E enjte, 05.03.2026, 10:09 PM (GMT)

Editorial » Latifi

Blerim Latifi: Genius loci i Prekazit

E enjte, 05.03.2026, 07:42 PM


Prof. Blerim Latifi:

Në traditën romake besohej se çdo vend kishte një “gjeni” mbrojtës, një shpirt që përcaktonte natyrën dhe identitetin e tij. Romakët e quanin këtë genius loci, shpirti i vendit.

Për ta kuptuar Adem Jasharin dhe 5 marsin e vitit 1998, duhet të njohim pikërisht shpirtin e vendit të tij. Dhe genius loci i Prekazit është shpirti i kryengritjes.

Për më shumë se një shekull, ky shpirt e ka dëshmuar veten vazhdimisht, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë kombëtare.

Në dimrin e vitit 1891, pikërisht këtu u dha kushtrimi kundër përpjekjes së qeverisë osmane për të vendosur administratën e saj në Drenicë. Rreth dy mijë burra, nën drejtimin e Ahmet Delisë, i bënë rrafsh me tokën sarajet Hamidie.

Po këtu, në marsin e vitit 1903, u dha kushtrimi kundër vendosjes së konsullit rus në Mitrovicë. Se cili ishte fati i tij pasi kryengritësit rrethuan qytetin, dihet nga të gjithë.

Po këtu, katër vite më vonë, shpërtheu një tjetër kryengritje kundër satrapit Shemsi Pasha. Prekazi u dogj, por edhe shumë nizamë lanë kokën aty. Muranat e tyre ende ekzistojnë.

Në pranverën e vitit 1912, Hasan Prishtina erdhi nga Stambolli në Prekaz për t’i kërkuar Ahmet Delisë ndihmë për fillimin e kryengritjes së përgjithshme shqiptare kundër Perandorisë Osmane (shih: Kujtimet e Hasan Prishtinës). Kur e pyetën Hasan Prishtinën se pse pikërisht aty po mendonte të fillonte kryengritjen, ai u tha: Ahmet Delia asht i fjalës; kur ai ma jep besën për nji punë, tokë e qiell me u bâ bashkë, ai s'ma luen besën.

Po atë vit, kur krerët e Kosovës po tërhiqeshin,.disa drejt Shkupit, duke menduar se qyteti nuk do të binte në duart e ushtrisë serbe, e disa drejt Shqipërisë, burrat e këtij vendi vendosën të qëndronin për të mos e dorëzuar pa luftë katundin.

Biseda e Ahmet Delisë me ushtarin serb i thotë të gjitha: “Kush t’ka thanë këtu me hi? A e din se këtu i thonë Shqipni?”

Gjaku rrodhi pragjeve, kullat u dogjën, por mbi to lindi një legjendë që u bë mësim për brezat se si duhet vepruar ndaj pushtuesit.

Mes viteve 1919–1924, ky vend u bë epiqendra e Lëvizjes Kaçake. Posllanikët serbë në Beograd e quanin Komunën e Prekazit “shtet brenda shtetit”, ndërsa gazetat e Tiranës e quanin “Shqipnia e Vogël”.

Në vjeshtën e vitit 1944, kur brigadat partizane pushtuan Drenicën, lëshuan urdhër që kryetarët e komunave të shkonin në Skenderaj për t’u dorëzuar. Atje torturoheshin dhe pushkatoheshin. Vetëm njëri prej tyre nuk pranoi të dorëzohej: Isë Zymer Prekazi.

Ai dha kushtrimin e kryengritjes dhe ky kushtrim u dëgjua nga Shaban Polluzha. Pjesa tjetër e historisë dihet.

Mes viteve 1945–1952, Prekazi u bë strehë e sigurt e grupeve të rezistencës antijugosllave. Jam rritur duke dëgjuar historitë për luftëtarët e këtyre grupeve: Ali Fazlia, Isë Zymeri, Shaban Fazlia, Sherif Terstena, Dervish Kopriva, Dush Akrashtica e shumë të tjerë.

Mes shumë atyre që u bënin konak këtyre trimave ishte edhe mësuesi i katundit. Quhej Shaban Jashari.

Tridhjetë vite më vonë, genius loci i Prekazit do të ngrinte sërish krye në kullën e Tahir dhe Nebih Mehës. Dhe dhjetë vite më pas do të fillonte epoka e Adem Jasharit.

Më 5 mars 1998, ky shpirt i vjetër i kryengritjes mori trajtën e tij më të lartë historike dhe kombëtare.

Flakët dogjën shtëpitë dhe bresheritë shuan jetët, por nuk e shuan atë shpirt. Përkundrazi, e bënë të dukshëm për të gjithë kombin.

Sepse vendet që kanë një genius loci të tillë nuk mund të pushtohen përgjithmonë. Ato mund të digjen, mund të rrënohen, por gjithmonë do të ringrihen. Dhe çdo brez do të gjejë brenda tyre të njëjtën thirrje të vjetër: kurrë mos e pranoni shtypjen e poshtërimin! Kurrë mos hiqni dorë nga ëndrra për liri.



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Blerim Latifi: Ironia e historisë ndaj atyre që predikojnë asgjësimin Blerim Latifi: Kontradikta që nxit trazirat në botën islame Blerim Latifi: Një fotografi që e ruan kujtesën përballë harrimit dhe mosmirënjohjes Blerim Latifi: Budallës as në teposhtë mos i zbrit nga shpina! Blerim Latifi: Kur drejtësia harron logjikën - UÇK-ja dhe padrejtësia e Hagës Blerim Latifi: Po vihet në bankën e të akuzuarve vetë lufta çlirimtare e UÇK-së! Blerim Latifi: Ulurima e historisë midis pranimit dhe përjashtimit Blerim Latifi: Anekdota për Ahmet Zogun, malësorin nga Drenica dhe mençurinë e shtetarit Blerim Latifi: Anëtarësimi i Kosovës dhe Shqipërisë në Bordin e Paqes, një akt i domosdoshëm Blerim Latifi: Kur mendimtarët e mëdhenj e bëjnë bërllog Blerim Latifi: Mos i dëgjoni ata që bëjnë thirrje kundër dritave Blerim Latifi: Ndërron jetë Adem Brahim Ahmeti, nipi i fundit i Ahmet Delisë Blerim Latifi: Deklarata e Pavarësisë ishte deklaratë për të gjitha trevat shqiptare Blerim Latifi: Tri ngjarje që do të mbesin në memorien e zgjedhjeve lokale të këtij viti Blerim Latifi: Sundimi i ligjit rrezikon të kthehet në formalitet bosh Blerim Latifi: Një dokument me vlera të mëdha historike dhe aktuale Blerim Latifi: Roli publik i filozofisë sipas Michael Sandel Blerim Latifi: Një heshtje që flet për ikjen... Blerim Latifi: Moral selektiv! Blerim Latifi: Origjina e slloganit më të famshëm të kohëve moderne dhe rasti i Kosovës

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx