Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Rrëfimi për një imam radikal, një inxhinier liberal dhe një filozof ëndërrimtar
E premte, 13.03.2026, 06:59 PM
Rrëfimi për një imam radikal, një inxhinier liberal dhe një filozof ëndërrimtar
Nga
Blerim Latifi
Kthimi
i Khomeinit nga mërgimi në Paris në shkurt të vitit 1979 shënon një nga
momentet më dramatike të historisë politike të shekullit XX.
Ai
u prit në Teheran nga miliona njerëz, që besonin se kjo ngjarje shënonte fundin
e një regjimi autoritar dhe lindjen e një rendi të ri më të drejtë.
Diktatura
teokratike nuk u vendos menjëherë.
Në
muajt e parë pas revolucionit ekzistonte një hapësirë faktike pluralizmi, ku
ballafaqoheshin vizione të ndryshme për të ardhmen e Iranit. Në këtë periudhë,
një rol qendror e luajti Mehdi Bazargan, figura që përfaqësonte mundësinë e një
republike njëkohësisht islame dhe demokratike.
Pra
revolucioni iranian nuk ishte në fillim një revolucion puro islamik.
Ai
ishte një lëvizje e gjerë kundër regjimit të Reza Pahlavit, ku merrnin pjesë
klerikë, nacionalistë, liberalë, marksistë dhe organizata të tjera të majta.
Në
këtë lëvizje pluraliste, Bazargani përfaqësonte një traditë të mendimit islam
modernist, e cila kërkonte pajtimin e fesë me demokracinë dhe me shtetin
ligjor.
I
formuar si inxhinier në Francë dhe profesor universitar në Teheran, ai besonte
se Islami nuk duhet të shndërrohet në ideologji shtetërore, por të mbetej një
burim etik për shoqërinë.
Kur
Khomeini u kthye në Iran, ai e emëroi Bazarganin në krye të qeverisë së
përkohshme, duke i dhënë revolucionit një fytyrë të moderuar dhe të pranueshme
edhe për intelektualët dhe politikanët laikë.
Në
këtë fazë të paqartë të revolucionit iranian u shfaq interesimi i filozofit
francez Michel Foucault, i cili udhëtoi disa herë në Iran në ata muaj si
gazetar dhe vëzhgues.
Foucault
ishte i fascinuar nga karakteri jo-perëndimor i revoltës dhe e interpretoi atë
si një formë të re të politikës, që nuk mund të shpjegohej me kategoritë
klasike të revolucionit modern, qoftë atij francez qoftë atij bolshevik.
Gjatë
qëndrimit të tij në Teheran, ai u takua me figura të ndryshme të lëvizjes
revolucionare, ndër ta edhe me Bazarganin, i cili i paraqiti vizionin e një
republike që do të ishte njëkohësisht islame dhe demokratike.
Për
Foucault, ky vizion dukej si një alternativë ndaj modelit perëndimor të
modernitetit, një lloj “spiritualiteti politik” që mund të prodhonte forma të
reja të lirisë kolektive.
Takimet
me Bazarganin dhe me intelektualë të tjerë iranianë e bindën Foucault se
revolucioni nuk ishte thjesht një lëvizje islamike, por një përpjekje e një
populli për të gjetur një formë të re sovraniteti. Ai shkroi se iranianët nuk
kërkonin vetëm ndryshim politik, por edhe një transformim moral të jetës
shoqërore. Në këtë kontekst, figura e Bazarganit ishte e rëndësishme sepse
tregonte se Islami mund të interpretohej në mënyrë jodogmatike dhe të
bashkëjetonte me institucionet moderne. Pikërisht kjo e bëri Foucault të
nënvlerësonte rrezikun e një regjimi teokratik.
Megjithatë,
zhvillimet e nisura në vjeshtën e vitit 1979 i rrënuan shpresat e të dyve.
Qeveria
e Bazarganit u gjend e rrethuar nga struktura radikale, të cilat nuk i
bindeshin autoritetit të saj. Kriza e pengjeve në ambasadën amerikane në nëntor
1979 e dobësoi përfundimisht kampin e moderuar. Bazargani, që doli kundër këtij
veprimi, dha dorëheqjen, duke deklaruar se qeveria nuk kishte më pushtet
faktik. Me largimin e tij, u zhduk edhe mundësia e një republike islame
demokratike. Kushtetuta e re, e miratuar në fund të vitit 1979 i dha
lidershipit fetar autoritetin suprem mbi shtetin.
Në
vitet që pasuan, shumë nga ata që kishin mbështetur revolucionin u përjashtuan
ose u shtypën, ndërsa lufta me Irakun e konsolidoi përfundimisht pushtetin e
mullahëve.
Foucault
pastaj u kritikua ashpër në Perëndim për optimizmin e tij ndaj revolucionit
iranian, sepse regjimi që u formua rezultoi më autoritar e represiv se ai i
Pahlavit. Por nëse shihen muajt e parë të revolucionit, entuziazmi i Foucault
nuk ishte krejt naiv. Për një moment të shkurtër, përmes figurave si Bazargani,
dukej se Irani mund të ndërtonte një sistem ku islami, liria dhe moderniteti do
të mund të bashkëjetonin.
Sikur
vizioni i Bazarganit të kishte fituar betejën brenda revolucionit iranian, jo
vetëm Irani, por ndoshta e gjithë Lindja e Mesme do të kishte hyrë në një
rrjedhë tjetër historike, ku feja nuk do të shndërrohej në instrument
ideologjik të pushteteve diktatoriale dhe as në burim të radikalizmit të
armatosur, por do të kishte mbetur ajo që u bë në Perëndim pas shekujsh
konfliktesh të përgjakshme: një burim i etikës humaniste brenda shoqërisë
civile. Miliona jetë njerëzish të pafajshëm do ishin kursyer dhe bota sot do të
ishte më e sigurtë.









