E marte, 16.04.2024, 02:01 PM (GMT+1)

Kulturë

Fotografia e fundit e Gjon Milit

E shtune, 15.12.2007, 03:40 PM


Nga Qerim Vrioni

Ndër njerëzit me të cilët jam lidhur për të marrë të dhëna të reja mbi fotografin e shquar shqiptaro-amerikan, Gjon Mili, është edhe amerikani John Loengard (Nju Jork, 1934). Ky përveçse fotograf i suksesshëm (fotoja tij “Bitëllsat në pishinë” botohet gjithandej), mban dhe autorësinë e mbi dhjetë librave serioz studimor mbi fotografinë. Për disa kohë ai ka punuar në revistën e madhe amerikane, “Life” duke qënë kështu edhe koleg me Milin. Përmendja e emrit të fotografit me origjinë shqiptare, i ngjalli kujtime dhe e kënaqi fakti se dikush interesohej për të. Nga letërkëmbimi me Loengard, me vlerë ishte dhe vërejtja e tij, se Mili nuk i jepte rëndësinë e duhur publikimit të veprimtarisë vetjake dhe e shihte atë si ilustruese të punës së Exhertonit (Harold Edgerton, 1903-1990), shpikësit të dritës stroboskopike (flashit elektronik). Për këtë, ai shkruan: “…puna e tij (Milit-shën.im) paraqitej si diçka për të bërë më të njohur punën e Exhertonit. Dhe kjo ishte gabim. Exhertoni ishte shpikësi, profesori, natyralisti, por personaliteti i Milit e shtyu atë të dilte përjashta dhe të zbulonte gjerat duke parë botën nëpërmjet krahëve të një zogu”. Këtë e pranon në një farë mënyre dhe vet Exherton, kur shprehet për Milin : “Ai ishte vizionar, na udhëhoqi dhe nxiti për punë” ( Edgerton&Killian-“Moments of vision”-MIT, 1985, fq.2). Mendojmë se qendrimi kundrejt Exhertonit është më tepër për shkaqe morale, si mirënjohja e madhe dhe e vazhdueshme e Milit ndaj tij, si njeriu i cili e tërhoqi përfundimisht drejt fotografisë. Kjo ka të bëjë me marrëdhëniet që krijonte ai me të tjerët. Vlen të përmendet se fotografi i njohur i “Life”, Dennis Stock (N.Y. 1928), i cili ka punuar si ndihmës i Milit për katër vjetë, e shpreh mirënjohjen ndaj tij edhe duke shkruar në hyrje të librit të tij me kujtime e fotografi, “Dennis Stock--Made in USA—Cantz, 1995” kushtimin, “Faleminderit : Gjon Mili, W.Eugene Smith, Ernest Haas dhe Henri Cartier-Breson”, të katër fotografë të njohur. Për Milin, shkruan edhe se ai “kërkonte shumë, por ishte dhe bujar me ndihmësin, i cili e kujton mentorin e tij (Milin-shën.im) si një universitet të tijin”(libri i sapocituar-fq 17).
Duke parë me vëmendje krijimtarinë e Milit, kushdo i jep plotësisht të drejtë Loengardit, por njëkohësisht edhe Exhertonit. Në fotografitë e tij ka shumë poezi, por sidomos një ndërthurrje të përsosur të fantazisë me teknikën. Kujtojmë si kalimthi fotografinë stroboskopike “Nudo duke zbritur shkallët”, e cila përbën një trajtim mjaft interesant me gjuhën e fotografisë të subjektit të tablos së njohur me të njëjtin titull të Marcel Duchamp (1912), por me “të folurën” e tij individuale.

Nga letërkëmbimi me Loengard, mësohet edhe se aksidenti automobilistik që i ndodhi në fillim të viteve ’80 ( e shtypi një taksi), i shkaktoi Milit goditje të rëndë në sistemin nervor e si pasojë solli tërheqjen e tij nga jeta e gjallë dhe puna, e kësisoj edhe afrimin e fundit të jetës së tij biologjike. Kjo do të përbënte fatkeqësinë e dytë dhe më të rëndën për Milin. E para ishte djegia e studios së tij të madhe fotografike në rrugën “23 East” të Nju Jorkut (ku humbën jetën dhe katër zjarrëfikësa). Në të u kthyen në shkrumb e hi një numër i madh fotografish, filmash, si dhe shumë letra, sende e dhurata të miqve të tij të shumtë e të njohur në botë, midis të cilave korespondenca me piktorin e shquar Pikaso. Pas kësaj, redaksia e “Life” i dha në përdorim një atelie brenda ndërtesës, duke treguar kështu respektin e veçantë për të. Mili ishte i vetmi fotogazetar që kishte studion fotografike në godinën e “Life”. Këtë të fundit ma bëri të ditur në një letër, studjuesja e fotografisë në Muzeun e Artit Modern të Nju Jorkut (MOMA), Susan Kismaric, e cila gjithashtu në të shfaq kënaqësinë se ka qënë ndihmëse e Milit rreth viteve 1973-74, për dy vjetë rrjesht. Ajo shton se kjo periudhë pune me Milin, i shërbeu si “letër kredenciale” e fortë për t’u punësuar disa vite më pas në deparatamentin e fotografisë në MOMA, nga drejtori i atëhershëm i saj, personaliteti i njohur i fotografisë, John Szarkowski (1925-2007). Madje gjithmonë duke cituar çka na shkruan Kismaric, shtojmë se “John Szarkowski mendonte se Gjon Mili kishte një mendje të madhe”.
Aksidenti i dytë do të kishte pasoja jetësore të pariparueshme për të, ai u mbyll në vetvehte, ngatëronte data, emra e ngjarje, pikërisht ai i cili më parë shquhej për kujtesë të fortë dhe për miqësira të shumta. Loengard, shkruan se aty nga mezi i vitit 1983, “dikush që e shikonte për ditë Milin, më tha se nëse doja që t’i bëja një fotografi, duhet të nxitoja. Dhe unë ashtu bëra. Ajo ishte hera e fundit që pashë Milin”. Nga disa llogaritje del se duhet të ketë qënë vjeshta e atij viti. Loengard shkoi dhe e fotografoi në studion e tij, në një qendrim normal për atë kohë, të kredhur thellë në mendime a kujtime, qoftë edhe të palidhura e të ngatëruara me njera-tjetën.
Pas pak muajsh, më 15 shkurt 1984, i vetmuar e në gjendje të rënduar psikike, Gjon Mili, ndahet nga jeta disa muaj para se të mbushte 80 vjeç. Arsyeja e shuarjes së tij ishte sëmundja e pneumonisë. Këtë sëmundje përmend si shkak të fundit të tij edhe gazeta e madhe “Nju Jork Tajms” në një artikull të gjatë, të nesërmen e vdekjes së fotografit të madh. Në atë kohë në Shqipëri ishte e ndaluar edhe përmendja e emrit të tij, e jo më të shkruhej për të. Po jeta do bënte të vetën e, do vinte dita, ndonëse me vonesë e ngadalë që Mili “të kthehej” në vendlindje ashtu siç e meritonte e, bashkëkombasit e tij, sidomos dashamirët e fotografisë, të ndjeheshin krenar për të.
Kur po përgatisja shkrimin për t’a nisur, “më bie në dorë” revista amerikane e fotografisë “Digital PhotoPro” (dhjetor 2007, vol.5, nr.7). Për kënaqësinë time, gjithë kopertinën e fundit e kishte “pushtuar” fotoja me ngjyra “Pikaso duke vizatuar me dritë një vazo me lule”, e Gjon Milit, e vitit 1949, pra e 58 vjetëve më parë. Ishte një befasi mjaft e këndëshme.
John Loengard, pati mirësinë të më dërgojë foton e fundit që i është bërë Milit, duke shprehur edhe kënaqësine e botimit të saj në shtypin shqiptar. Fotoja është botuar dhe në librin e tij me titull “The greatest LIFE photographers”. Këto rreshta dhe kjo fotografi e tij, le të shërbejnë si homazh në përvjetorin e 103-të të lindjes (Korçë, 28 nëntor 1904) të fotografit të madh, Gjon Mili, i cili, përveç vlerave të tjera në lëm të artit, nuk e mohoi asnjëherë origjinën dhe as e ndryshoi emrin e tij tipik shqiptar. Ai mbetet një nga figurat më të shquara në fushë të kulturës, që ka nxjerrë kombi ynë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora