Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Tërmetet brenda NATO-s dhe komoditeti ynë i budallëm
E merkure, 01.04.2026, 06:59 PM
Tërmetet brenda NATO-s dhe komoditeti ynë i budallëm
Nga Prof. Blerim Latifi
Trump
paska deklaruar se po shqyrton mundësinë e daljes së SHBA-së nga NATO. Kjo
deklaratë vjen si pasojë e mosmarrëveshjes së thellë midis SHBA-së dhe shteteve
europiane rreth luftës me Iranin. Fuqitë kryesore europiane të NATO-s jo vetëm
që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tyre në këtë luftë, por shpesh edhe kanë
refuzuar që bazat e tyre të vihen në dispozicion të avionëve amerikanë.
Ne
jemi mësuar ta shohim NATO-n si një aleancë unitare ushtarake, por historia e
saj flet ndryshe. Në disa raste kjo aleancë ka kaluar nëpër përçarje të thella,
të cilat kanë çuar gati në paralizë të saj.
Rasti
më i hershëm është ajo që njihet si Kriza e Kanalit të Suezit, e vitit 1956,
vetëm 7 vite pas themelimit të NATO-s.
Kur
presidenti egjiptian Gamal Abdel Naser shtetëzoi Kanalin e Suezit, Britania e
Madhe dhe Franca ndërhynë ushtarakisht kundër Egjiptit pa mbështetjen e
Shteteve të Bashkuara. Uashingtoni e kundërshtoi fuqishëm ndërhyrjen, dhe kjo
situatë eskaloi në një përçarje të madhe brenda NATO-s. Sikur të mos ishte
kërcënimi sovjetik në horizont, mbase NATO-ja do të kishte marrë fund qysh
atëherë.
Dhjetë
vite më vonë, një sherr tjetër i madh do të përçante aleancën. Edhe kësaj radhe
protagonist i përçarjes do të ishte Franca.
Në
një vendim të befasishëm, presidenti i atëhershëm francez Sharl de Gol do të
largonte Francën nga ajo që njihet si “struktura e integruar ushtarake e
NATO-s”. Ky vendim në Francë u justifikua me kërkesën që Franca të kishte
pavarësinë e saj nga ndikimi amerikan në aleancë.
Edhe
pse Franca ishte çliruar nga pushtimi nazist me ndihmën e ushtrive amerikane
(zbarkimi në Normandi), vitet e pasluftës në Francë do të karakterizoheshin nga
një klimë shumë e fuqishme antiamerikane, dhe De Goli, aleati historik i
amerikanëve, do të binte nën ndikimin e kësaj klime. Dalja e Francës nga
komanda ushtarake e NATO-s u pasua nga një përçarje e madhe brenda saj.
Kriza
tjetër do të vinte në fillim të vitit 1983.
Pas
vdekjes së Leonid Brezhnjevit, Bashkimi Sovjetik, në një akt demonstrimi të
forcës së tij, ndërmori vendosjen e raketave bërthamore me rreze të mesme në
vendet komuniste të Evropës Lindore që ishin nën tutelën sovjetike. Amerikanët,
nën presidencën e Ronald Reagan, do të kundërpërgjigjeshin duke pozicionuar
raketa bërthamore në Gjermani, Itali dhe Britani. Një valë e madhe protestash
që shpërtheu në Evropën Perëndimore do të reflektohej thellë në unitetin e
NATO-s.
Rënia
e Bashkimit Sovjetik do të pasohej nga një debat i madh brenda anëtarëve të
NATO-s mbi arsyen e ekzistencës së saj pas zhdukjes së armikut, i cili kishte
qenë shkaku themelor i krijimit të saj. Por ky debat nuk solli asnjë rezultat
praktik dhe në vitet ’90 NATO u shfaq e bashkuar në shumë ngjarje. Ajo miratoi
planin e zgjerimit me vendet e ish-bllokut komunist në Evropën Lindore, mori
pjesë në Luftën e Gjirit kundër Irakut të Sadam Huseinit, ndërhyri në luftën e
Bosnjës (edhe pse me vonesë) dhe në vitin 1999 intervenoi kundër regjimit të
Sllobodan Millosheviqit për të ndaluar fushatën e tij gjenocidale kundër
shqiptarëve të Kosovës. Kështu NATO po e mbyllte shekullin 20 si një aleancë
ushtarake unike.
Në
vitin 2001 NATO sërish do të shfaqej e bashkuar rreth SHBA-së në sulmin kundër
Afganistanit të talibanëve, por dy vite më vonë, ajo do të përçahej thellë kur
SHBA-të pushtuan Irakun e Sadamit. Franca dhe Gjermania dolën hapur dhe
fuqishëm kundër këtij pushtimi.
Në
vitet në vazhdim ka pasur edhe tensione të tjera serioze mes aleatëve, si
tensioni midis SHBA-së dhe Turqisë, kur kjo e fundit vendosi të blinte një
sistem të mbrojtjes ajrore nga Rusia.
Me
ardhjen e Donald Trump në pushtet, filloi një seri e re mosmarrëveshjesh mes
Uashingtonit dhe anëtarëve europianë të aleancës. Këto njihen si
mosmarrëveshjet për barrën financiare të mirëmbajtjes së NATO-s. Trump akuzonte
europianët se nuk po paguajnë sa duhet dhe se Amerika nuk do të vazhdonte të
paguante për sigurinë e tyre, gjë që kishte bërë që nga ditët e zbarkimit në
brigjet e Normandisë në Francë.
Kriza
e fundit e unitetit të NATO-s lidhet me Luftën me Iranin.
Kundërshtimi
europian për t’u bashkuar Amerikës në luftë shkaktoi reagime të forta në
Uashington, dhe në mesin e tyre më i fundit është kërcënimi i Trump se po
shqyrton mundësinë e largimit të SHBA-së nga NATO, e cila, sipas tij, pa
SHBA-në nuk mbetet asgjë tjetër përveç një tigri prej letre.
Nëse
këto kërcënime bëhen realitet, gjëja e parë që do të marrë fund është siguria
dhe paqja në Evropë. Kjo do të jetë shansi më i madh historik i Rusisë për të
zbatuar planin e saj të kahershëm për destabilizimin e Evropës, nga i cili pret
të përfitojë një rol të ri hegjemonist në sferën e dikurshme sovjetike.
Pra,
nga të gjitha krizat e përçarjes nëpër të cilat ka kaluar NATO, kjo e fundit
bartë rrezikun më të madh për shpërbërjen e saj.
Evropa
ndodhet përpara rrezikut të një kaosi të madh, të cilin, në mungesë të
Amerikës, nuk do të jetë në gjendje ta përballojë me sukses. Arsyet dihen.
Ndërkohë,
ne nuk kemi asnjë ide minimale se si duhet të veprojmë përballë këtij rreziku.
Sepse nuk kemi kohë për ta menduar këtë punë. Sepse gjithë kohën dhe energjinë
e kemi përqendruar në punësimin e dikujt
në postin e presidentit të Kosovës, dhe nëse nuk ia dalim, do të shkojmë në
zgjedhje të reja, nga të cilat nuk pritet të dalë ndonjë zgjidhje që do t’i
jepte fund rrethit vicioz politik në të cilin jemi bllokuar tash e sa kohë.









