Mendime » Çeliku
Idriz Zeqiraj: Ligji për të huajt, zbatimi selektiv i dokumenteve identitare!
E premte, 27.03.2026, 06:55 PM
LIGJI PËR HUAJT, ZBATIMI SELEKTIV I DOKUMENTEVE IDENTITARE!
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja
Kallas, entuziazmuar nga "lëshimi pe" i kryeministrit, Albin Kurti,
në implementimin, e Ligjit për të Huajt, si dhe ligji për automjetet, i bërë në
koordinim me BE-në, duke veçuar në favorizim komunitetin serb, ka shtuar
oreksin më tej teknicitetit. Dhe, shpërfaqë idenë se "është krijuar një
momentum i ri, për t`i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës,
përkatësisht, dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit".
Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar
dialogun me plotësimin e tri kushteve bazë, veç tjerave anësore:
1) Tërheqjen e deklaratës-letër e vitit
2023 të kryeministres Bernabiq, e cila nuk pranon pikat që kanë të bëjnë me
njohjen e shtetit të Kosovës;
2) Dorëzimin e krye terroristit Millan
Radoiçiq, me bandën e tij kriminale, për t`u gjykuar në vendin e krimit, pra,
në Kosovë;
3) Të bëhet njohja reciproke ndërmjet
Kosovës dhe Serbisë.
Presidentja Vjosë Osmani ka përjashtuar
vazhdimin e dialogut me Serbinë, sepse e ka provuar për dy dekada dhe ka
rezultuar i dështuar, duke mbajtur peng Kosovën, edhe pse ajo e ka shpallur
pavarësinë, tashmë, të njohur ndërkombëtarisht. Ajo ngulmon që Kosova mund të
dialogojë me BE-në, përkatësisht, shtetet e Quintit, të udhëhequr nga SHBA.
Realisht, derisa Serbia nuk ka
plotësuar asnjërin nga tri kushtet e kërkuara nga kryeministri Kurti,
kompromisi për Ligjin për të Huaj është vetëm zgjidhje teknike, në kuadrin e
standardeve evropiane, pa prekur thelbin e mosmarrëveshjeve politike.
Koncesionet e bëra nga Kurti, u
mirëpritën nga BE, në veçanti, shtetet e Quintit, të cilat falënderuan
kryeministrin Kurti. Për këtë pati reagime të shumta, madje edhe të bazuara, se
Kurti "po i hanë ato qershitë", të përmendura në Kuvend, nga
deputetja veterane e PDK-së, Ganja luftarake.
Megjithatë, në dukje është një petëz
strategjik dhe perspektiv, për ta vënë në agjendë integrimin e sistemi arsimor
dhe shëndetësor, që pa mëdyshje vazhdon të jetë një skandal unik, bërja hisedar
në qeverisjen e vendit, qoftë edhe në një pjesë të tij, siç është veriu i
Mitrovicës.
Një javë para pezullimit të Dialogut
Strategjik Kosovë-SHBA, shefja aktuale e Ambasadës Amerikane, Annu Pratipati, e
para e ngriti çështjen e integrimit të institucionit të shëndetësisë dhe të
arsimit. Për çudë, kjo u hesht dhe askush nuk foli për këtë çështje, kaq jetike
dhe të ngutshme për ta stopuar dhe integruar në sistemin shtetëror të Kosovës.
Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta biseduar këtë çështje të brendshme
shtetërore, me një shtet tjetër, madje armik. Insistimi i BE-së, përmes
përfaqësuesve të saj, që këto çështje të jenë pjesë e dialogut në Bruksel,
është sa i padrejtë, aq edhe cinik. Kjo zvarritje për integrimin e arsimit dhe
të shëndetësisë, është heshtur nga pushtetarët e shantazhuar me dosje
penalizuese, thjeshtë, vrasje të kundërshtarëve politikë.
Kuadrot me peshë në BE, në të shumtën e
rasteve, mbetën të dyshuar në paanësinë e tyre. Kush më shumë dhe kush më pak,
kanë qenë palë me Serbinë. Janë shquar në përkrahjen e Serbisë italiania
Mogherini, spanjolli Borell, sllovaku Lajçak...
Ligji për të Huajt, është projekt
evropian dhe Kosova që aspiron anëtarësimin, duhet të koordinojë me Unioni
Evropian, sepse rregullat dhe kriteret duhet mësuar dhe praktikuar
paraprakisht. Për të drejtën e qëndrimit të studentëve të huaj, punëtorëve
profesionalë, të kuadrove të botës akademike, duhet bazuar dhe përshtatur me
praktikën dhe përvojën e shteteve ligjore evropian.
Çështja e pajisjeve me kartë identiteti
(letërnjoftim) dhe të tjera dokumente të serbëve, të cilët posedojnë dokumente
të strukturave paralele ilegale serbe, ndryshimi, zëvendësimi me dokumente të
shtetit të Kosovës, i zgjatur për 12 muaj, duhej afatizuar, së shumti, në tre
muaj. Sepse shumë nga dokumentacionet realizohen në komunat përkatëse. Por,
shqetëson fakti i zbatimit selektiv i dokumenteve identitare, duke lejuar
përdorimin e atyre të lëshuara nga zyrat ilegale serbe! Ndërsa pasaportat dhe
letërnjoftimet përgatitën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Prishtinë.
Rrjedhimisht, afati 3 mujor do të ishte i mjaftueshëm dhe do ta kishte
seriozitetin e duhur shtetëror. Kujtoni zgjatimet në afate të heqjes nga
qarkullimi të tabelave të makinave, të pajisura nga strukturat paralele ilegale,
të Serbisë, brenda territorit shtetëror të Kosovës.
Me lëshimet e veçanta, të bëra enkas
dhe veçmas për komunitetin serb, ekziston rreziku të kthehen, në heshtje,
paralelizmat, tashmë, larguara.









