Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Xhadika
E enjte, 26.03.2026, 06:56 PM
XHADIKA*
NGA
KALOSH ÇELIKU
Shpërngulja
ime nga banesa e një pallati të lagjes në “Çair” të Shkupit, ndodhi në vitin
2007. Vit, edhe kur u strehova në shtëpinë e Gruas time besnike, poashtu në
lagjen “Çair” në një rrugë tjetër të anës shqiptare “muslimane”. Paeditur, se:
kisha përfunduar mes ferexheve të zeza. Bibliotekën time personale, nuk e mora
me vete, por i mora tri macit e mia: Cucin, dy maçorrt Princ Bixhin dhe Dr.
Dacin. I lash mes atyre mureve të gjitha kujtimet, krijimet, gëzimet dhe
hidhërimet me netët pagjumë mes faqeve të librave mi në bibliotekë.
Dhe,
me macit e mia trupëroje erdha në shtëpinë e Gruas sime besnike. Dorën në
zemër, vështirë e pata ta adapatoj veten në këtë lagje. Ditët e para më dukej
se jam shpërngulur dhe jetoj në Turqi, ose Arabi. Lagje me ferexhe të zeza,
mbuluar këmbekokë. Vetëm disave u dukeshin sytë. Shumica, i kishin mbuluar edhe
sytë. Nuk diheshte nën ato ferexhezeza, a fshihej ndonjë grua, apo burrë.
Edhe
pse, shkollën e mesme e kisha kryer në Shkup diskoklubeve të natës deri në
mëngjes me vajza: shqiptare, “turke”, “maqedonase”, boshnjake dhe rome.
Ndonjëherë, edhe nën strehen e “dëllinjave” të asaj kohe te “Parku i Grave” në
mes të Dimrit mbuluar me borë, me
muzikën e grupeve të rokenrollëve jugosllav: Indeksi, Pro arte, Korni
grupa dhe “Leb i soll”... Grupe muzikore, që nuk i kemi në Ditën e Sotme
“demokratike” dhe “Liri” në shtetin e “përbashkët” Neojugosllav. Dhe, atyre
botërore: The Beatles, Rolling Stones, Led Zeppelin, Jimi Hendrixs, Jnis
Joplin’s, Chansons Françaises, Charles Aznavour,
Credence Clearwater Revival Chronicle, Bee Gees, Johnny Hllyday, Celine Dione
dhe Tina Turner me hapat e Kalit në muzikën botërore. Dëllinjave komuniste te
“Parku i Grave”, që sot janë rritur pisha. Shkaku, se: pronarja e shtëpisë
boshnjake, ku isha i strehuar si nxënës me banesë, nuk na lejonte vajzat t’i
sillnim në dhomë. Dhe, nuk na e hapte as derën pasmesnate pak para agimit.
Kohë,
kur ne si shqiptarë atyre viteve të gjashtëdhjeta kishim edhe probleme, po të
prezentoheshim si shqiptar, vajzat “maqedonase” iknin nga sytë – këmbët.
Prandaj, edhe prezentoheshim me emra tjerë: Unë, si Bobi Canablla, e shoku im i
bankës si Xhani Papiq. Dihet, ditët i kalonim në shkollë, e netët nëpër
diskoklube me grupet jugosllve dhe botërore deri në agim, pak para lindjes të
Diellit.
Ndonjeherë,
mikeshat tona edhe dyshonin, se: unë, nuk e njihja mirë gjuhën maqedonase, edhe
pse si lëndë që nga klasa e tretë e kisha si gjuhë të huaj obliguese. Lëndë, të
cilën nga klasa e tretë fillore na e ligjëronte mësuese maqedonase. Edhe, në
shkollën tjetër tetëvjeçare në fshatin Strellcë (Garanë), fshat i shpërndarë me
shtëpi, rrëzë malit “Çelvjollca”, dhe i ndarë në dy fshatra larg fshatit të
lindjes afër tre km. Poashtu, lëndën e gjuhës maqedonse na e jepte një mësuese
maqedonase.
Vite,
kur pas kryerjes të tetëvjeçares u regjistrova në Shkollën Normale “Zef Lush
Marku”, në Shkup. Edhe pse, e kisha dhënë provimin pranues me këngën popullore
“Për mjedis Pazarit Shkupit”, këngë në të cilën e zëvendësova Durrësin me
Shkupin, nuk i vazhdova mësimet në Shkup. Për shkak, se: asaj kohe mësuesit
tanë përpiqeshin të hapin paralelet e para të gjimnazit në gjuhën shqipe në
Kërçovë, dhe në mungesë të numrit nxënësve me propozim të vëllait u tërhoqa nga
Shkupi, dhe u regjistrova në gjimnazin “Mirko Mileski” të Kërçovës. Gjimnaz, me
dy paralele edhe në gjuhën shqipe. Përdallim nga nxënësit maqedonas, ne si
nxënës shqiptarë e kishim edhe një lëndë më shumë se nxënësit maqedonas gjuhën
shqipe, që na e jepte Esat Ymeri.
Profesorët
shovenistë maqedonas, në fund të vitit shkollor na kositën me nota të dobëta jo
kaluese. Dhe, nga dy paralelet në gjuhën shqipe me 70 nxënës, mezi e kaluan
klasën pesë-gjashtë veta. Edhe, ato i shpërndanë nëpër paralelet maqedonase. Ne
të tjerët që e përsëritëm klasën, u shpërndamë ta vazhdojmë shkollimin në
Gostivar, Shkup dhe Prishtinë. Unë, përsëri u regjistrova në Shkollën Normale
“Zef Lush Marku”, në Shkup. Mësuese maqedonase na e jepte këtë lëndë edhe në
këtë shkollë të mesme. Vite, kur arrita ta përvetsoj këtë gjuhë të huaj, fale
vajzave maqedonase, aqsa t’i “mashtroj” vajzat maqedonase se, nuk jam
“shqiptar”. Vajza, që edhe ua pash hajrin në përvehtësimin e gjuhës maqedonase.
Xhani, shoku i bankës nuk e kishte këtë problem, shkaku, se: shkollën fillore e
kishte kryer në gjuhën maqedonase në një fshat shqiptar Zhitovçe të Prilepit.
Gjuhën maqedonase e njihte shumë mirë, por nuk e fliste pastër Gjuhën shqipe.
Dukuri, që sa herë përgjigjeshte para profesorëve, ne shokët e klasës plasnim
së qeshuri edhe nga barku. Unë, dihet: vazhdoja me gabimet gjuhësore të gjuhës
maqedonase me vajzat maqedonase, dhe ato kur fillonin të dyshonin se jam
shqiptar, u përgjigjesha se flas me dialektin e Kërçovës. Aqsa, pasi një ditë
Ajo S. -ja më ftoi edhe në shtëpi të më njohtoj me babain dhe nënën. Dihet, i
shkova edhe në shtëpi.
Ditë
më vonë, Ajo më propozoi të martohemi. Jo, i thashë, se: jam shqiptar. Nuk ka
problem u përgjigjë, edhe pse je shqiptar. Pastaj, ia zbulova edhe emrin dhe
mbiemrin tim të dyshimtë. I them: Emrin Bobi, nuk ka nevojë të ta përkëthej,
është internacional. Ndërsa, mbiemrin Canablla, po. Lexoje për së prapthi! E
lexoi, Allbanac. Qeshi.
Katër
vite në Shkup ikën shpejt mes atyre vajzave nëpër diskoklube të natës dhe te
“Parku i grave”. Pas kryerjes të Shkollës Normale shkova në Paris për t’i
vazhduar studimet në Serbonë. Atje, punonte edhe vëllai, i cili e kishte mik
Abas Ermenin, profesor i Serbonsë. Edhe, u regjistrova në Serbonë, por vëllai
pas tre mujve gjatë një bisede më propozoi: vëlla, ne babain dhe nënën, ende i
kemi gjallë në Katund. Familjen, edhe pasuri. Unë, nuk mund të kthehem më në
Kërçovë se, më pret burgu. Së paku, ti kthehu pranë nënës dhe babait. Unë, do
të të finansoj gjatë studimeve në Prishtinë. U pajtova me këshillën e vëllait.
U ktheva një ditë në vendlindje. Dhe, u regjistrova në Fakultetin Filozofik,
Dega e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe, në Universitetin e Prishtinës. Përndryshe,
mesiguri do të isha martuar me françeze, dhe do të kisha mbetur përgjithmonë në
Paris, pa u kthyer në vendlindje.
Dhjetë
vite me studime dhe punë në Kosovë, i kalova Dimër e Verë me vajza shqiptare
dhe serbe në pusi te “Druri i Kaloshit” pranë “Bozhurit” në Prishtinë.
Kryeqitetit të Kosovës me dy korzo: anës shqiptare dhe anës serbe para
“Bozhurit”. Unë, pas xhirove të korzos shqiptar, dilja edhe te korzoja serbe,
shkaku vogëlushes Vukica (Ujkesha) e cila me dilte në takim me gjithë kukull.
Sa, që unë me shaka i thoja: cilën ta rrëzoj të parën kukullën, apo ty? Ajo, me buzëqeshje më përgjigjej mua, se kukulla
është e vogël. Vite, kur i bëra lëmësh gjuhën maqedonase me atë serbe. Arsye,
se: në fakultet si lëndë nuk e kisha gjuhën serbe.
Dhe,
pas dhjetë viteve me studime dhe dy vite e gjysëm punë si mësues i Gjuhës dhe
Letërsisë Shqipe në Gllogovc (Drenas) të Drenicës, u ktheva në Shkup. Jo, si
nxënës, as si student, por me punë si mësues në Malësinë e Shkupit. Vetëmse,
kësaj radhe gjuhën maqedonase e kisha përzier me gjuhën serbe. Gjatë kohë mu
deshtë të adaptohem me këtë qytet. Shkaku, se: kamarierëve u pergjigjesha në
gjuhën shqipe. Ato, i rrudhnin krahët. Tek tashti e kuptoja, se: nuk jam në
Prishtinë, por në Shkup.
Megjithatë,
edhe këtu pata përfitime. Gjatë këtyre viteve jetese, i shkruajta dhe publikova
disa libra në poezi e prozë. U miqësova me macit e mia besnike. Truproje, me të
cilat jetoj edhe sot e kësaj dite. Edhe, pse: në fillim, kur erdha me tri maci
te Gruaja ime besnike në këtë lagje, mureve të shtëpive u ecnin pa frikë
minjtë. Kojshitë ishin ankuar te Gruaja ime besnike, se: macit ua grithin
makinat. Ajo, një ditë me keqardhje më tha: kojshitë po ankohen, mirë është
macit t’i kthejmë te banesa e vjetër në “Çair”. Edhe, i kthyem macit në
vendlindje.
Ditë
më vonë u miqësova me një maci të bardhë voglushe. E mora në shtëpinë e Gruas
besnike dhe e pagëzova me emrin Xhadika. U rritë, jetone me mua dhe në shtratin
tim, tre vite me radhe i lindi pesë maci të vogla. U rritën edhe ato si banorë
të kësaj lagjeje, që nuk i donte macat. Tre vite me radhë Xhadika lindte maci
në shtratin tim në dhomën e gjumit. Një ditë pasi i la pasardhësit e saj në
shtëpinë e Gruas besnike, iku dhe u largua në kojshi, ku edhe i lindte macit.
Dy vite lindte në tjetër strofull në kojshi. Vetë vinte vetëm pas ushqimit. E
kur rriteshin ato, i sillte të pesta në kopshtin tim përpara shtëpisë. E mbushi
lagjen me maci. Dhe, nuk kemi më minj që na ecnin mureve të shtëpive në këtë
lagje.
Një
ditë Xhadika, erdhi në shtëpi. U shtri si dikur në shtratin tim në dhomën e
gjumit. Ia shtrova drekën. Nuk e preku. Me siguri, thash me vete ka hëngër
jashtë te kojshitë. Pas pak, ia mbusha edhe një enë me ujë. Përsëri nuk e
preku. Edhe, pse gjithënjë tri enë të mbushura me ujë për macat rrinin para
dere. Vetmevete, thash: me siguri e kanë helmuar, ose e ka nga pleqëria. Mëkot,
e prita një javë, nuk erdhi në shtëpi. E la në shtëpinë time, Cucën e vetë,
pasardhësen e saj me nipër dhe mbesa. Cuca e saj, tashti nuk i lindë fëmijët në
shtartin tim, por në bibliotekën time personale, pas librave.
U
binda, se: ajo kishte qenë përshëndetja lamtumirëse e fundit me Xhadinë...
*Xhadika, emri pagëzues
i macit.









