E diele, 15.02.2026, 11:13 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Budallës as në teposhtë mos i zbrit nga shpina!

E diele, 15.02.2026, 06:59 PM


Prof. Blerim Latifi:

Pas vitit 1945, rregulli i aleancës perëndimore të sigurisë ka qenë: “Secili për vete, Amerika për të gjithë.”

Tetëdhjetë vjet më vonë, Donald Trump deklaroi fundin e këtij rregulli. Europianët u kapën në panik dhe filluan ta sulmonin Trumpin si shkatërrues të aleancës perëndimore.

Sot, në fjalimin e tij në Mynih, sekretari Marco Rubio ua hoqi frikën europianëve të sapozgjuar nga ëndrra kantiane e paqes së përhershme. Ai tha se Amerika është fëmijë i Europës dhe nuk do ta braktisë atë, por me kusht që Europianët të përmbushin detyrat e tyre brenda një marrëdhënieje të bazuar në investim reciprok në mbrojtjen e Perëndimit, jo vetëm në aspektin gjeopolitik, por edhe në atë kulturor.

Rubio shpalli fundin e deluzionit të “Fundit të Historisë,” të cilin Perëndimi e kishte krijuar pas mposhtjes së komunizmit sovjetik, dhe, në njëfarë mënyre, riafirmoi konceptin e Samuel Huntington për NATO-n si mburojë e civilizimit perëndimor.

Një rikthim eventual i teorisë së Huntingtonit në gjeopolitikën perëndimore natyrshëm sjell me vete kushte të reja për t’u bërë pjesë e aleancës perëndimore. Ndër to përfshihet edhe ai kulturor: secili shtet duhet të jetë vërtet perëndimor në vlera, në mënyrë që të integrohet në strukturat perëndimore të sigurisë.

Me gjasë koha e dilinxhive që tjetër çka flasin e tjetër çka bëjnë, po merr fund.

________

Ne fjalimin e tij paradigmatik ne Mynih sekretari i shtetit Marco Rubio theksoi se “përfundimisht, ne nuk mund të vendosim rendin e ashtuquajtur global mbi interesat e popujve dhe kombeve tona”.

Kjo thanë ndryshe: kombi mbetet themeli i patejkalueshëm i politikës mes shteteve, ndersa rendit global i mbetet vlera instrumentale. Ai duhet t'u shërbejë kombeve, e jo t’i zëvendësojë ato.

Në këtë kuptim, teoritë e një bote postnacionaliste duhet të kënaqen me një vend në kapitujt e historive akademike të ideve politike.

Nga krejt kjo neve na mbetet të marrim leksionin e duhur: t'i rikthehemi identitetit dhe interesit kombêtar, si busulla e vetme e dobishme në detin e dallgëzuar të botës së sotme. Busullat tjera ideologjike po e humbin vlerën me shpejtësi. Bashkë me budallenjtë e kapur pas tyre.

________

Nga pritja madhështore që Vuçiqit i bëri Erdogan në Ankara, kuptuam se aktualisht 1500 kompani turke operojnë në Serbi; volumi i investimeve turke arrin mbi 300 milion euro, ndërsa këmbimet tregtare kapin shifrën e 3.5 miliardë eurove.

Tek ne, ndërkaq, investimet turke janë të fokusuara në ringjalljen e kujtesës osmane, kujtesë të cilën vetë turqit modernë nuk e marrin seriozisht. Po nejse, siç thotë ajo shprehja e moçme: budallës as në teposhtë mos i zbrit nga shpina!

________

Një yll i ri është shfaqur në qiellin e filozofisë perëndimore: Amanda Askell. Me origjinë skoceze, qysh në moshën 14-vjeçare i tha nënës së saj se donte të bëhej mësuese e filozofisë. Ajo ka studiuar filozofi dhe arte të bukura në Universitetin e New York-ut dhe në Oksford, duke u specializuar në filozofinë e moralit. Një mendje shumë kreative, Askell ka publikuar mbi 60 punime filozofike, të cilat, sipas të dhënave online, janë cituar më shumë se 170 mijë herë.

Që nga viti 2021, ajo punon në Anthropic, një kompani amerikane të inteligjencës artificiale, ku udhëheq ekipin që ka krijuar kodin moral të modeleve të AI-së të kompanisë. Ky kod, i quajtur “kushtetuta e AI-së”, ndihmon chatbot-in Claude që të respektojë parimet dhe vlerat morale në përmbajtjet që ofron.

Puna e Askell e tregon një dimension të ri filozofisë në kohën tonë: ajo nuk është thjesht teori, por një udhërrëfyese praktike që ndihmon jo vetëm që njerëzit të jenë të arsyeshëm dhe të lirë, por edhe sistemet e inteligjencës artificiale të jenë të sigurta dhe etike. Dhe natyrisht, askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë se etika filozofike, ky thesar i përpunuar gjatë shekujve nga gjenitë më të mëdhenj të mendimit njerëzor, nga Sokrati e deri te Kanti, dhe tani, Amanda Askell. E them thesar, sepse etika filozofike dallohet nga te gjitha etikat tjera me faktin se njerëzit i do qenie te lira, e jo qenie te shtypura e të frikësuara nga dogmat.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx