Kulturë
Blerim Latifi: Gigët digjitalë
E merkure, 25.03.2026, 06:56 PM
Prof. Blerim Latifi:
Në
veprën Shteti, libri i dytë, Platoni na e jep tregimin për Gigun.
Gigu
ishte një bari që ruante bagëtitë në fushat e Mbretërisë së Lydisë. Një ditë ra
një tërmet, toka u ça dhe Gigu në të çarat e hapura prej tij zbuloi një shpellë
të panjohur më parë. Në të ndodhej një kalë prej bronzi dhe brenda tij një
skelet njeriu. Në dorën e skeletit, Gigu pa një unazë. E mori atë dhe doli t’ua
tregonte shokëve. Por unaza nuk ishte e zakonshme. Kur e rrotullonte në një
mënyrë të caktuar, Gigu bëhej menjëherë i padukshëm. Bariu vendosi atëherë të
plotësonte dëshirat e tij të fshehta kriminale duke përdorur unazën magjike. Ai
hyri si i padukshëm në pallatin
mbretëror, e joshi mbretëreshën, pastaj vrau mbretin dhe mori pushtetin për
vete.
Përmes
këtij tregimi, Platoni shtron pyetjen mbi thelbin e ligjit moral: a veprojmë ne
moralisht nga frika e ndëshkimit, apo ligji moral është shprehje e mirësisë
sonë të natyrshme?
Ajo
çfarë bën bariu lë të kuptohet se njeriu u vë fre dëshirave dhe pasioneve të
këqija vetëm brenda një rendi ligjor që ka fuqi ndëshkuese mbi të.
Sot,
rrjetet sociale ua kanë mundësuar të gjithëve “unazën e Gigut”. Përmes
llogarive të rreme, platformave mediale të rreme, njerëzit fshehin identitetin
e tyre të vërtetë dhe kështu u mundësohet të shprehin të gjitha pisllëqet që
mbajnë brenda vetes, e të cilat nuk i shprehnin dot me identitetet e tyre
reale, nga shkaku i gjykimit të shoqërisë apo ndëshkimit ligjor. Ata fyejnë e
njollosin të tjerët, përhapin gënjeshtra, shpifje e akuza, nxisin urrejtje mes
njerëzve dhe bëjnë një mijë prapësi të tjera që u vijnë në mendje.
Njësoj
veprojnë edhe grupet: partitë politike e përdorin “unazën digjitale të Gigut”
për të sulmuar njëra-tjetrën në mënyrat më brutale, ndërsa grupet ekstremiste
religjioze dhe populiste për të përhapur ideologjitë e tyre të urrejtjes.
Kështu,
fshehja dhe padukshmëria digjitale ua mundëson atyre të shmangin përgjegjësinë
për helmet që shpërndajnë mes njerëzve. Dhe në një botë ku zhduket përgjegjësia
për të keqen, nuk priten ditë të mira.
Gigu i Platonit shkatërroi një mbret të ligjshëm, ndërsa gigët digjitalë janë duke shkatërruar gjithë shoqërinë njerëzore.









