.C., një grup repi shumë i famshëm në atë kohë, Smith shqeu sytë kur "në një aeroport qenë grumbulluar plot 10 mijë të rinj për të na pritur". Kur DJ Run hoqi këpucën dhe e ngriti lart "që të 10 mijë të pranishmit hoqën këpucët dhe i ngritën lart. Ishte një përvojë e pabesueshme, e çuditshme, por njëherësh edhe shumë emocionuese". Smith, i cili deri në atë çast nuk kishte parë tjetër veç lagjen e vet, nisi të ëndërronte pushtimin e Londrës e të Tokios. "Tani më është bërë mani të kërkoj cilat janë ato veprime të miat që bëjnë njerëzit për vete".
Në vitin 1990, në moshën 21-vjeçare, këngëtari rep pati shansin të luante për herë të parë një rol televiziv - praktikisht bëhej fjalë për të luajtur vetveten, një djalë i këndshëm qyteti - në serialin televiziv "Princi i Bel Eir". Smith tregon se Lasiter i kishte thënë, "dëgjo, në rast se vendosim të shkojmë në Los Anxhelos duhet t‘i kemi qëllimet shumë të qarta". Përgjigja e Smithit qe, "Duhet të bëhem ylli i kinemasë më i madh në botë". Lasiter, i cili te djaloshi shihte një të ardhme që zor se do të dinte ta shihte dikush tjetër, e mori shumë seriozisht dhe së bashku përpiluan një listë me filmat më të mëdhenj të të gjitha kohërave. "E lexuam të dy listën dhe thamë, mirë, cilat janë pikat e përbashkëta", kujton Smith. "Zbuluam se që të dhjetë kishin efekte speciale. Nëntë syresh kishin efekte speciale e krijesa të pazakonta. Tetë prej tyre kishin efekte speciale, krijesa dhe një histori dashurie".
Ndërkaq "Princi i Bel Eir" u kthye në një sukses, dhe Smith po merrte dozën e nevojshme të shkollimit për t‘u bërë aktor përpara kamerave gjatë realizimit të komedisë. "Uilli ishte tejet këmbëngulës", thotë ideuesi i serialit Andi Borovic. "Ishte si ata fëmijët që presin me çdo kusht pagëzimin". Në vitin 1992, kur Borovic u shpërblye me një çmim shumë prestigjioz për serialin, pa të udhës t‘i drejtonte një falënderim të veçantë "Presidentit të ardhshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Uilli Smith", njeriut që në të vërtetë i kishte garantuar suksesin serialit. "Pata përshtypjen se i pëlqeu dhe jo vetëm si batutë", kujton Borovic.
Pavarësisht adhuruesve të panumërt, gjatë pesë viteve të para në Los Anxhelos, Smith nuk arriti të siguronte asnjë takim me ndonjë drejtues apo studio të rëndësishme. "Askush nuk e vinte re", kujton Lasiter, "Je këngëtar repi. Je me fat, po luan në një serial të këndshëm televiziv, por gjithçka di të bësh kufizohet me kaq". Në këtë pikë, shumë nga ata që shpresojnë që dikur do të bëhen yje kinemaje, do t‘i ishin drejtuar planit B, por jo Smith. "Nuk dua të bëhem shumë metafizik, por edhe ta çosh në mendje planin B, do të thotë se ke nevojë për një plan B", thotë aktori.
Roli i Smithit në dramën e vitit 1993 "Gjashtë shkallët e Ndarjes", më në fund arriti të tërhiqte vëmendjen e disave individëve kyç të Hollivudit. Por do të ishte filmi aksion "Djemtë e Këqij" ai që do ta konfirmonte si një ndër aktorët më në zë të momentit, si edhe mbretin e fitimeve. Që nga ajo kohë ka nxjerrë nëpër kinematë botërore vetëm hite të rangut të lartë, më së shumti në rolin e personazhit pozitiv që shpëton botën nga alienët, robotët, apo që u vjen në ndihmë atyre që nuk dinë të bëjnë femrat për vete. Filmat që nga pikëpamja financiare kanë rezultuar zhgënjyes, si "Legjenda e Bager Vans" janë më se të rrallë.
"I vërej filmat në thelbin e tyre", thotë Smith. "A mund të garantojë shitje një ide e caktuar? ‘Njeriu i fundit mbi Tokë‘ është thelbi i ‘Jam Legjendë‘. Është një koncept shumë i rëndësishëm që arrin të lidhë të gjitha ato ide mbi vetminë dhe braktisjen". Ndodh rrallë që Smithi të vendosë artin mbi fitimet, siç ka ndodhur në një karakter dramatik si Muhamed Aliu apo në filmin ‘Në ndjekje të lumturisë‘, dy role të cilat u nominuan si kandidatë për filmin e çmimit "Oskar". Por edhe në këto raste pragmatizmi mbizotëron pasionin. "Në ndjekje të lumturisë", në thelb është film mbi jetën e një njeriu me ngjyrë, të pastrehë, i cili më në fund ia del të gjejë një punë", thotë. "Ai film as që përshtatet me natyrën dhe karakterin tim. Mendohej se nuk do të arrinte të grumbullonte më shumë se 50 milionë dollarë". E megjithatë "Në ndjekje të lumturisë" i la të gjithë pa fjalë, shitjet i kaluan 300 milionët.
Mekanizmat e prodhimit të filmave duket se e tërheqin Uillin shumë më tepër se arti në vetvete - thotë se "jam studiues universal i botës së kinemasë". Teksa e dëgjon të flasë mbi të ardhurat financiare të fundjavës bashkë me Lasiter, është si të dëgjosh të flasë një inxhinier të ri e shumë ambicioz që sapo ka mbaruar studimet universitare. "Mëngjesin e çdo të hëne ulemi bashkë dhe pyesim ç‘ndodhi gjatë kësaj fundjave dhe cilat janë ato gjëra që kanë karakterizuar 10, 20, 30 fundjavat e fundit. Është shumë e bukur të shohësh po ato gjëra që shohin të gjithë dhe të jesh i vetmi që kupton ata elementë që e bëjnë diçka të veçantë".
Me filmin e ri, Smith ka ndër mend të thyejë një ndër rregullat më të ngurta të Hollivudit. "Filmat e verës krijohen mbi gjëra që ndodhin, ndërsa filmat e fundvitit krijohen mbi mënyrën si reagojnë njerëzit mbi atë çfarë ndodh", thotë. "Ajo që duam të bëjmë, ishte t‘i bashkonim të dyja në një të vetme, realizimi i një filmi ku karakteri (shkencëtari Robert Nevil) ndiqet gjatë gjithë rrugës së tij, si edhe për mënyrën si reagon pas asaj që ndodh (shkatërrimi i njerëzimit)". Filmat e Smithit në më të shumtën dalin nëpër kinema në prag të verës, me filma "ku ndodhin gjëra" si "Dita e pavarësisë". "Duket se energjia që bartin personazhet e mi, i shkon për shtat rigjenerimit që bart me vete pranvera", thotë, duke shfaqur një nivel njohjeje të vetvetes të rrallë te njerëzit që e sigurojnë jetesën duke "u hequr" si dikush tjetër. Ky film nuk është tipik për këtë fazë të vitit, kështu që thotë "duhet të përqendrohem më shumë, pasi nuk jam në territorin tim të natyrshëm".
Një përfundim të cilin Uilli e mbështet te shembujt e shumë aktorëve të mëdhenj të Hollivudit. "Janë paratë e fituara në të gjithë botën ato që në të vërtetë përcaktojnë suksesin e një aktori", thotë Smith. "Ti nxjerr një film në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe le të themi se arrin të mbushë plot e përplot kinematë. Pas kësaj, studioja ka nevojë që ti të udhëtosh nëpër botë dhe t‘i garantosh fitime të tjera. 30 milionë në Angli, 37 milionë në Japoni, 15 milionë në Gjermani. Në rast se je i zoti ta bësh këtë, t‘i garantosh fitime edhe jashtë kufijve të Amerikës, studioja të sheh me një sy tjetër, dhe të mbështet ndryshe nga aktorët e tjerë".
Ai ia ka dalë ta ndërtojë pak nga pak e sistematikisht audiencën e vet në rang global. Përmes çdo filmi të ri ai ia prezanton veten një shtrese të re të publikut, shpesh duke u bërë pjesë e ndonjë evenimenti lokal që ka potencialin të tërheqë vëmendjen e gjitha mediave botërore. Për "Burrat me të zeza II" ai udhëtoi drejt Koresë së Jugut gjatë Kampionatit Botëror të futbollit, për filmin "Hitç" ai gjendej në Brazil gjatë periudhës së karnavaleve; për filmin e ardhshëm po përgatit gjërat që të gjendet në Olimpiadën e Pekinit në vitin e ardhshëm.
Smithi ia nënshtron të njëjtit pragmatizëm dhe llogaritjeve matematikore edhe jetën personale, dhe si rezultat, krenohet me një fakt që ndodh shumë rrallë në Hollivud: një martesë që tashmë zgjat prej dhjetë vjetësh. "Takimin e parë zyrtar e bëmë në praninë e një këshilltari për jetën në çift", thotë. "Llogaritë në këtë kuadër janë shumë të thjeshta. Bëje të paktën tri herë në javë teksa përpiqesh të jesh gjithnjë i qeshur e me humor të mirë. Të jep fryte në punë. Të zbraz kokën nga problemet. Bëje gjatë gjithë kohës, madje bëje me agresivitet". Kush e dinte se dikush mund të mësonte kaq shumë nga një tradhti në moshën 16- vjeçare?