E premte, 26.04.2024, 05:22 PM (GMT+1)

Speciale

Valon Kurtishi: Një Gjermani e fortë për një Europë të fuqishme

E hene, 05.10.2009, 08:31 PM


Një Gjermani e fortë për një Europë të fuqishme

3 tetori 1990, dita e bashkimit të dy Gjermanive si shkas

Nga Valon Kurtishi

Më 25 prill 1945 ushtritë amerikane dhe sovjetike u takuan në urën mbi lumin Elbë dhe shtërnguan duart në një akt interesant i cili simbolizonte fitoren e koalicionit të madh antifashist Angli-SHBA-BRSS në luftën e dytë botërore. Viktimat e gjithëmbarshme të kësaj lufte të tmershme arritën në reth 20 milionë ushtarë dhe 40 milionë civilë.
Që para mbarimit të luftës (1944), sekretari amerikan i thesarit Henry Morgenthau, propozoi planin e tij për shkatërrimin e Gjermanisë pas luftës së dytë botërore. Pikat kryesore të këtij plani ishin demilitarizimi i Gjermanisë, ndarja në zona okupuese dhe dhënia e tokave gjermane fqinjëve, përzënia e popullsisë së pafajshme gjermane nga ato territore që do tu lëshoheshin fqinjëve, plaçkitja e ekonomisë dhe çmontimi i industrisë gjermane deri në atë pikë sa ajo të degradojë në shkallën bujqësore të para revolucionit industrial. Këto politika çnjerëzore vazhduan të aplikohen në masë të madhe deri në mesin e viteve 50, kur një pjesë e kufizimeve u bënë vetvetiu të tepërta me nënshkrimin e marrëveshjes europiane për thëngjill dhe çelik më 1951, kur rolin e kontrollorit të industrisë gjermane e mer Bashkësia e porsaformuar europiane.
Duke u bazuar në këtë plan, nga 16 korriku e deri më 2 gusht 1945, u mbajt konferenca e Postdamit e cila e ndau Gjermaninë në katër zona okupuese edhe atë: amerikane, angleze, franceze dhe sovjetike. Sudeten landi i banuar nga tre milionë gjermanë etnikë iu rikthye Çekosllovakisë, Alzas Lorena Francës, Austria u rishpall e pavarur. Përveç kësaj, një numër i territoreve që para lufte i takonin shtetit gjerman e që arinin deri në 25% të territorit të Gjermanisë së para luftës iu dha arbitrarisht Polonisë. Këto ishin territoret në lindje të vijës Odër-Naise. Vendlindja e Immanuel Kantit, Konigsbergu i banuar historikisht me popullsi gjermane iu dha BRSS e cila e përzuri popullsinë civile gjermane dhe e riemëroi qytetin vatër të kulturës europiane në Kaliningrad.
Duke filluar në vitin 1945 e deri më 1946 në Pallatin e drejtësisë në Nyrnberg, mbahet i a.q “Tribunali i Nyrnbergut”, ku një numër i madh i ish zyrtarëve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tjerë u gjykuan për krime të luftës, krime kundër njerëzimit, agresion dhe krime kundër paqes. Krimet aleate nuk u gjykuan dhe kaluan në heshtje të plotë.
Më 23 maj 1949, nën diktatin e tre fuqive perëndimore dhe ma bashkimin e territorit të tre zonave okupuese, amerikane, britanike dhe franceze përkatësisht, themelohet Republika federale gjermane si demokraci parlamentare me kryeqytet Bonin.
Si reagim ndaj këtyre zhvillimeve nën diktatin sovjetik në zonën e katërt okupuese sovjetike themelohet në të njëjtin vit më 7 tetor, Republika demokratike gjermane, shtet komunist i a.q “demokraci popullore socialiste” me kryeqytet Berlinin lindor.
Me këtë morën rrugë dy entitete eksperimentuese të vëna në jetë për të mbajtur nën kontroll superioritetin e natyrshëm gjerman në Europë. Më vonë, më 4 prill 1949, në Uashington D.C u krijua edhe aleanca e Atlantikut të veriut e cila kishte për detyrë që të mbajë “Amerikën brenda Europës, rusët jashtë Europës kurse gjermanët nën kontrollin europian”.
Pasuan një mori e zhvillimeve interesante si plani Marshall për ndihmë Europës perëndimore, mosmarrëveshjet lindje-perëndim, lufta e ftohtë të cilët kulmuan me ndërtimin e murit të Berlinit më 1961. Dallimet në standardin jetësor mes dy Gjermanive, liritë politike të ndaluara në lindje, jeta e vështirë si dhe standardi i ulët jetësor bënë që miliona gjermanë nga lindja të largohen drejt perëndimit.
Muri u ndërtua për të penguar emigrimin e popullsisë gjermane nga lindja në perëndim. Ndërtimi i tij u përcoll me kritika të fuqishme në gjithë botën. Madje edhe presidenti Xhon Kenedi gjatë vizitës së tij në Berlin u solidarizua me qytetarët gjermanë duke shqiptuar fjalët e famshme “Unë jam një berlinez” (Ich bin ein Berliner). Me kalimin e viteve Gjermania lindore komuniste nën diktaturën e  Erich Honekerit dhe nën kontrollin e policisë sekrete Stasi degradoi gjithnjë e më tepër ekonomikisht. Nga ana tjetër duke filluar me reformat e mëdha të kancelarit Konrad Adenauer dhe minsitrit të tij të ekonomisë Ludwig Erhard, ideatorit të mrekullisë ekonomike (Wirtchaftwunder), e deri në qeverisjen e djathtë të kancelarit Helmut Kol, Gjermania perëndimore u shndërrua në ekonominë e tretë më të madhe në botë pas SHBA dhe Japonisë. Vitet 80 sollën perestrojkën dhe glasnostin e Gorbaçovit dhe rënien e sistemit komunist. Në këtë një rol madhor luajti administrata republikane e presidentit Ronald Regan e cila e mori shumë seriozisht luftën e gjithanshme kundër “perandorisë së të keqes”. Më rënien e komunizmit dhe me humbjen e kontrollit të Europës lindore, BRSS u shpërbë në 15 shtete të pavarura, kurse trashëgimtarja e saj Federata Ruse u relegua në stadin e një fuqie rajonale.
Gjithë këto zhvillime i ilustroi rënia paqësore e murit të Berlinit nga 9 nëntori 1989 e cila ngjarje çoi edhe në bashkimin e dy Gjermanive që u arrit përfundimisht dhe formalisht më 3 tetor 1990. Për hir të së vërtetës duhet thënë se pati kundërshtime ndaj këtij procesi nga një numër i aleatëve perëndimorë të RFGJ. Më të zëshmet ishin vërejtjet franko-angleze dhe frika e tyre nga ndonjë politikë revanshi apo superioriteti gjerman në Europë. Për tu siguruar për të mos ndodhur kjo si dhe si koncesion ndaj lejimit të bashkimit të dy vendeve, Gjermania u detyrua të nënshkruajë më 12 shtator 1990 në Moskë Marrëveshjen e njohur si 4+2. Në bazë të kësaj marrëveshjeje Gjermania u bashkua dhe e rifitoi sovranitetin e plotë me kushtet e heqjes dorë nga prodhimi apo posedimi i armëve bërthamore, reduktimit të forcave ushtarake si dhe pranimit të vijës Odër-Naise si kufi të përhershëm me Poloninë. Këto ishin kushtet nën të cilat ushtria sovjetike u largua nga territori gjerman.
Megjithë lëshimet e dhimbshme që bëri, Gjermania e rizuri vendin dhe pozitën e vet të merituar në qendër të Europës. Vetë pozita gjeografike e bën atë lider natyror të Europës në përgjithësi. Por edhe zhvillimi historik i kontinentit e sjell Gjermaninë vetiu si vendin i cili ka mbajtur peshën kryesore në mbrojtjen e Europës si nga sulmet e jashtme, ashtu edhe si bartëse themelore të zhvillimit kulturor dhe ekonomik të kontinentit tonë. Që nga koha e Karlit të madh, mbretërit dhe perandorët e mëdhenj që nxorën familjet e  Hohenstaufenëve dhe Habsburgëve, kancelarit Bizmark apo Mbretit Wilhelmi i II-të, kancelarit Konrad Adenauer apo burrështetasit Helmut Kol e deri tek kancelaria e sotme Angela Merkel e cila e vazhdon më së miri traditën e burrështetasve vizionarë nga e kaluara, Gjermania ka mbajtur peshën kryesore në politikën europiane. Përveç politikës, shkenca botërore ka përfituar pjesën më të madhe të zbulimeve më të rëndësishme apo krijimit të veprave të paharrueshme e papërsëritshme kulturore nga shkollat tipike gjermane nga bankat e të cilave dolën emra të tillë si Luteri, Kalvini, Gutenbergu, Lajbnici, Dyreri, Tunmani, Shileri, Gëte, Niçe, Fihte, Herderi, Kanti, Hegeli, Hajdegeri, Engelsi, Marksi, Shopenhaueri, Frojdi, Jungu, Frommi, Weberi, Brehti, Grassi, Moxarti, Wagneri, Betoveni, Ajnshtajni, Dahrendorfi etj..etj.  
Siç shihet nga evidentimi i vetëm një pjese të vogël të këtyre emrave, Gjermania është ama e civilizimit europian, kontribuesja kryesore në zhvillimin e këtij civilizimi, vetë vula e identitetit kulturor europian. Nëse heqim 1000 vjetët e kontributit mesdhetar arian, ilir, kelt, grek apo romak për kulturën europiane, pjesa e mbetur prej dymijë vjetësh e historisë tonë së erës së re përmban gjurmën e pashlyeshme të kontributit të arealit kulturor gjermanishtfolës.
Pas bashkimit, Gjermania zbatoi një politikë të përgjegjshme bashkëpunimi dhe tolerance gjithë europiane. Ajo ishte ndër promotorët më të fuqishëm të bashkimit ekonomik dhe politik të Europës dhe ritjes së Bashkimit Europian. Ajo edhepse ekonomia më e madhe europiane u përkujdes që të mos përkthejë gjithë këtë superioritet ekonomik në ndikime politike. Politika gjermane ishte shembull i shkëlqyeshëm i respektimit të marrëveshjeve ndërkombëtare që jo pak herë janë shkelur nga nënshkruesit solemnë të tyre. Për më tepër kohëve të fundit e detyruar nga interesat e përgjithshme europiane, shihet një politikë interesante afrimi gjithnjë e më e madhe e Gjermanisë me Rusinë e ringjallur të Putinit dhe Medvedevit. Kjo është një gjeopolitikë e re interesante për hir të interesave ekonomike dhe mirëqenies së gjithë popujve europianë. Dihet shumë mirë se pjesa më e madhe e buxhetit të BE-së apo më shumë se 20% e tij mbushet me financimet e RFGJ-së. Nga ana tjetër parë në një këndvështrim më të kufizuar shqiptar, Gjermania është kontribuesja më e madhe e vetme e huaj në këto 18 vite demokracie për Shqipërinë dhe në këto 8 vite në liri dhe si shtet i pavarur për Republikën e re të Kosovës. Nuk duhen haruar as kursimet e reth gjysmë milioni të emigrantëve shqiptarë që punojnë në shtetet gjermanishtfolëse të Europës: Gjermani, Zvicër dhe Austri. Gjithashtu, Gjermania dha kontributin e saj parësor si haptas ashtu edhe prapa skenës në çlirimin e Kosovës  më 1999 dhe avancimin e pozitës kushtetuese të shqiptarëve në IRJM pas vitit 2001. Edhe sot ajo vazhdon të jetë amortizator dhe ndërmjetës i mirë i marrëdhënieve ndërshtetërore dhe ndëretnike mes shteteve dhe kombeve plot rivalitet të Europës juglindore.
Gjermania sot qëndron ballëhapur dhe krenare për gjithë atë çfarë ka bërë dhe për atë çka i ka dhënë shtëpisë sonë të përbashkët - Europë, zhvillimit shkencor, kulturës, historisë, identitetit, vetë civilizimit të madh dhe të pazëvendësueshëm europian e perëndimor në përgjithësi. Në kohërat gjithnjë e më të pasigurta të globalizmit Europës i duhet lidershipi natyror dhe aftësitë menaxheriale karakteristike gjermane.
Gjermanisë duhet ti kthehet urgjentisht vendi i merituar si lider i përgjegjshëm, i padiskutueshëm dhe plotësisht meritor i Bashkimit Europian. Gjermanisë duhet ti rikthehet vendi i merituar në skenën ndërkombëtare. Një vend anëtari në këshillin e sigurimit të OKB do të ishte më e pakta që shtetet europiane do të mund të bënin për Republikën Federale Gjermane - motorin politik dhe lokomotivën e zhvillimit ekonomik të kontinentit europian. Në një botë me plot të papritura dhe me shtete të ndryshme gjithnjë e më agresive politikisht dhe gjithnjë e më konkurruese ekonomikisht, Gjermania duhet ta fitojë rolin e saj të pazëvendësueshëm.. Këtë ia kemi borxh gjithë ne europianët e tjerë që kemi përfituar mbrojtjen politike, ndihmën fizike dhe kemi shfrytëzuar bazën e saj ekonomiko-industriale për shekuj me radhë.


(Vota: 5 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Fotaq Andrea: Ismail Kadare, Vlerë Kombëtare e ndërkombëtare Avzi Mustafa: Mësuesia një nga zanatet më njerëzore At Zef Pllumi: Parathanje e Lahutës së Malcis Qazim Namani: Milush Kopili dhe beteja e Kosovës Niko Stylos: Refleksione mbi një alfabet të ri Jahja Drançolli: A ishte kurorëzuar Gjergj Kastrioti - Skënderbeu për Mbret? Baki Ymeri: Kuvendi Kombëtar (Bukuresht, 1933-1934) Valon Kurtishi: Disa të panjohura dhe mësime nga Lufta e dytë botërore Avzi Mustafa: Reformat e shkollës evropiane kërkojnë edhe ligje evropiane Rexhep Kastrati: Rikthimi i shqiptarëve në vatrat e veta dhe loja politike kundërshqiptare Rexhep Kastrati: Diversion mbi linjën institucionaliste si mënyre për rrënimin politik të Dr. Rugovës Skënder R. Hoxha: Kolonizimi i Dushkajës me sllavë Xhafer Durmishi: Organizatat politike shqiptare në Evropë 1979-1985 Fjala e rastit ne kremtimin e 98 vjetorit te Kryengritjes se Malesis, e mbajtur nga Gjon Gjokaj... Zef Ndrecaj: Principata Dukagjinase - Kanuni i Lekë Dukagjinit Mehmetali Rexhepi: Pleksjet Biblike dhe Etnike (Nuhi Ismajli: Nga vlerat e traditës) Klajd Kapinova: Imzot Pjetër Bogdani në New York Avzi Mustafa: Vështrim në librin “Vullneti i dhunuar” të autorit Mahi Nesimi Arben Llalla: Kontributi në fushën e gjuhësisë dhe letërsisë greke dhe shqipe i arvanitasit të shquar Panajot Kupitorit Alfred Papuçiu: I madhi Ismail Kadare i përket jo vetëm Shqipërisë por dhe mbarë njerëzimit

Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora