E enjte, 29.01.2026, 10:53 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Kalosh Çeliku: Babës t’i ngjash adet t’ia kalosh marifet

E enjte, 29.01.2026, 06:56 PM


BABËS T’I NGJASH ADET

T’IA KALOSH MARIFET

NGA KALOSH ÇELIKU

Historkisht, populli shqiptar, nuk ka qenë i pushtuar nga popujt e tjerë të Botës, por ka qenë i robëruar me shekuj nga Perandoria Osmane, dhe Serbia e Madhe. Popull, që ka bërë luftë me mik e për armik dhe Liri. Edhe, pse: popujve tjerë u ka krijuar shtete nëpër Botë, vetë ka mbetur edhe Sotekësajdite pa Shtet Etnik Shqiptar. Copë-copë i shpërndarë në Ballkan, Evropë dhe Botë.

Popull, që ka bërë luftë për Liri, herë me Krajl e herë me Mbret. Luftë, e cila vazhdon edhe Sotekësajdite në robëri me “vëllezërit” e Njerkës me dy-tre shtete shqiptar në Ballkan dhe Evropë. I pushtuar nga armiqtë dhe “vëllezërit miqë” shekullor.

Para Luftës të Kosovës (1998/’99), më 23 mars 1989, në Kuvendin e Kosovës, dhunshëm ndryshohet Kushtetuta e vitit 1974, suprimohet autonomia e Kosovës, shkëputet nga Federata Jugosllave, mbetet pjesë përbërëse e Serbisë. Beogradi pushton Kosovën me mijëra policë e ushtarë serbë, duke vënë shqiptarët nën masa represive dhe aparteidi. Kuvendi i Kosovës, më 2 korrik të vitit 1990 shpalli deklaratën kushtetuese Kosova Republikë. Dhe, më 7 shtator të vitit 1990, në Kaçanik, nxirret Kushtetuta e Republikës së Kosovës. Kuvendi i Serbisë, më 5 korrik, me një ligj anti-kushtetues, suspendon Kuvendin dhe ndalon punën e Qeverisë së Kosovës.

Menjëherë pas referendumit për pavarësi më 1991 në Kosovë, Dr. Ibrahim Rugova zgjidhet president i Republikës së Kosovës, formon qeverinë në ekzil, kryeministër caktohet Dr. Bujar Bukoshi. Rugova kishte konceptuar politikën e tij të rezistencës aktive, por me mjete paqësore dhe sistemin paralel, duke krijuar miqësi të madhe me Amerikën dhe Perëndimin, sepse nuk kishim pushtet”, – ka thënë presidenti Dr. Ibrahim Rugova, në fillimvitet e viteve `90 -ta. Politika paqësore e Rugovës dhe LDK -së filloi të kritikohet nga vitet 1995, nga grupe që kërkonin një rezistencë ndryshe, qoftë edhe me armë. Edhe pse nuk kishin pika të përbashkëta bashkëpunimi, qëllimi ishte i njëjtë, çlirimi i Kosovës nga Serbia dhe bërja e Kosovës shtet të pavarur e sovran.

Në vitin 1997 u bë dalja publike, e tre pjesëtarve të uniformuar në varrimin e një mësuesi, si parathënie e krijimit të themelimit të organizimit ushtarak. Lëvizja Studentore organizon një protestë masive më 1 tetor të vitit 1997. Forcat serbe më 5 mars të vitit 1998 e sulmojnë fshatin Prekaz i Ulët, ku edhe e vrasin
Adem Jasharin, me familje, figurën që për shqiptarët nënkupton komandantin e UÇK-së. Forcat serbe më 15 janar të vitit 1999 ekzekutojnë 45 civilë shqiptarë në Reçak. Ish-shefi i Misionit Mbikëqyrës të OSBE-së në Kosovë, Villiam Volker, doli botërisht dhe e tha, se: “ajo ishte një masakër”. NATO -ja dhe evropianët organizuan Konferencën në Rambuje, afër Parisit. LDK-ja dhe UÇK -ja bashkohen në një delegacion.

Që, nga 24 marsi deri më 10 qershor, makineria ushtarake e NATO -paktit goditi caqet ushtarake dhe objektet tjera në Serbi, Mal të Zi dhe Kosovë, për ta paralizuar mundësinë e kundër-përgjigjës ushtarake serbo-sllave. Dhe, më 10 qershor, me nënshkrimin e Marrëveshjes në Kumanovë me NATO -n, Serbia pranon kapitullimin dhe detyrohet të tërheq forcat ushtarake e policore nga Kosova, bashkë me qeverinë kriminale të Millosheviqit. Miratohet Rezoluta 1244, me të cilën vendoset Misioni administrues i Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Kosova shpall pavarësinë si shtet më 17 shkurt të vitit 2008 -të.

Kujtesë pakashumë historike pas përcjelljes të filmit dokumentar: “Dhimbja që nuk harrohet” nga gazetari Kushtrim Sadiku si shkrim publicistik letrar. Gazetari, Kushtrim Sadiku ka bërë një krahasim historik gati të ngjajshëm me Luftën e Kosovës (1988/’99), dhe terroristëve të grupit palestinez të Hamasit me luftën në Gaza ndaj shtetit të Izraelit. Veprime terroriste shumë të afërta me Luftën e Kosovës (1988/’99), dhe masakrat e popullit të Kosovës.

Nuk e kam takuar gazetarin Kushtrim Sadiku, edhe pse ai shkollën e mesme e ka kryer në Shkup, por e kam njohur Babain e tij Bedri Sadikun, gazetar i “Rilindjes” pas arratisjes  nga Kosova me strehim në Shkup. Kohës revolucionare shqiptare të Ibrahim Rugovës. Dhe, ikjen e pjesmarrësve nga Kosova bashkë me të si gazetar, duke u fshehur në Shkup nga policia serbe - jugosllave. Gazetari Bedri Sadiku, si korrespodent i gazetës të përditshme “Rilindja”, pas mbylljes të institucioneve të Kosovës me dhunë të paparë politike nga Millosheviqi, asaj kohe nisi ta shoh dritën në Tiranë.

Edhe, para Lufte (1988/ ’99) me gazetarin e “Rilindjes” kemi pi edhe kafe nën Rrap. Jatak, ku ai edhe ka publikuar në gazetën e përditshme “Rilindja” në Tiranë, përveç shkrimeve të ngjarjeve nga Lufta e Kosovës edhe një intervistë me mua si shkrimtar. Kafe, kam pi gjatë asaj kohe edhe me komandantin legjendar të UÇK -ës Adem Jasharin, në Klubin e Teatrit të Pakicave Shqiptare, në Shkup.

Pas Lufte (1988/’99 -të, në Kosovë dhe 2001 në Maqedoni, në kanalin 10 POLITIKO të Republikës Kosovës, herë pas here i kam përcjellë edhe debatet televizive politike të gazetarit Kushtrim Sadiku me analistët, udhëkryqet e shtetit shqiptar më të ri në Ballkan pa Dalje nga bllokimi i partive politike. Vërtetë, Ditën e Sotshme: po dëgjoja një zë të pavarur nga partitë politike shqiptare në Republikën e Kosovës, përtej Ditës Nesërme. Prishtinë, si kryeqytet Universitar me baltë të kuqe, ku kisha qenë si student, dhe ku kisha punuar dhe jetuar dhjetë vite, Verë e Dimër.

Duartrokitje, suksesit të tij si gazetar me filmin dokumentar: “Dhimbje që nuk harrohet”. Por, edhe për Babain e tij Bedri Sadiku si korrespodent i “Rilindjes” nga Shkupi, ku djali i tij Kushtrimi gjatë asaj kohe e kreu shkollimin në gjimnazin “Zef Lush Marku”, në Shkupin Historik Shqiptar. Sidomos, Sot: në Ditën e Sotshme me dy shtete shqiptar në Ballkan. I treti shtet shqiptar ende pretë pas dere. Vit, kur edhe përpiqet për paqe në Botë, mes Hamasit dhe Izraelit me një kryeministër shqiptar Edi Rama, dhe një presidente të Republikës Kosovës Vjosa Osmani. Një hapë politik para në Botë.

Populli shqiptar, përveç “politikës madhore” në Botën përparimtare e ka edhe një thënje antoligjike, që shpesh ma përsëriste im Atë Emin Çeliku: Babës t’i ngjash është adet, por t’ia kalosh duhet marifet. Djali tij, Kushtrim Sadiku me kët film dokumentar: “Dhimbja, që nuk harrohet”, bëri marifet. E ka tejkaluar Babain...

P. S.

Edhe pse lexuesi shqiptar i gazetës “Rilindja”, që asaj kohe nga dhuna politike  komuniste jugosllave e Millosheviçit dilte në ekzil Tiranë, ndoshta dikushi e ka lexuar këtë intervistë të gazetarit nga Shkupi Bedri Sadiku. Megjithatë, unë si autor i këtij shkrimi publicistik letrar e shfrytëzoj rastin t’ia përsëris lexuesit shqiptar:

NË EVROPË NUK SHKOHET

VETËM ME POLITIKË

Kritika edhe më tutje po vazhdon ta vlerësojë letërsinë me metoda komuniste. Si në letërsi ashtu edhe në gazetari po mundohemi ta afirmojmë një zë të ri, të mos them një shkollë të re letrare. Shtëpitë botuese janë midis dy rreziqeve të mëdha: problemeve financiare dhe shprehisë së dobët të leximit. SHGB “ASDRENI“ momentalisht po e ndihmon babai im i ndjerë Emin Çeliku. Befasi e këndshme për lexuesit, “Qyteti i qyqeve” (1997) që së shpejti do të dalë nga shtypi. Ç’thotë shkrimtari Kalosh Çeliku për gazetat tona të përditshme, për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, ku tashmë është zgjedhur edhe kryetar; për kufijt politik të cilët po pengojnë përhapjen e librit shqip etj. Themelet e një shteti janë arsimi dhe kultura. Dhashtë Zoti që një ditë këtë ta kuptojë edhe Maqedonia – thotë Kalosh Çeliku, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë.

Me Kalosh Çelikun, shkrimtar siç thotë edhe vetë, i anatemuar e i ndjekur, por edhe i mallkuar nga mediat maqedonase, veçmas e kemi ende në kujtesë valën e reagimeve që nisi me Dr. Savo Klimovskin në atë kohë kryetar i Komitetit për Arsim, Kulturë, Art, Shkencë dhe Edukate Fizike në Maqedoni (tani kryetar i Senatit të Universitetit të Shkupit), por që vazhdoi edhe me emra të tjerë. Kaloshi është autor i më shumë se njëzetë titujve të përmbledhjeve me poezi e tregime, satirave etj. Kjo e fundit, satira, sikur i shkon shumë për shtat e tani është edhe kryeredaktor i revistës për humor e satirë ZEKTHI. Njëkohsisht është edhe drejtor i Shtëpisë Gazetare Botuese “ASDRENI“, që këtu në Shkup vlerësohet ndër më frytëdhënset.

Me Kaloshin biseduam për gati të gjithë çështjet që ndërlidhen me veprimtarinë e tij si shkrimtar, për lexuesin që krijohet ndër shqiptarët e Maqedonisë, për aktualitetin e këtushëm, për Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, (tani pasi intervista kishte përfunduar, Kaloshi është zgjedhur kryetar i kësaj Shoqate) dhe për shumë çështje të tjera që kanë të bëjnë me jetën letrare e shpirtërore të shqiptarëve të Maqedonisë.

- Kalosh Çelikun, si shkrimtar lexuesit e “Rilindjes”, shumica e njohin. Megjithatë, na thoni ju lutem, cila është biografia e Kaloshit, çfarë botoi deri më tani Kalosh Çeliku, dhe çfarë befasie jeni duke na përgaditur në fushën e letrave shqipe?

-Biografia e Kalosh Çelikut është e shprëndarë në vendlindje, në Shkup dhe në Prishtinë. U lind më 13 shkurt 1951 në fshatin Cërvicë të Kërçovës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, dhe Strellcë rrëzë “Çukës”, nën hijen e Lisit midis livadhit. U armatos me vjershat e Naimit, Fishtës, Asdrenit, Çajupit, Nolit, Gurakuqit, Mosit e Lasgushit, për ta vazhduar luftën me penë në Shkup e Prishtinë. Shkollën e mesme e kreu në Shkup, ndërsa studimet e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Kosovës.

Dy vite e gjysëm punoi si arsimtar i Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Gllogovc të Drenicës e që nga viti 1981 në malësinë e Shkupit, ku filloi edhe të ndiqet se gjoja është i dërguar nga Kosova për të vepruar në Maqedoni. Për shkak të satirave përballoi linçe intelektuale e fizike. Ndjekje. Presione. Kërcnime telefonike e biseda informative në polici. Në shenjë proteste (l995) nga ndjekjet dhe presionet që i kurdisnin mashat shqiptare, e lë përgjithmonë arsimin për ta vazhduar luftën me penë.

Veprimtaria e Kalosh Çelikut deri më tani përfshihet në rreth 20 tituj në poezi e prozë:

Zogu erdhi me një këngëë“ - vjersha,  Shtëpiza e xixëllonjave“ - tregime, “Dielli zbret maleve“ - novelë,“Varrimi i sorrave“ - roman, “Vite me bore“ - roman, “Trumbetat e Telallit“ - satira, “Imzot lehin qentë - drama, “Kali i Trojës nëpër Bit - Pazar“ - satira, “Sorraku i qytetit“ - pjesë teatrore, “Çohuni trima shaloni lapsin“- rrëfenja, “Një vit frikë“ - drama, “Loja e syve“ - poezi, “Vjellja e zorrëve“ - poezi etj. E për sa i përket befasisë në letrat shqipe nga Kalosh Çeliku, mendoj se do të jetë një befasi më vete romani “Qyteti i qyqeve”, në të cilin kam punuar dhjetë vjet me radhë dhe pritet të dalë nga shtypi këto ditë. Me këtë roman mendoj se kam arritur kulminacionin e veprimtarisë sime letrare.

ASDRENI” – SHGB që premton

-Ju jeni edhe drejtor i Shtëpsë Gazetare Botuese “ASDRENI” nga Shkupi, e cila tash disa vjet po vepron. Cilët janë titujt që i ka botuar deri më tash “ASDRENI”, dhe çfarë mund të presin për sivjet lexuesit nga kjo shtëpi botuese?

- Shtëpia gazetare botuese “ASDRENI“ vepron që nga vitit 1992, dhe gjatë këtyre vjetëve ka arritur të nxjerrë në dritë rreth 100 tituj në pozi e prozë, ku vend dhe kujdes të posaçëm u ka kushtuar penave të reja, sidomos femrës krijuese në Maqedoni. Mendimi ynë ka qenë, që nëse kemi SHSHSHM, duhet të kemi edhe anëtarë. Dhe, aq shkrimtarë sa nxorri komunizmi (20) për pesëdhjetë vjet me radhë, ne i nxorrëm për pesë vjet. Dihet, të gjithë nuk do të bëhen shkrimtarë të dalluar, por mjafton ajo që “ASDRENI” ua hapi derën, u dha përkrahje. Në këtë Shtëpi botuese librat e vet i botuan të rinjët, por edhe ata që më kanë bërë emër në shkencën dhe letërsinë shqipe: Zejnure Salihu, Xhelal Ademi, Radije Hoxha - Dija, Burhanedin Xhemaili, Hajrullah Misini, Afërdita Çajani, Fadil Curri, Sanije Ismani, Selim Adili, Begzat Rrahmani, Dionis Bubani, Xhevat Beqaraj, Vehbi Kikaj, Kalosh Çeliku, Gani Xhafolli, Bedri Dedja, Dr. Qemal Murati etj.

Ndërsa sivjet kjo Shtëpi Botuese ka në plan të botojë vepra të arrira letrare – artistike si nga letërsia origjinale poashtu edhe nga ajo botërore. Edhe për këtë vit do t’i veçoja vetëm disa autorë: Mirko Gashi, Radije Hoxha, Frederik Rreshpja, Lasgush Poradeci, Zejnure Salihu, Çarls Bukovski, Xhek London, Luigji Pirandelo, Herman Hesse, Xhorxh Oruell, Adelina Mamaqi, Gaqo Bushaka, Ymer Elashani, Rifat Kukaj, Dr. Qemal Murati, Gani Xhafolli etj. E jemi gjallë, se punën nuk e kemi frikë.

- Sa jeni Ju të kënaqur me librat e botuar deri më tash dhe sa janë të kënaqur autorët që bashkëpunojnë me Ju?

- Krijuesi asnjë herë nuk është i kënaqur. E veçanërisht unë që udhëheq një Shtëpi Botuese. Planet dhe mundësitë ndonjëherë të shtrëngojnë në grusht. Më kot mundohesh t’u ikësh, i lëviz duart, këmbët. E nxjerr pak kokën, i hap sytë. Vetëm, e ke vështirë mes këtij bërlloku, kur i sheh drejt teje qindra tyta. Megjithatë, nuk i dorëzoj armët pa luftë.

Artin e lërojnë aristokratët

- Po financiarisht dhe materialisht si po qëndron Shtëpia juaj botuese. Ju ndihmon dikush, apo…

- Letërsia, dihet, kërkon edhe mjete të mëdha mateiale. Artin me sukses e kanë lëruar aristokratët. Ende i kemi të freskët shembujt në botë, po edhe te ne në letërsinë shqipe, ku shumica e kanë shkrirë pasurinë në kulturë. Vetëm pak kujtoni Çajupin, vëllezërit Frashëri, Konicën e ndonjë tjetër, ishin bejlerë. Gabim të madh bëmë ne gjatë këtyre pesëdhjetë vjetëve, ku në biografinë e shkrimtarëve tanë shkruanim se rrjedhin nga një familje e varfër fshatare, xehtarësh, punëtore. Krijuesit tanë më të mirë të gjithë nuk ishin të varfër, me prejardhje xehtarësh, fshatarësh ose punëtore, Vallë, a e shihni se ç’kuptim kanë pasur për artin, atëherë kur bota shpenzonte pasuri të mëdha për kulturën duke i ndihmuar krijuesit qoftë nëpërmjet shpenzimeve materiale, qoftë nëpërmjet të krijimit të kushteve për krijimtari letrare. E te ne edhe sot pushteti te krijuesi i mirëfilltë e sheh armikun. Jo që nuk e ndihmon, por mundohet edhe si ta pengojë me metoda të ndryshme policore që të mos e hap gojën. Sot lehtë e kanë vetëm krijuesit e dëgjuehëm, servilët dhe të mjerët, por jo edhe rrebelët. Çka dua të them me këtë? Që të merresh sot me letërsi e të shkruash ashtu siç e sheh vetë botën, duhet të kesh edhe pasuri. Unë e pata këtë fat, babai i ndjerë më la trashëgim pasuri, të cilën unë e shndërrova në libra. Momentalisht, pra siç shihet, SHGB “ASDRENI” materialisht e ndihmon babai im i ndjerë Emin Çeliku.

Po mundohemi ta sjellim një zë të ri, një

shkollë të re letrare

- SHGB “ASDRENI” boton edhe disa revista letrare, të cilat Ju edhe vetë i drejtoni.

Cilat janë ato dhe çfarë është perspektiva e tyre, këtu duke pasur parasyshë edhe bashkëpunimin me autorë të afirmuar dhe të rinj.

- E vërtetë është se, SHGB “ASDRENI“ kohën e fundit nxjerrë në dritë edhe tri revista letrare: “ZANORE” - revistë për fëmijë, “E VËRTETA“ dhe revistën e vetme për humor dhe satirë në Maqedoni “ZEKTHI“. Edhe deri te ky hap erdhëm pas shumë përpjekjeve e sakrificave. Ne edhe në botimin e librave, siç shihet edhe nga emrat e autorëve që i përmendëm, jemi munduar të sjellim në letërsi një zë të ri, të mos themi një shkollë të re letrare. E kemi urryer me mish e me shpirt dhe na ka penguar zëri që e kemi dëgjuar pesëdhjetë vjet me radhë, qoftë nëpërmjet mjeteve të informacionit, qoftë në letërsi. Fatkeqësisht, edhe gjatë ndryshimeve demokratike ajo shprehi po vazhdon ende edhe sot e kësaj dite. Gazetat, revistat, shtëpitë botuese dhe radiotelevizionet janë të varura nga mjetet materiale dhe vazhdojnë ta mbajnë gjallë ende atë zë që vërtetë është i dëmshëm jo vetëm për kulturën por edhe për vetë shoqërinë. Ja, ku është shkaku që ne dolëm në skenë edhe me tri revista letrare. Në mos paçim jetë të gjatë, së paku t’u tregojmë disa individëve servilë një zë të ri krejt tjetër kundër atij që e kemi dëgjuar dhe e dëgjojmë pesëdhjetë vjet me radhë. Edhe nëpër faqet e këtyre revistave defilojnë emra të dëshmuar që dinë si dhe kur ta ngrejnë zërin. Nuk u takojnë tufave të sorrave që s’dinë tjetër përveçse të bëjnë në kor krra – krraaa duke u lëpirë për një vend pune, një banesë ose një asht shpërblim…

- Këtë kohë të tashme disa po e quajnë edhe “kohë të pakohë”, veçmas sa i përket lexeshmërisë dhe shpërndarjes së librit. Cili është mendimi Juaj edhe si autorë, si shkrimtar, por edhe si botues i librit e i revistës?

- Kohën e soçme e quajnë kështu të dëgjueshmit, servilët dhe të mjerët. E quajnë kështu, ngase tani më nuk mund ta mbajnë nën kontrollë letërsinë, t’i burgosin dorëshkrimet me vlera letrare – artistike dhe t’i heshtin autorët e talentuar. Letërsia tashti më në Maqedoni nuk botohet vetëm nga një botues, po nga disa shtëpi botuese. Libri i mirë vetë do ta gjejë botuesin dhe lexuesin dhe s’ka forcë që do ta mbajë si deri dje në burg. Edhe për sa i përket shprehisë së leximit, kohën e fundit diç lëviz në krahasim me të djeshmen. Vetëm, këtu nuk duhet hedhur fajin vetëm lexuesit, por edhe botuesve që gjithëçka hedhin në treg. Mollën e kalbur nuk e hanë as derrat. Atëherë, duhet të përpiqemi që të botojmë vlera të arrira letrare - artistike. Vetëm në këtë mënyrë mund ta përfitojmë dhe ta bëjmë për vete lexuesin, që brenda disa ditëve të na i gëlltisë librat nga raftet e librarive.

Gazetat të mos jenë partiake

- Si e shpjegoni Ju lexueshmërinë e vogël të gazetave tona të përditshme, që dalin apo shiten në Maqedoni, si “Flaka” dhe “Rilindja”. Dhe, cilat do të ishin sygjerimet Tuaja, këtë po e them veçmas për “Rilindjen”, e cila dikur kishte shumë më tepër lexues.

- Nuk e di sa do të jeni në gjendje të më kuptoni, e shikoj me keqardhje. Edhe “Flaka” edhe “Rilindja” dikur kanë pasur shumë lexues. Unë vetë jam rritur edhe mes faqeve të këtyre dy gazetave. E di se si kanë dalur dje, mes grushtave të Partisë komuniste, e di si dalin edhe sot në “demokraci”. Fatkeqësisht, e thash edhe pak më lartë, këto dy gazeta nga një parti kanë kaluar në një parti tjetër. Gjatë gjithë këtyre viteve, sikur u ka munguar një zë i ri, një ikje nga një grup individësh, klanesh, që vështirë e kanë të transformohen në demokratë edhe sot e kësaj dite. E them me plot përgjegjësi, se këto gazeta e humbën lexuesin mu pse vazhduan ende të jenë gazeta partiake. E gazeta e mirëfilltë dihet, duhet t’u prijë partive politike e jo të bie në kthetrat e tyre “demokratike”. Ne këtu, në Maqedoni, ende e kemi të freskët rastin e “Flakës së vëllazërimit”, kjo gazetë po të mos ishte nën kthetrat e PPD -së, me siguri shqiptarët nuk do të ishin në këtë gjendje siç janë sot në Maqedoni. Pra, jam i mendimit, nëse këto dy gazeta të përditshme duan t’i kthejnë lexuesit, pikësëpari duhet të pushojnë së qenuri gazeta partiake. Kuadri i tyre komunist, e kam fjalën për “Flakën”, duhet të ripërtrihet me kuadër të aftë profesional, që momentalisht e humb kohën kot duke bredhur rrugëve. Me “Rilindjen” puna qëndron pak më ndryshe, ka kuadër të aftë, por rrethanat politike e kanë detyruar ta shijojë edhe bukën e hidhur të gurbetit nëpër botë. Pas çlirimit, me kthimin e saj në vendlindje, ma ha mendja se “Rilindja” përsëri do ta kthejë gjithë atë armatë të madhe lexuesish.

SHSHSHM - së, fatkeqsisht, ende merret me çështjen e selisë

-Si qëndron puna me Shoqatën e Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë, sa është aktive ajo dhe sa kontribon në bashkëpunimin e shkrimtarëve të këtushëm me LSHASH -në dhe SHSHK -në, por edhe cili mund të jetë kontributi i saj për afirmimin më të madh të letërsisë shqiptare që është krijuar e po krijohet në këto hapsira.

- Unë që në themelimin e SHSHSHM -së kam qenë nënkryetar. Ky është mandati im i dytë (Tani Kalosh Çeliku në Kuvendin e fundit zgjedhor të SHSHSHM -së u zgjodh kryetar i SHSHSHM -së vërejtje jonë). Vetëm nuk e di pse nuk jam mësuar të kënaqem me pak si disa individë që i kemi në Kryesi. Gjatë gjithë këtyre viteve të vështira, ta shtish dorën nën kokë dhe të shtrihesh në kokërr të shpinës duke u kënaqur me manifestimin “Ditët e Naimit”, për mua do të thotë t’i biesh fyellit vetëm me një birë. Vallë, deri kur do të jemi ne të prirur për t’ia bërë njri - tjetrit qejfin?! Gjithmonë edhe të mirën edhe të keqen të mos jemi në gjendje t’ia themi tjetrit në sy, nuk e di. Vetëm një gjë e di, se: gjatë gjithë këtyre viteve, nuk arritëm të nxjerrim një revistë letrare, nuk arritëm të kemi një edicion botues, nuk arritëm të kemi një zyrë. Edhe sot e kësaj dite, gati në çdo mbëledhje, ne merremi me selinë e Shoqatës se ku do të jetë në Shkup, në Tetovë apo në ndonjë katund. Fatkeqësisht, edhe tashti kur ne u regjistruam si Shoqatë me seli në Shkup, neve si duket jemi mësuar dikushi të na rri mbi kokë, të mos e afirmojmë letërsinë që krjijohet në Maqedoni.

Më shumë jemi marrë me përurimin e librave dhe ndarjen e shpërblimeve letrare se sa me vetveten. Mirëpo e gjithë kjo ka ardhë për shkak të inateve personale të kryetarit. Vetë Dr. Ali Aliu mba një përgjegjësi të madhe për SHSHSHM -në, që gjatë këtyre dy viteve nuk arriti të bëhet një forcë intelektuale në Maqedoni. E di, dikushit kjo i ka ardhur përshtat dhe i ka konvenuar që kjo shoqatë të mos e ngrejë zërin, t’u prijë partive politike shqiptare në Maqedoni, po t’i lë të merren me vetveten nëpër mitingje. Shkurt, kryetari i Shoqatës ka pasur ambicie të sëmura politike, nuk ka dashur të merret me anëtarët e kësaj shoqate. E ka ndier veten si despot me këlyshët rreth tij në shoqatë, të cilëve ua ka hedhur nga një reçension në gazete në vend të ashtit… Kurrë nuk ka qenë në gjëndje të dëgjojë mendimin e tjetrit, po krye më vete ka sjellë vendime dhe ka ndarë shpërblime.

Kufit politkë dhe fati i librit shqip

- Segmentarizmi i letërsisë sonë, deshëm apo nuk deshëm ne, është realitet. Kufijt e deritashëm sikur kanë filluar “të zbuten”. Po realizohen takime më të shpeshta midis shkrimtarëve tanë, këmbehen mendime, përvoja e ide. Por, veçmas këtu në Maqedoni, libri shqip sikur vështirë po i kalon kufijt ekzistues edhe mëtutje, keni ndonjë sygjerim, a ide për këtë çështje?

- Libri shqip ende vazhdon të ketë shumë armiq në mesin e tyre edhe kufirin politik me shqiptarët, si duket jemi të mallkuar nga Zoti, vazhdmisht në jetë na ndajnë kufijt politik. Me vullnetin tonë apo të të tjerëve, ne vendosëm edhe një kufi me Kosovën, që deri dje atje shkolloheshim, punësoheshim e i pasuronim bilbiotekat tona personale me libra. Mirëpo, këto vitet e fundit, mendoj se librit shqip vazhdimisht i vihen kufinj. E kishim një me Shqipërinë, tashti vumë edhe një kufi politik me Kosovën. Fatkeqësi e madhe kjo për një kulturë që zhvillohet në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi e diasporë. Libri shqip ende vazhdon të mbyllet brenda këtyre kufijve politik. Vështirë arrinë deri te lexuesi për të dalë nga ky qorrsokak në të cilin ndodhet dhe kultura shqiptare. Fjalën e vetë duhet ta thonë edhe Ministritë e Kulturës. Fundi i fundit, kufij të mos ketë së paku kultura. Fati i një libri të mos përfundojë brenda kufijve politik të një shteti.

- Dhe, për fund, a mund të bëhet diç që të ndikohet në lexueshmëri më të madhe të librave që po dalin nga shtypi. Cili mund të ishte kontributi që mund ta japin vetë shtëpitë botuese e cili do të ishte kontributi që do ta jepnin Ministritë e Kulturës, kjo e Maqedonisë konkretisht, por edhe Ministria e Kulturës e Republikës së Shqipërisë?

- Është edhe një fatkeqësi tjetër që ndikon në shprehinë e leximit të librave. Kritika. Ne, të thuash, vitet e fundit, kritikën letrare nuk e kemi fare, ose e kemi për miq, anëtarë të ndonjë klani ose oborrtarë. Për mua si krijues, ky është një shërbim i keq i kritikës letrare ndaj letërsisë. Ose ia ka anda shumë tollumbat, ose nuk ka forca intelektuale të inkuadrohet në rrjedhat letrare, vazhdon ta vlerësojë letërsinë me metoda komuniste. Edhe shtëpitë botuese kanë rënë në hall, nga njëra anë u kanoset gjendja e vështirë ekonomike e nga ana tjetër shprehia e dobët e leximit. SHGB “Asdreni” që nga fillimi e përdorë metodën e faljes së librit. Ku ta dimë ne, sot ua falim, por nesër ndodhë të na kërkojnë vetë nëpër librari.

Vetëm një gjë duhet ta kemi të qartë, kudo në botë derdhen mjete të mëdha materiale në kulturë e arsim. Themelet e një shteti janë kultura e arsimi. Dhashtë Zoti, një ditë këtë e kupton edhe Maqedonia, se në Evropë nuk shkohet vetëm me politikë…

Intervistoi: Bedri Sadiku

Tiranë, RILINDJA 22 maj 1997



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx