E premte, 27.03.2026, 10:40 PM (GMT)

Mendime » Çeliku

Idriz Zeqiraj: Ligji për të huajt, zbatimi selektiv i dokumenteve identitare!

E premte, 27.03.2026, 06:55 PM


LIGJI PËR HUAJT, ZBATIMI SELEKTIV I DOKUMENTEVE IDENTITARE!

NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Shefja e diplomacisë evropiane, Kaja Kallas, entuziazmuar nga "lëshimi pe" i kryeministrit, Albin Kurti, në implementimin, e Ligjit për të Huajt, si dhe ligji për automjetet, i bërë në koordinim me BE-në, duke veçuar në favorizim komunitetin serb, ka shtuar oreksin më tej teknicitetit. Dhe, shpërfaqë idenë se "është krijuar një momentum i ri, për t`i çuar përpara marrëdhëniet mes BE-së dhe Kosovës, përkatësisht, dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit".

Kryeministri Kurti e ka kushtëzuar dialogun me plotësimin e tri kushteve bazë, veç tjerave anësore:

1) Tërheqjen e deklaratës-letër e vitit 2023 të kryeministres Bernabiq, e cila nuk pranon pikat që kanë të bëjnë me njohjen e shtetit të Kosovës;

2) Dorëzimin e krye terroristit Millan Radoiçiq, me bandën e tij kriminale, për t`u gjykuar në vendin e krimit, pra, në Kosovë;

3) Të bëhet njohja reciproke ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja Vjosë Osmani ka përjashtuar vazhdimin e dialogut me Serbinë, sepse e ka provuar për dy dekada dhe ka rezultuar i dështuar, duke mbajtur peng Kosovën, edhe pse ajo e ka shpallur pavarësinë, tashmë, të njohur ndërkombëtarisht. Ajo ngulmon që Kosova mund të dialogojë me BE-në, përkatësisht, shtetet e Quintit, të udhëhequr nga SHBA.

Realisht, derisa Serbia nuk ka plotësuar asnjërin nga tri kushtet e kërkuara nga kryeministri Kurti, kompromisi për Ligjin për të Huaj është vetëm zgjidhje teknike, në kuadrin e standardeve evropiane, pa prekur thelbin e mosmarrëveshjeve politike.

Koncesionet e bëra nga Kurti, u mirëpritën nga BE, në veçanti, shtetet e Quintit, të cilat falënderuan kryeministrin Kurti. Për këtë pati reagime të shumta, madje edhe të bazuara, se Kurti "po i hanë ato qershitë", të përmendura në Kuvend, nga deputetja veterane e PDK-së, Ganja luftarake.

Megjithatë, në dukje është një petëz strategjik dhe perspektiv, për ta vënë në agjendë integrimin e sistemi arsimor dhe shëndetësor, që pa mëdyshje vazhdon të jetë një skandal unik, bërja hisedar në qeverisjen e vendit, qoftë edhe në një pjesë të tij, siç është veriu i Mitrovicës.

Një javë para pezullimit të Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, shefja aktuale e Ambasadës Amerikane, Annu Pratipati, e para e ngriti çështjen e integrimit të institucionit të shëndetësisë dhe të arsimit. Për çudë, kjo u hesht dhe askush nuk foli për këtë çështje, kaq jetike dhe të ngutshme për ta stopuar dhe integruar në sistemin shtetëror të Kosovës. Mendoj se nuk ka asnjë arsye për ta biseduar këtë çështje të brendshme shtetërore, me një shtet tjetër, madje armik. Insistimi i BE-së, përmes përfaqësuesve të saj, që këto çështje të jenë pjesë e dialogut në Bruksel, është sa i padrejtë, aq edhe cinik. Kjo zvarritje për integrimin e arsimit dhe të shëndetësisë, është heshtur nga pushtetarët e shantazhuar me dosje penalizuese, thjeshtë, vrasje të kundërshtarëve politikë.

Kuadrot me peshë në BE, në të shumtën e rasteve, mbetën të dyshuar në paanësinë e tyre. Kush më shumë dhe kush më pak, kanë qenë palë me Serbinë. Janë shquar në përkrahjen e Serbisë italiania Mogherini, spanjolli Borell, sllovaku Lajçak...

Ligji për të Huajt, është projekt evropian dhe Kosova që aspiron anëtarësimin, duhet të koordinojë me Unioni Evropian, sepse rregullat dhe kriteret duhet mësuar dhe praktikuar paraprakisht. Për të drejtën e qëndrimit të studentëve të huaj, punëtorëve profesionalë, të kuadrove të botës akademike, duhet bazuar dhe përshtatur me praktikën dhe përvojën e shteteve ligjore evropian.

Çështja e pajisjeve me kartë identiteti (letërnjoftim) dhe të tjera dokumente të serbëve, të cilët posedojnë dokumente të strukturave paralele ilegale serbe, ndryshimi, zëvendësimi me dokumente të shtetit të Kosovës, i zgjatur për 12 muaj, duhej afatizuar, së shumti, në tre muaj. Sepse shumë nga dokumentacionet realizohen në komunat përkatëse. Por, shqetëson fakti i zbatimit selektiv i dokumenteve identitare, duke lejuar përdorimin e atyre të lëshuara nga zyrat ilegale serbe! Ndërsa pasaportat dhe letërnjoftimet përgatitën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në Prishtinë. Rrjedhimisht, afati 3 mujor do të ishte i mjaftueshëm dhe do ta kishte seriozitetin e duhur shtetëror. Kujtoni zgjatimet në afate të heqjes nga qarkullimi të tabelave të makinave, të pajisura nga strukturat paralele ilegale, të Serbisë, brenda territorit shtetëror të Kosovës.

Me lëshimet e veçanta, të bëra enkas dhe veçmas për komunitetin serb, ekziston rreziku të kthehen, në heshtje, paralelizmat, tashmë, larguara.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx