E premte, 26.04.2024, 10:04 PM (GMT+1)

Speciale

Sabile Keçmezi- Basha: Zanafilla e shtypit shqiptar

E shtune, 09.01.2010, 10:59 PM


ZANAFILLA E SHTYPIT SHQIPTAR

 

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi- Basha

Sabile_basha@hotmail.com

 

Shtypi shqiptar zë fill   nga mesi i shekullit XIX , si domosdoshmëri e kërkesave të lëvizjes  çlirimtare  e veçmas me hovin  e Rilindjes Kombëtare. Siç dihet, organet e para informative nuk  mund të botoheshin në Shqipëri . Ato dolën në fillim me përpjekjet e atdhetarëve  arbëreshë në Itali e Greqi. Gazeta e parë në gjuhën shqipe u botua me 1848, dhe doli me emrin “Shqiptari i Italisë” (“L’albanese d’Italia”) , në Napoli të Italisë nga arbëreshi i njohur i Rilindjes sonë Kombëtare Jeronim De Rada. Kjo gazetë është e një rëndësie të veçantë  jo vetëm nga aspekti i zhurnalistikës dhe i publicistikës, por edhe për një veprimtari më të gjerë të shqiptarëve  në lëmin politik, letrar dhe kulturor. Më 1860 doli gazeta “Pellazgu”, më 1879 u botua gazeta “Zëri i Shqipërisë” ( “I foni tis Alvanias”), dhe më 1883  u botua revista “Fiamuri i Arbërit”[1]. Organi i parë tërësisht në gjuhën shqipe, ishte  gazeta “Drita” që u botua me 1884, dhe më vonë ndryshoi emrin , dhe u pagëzua me emrin “Dituria”[2]. Gazetën e nxorën veprimtarët shqiptar që vepronin në Shoqërinë e Stambollit.

Mirëpo , kah fundi i shekullit 19, vërehet një aktivitet më i dendur dhe më i sforcuar në lëmin e informimit  në vendet ku kishin emigruar shqiptaret . Në kolonitë e ndryshme si në Bullgari e Rumani  dolën një numër i konsideruar i revistave e gazetave që informonin opinionin  e gjerë për zhvillimet e ndryshme në vend, për lëvizjet atdhetare  dhe angazhimin e mërgatës  për demaskimin  e politikave  robëruese që u zhvillonin ndajë Shqipërisë. Vetëm gjatë vitit 1897 dolën në dritë gazetat e revistat siç ishin : “Albania”, “La nazione albanese”, “Shqipëria”, almanaku  “Ditërrëfenjësi shqip”.[3]etj.

Por fillimi i shekullit XX, për informimin  e opinionit shqiptar ishte më shpresëdhënës,  ngase filluan të dalin një varg  organesh të reja shqipe siç ishin : “Drita” (1901), e cila u botua në Sofje, gazeta “Kombi” (1906), e cila u botua nga mërgata shqiptare që vepronte në Boston. Më 1900, në Bukuresht u botua gazeta “Ylli i Shqipërisë”, kurse “Shpnesa e Shqypënies” u botua më 1905 nga shqiptaret që jetonin në Raguzë.[4]

Me punën e palodhshme, patriotët shqiptarë, duke e ditur  fuqinë dhe rendësin e informimit me mençuri të madhe shfrytëzuan nga lëvizja xhonturke dhe në atë kohë në dritë dolën një mori gazetash të ndryshme si: “Lidhja orthodokse” në Korçë, “Bashkimi i kombit” në Manastir, “Shkodra” në Shkodër, “Tomori” në Elbasan etj. Pati gazeta të cilat u botuan edhe jashtë Shqipërisë siç ishin: “Dielli” (1909), në SHBA, “Liria”, në Selanik, “Ahqypeja e Shqypnisë”, në Sofje, “Rryfeja” në Kajro. Të gjitha këto gazeta në një mënyrë apo tjetër mbronin çështjen shqiptare, hapur shkruanin për padrejtësitë e shumta që iu bënin në arenën ndërkombëtare, shkruanin për gjuhën shqipe, kulturën dhe mbronin me çdo mjet shkollën e parë shqipe dhe me të madhe filluan të shkruanin se si në Shqipëri  ishte e nevojshme kryengritja e armatosur.

Pas shpalljes së pavarësisë së shtetit Shqiptar, në Vlorë u botua gazeta “Përlindja e Shqipënisë”, që në një farë mënyre ishte edhe zëdhënëse e shtetit të pavarur. Shtypi shqiptar menjëherë pas vitit 1912, bije në sy me shkrimet të cilat mbronin të drejtat e shtetit të sapoformuar, tërësinë tokësore të atdheut dhe propagandonin zhvillimin demokratik të shtetit[5], të tilla ishin gazetat “Populli” (1914), “Atdheu” (1912) etj.

            Shtypit shqiptar në Kosovë iu desh shumë kohë që të botohej lirshëm. Një frymë më e lirshme , kushtimisht do e themi u vërejt pas Luftës së Dytë Botërore. Deri në këtë kohë ose nuk guxohej të shkruhej fare në gjuhën shqipe , ose nëse dukej ndonjë titull, botohej ose ilegalisht  në truallin e Kosovës, ose dilte jashtë  territoreve të banuara me shqiptarë. Gjatë sundimit osman, kjo vlente për tërë kombin shqiptar, kurse pas shpalljes së pavarësisë së shtetit shqiptar, masatë rigoroze vlenin vetëm për shqiptarët që mbetën nën Jugosllavi. Sipas disa të dhënave thuhej se për 30 vjet të sundimit të Mbretërisë së karagjorgjeviqëve, shqiptarët jo vetëm që nuk guxonin  të botonin asgjë në gjuhën e tyre[6], por as të zhvillonin format elementare të arsimit  në gjuhën amtare.

Gazeta e parë që doli në gjuhën shqipe në vilajetin e Kosovës ishte  “Shkupi”, e botuar me 29 gusht 1911[7], e cila konsiderohej edhe si botim i parë periodik në gjuhën shqipe në Kosovë[8]. Në të do të botohen materiale të shumta me tematikë politike, shoqërore, kulturore dhe letrare. Kjo gazetë njëherë ishte edhe organ kombëtar politik e demokratik i Vilajetit të Kosovës. Gazeta që doli në gjuhën shqipe e turqishte, u vu në shërbim  të aspiratave  demokratike të Lëvizjes Kombëtare për autonomi politike dhe për çlirimin e plotë nga zgjedha pesëqind vjeçare e shtetit osman. Meritë të jashtëzakonshme, kjo gazetë ka dhe për faktin se edhe materialet e karakterit letrar, kishin karakter arsimor dhe kishin  përmbajtje demokratike- patriotike, prandaj autorët e këtyre shkrimeve për arsye të caktuara të ndëshkimit eventual nënshkruheshin me pseudonime[9].

Për të vazhduar me veprimtari publicistike në gjuhën shqipe ndërmjet  dy luftërave botërore jo vetëm që ishte e kufizuar, por thjesht ajo ishte edhe e pamundur dhe rreptësisht ishte e ndaluar me dispozita ligjore dhe me qëndrime politike të qarqeve borgjeze në pushtet. Zyrtarisht  ishte i ndaluar përdorimi i  gjuhës shqipe. Kushdo që përpiqej që të lexonte librin në gjuhën amtare , dënoheshin  me burg të rëndë e ndodhte ndonjëherë që të  vij  deri te zhdukja e plotë fizike. Sipas një shkrimi thuhej se, ka dëshmi që vërtetojnë, se në periudhën prej vitit 1930- 1941 kanë ekzistuar dy botime që kanë dalë në gjuhën shqipe të emërtuara “Drita” dhe “Ylli”[10], që at botë do të botoheshin nga kisha katolike ne Prizren. Në këto publikime, kryesisht gjenin vend shkrimet me karakter fetar, por kishte edhe aso raste që kishin edhe karakter letrar.

            Gjatë LANÇ-it, në Kosovë si gazetë e parë ishte “Zani”, e cila botohej në gjuhën shqipe dhe në atë serbe. Ajo doli si organ i Frontit të Përgjithshëm NÇ të Kosovës. Më 1943-1944 u botua gazeta “Liria”, e cila zëvendësoi “Zanin”. Sikurse  gazeta “Zani” edhe gazeta “Liria” ishte organ i FPNÇK[11]. Krahas gazetës “Liria”, ekzistonin edhe botime të tjera periodike, që dilnin si organe  të kohëpaskohshme të prapavijës dhe të njësive partizane.

Pas LDB, e vetmja gazetë në gjuhën shqipe, e cila botohej atëherë në Kosovë, ishte “Rilindja”. Në fillim edhe kjo nuk ishte e përditshme. “Rilindja” filloi të botohej që nga 12 shkurti I vitit 1945, si organi i Frontit Popullor në Kosovë. Deri  në vitin 1948 do të dal  një herë në javë. Prej vitit 1948- 1957, Gazeta “Rilindja” bëhet organ i Lidhjes Socialiste të Popullit Punonjës të Kosovës, dhe fillon të dalë për çdo ditë. Prej 4 faqeve sa kishte në fillim në të cilën punonin tre – katër gazetarë, pas një përpjekjeje të gjatë e të mundimshme gazeta vinte duke e shtuar  si numrin e  faqeve  njashtu edhe  tirazhin , duke filluar prej 4 në 12, e më vonë prej 16 – 24 e në 32[12] faqe  siç ishte rast me numrat festiv.

            “Rilindja” ishte e vetmja gazetë që informonte popullin shqiptar në mënyrë legale. Kuptohej se informimi bëhej në atë mënyrë sa ishte e mundshme, dhe në suazat e sistemit të atëhershëm. Çdo devijim  në aspektin ideologjik  gazetarit i kushtonte shtrenjtë, me largim nga puna e deri te ndjekja penale. Edhe pse çdo gjë ishte e ndaluar vetëm e vetëm për të ruajtur “vëllazërim – bashkimin”  aq shumë të preferuar, megjithatë gazetarët edhe pse shkruanin ,  ndërmjet rreshtave lënin vend për të kuptuar shumëçka. Organeve kompetente edhe kjo formë e komunikimit i pengonte, dhe vazhdimisht ndaj udhëheqësve dhe popullit të pafajshëm merrnin masa ndëshkuese, duke i dënuar si,  intelektualët, të rinjtë , dhe çdo kush që s’pajtohej me robërinë. Lirshëm mund të thuhej se kjo gazetë edhe pse ishte e censuruar, megjithatë bënte përpjekje për ta informuar opinionin e gjerë mbi ngjarjet dhe jetën në përgjithësi në trevat e Kosovës dhe të viseve tjera të banuara me shqiptarë.

Mund të thuhet lirshëm se gazetaria në veçanti dhe shtypi shqiptarë në përgjithësi në Jugosllavi kaloi nëpër situata jo të përshtatshme gjatë zhvillimit të vet[13]. Ajo do të përjetojë peripecitë e baticave e zbaticave të pandërprera historike.

Krahas shtypit legal që dilte në Kosovë, nga  ana tjetër, në një ilegalitet të thellë do të  fillojë veprimtarinë e vet shtypi ilegal i organizatave ilegale që vepronin në Kosovën e okupuar.  Gjatë veprimtarisë së saj ajo do të shfrytëzojë përvojën e shtypit  atdhetar të së kaluarës, veçanërisht të  atyre organizatave të mëhershme atdhetare. Gazetat ilegale që u botuan gjatë kësaj periudhe u vunë në shërbim të çështjes kombëtare duke demaskuar okupatorin dhe duke vu në spikamë programet e organizatave ilegale që vepronin në Kosovë.

Shtypi i organizatave ilegale  shquhej për  nga përmbajtja  dhe karakteri  militant dhe këmbëngulës. Njëherë do të  shënoi fillimin e daljes së shtypit ilegal shqiptar në Kosovë ku pati  rol të rëndësishëm  si në agjitacion, propagandë dhe tek popullata përçoi  frymën liridashëse  duke e mobilizuar atë për  luftë kundër pushtuesve.

Shtypi ilegal në Kosovë, që nga fillimet e daljes së tij e deri më 1999, ka pasqyruar dhe pasqyron njërën nga fushat më të rëndësishme  të veprimtarisë politike e atdhetare të Lëvizjes ilegale shqiptare në Kosovë e më gjerë.



[1] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë, 1985, f. 1067.

[2] Dr. Ismet Dërmaku, Rilindja kombëtare shqiptare dhe kolonitë shqiptare të mërgimit në Rumani dhe në Bullgari, Prishtinë 1987, f. 85 – 88. Ahmet Kondo, Kontributi i Revistës “Drita – Dituria” për përhapjen  e ideve kombëtare dhe të njohurive shkencore (1884 – 1885), Studime Historike, Tiranë, 1970, nr. 3.

[3] Fjalori Enciklopedik Shqiptar, Tiranë 1985, f. 1067. Vehbi Bala “Shtypi shqiptar në Rumani”, Revistë shkencore e Institutit Pedagogjik, Shkodër, 1964, nr. 1.

[4] Po aty.

[5] Luan Zelka, Shtypi shqiptar gjatë viteve të pavarësisë 1913 – 1939, Tiranë, 2001, f. 40.

[6] Sherafedin Hoxha, Shtypi i kombeve dhe i kombësive të Kosovës  (1871 – 1983), Prishtinë, 1987, f. 96.

[7] Dr. Muhamet Pirraku, Veprimtaria letrare e gazetës “Shkupi”,  revista “Fjala”, Prishtinë, 1979.

[8]  Akademia e Shkencave (Qendra e enciklopedisë shqiptare), Kosova në vështrim enciklopedik, Tiranë, 1999, f. 188.

[9] Dr. Muhamet Pirraku, Veprimtaria letrare e gazetës “Shkupi”, Prishtinë, Fjala,1979; Sherafedin Hoxha, Shtypi i kombeve dhe i kombësive  të Kosovës (1871 – 1983), Prishtinë, 1987, f, 67 – 68; Palok Daka, Bibliografia retrospektive mbi shtypin shqiptar dhe mbi shqiptaret për periudhën 1848 – 1944, Studime Historike, nr. I dhe II, 3, 4, Tiranë, 1999, f. 188.

[10] Sherafedin Hoxha, Shtypi i kombeve dhe i kombësive të Kosovës (1871 – 1983), Prishtinë,1987, f. 96 – 97.

[11] Si në referencën 9. f. 189; Sherafedin Hoxha, Shtypi i kombeve dhe i kombësive  të Kosovës (1871 – 1983), Prishtinë, 1987, f. 99 – 100.

[12] Dr. Sabile Keçmezi – Basha, Lëvizja ilegale patriotike shqiptare në Kosovë (1945 – 1947), Prishtinë, 1998, f. 155 – 160.

[13] Po aty, f. 156; Sherafedin Hoxha, Shtypi i kombeve dhe i kombësive të Kosovës (1871 – 1983), Prishtinë, 1987, f. 108 – 109.



(Vota: 12 . Mesatare: 4.5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Bukurosh Z. Dylgjeri: Pse quhemi “Shqiptarë”? Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XVI) Valon Kurtishi: Pseudo shkenca në shërbim të demonizimit të një kombi Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XV) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIV) Sabile Keçmezi- Basha: Diferencimet ideopolitike ndaj intelektualëve shqiptarë në Kosovë 1945-1990 Arben Llalla: Aleksandri i Madh i Greqisë apo i shqiptarëve Vendimet historike të Bukureshtit për shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XIII) Brahim Avdyli: Çështja shqiptare dhe territori historik shqiptar Milazim Kadriu: Beteja e Tabeve bëri bashkë dijen ushtarake, sakrificën dhe heroizmin... Urim Gjata: Në emër të jetës Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XII) Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VII) Ksenofon M. Dilo: Fati tragjik i karakterit fisnik, i atyre që u tretën për Shqipërinë Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (VI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (XI) Sylejman Aliu: Filozofia e Krrokamës - Rexhep Qosja në pasqyrë (X) Behxhet Dibrani: Rrethanat shoqërore- politike nderkombëtare dhe shqipetarët nga lufta e krimes deri në krizën lindore Sabile Keçmezi-Basha: Informimi i denjë i çështjes kombëtare në diasporë... (V)

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora