Kulturë
Albert Zholi: Flet këngëtarja popullore Leonora Gjoni Terpollari
E merkure, 25.03.2026, 06:16 PM
Flet këngëtarja popullore Leonora Gjoni Terpollari:
Grupi
polifonik i Skraparit po lë gjurmët e
veta në Shqipëri.
Kam
marrë pjesë dy herë në Festivalin e Gjirokastrës ku jam vlerësuar me
certifikatë.
Kënga
për Hysni Kapon bëri që të lotoj dhe Enver Hoxha
Ne
ecim në gjurmët e Demir Zykos.
Nga
Albert Z. ZHOLI
Leonora Gjoni Terpollari është një nga zërat më të dashur të muzikës popullore në krahinën e Skraparit, e cila prej vitesh i ka dhënë shpirt dhe jetë këngës tradicionale shqiptare. Me një përkushtim të rrallë dhe një dashuri të thellë për artin, ajo ka ndërtuar një profil të veçantë artistik, duke interpretuar jo vetëm këngë të trevës së saj, por edhe këngë nga të gjitha krahinat jugore. E lindur në fshatin Krast, Leonora përjetoi një fëmijëri të vështirë, por kjo nuk e pengoi të ndiqte pasionin e saj për muzikën. Përkundrazi, ishin pikërisht prindërit e saj ata që e mbështetën dhe e inkurajuan në rrugën e bukur të këngës, duke i dhënë forcë dhe besim për të ecur përpara. Ajo njihet si një grua me kërkesa të larta ndaj vetes, gjithmonë në kërkim të së veçantës dhe autentikes. Ky standard i lartë ka bërë që çdo interpretim i saj të jetë i ndjerë, i pastër dhe plot emocion. Në repertorin e saj numërohen mbi 50 këngë popullore, të cilat pasqyrojnë shpirtin, traditën dhe historinë e jugut të Shqipërisë. Falë talentit dhe përkushtimit të saj, Leonora është kthyer në një emër shumë të kërkuar në gjithë krahinën e Skraparit, ku publiku e pret gjithmonë me dashuri dhe respekt. Me zërin e saj të ngrohtë dhe interpretimin autentik, ajo vazhdon të mbetet një ambasadore e denjë e muzikës popullore shqiptare.
Ju
tashmë keni vite në skenë dhe njiheni si një nga këngëtaret më të mira të
krahinës së Skraparit. Për lexuesin mund të na sillni diçka nga fëmijëria juaj?
Kam
lindur në fshatin Krast të Skraparit jam e bija e Jake Gjonit dhe Sabires. Ne ishim 5 motra dhe 1 vëlla në një
fshat pa asnjë perspektivë. Shkollën fillore e kam bërë në Krast, ndërsa
tetëvjeçaren në fshatin Kapinov një orë e gjysmë në këmbë.
Babai
e kishte shumë qejf këngën dhe në çdo mbrëmje na mblidhte me motrat dhe
këndonim në dhomën e ndënjes. Babai këndonte vetë shumë bukur dhe mundohej të
na mësonte dhe ne të këndonim. Kur na dëgjonte të këndonim në shtëpi i bëhej
zemra mal. Në ato vite kishim një mësues që na jepte mësim. Pra ishte mësues
nga Krasti që jepte mësim në Kapinovë. E quanin Ylli Qorri dhe sot nuk jeton
më. Kur filluam shkollën në Kapinovë ju tha mësuesve të tjerë se Leonora është
talente për të kënduar. Në shkollë kishim mësues muzike Fotaq Zistin nga
Gjirokastra. Ai menjëherë më studioi dhe filloi të më përkrah. Por duhet të
theksoj se kënga e Skraparit këndohet në grup ndaj duheshin dhe shoqe që të më
shoqëronin. Dhe njëra prej tyre ishte Protokalle Zyko që e bëra shumë shoqe.
Ajo ishte e dashur dhe përshtatej shumë mirë.
Duke kënduar vazhdimisht të dyja pamë ashtu sikundër dhe mësuesi ynë se
përbënim një duet të mirë pasi shoqja ime ma mbante shumë mirë këngën, ajo më
përshtatej në çdo këngë. Kështu filluam të këndojmë në shumë aktivitete të asaj
kohe. U aktivizuam me Pallatin e Kulturës të Çorovodës. Drejtues artistik të
Pallatit të Kulturës ishin Ylli Qafoku,
Kasem Caka dhe Hajri Xhameni. Ata menduan që ta zgjerojnë grupin ndaj erdhën
dhe na ndoqën në klasën time se kush kishte zë për këngë. Por ata panë në
mënyrë profesionale se vetëm ne të dyja unë dhe Protokallja mund të ishim pjesë
e grupit të Pallatit të Kulturës. Kur i dhashë babait sihariqin që më bënë
pjesë të grupit të Pallatit të Kulturës së bashku me Protokallen u gëzua shumë.
Ylli Qafoku, Kasem Caka dhe Hajri Xhameni i thanë babait që me formimin e
grupit do bënin prova ndaj do vijmë ta marrim Leonorën në Krast për në
Çorovodë. Babai i tha jo do ta sjell vetë vajzën. Athere sapo kisha mbushur
13-vjeç.
Kur ishte momenti më i
vështirë në këtë moshë?
Ishte
në kohën kur Pallati Kulturës do të bënte një koncert për Vit të Ri. Unë duhej
të shkoja patjetër në Çorovodë. Të shkonim deri aty duhej të bënim 8 orë në
këmbë pasi rrallë lëviznin makina. Në vitin 1978 ne na ftuan të shkonim në
Tiranë të ishim pjesë e Koncertit të Vitit të Ri. Ishte 35-vjetori i çlirimit
të Atdheut dhe ne u paraqitëm me këngën "Shqipëri ç'më je
stolisur" dhe vazhdonte. Porsi
lulja në Pranverë...Kjo këngë u mirëprit. Sa emocione kisha. Ishte një nga
ditët më të bukura. Aq më tepër që do na shihte gjithë Shqipëria për vit të ri.
Pas këtij momenti si
vazhdoi karriera juaj?
Në
atë kohë vdiq Hysni Kapo. Mua më dhanë një këngë për Hysni Kapon. Ishte shtator
1979. Kënga kishte këto vargje: Shtatori 1979/ Shqipëria ra në zi/ Biri i popullit
dhe partisë/ lule o shoku Hysni! Ne pamë në televizor që dhe Enver Hoxha qau
për Hysniun.
Në
vitin 1983 do zhvillohej Festivali Gjirokastrës dhe ne si grup na thirrën
sërish. Bëmë një përgatitje tre mujore. Por këngët do seleksionoheshin. Pra do
bëhej një si konkurs kush do shkonte në Gjirokastër. Juria do ishte nga Tirana
pasi kishte shumë kërkesa. Ne na kishte ardhur një tekst i Xhevahir Spahiut një
tekst shumë i bukur. Kur e pa Ylli Qafoku tha këtë këngë do ta këndoj Leonora.
Ishte një poezi për fshatin që Ylli e bëri këngë: Fshati im mbi ato brigje/ I
bukur si lule drite/ Hënë dhe dëborë plot/ Me rrush dhe me mollë/ Djem e vajza
si sorkadhe...Unë fitova të drejtën të shkoja në Gjirokastër. Më dhanë dhe
Fletë-Lavdërimi. Në familje gëzim i madh. Të gjithë më uronin. Babai fluturonte
nga gëzimi. Kur shkova në Gjirokastër më përcollën sikur do martohesha. Një
përcjellje si në festë. Nuk e kisha parë kurrë Gjirokastrën. U mrekullova.
Qyteti i gurtë më dukej si një qytet yjnor. Ndenja 10 ditë. Ishin ditët më të
bukuar të jetës sime. Pashë aty njerëz nga gjithë bota. Rrija si e hutuar. Aty
njoha jetën e vërtetë plot gjallëri. Hëngra ushqime që si kisha ngrënë kurrë.
Një trajtim special.
Po në vitet e
tranzicionit si vazhdoi karriera juaj?
Në
vitet e para të demokracisë ju përkushtova tërësisht familjes. Por ja në vitin
2017 me rastin e 75-vjetorit të ditëlindjes së Xhevahir Spahiut u bë një
koncert në Çorovodë. Më ftuan dhe mua të këndoja. Nuk hezitova por shkova
menjëherë. Takova me shumë mall poetin e madh. Aty u dha orientim që të
formohej edhe grupi polifonik i Skraparit. Në vitin 2022 ky grup mori formë të
plotë. Djemtë dhe vajza më përkrahën, shko më thanë. Shko të çosh në vend
amanetin e babait tënd. Vërtet babai im gjithmonë hapte radion se mos dëgjonte
këngët e mia në radio që në 5 të mëngjesit. Edhe para se të vdiste babai më
kërkoi të këndoja këngë. Pra pas shumë kohësh shkëputje ju bashkova grupit. Një
përkrahje të madhe më dha bashkëshorti. Bashkë me të realizuam dhe këngën
"Nëna". Novruzi bashkëshorti e
ka po aq qejf këngën. Filluam të bashkëpunojmë dhe realizuam shumë këngë. Disa
nga këngët që realizuam bashkë me të janë për Abas Ali Skraparin, këngë për
vendlindjen, këngë dasme.
Ku keni dhënë koncerte
me grupin "Tomorrica Skraparit"?
Pas
formimit ne na ftuan në shumë qytete dhe festivale të ndryshme si në Tiranë,
Durrës, Kavajë, Berat ku na kanë vlerësuar me
certifikata të ndryshme. Në vitin 2023 më thirrën sërish në Festivalin e
Gjirokastrës ku u paraqita me një këngë të Abedin Muratit, të cilën e këndova
me Djana Ymerin dhe me grupin. Ishte një ditë tjetër e veçantë në jetën time
skenike. Fill pas festivalit më ftuan me grupin në Festivalin e Strugës. Dhe në
vijimësi jeta jonë artistike vazhdon. Grupi polifonik i Skraparit po lë gjurmët
e veta.
Sa këngë keni në
repertorin tuaj?
Rreth
50 këngë me motive popullore.
Polifonia e Skraparit
çfarë ka të veçantë?
Ka
ngjyrimin ndryshe të zërit. Ne ecim në gjurmët e Demir Zykos.









