E hene, 07.10.2024, 08:31 AM (GMT+1)

Kulturë

Anjeza Shahini: Nxënësja më e mirë

E diele, 16.12.2007, 12:42 AM


Shkruan: Kristi Pinderi

Anjeza Shahini
Anjeza Shahini është një 20 vjeçare kryeneçe dhe e vendosur që të marrë sa më shumë. Kur i kërkon që të të japë një intervistë dëshiron të sigurohet se vëmendja që do t’i kushtohet do të përmbushë parametrat, që mendon e sigurt se i ka arritur. Tregohet e kujdesshme për çdo detaj që ka lidhje me marrëdhënien e saj me publikun qoftë edhe kur kjo marrëdhënie shkon jashtë interpretimit në skenë dhe faqoset në faqet e revistës më të madhe politike në vend. Ajo mendon se ka investuar mjaftueshëm dhe për këtë kërkon të ketë hapësirën që meriton në çdo medium që do të bjerë në dorën e publikut.
Por përtej mënyrës së vendosur për të marrë atë që kërkon, Anjeza ka në fakt një të drejtë thelbësore: të drejtën për të kuruar imazhin e saj. Për një 20 vjeçare që ka përfaqësuar deri tani Shqipërinë më mirë se kushdo tjetër në festivalin europian, për faktin që pikërisht në këtë moshë sapo ka fituar një çmim të Kritikës në “Kënga Magjike 2007” dhe për faktin tjetër që sapo është kthyer nga studimet profesionale për muzikë në Vjenë, pra për këto arsye, “kryeneçësia” e saj për të plotësuar punën e një specialisti PR të mirëfilltë, është mëse e justifikuar.
Anjeza nuk është ama një specialiste PR dhe nuk është thjesht një këngëtare e talentuar që kërkon t’i hedhë hapat e saj në mënyrë solide dhe të sigurt. Ajo është aktualisht një prej zërave më të dashur për publikun shqiptar dhe një prej shembujve të suksesit në skenë kur ky kombinohet me 70% punë e 30 të tjera talent. “Gjithmonë kam qenë e bindur që vetëm talenti nuk mjafton. Sigurisht që 70% të suksesit në çfardolloj profesioni i përket punës. Të gjithë ata që janë lumturuar vetëm me talentin kanë patur vështirësi në jetëgjatësinë e tyre në skenë”. Kështu shprehet ajo në të parën intervistë dhënë për shtypin shqiptar pas pjesëmarrjes në “Kënga Magjike” me këngën “Nxënësja më e mirë”. Në këtë këngë, ajo është “nxënësja më e mirë e trishtimit”, ndërkohë pa diskutim Anjeza është një prej nxënësve më të mira të spektaklit “Ethet…” realizuar nga Adi Krasta dhe Pali Kuke.
Pikërisht 5 vjet më parë ajo spikati me zërin e veçantë në një prej audicioneve të këtij spektakli. Mori në fillim disa vlerësime për zërin por duke qenë se ishte ndoshta më e veçanta atë vit në llojin e vet, mori dhe shumë kritika nga juria e “Etheve…”. Kritika që ajo, ndryshe nga shumë bashkëmoshatarë të tjerë të kënaqur vetëm me talentin, nuk mundën t’i përvetësonin. Një specialist i muzikës do ta kishte të lehtë të dallonte në zërin e saj disa nuanca që duheshin përpunuar, edhe dy vjet më parë kur ajo shkoi në Vjenë për të studiuar. I njëjti specialist mund të konstatojë i qetë tashmë pas kthimit te saj nga Viena, se edhe disa elementë të veckël që e pengonin përsosmërinë në formatin e saj artistik janë zhdukur! Anjeza është tashmë një këngëtare profesioniste e skenës shqiptare. Nuk ka ende një album, por e dini si përgjigjet ajo për këtë fakt: “Ajo që mund të them është se, fakti që gjer më sot nuk kam hedhur në treg një album timin, tregon që nuk jam ndjerë komode me tregun muzikor shqiptar”.
Ndonjëherë talenti dhe puna mund edhe të mos kombinohen dot suksesshëm, nëse ato të dyja nuk i lidh mbi të gjitha një karakter i fortë… “Kam zgjedhur fushën që Zoti më ka dhuruar, dhe kjo më jep një siguri në vetvete”, i jep vulën me karakterin e saj Anjeza Shahini, ish nxënësja më e mirë e skenës shqiptare që tashmë ka se çfarë u mëson të rinjve të tjerë që si ajo mund të dalin shpejt nga bankat e një shkolle që nuk premton dot asnjë siguri në tregun kaotik shqiptar...

Ju jeni kthyer së fundi nga një përvojë shkollimi. Cfarë mendoni se ka mundur kjo përvojë të ndryshojë për mirë tek ju?

Anjeza Shahini: Pas formimit të përgjithshëm në gjimnazin Myslym Keta në Shqipëri, mendova se ishte momenti i duhur për t’ju përkushtuar studimit muzikor të përgjithshëm e sidomos asaj të muzikës pop-të lehtë që unë këndoj. Ndaj dhe preferova që këtë 2-vjeçar ta investoja për veten time në kryeqytetin e muzikës, Vjenë. Kjo më ka shërbyer të jem më e përgjegjshme për muzikën që unë këndoj, të kem më tepër informacion, si dhe të merrja një eksperiencë perëndimore.

Tashmë ju jeni në gjendje të bëni dallimin talent-punë. Mendoni se moshatarët tuaj e anashkalojnë të dytën dhe “lumturohen” vetëm me të parën?

Anjeza Shahini: Gjithmonë kam qenë e bindur që vetëm talenti nuk mjafton. Sigurisht që 70% të suksesit në cfardolloj profesioni i përket punës. Të gjithë ata që janë lumturuar vetëm me të parën kanë patur vështirësi ne jetegjatesin e tyre ne skene.Duke qene vete e re ne profesion,uroj te kem gjithmon kete deshire,per te punuar sa me shume.

Çdo të thotë të marrësh në moshen tuaj, Cmimin e Kritikës në festivalin “Kënga Magjike”?

Anjeza Shahini: Një çmim kritike është shumë i vlefshëm, sidomos për një këngëtare në moshën time. Siç e thashë dhe në skenën e “Këngës Magjike”, jam ndjerë shumë e nderuar që juria ma dha mua këtë çmim, që unë e vlerësoj si një tjetër stimul të fortë që më ndihmon në vazhdimësinë e karrierës që kam nisur në skenën shqiptare.

Ku qëndron forca juaj? Pse ju shfaqeni gjithmonë e sigurt në skenë?

Anjeza Shahini: Çdokush që do të zhvillonte profesionin të cilit i takon, do të kishte siguri në punën që bën. Mendoj se kam zgjedhur fushën që Zoti më ka dhuruar, dhe kjo më jep një siguri në vetvete.

Po të hidhni një sy në tregun e sotëm muzikor në Shqipëri, çfarë do veçonit si të mire dhe çfarë do e gjykonit si diçka që juve personalisht nuk ju bën të ndiheni komodë me këtë treg?

Anjeza Shahini: Kjo është një temë për të cilën do të doja të flisja më gjatë sesa një përgjigje e shkurtër. Ajo që mund të them është se, fakti që deri më sot nuk kam hedhur në treg një album timin, tregon që nuk jam ndjerë komode me tregun muzikor shqiptar.

Si janë marrëdhëniet tuaja me këngëtarë të tjerë në Shqipëri? Me cilin/cilën keni marrëdhënie thjesht korrekte, e me kë keni marrëdhënie më shume se aq, miqësore?

Anjeza Shahini: Parapëlqej që gjithmonë në marrëdhënie me të tjerët të jem e ndërsjelltë. Me të gjithë kolegët përpiqem të jem korrekte, ndërsa ata të cilët janë bërë pjesë e miqësisë sime të ngushtë tashmë, kanë të fituar gjithmonë korrektësinë time, dashurinë miqësore duke e lënë nën hije pjesën e punës së përbashkët.

Sa ka ndryshuar Anjeza 5 vitet e fundit?

Anjeza Shahini: Nga 15 vjeç deri në 20 vjeç, çdo qënie njerëzore do të pësonte ndryshime, qoftë në aspektin fizik ashtu dhe nga ajo e karakterit, kështuqë as unë s’do mund të bëja përjashtim...



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora