E premte, 26.04.2024, 04:44 AM (GMT+1)

Kulturë

Edmond Tupja: Një popull e vetëm një!

E diele, 06.12.2009, 08:03 PM


Një popull e vetëm një!

Nga Edmond Tupja

Dy janë krahët e politikës shqiptare sot, e djathta ...në pushtet dhe e majta në opozitë; dy janë, pra, partitë kryesore në pararojë të të dy krahëve, PD-ja blu dhe PS-ja rozë; dy janë liderët konfliktualë që po përplasen e po përleshen sa vjen e më ashpër me akuza e kundërakuza, me argumente e kundërargumente, me goditje të lejueshme e të palejueshme, a thua se janë duke zhvilluar një dyluftim për jetë a vdekje. Megjithatë, një popull jemi, shqiptarë të gjithë dhe, si të tillë, kemi një histori të përbashkët, një gjuhë të përbashkët, një kulturë të përbashkët, një psikologji të përbashkët, sigurisht me anët e saj më të mira e më pak të mira. Prandaj edhe u trondita ditën kur dëgjova – e pabesueshme, ndonëse nuk më bënë veshët! – nga goja e kryebashkiakut të Tiranës, njëherazi kryetar i Partisë Socialiste, shprehjen e frikshme, madje vrastare “populli i opozitës”, dhe e dëgjova jo vetëm një herë, por dy a tri herë.
Të flasësh publikisht para mediave, pra, para gjithë shqiptareve dhe shqiptarëve, para tërë opinionit ndërkombëtar për “popull të opozitës” nuk mund të jetë kurrsesi një lapsus, sepse kjo shprehje lë të nënkuptohet që ekzistoka edhe një “popull i pozitës”, çka mund të përkthehet si vijon: Shqiptarët e sotëm nuk qenkan më një popull e vetëm një, por dy, një popull i majtë dhe një popull i djathtë, një popull i PS-së dhe një popull i PD-së, një popull i Edi Ramës dhe një popull i Sali Berishës, pra, gati si në kohën e llahtarshme të Enver Hoxhës e të Partisë së Punës, kur flitej për revolucionarët dhe reaksionarët, për “ne” dhe “ata”, për aleancën e kl(l)asës punëtore me fshatarësinë kooperativiste, nga njëra anë, dhe të deklasuarit e qytetit e ata të fshatit (si kulakët, për shembull), nga ana tjetër etj., etj. Kjo kundërvënie të kujton edhe tezat e dikurshme të disa qarqeve shoviniste të vendeve fqinjë për dasinë e pakapërcyeshme shqiptare në gegë dhe toskë.
Por, në zbërthimin e shprehjes së kobshme “popull i opozitës”, e keqja tjetër është se autori i saj tund kështu, pavarësisht deklaratave të tij se në demokraci ndryshimet nuk bëhen me dhunë, gogolin e vitit të mbrapshtë 1997 (sidomos kur e dëgjova të enjten e shkuar të thoshte se ai, d.m.th. Sali Berisha, nuk ka nxjerrë mësime nga ngjarja e 1997). Por çfarë fshihet pas këtij gogoli? As më shumë e as më pak sesa gogoli, tani për tani i papërfillshëm i luftës civile!
Kam përshtypjen, madje bindjen që sa vjen e thellohet, se shprehja “popull i opozitës”, e lëshuar me vetëdije por pa përgjegjshmëri nga Edi Rama, është në thelb dëshira, pasioni e babëzia e tij e marrë për pushtet, fryt i një mendësie të lemerishme majtiste për bojkotimin e parlamentit që ai e ka trashëguar tërthorazi nga teoria marksiste-leniniste e të marrit të pushtetit me dhunë qoftë kjo, sipas tij, edhe “paqësore” (siç janë në Shqipëri jo rrallëherë mitingjet e sajuara artificialisht, kërcënimet mediatike dhe ato me grevë urie).
Kam përshtypjen, madje bindjen e thellë, se shprehja “popull i opozitës” vetëm ia kundërvë shqiptarin shqiptarit në mënyrë të dhunshme, gati antagoniste, ajo vetëm përçan, ajo vetëm gërryen si acid dhe pasojat e kësaj përçarjeje, e kësaj gërryerje shpirtërore mund të rigjallërojnë diku, dikur midis nesh, shqiptarëve, rrënjët e urrejtjes e të vëllavrasjes për të na bërë të pabesueshëm në sytë jo vetëm të njëri-tjetrit, por edhe të bashkësisë evropiane e më tej.
Së fundi, në mënyrë që nesër Sali Berisha, me synimin për t’iu kundërvënë më egër Edi Ramës, duke u frymëzuar negativisht prej tij, të mos e përdorë shprehjen antonimike “popull i pozitës”, më duket e domosdoshme që mbarë opinioni ynë shoqëror të ushtrojë trysni mbi dy kryepolitikanët në fjalë, mbi dy partitë në konflikt, mbi përfaqësuesit e tyre më në zë, në të dy krahët e kreshpëruar të politikës shqiptare, me qëllim që dy liderët shpërthyes të ulen sa më shpejt ballë për ballë, mundësisht e patjetër në Kuvend, bashkë me deputetët përkatës, për të dialoguar duke u parë në sy dhe duke hapur kartat e lojës së tyre, përfshirë edhe asat në mëngë, për t’i dhënë kështu fund kësaj loje të rrezikshme për të tashmen e të ardhmen e Shqipërisë, sepse ne, shqiptarët, jemi pa përjashtim një popull e vetëm një!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora