E premte, 26.04.2024, 08:32 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Tregon gruaja e keqtrajtuar: Im shoq ka 30 vjet që më dhunon sistematikisht

E diele, 13.01.2008, 06:19 PM


Nga Arjan Kaja - Tema

Berat - Ndërsa qëndron para godinës së komisariatit të policisë lokale të Beratit, në fytyrën e gruas dhe të vajzës së saj, duken qartë shenjat e dhunës; mbi fashon me të cilën ka lidhur gishtin e madh të njërës dorë duket gjakosja. Madje, 47-vjeçarja Hatixhe Alimeti nuk ngurron të tregojë pasojat e dhunës së ushtruar nga i shoqi, Tafil Alimadhi. Pret ta thërrasin forcat e policisë, ndërsa na shpjegon se ka ardhur për të kërkuar ndihmën e organeve të policisë, pasi për atë dhe tre fëmijët që ndodhen në shtëpijeta është bërë e padurueshme. Ngjarja e dhunimit të fundit nga i shoqi ka ndodhur ditën e hënë.

Kur keni zbritur në Berat dhe cila është arsyeja që jeni përpara komisariatit të policisë?

Kam zbritur nga shtëpia ime në fshatin Lubshë, që ditën e hënë, së bashku me vajzën. Fillimisht shkova tek prindërit e mi që banojnë në lagjen “Çlirim”. Shkaku i ardhjes tonë në Berat është dhuna e vazhdueshme që burri im Tafili ushtron ndaj meje dhe fëmijëve tanë. Unë këtë shqetësim ua kam thënë edhe prindërve dhe vëllezërve të mi dhe së bashku vendosëm që sot, pas tri ditësh, unë t’i denoncoj veprimet e dhunshme të tim shoqi në polici. Këtë e shohim si të vetmen rrugëzgjidhje që unë dhe fëmijët të shpëtojmë nga rrahja e vazhdueshme që na bën Tafili.

Kur ka filluar të ushtrojë dhunë mbi ty dhe fëmijët Tafili?

Unë kam rreth 30 vjet që jam martuar me Tafilin dhe thuajse që në fillim jam përballur me dhunën e tij fizike ndaj meje. Kur ishia e re mendoja se me kalimin e kohës ai do të piqej dhe se me lindjen e fëmijëve do ta ndërpriste dhunën ndaj meje. Por, asgjë nuk ndryshoi tek ky njeri, përkundrazi ndërsa fëmijët rriteshin edhe ata u bënë pjesë e dhunës së tij njëlloj si edhe unë.

Cili është shkaku që Tafili ushtron dhunë ndaj jush?

Nuk e kuptojmë dot. Ai nxjerr shkaqe të kota dhe provokon konflikte për gjëra pa rëndësi. Më së pari fillon të më qëllojë mua dhe kur fëmijët ndërhyjnë ose shprehin dhimbje dhe pakënaqësi për veprimet që Tafili bën ndaj meje, ai fillon t’i qëllojë edhe ata. Ngrihet në mëngjes dhe thotë se ka parë një ëndërr të keqe, ndaj dhe dita nuk do t’i shkojë mbarë. “Pashë një ëndërr me gjarprinj”, -thotë njëherë, herën tjetër se ka parë një endërr me ujq, me xhind dhe lloj-lloj ëndrrash. Pas rrëfimit të tyre fillon dhe pyet për të gjetur shkakun e sherrit. Ditën e hënë më pyeti sa mjell i bluar kishte ngelur. Kur unë i thashë se duhej bluar tjetër, ai më tha se përse kishte mbaruar kaq shpejt dhe nisi të më qëllojë. Për të më mbrojtur u fut në mes vajza, duke iu lutur Tafilit që të mos më qëllonte, por ai e qëlloi edhe edhe atë. Ja shikojeni si e ka bërë.

Po alkool a pi Tafili? Mos është i dehur kur i kryen këto veprime?

Jo Tafili nuk pi alkool, por mendoj se e ka ngaqë është dembel. As edhe në pazar nuk shkon. Unë shkoj në punë së bashku me fëmijët, të cilët ai i ka hequr nga shkolla ende pa mbaruar klasën e tetë dhe kjo vetëm që ata të punojnë. Edhe vajzën që kam me vetë e ka hequr nga shkolla që në klasën e gjashtë. Po ashtu dhe vajzën e djalin tjetër që kam në shtëpi, me të cilët punoj tokën tonë. Djali i madh është emigrant dhe punon në Greqi.

Çfarë kërkoni nga organi i policisë dhe drejtësia?

Unë kërkoj që policia dhe drejtësia të marrë masa për Tafilin, pasi dhuna e tij ndaj meje dhe fëmijëve është bërë e padurueshme. Ai njeri duhet të izolohet në burg, pasi jeta jonë është bërë shumë e vështirë dhe e padurueshme. Nuk më vjen shumë keq për vete, por kur shikoj që rreh edhe fëmijët nuk mund ta duroj dot. Po të njëjtën gjë thonë edhe fëmijët tanë, të cilët nuk mund ta durojnë dot dhunën fizike të babait ndaj nënës së tyre.

(Denonconi qenjet e liga, burracaket monstra. Dhune s'duron as guri! - Shenimi yne, ZSh)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora