Kulturë
Tef Topalli: Brenda teje vij me hy
E merkure, 25.03.2026, 06:50 PM

BRENDA TEJE VIJ ME HY
Nga Prof. Dr. Tef Topalli
Lexuesi i veprës
krijuese të shkrimtarit Gjon Marku, do të ketë vërejtur se, nga viti në vit,
autori ynë, në poezi dhe sidomos në prozë, ka një prodhimtari të pabesueshme,
botime me nga dy e tri vepra brenda disa muajve. Kështu, edhe në fushën e
tregimtarisë, shohim se ai përfshin gjithnjë e më tepër numër më të madh, siç
ndodh, p.sh., në vëllimin "Vij e hyj brenda teje" (1), në përmbajtje
të të cilit gjenden 23 tregime me tema e shtjellime motivesh të ndryshme.
Autori tashmë është jo vetëm në moshën e pjekur, por
ka mbledhur mjaft përvoja jetësore, është pasuruar me njohuri, ka provuar dhe
është kënaqur, apo edhe zhgënjyer, në çështje nga më të çuditshmet: njerëz që i
ka dashur e adhuruar i janë kthyer të pabesë e gënjeshtarë, në lakmues e
ziliqarë, njerëz të pavërtetë, shndërruar në vehtje virale, ku s'mund të besosh
e as të mbështetesh...
Edhe kur ndodh që
në tregimet e autorit tonë nuk ka ngjarje për të rrëfyer, ai synon të depërtojë
haptazi në thelbin e tyre, në karakteret që pasqyrohen, pra t'i zbulojë ato. Rrëfimtari
synon jo thjesht të krijojë një portret të jashtëm, të përshkruajë një mjedis a
rrethanë të caktuar, por t'i njohë ato nga brenda. Ky pozicion thellon
karakterin psikologjik të veprës, duke tërhequr vëmendjen dhe vështrimin e
lexuesit me një thellësi të ngjarjeve... (2)
Kështu, në skicën me ngjyresa psikologjike
"Vij dhe hyj brenda teje" (titull që bart gjithë përmbledhjen që po
shfletojmë) – në kuptimin figurativ: hyj brenda shpirtit të dikujt tjetër – nuk
ka veprime a ngjarje; sekuenca tekstuale nuk është dinamike, por na shfaqet
vetëm një botë ndjenjash, psika e njeriut që përjeton ekstazën, shtrirë në
rrafshin e subkoshiencës (rrallë edhe libidike). Dallohet kjo tablo e
paraqitjes edhe në të lexuar; nëse shohim foljet që bëjnë pjesë në klasat e
fjalëve – simbole të veprimit – bindemi se janë të gjitha në kohën e tashme,
si: ngjitemi, zëmë vend, hedhim, tëhollet, mbledh, humbet, trishton, ka, është,
zgjas, lagin; bën, lodrojnë, ngjan, vrasin, përdridhen, turren; varen,
vallëzojnë; qëndron, shoh, ka hije, ke... etj.
Nis skica e ndjenjave sublime me të dhëna të dy
partnerëve – vetëm si qenie, pa atribute tjera – duke nxjerrë në pah çaste
përjetimi si hyjnë ata tek njëri-tjetri e bëhen NJË i vetëm. Me mjaft
precizion, autori ia del të ndërtojë tablo idilike, që janë pjesë e jetës
njerëzore, përjetime e hove të paharruara.
Ja cilat fjali do të shënoja unë, si gjurmues i
gjuhës dhe i stilit të një vepre letrare, të cilat duhen nënvizuar për gjetje
të frymëzuara të autorit, si karakterizime të një gjendjeje të përflakur
shpirtërore të lartë e të rrallë, apo të shndërrohen në pjesë të tyre;
sigurisht, nëse lexuesi ynë do t'i ndjekë në kontekstin përkatës të rrëfimit:
· lejlekët
e bardhë dashurohen sqep më sqep (159)
· në
tërthoren e shikimit tinëzisht pashë gjinjtë e tu (159)
· trup
plot musht (159)
· kënga
jote më harlis shpirtin (160)
· dora
jote nisi të shkiste mbi trup e të zbriste në... (160)
· këmisha
e kaltër fsheh gjoksin e gjerë (160)
· aty
ziejnë gjithë epshet (160)
· trupi
yt i njomur si me vesë (160)
· doja
të lë lotin te gjiri yt ta fsheh (160)
· kur
me ty puthesha në atë mbrëmje hënore (161)
· mbi
palën e fustanit lodronte vesa mëngjesore (161)
· shpirti
më ndizet frikshëm në vuajtje (162)
· jemi
bërë një si retë në një ujëvarë flokësh (162)... etj.
Themi gjithashtu
se, në shkrimtarinë e Gjon Markut, në narrativën e tij, jo rrallë ndeshim edhe
pasazhe të prozës poetike, përftuar prej një lloji letrar që pakkush ia hyn ta
shkruajë, siç zgjodhëm ne një model për fragment frymëzimi.
F r a g m e n t
"...E rëndë është kjo peshë e ndarjes, që më
bëhet si ujk që rend pas ulërimës. As Zoti nuk e dëgjoi atë që pëshpëriti Eva,
e asaj nuk i lejohej t'i tregojë Adamit asgjë. Që atëherë gruaja fsheh nën
qepalla një mister. Kisha menduar atë çast, kur, si në një përrallë, edhe
qyteti sikur fsheh një mister.
Aty, mes mjegullës, tashmë në qytetin tim të
largët, në zemër të Europës, herë shfaqeshe si imazh a si hije, herë jo. Hija
jote, edhe pse ti s'e dije, ishte qyteti im, që s'mund ta shohësh kurrë, edhe
pse doje ta shihje. Aty mes mjegullës herë shfaqej, herë jo hija jote, edhe pse
ti, diku nga një cep i largët i Azisë, kishe ardhur në jetën time si ëndërr.
E unë, a thua se ligjëroja, rendisja fjalitë për
vendlindjen time. Aty janë zërat dhe era e maleve, kur ylli i mëngjesit feks i
paanë. Palca ime e shpirtit, varret e të parëve që më godasin me vuajtje e
mendime. Gjuha ime në çdo qelizë të trupit tim, që janë ushqyer nga ky truall e
ky ajër. Aty është vendi ku sofra është e shtruar për të gjithë... Aty janë të
kërciturat e patkonjve mbi kalldram, era e sanës; flladi e mali, brenga e
shpirti.
Aty janë rrënjët e katedralës së vjetër, ku
xhakonët e rinj, duarkryq para altarit, dorëzoheshin priftërinjve. Jam një
germë e shkruar në gur prej stërgjyshërve të mi fisnikë, ku fjala ruhet e
shenjtë dhe e shtrenjtë..." (3)
Krijuesi në prozë, Gjon Marku, e di dhe e njeh me
përvojën e tij se bota sot është sa një fshat, pra mund të rroket, si në
legjendat e vjetra, edhe për pak orë, bile edhe për minuta pak! Ai thotë e
shkruan se bota është si në përrallë! Shpesh ai i nis tregimet e veta me
përshkrime të natyrës: fshatin e lindjes, hapësirën e vendit ku ka kaluar
fëmijërinë, edhe qytetin dhe apartamentin ku banon, aty ku ka kaluar rininë e
tij të varfër, ku bashkëfshatarët e vet i quan urtakë – një neologjizëm i tij
(4), sepse, fundi i fundit, gjuha ruhet e pasurohet prej shkrimtarësh, si
artistë të fjalës...
Kështu e nis ai tregimin e parë, "Të lutem, më
fal!", në vëllimin që kemi në dorë. Po pret autobuzin e fshatit, takon aty
Lalë Kolën plak, që i zgjat kutinë e duhanit, ngjiten dhe zënë vend në urban,
dhe na përshkruan vende e brija, shpate e lëndina që përshkojnë gjatë udhës,
shtëpi pa njerëz brenda, livadhe e kullota pa bagëti, derisa mbërrijnë në
qendër të qytetit, ku ndalet dhe takon mikun kosovar, Martinin; ndërsa
bisedojnë dhe kënaqen me fjalët e njëri-tjetrit, Lalë Kola largohet dhe në
tavolinë ndjehet zilja e telefonit.
Është në veçoritë e narrativës së Gjon Markut që
herë-herë i ndërton tekstet e tregimeve të tij me hyrje që nuk kanë fare lidhje
me fabulën dhe gërshetimin e ngjarjeve... është si një skenë që vë ai, mbase
tip hyrjeje. Në tregimin më sipër, lexuesi nuk gjen vend për plakun e heshtur
dhe të zgjuar, Lalë Kolën, por autori e sjell si kolorit të vendit ku lëviz
vetë personazhi kryesor, autori narrator, Engjëlli, i cili po divorcohej me
bashkëshorten, duke deklaruar:
"Pas atij momenti në gjykatë, në atë proces
divorci, kur kisha kërkuar që dy fëmijët e mi të rrinin me të jëmën, e se mua
më kishin vetëm pesëmbëdhjetë minuta larg, kudo që të ishin, jeta ime kishte
marrë një kuptim tjetër e më gërryente vetmia." (5)
Ndërsa rrinte me Martinin, i bie zilja e telefonit.
E thërret vajza studente, duke i thënë se i vëllai (pra djali), futbollist në
Kroaci (Zagreb), kishte nevojë për të dhe kërkonte ndihmën e tij. Por brenda 15
minutave, siç dhe kishte deklaruar, hapet fjala dhe gjithë rrethi i tij ngrihet
në këmbë, të gatshëm t'i gjendeshin të birit, brenda kohës së deklaruar:
"O sot, o kurrë më në jetën time!"
Engjëlli u nis nga Mali i Zi, për të arritur sa më
parë; njëherësh, të afërm të tjerë në Zagreb iu shfaqën të birit, duke u
paraqitur se vinin në emër të të jatit! Kishte qenë një hajgare e djalit, për
të provuar durimin e të jatit, dhe për këtë i kërkoi atij dhe të tjerëve falje,
duke shprehur turpin për çfarë kishte kurdisur.
F r a g m e n t
"Babai ishte nisur nga Shqipëria urgjent, por,
derisa të vijë ai, unë të përgjigjem për gjithçka ke nevojë ti...
· Nuk
ka asnjë problem, kam dashur të bëj një shaka me babain, kishte thënë me gjysmë
zëri, por në derën e lokalit ishte dukur Toma, veshur me uniformë polici e me
pistoletë në brez, dhe kishte kërkuar pikërisht atë.
Ai kishte dashur të ngrihej, por Prendi e kishte mbajtur për krahu dhe i kishte
thënë se ai mund të largohej vetëm pasi të mbërrinte prej Shqipërie i ati.
· Dëgjo,
kishte ndërhyrë Antoni, unë, nëse do të nisesh për në Shqipëri, jam gati të
nisemi tani. Si të duash, ja ku është makina, ose marrim linjën ajrore, e për
dy orë jemi në Tiranë ose në Prishtinë..." (6)
Në skicën e shkurtër "Fyhet
fyerja" (7), autori sjell një mësim nga jeta, që na takon të
provojmë të gjithë në situata të ndryshme. Nuk thonë pa bazë se gjuha, sa është
mjet marrëveshjeje midis njerëzve, është edhe mjet mosmarrëveshjeje.
Dhe ja fabula: Engjëlli me Bankën do të ndaheshin
me gjyq; ishte caktuar edhe data, u thirrën edhe emrat, që të hynin bashkë me
avokatët në Sallën nr. 1. Hyri gjyqtari me togën e zezë, por Engjëlli kërkoi të
shtyhej seanca për një ditë tjetër, mbasi avokati i tij, s'dihej pse, mungonte.
Mirëpo pala tjetër – i vëllai i Bankës dhe avokati i saj – për habi ngulnin
këmbë që gjyqi të zhvillohej, dhe për më tepër nisën të fyejnë palën
kundërshtare. Për këtë arsye, Engjëlli i kërkoi gjyqtarit ta dënonin me gjobë, duke
sjellë argumente se kështu duhej vepruar, sidomos në një sallë gjyqësore.
F r a g m e n t:
"...Zoti gjyqtar, meqë ky po thotë se unë e
kam fyer, desha të them se një herë e një kohë operativët i zgjidhnin të mençur
e të pashëm, si im vëlla që mban të njëjtin emër, fatkeqësisht me këtë
kokëtulin, që aksidentalisht ndoshta është gjendur në ato struktura.
E gjithë ironi i ishte drejtuar për atë që ky avokati gjysmëprovincial, që gjer
dje mbështillej nga hipokrizia e pushtetarit e tash është në kërkim të unit të
humbur, thotë se unë e paskam fyer; unë nuk mund të fyej këtë njeri pa
dinjitet. Po të fyej atë, fyhet fyerja. Gjyqtari me zor e kishte mbajtur të
qeshurën dhe menjëherë kishte marrë fjalën për të përcaktuar datën kur do të
zhvillohej seanca e ardhshme. E, pasi kishte dalë në koridor, me vete kishte
mërmëritur fjalët e Engjëllit..." (8)
Gjon Marku do të njihet prej lexuesve edhe për një
tis ironie të hollë, por herë-herë edhe therëse e jo pak demaskuese. Pa bërë
përgjithësime dhe pa sjellë modele të shumta, do të na mjaftonte tregimi me të
cilin autori godet rëndë zyrtarë e drejtues, dinjitarë pushteti dhe njerëz që
veprojnë nën rrogoz, thjesht për përfitime.
Është fjala për tregimin "Nana Dhija e
Dorit" (9), ku është përdorur një sintagmë nga një fabul e
Dritëro Agollit me titull "Përralla e kecërve" (Shkruar
prej poetit për mbesat e tij) (10).
Pa u zgjatur, dua të vë në dukje se gjetjet e
çmuara të poetëve, sidomos kur mbështeten në tabanin e humorit popullor, vijnë
dhe përdoren në masë, kryesorja në logosin e bisedës së rrafshët, apo
thjeshtëligjërimin, siç quhet më drejt në stilistikë; gjë që shfaq atë lidhje
me vlerë që ka gjuha e popullit me idiomën e shkrimtarëve.
Nga jehona e fabulës agolliane, në atë kohë, ka
qenë përhapur me shpejtësi si batutë, karakterizimi për njerëzit që ose nuk
kishin arsim e kulturë, ose nuk kishin përfituar nga shkollimi... pra, ua
kishte ngrënë dhia librat. Në fakt, Dritëroi tregon se librat i hungrën kecat,
jo Nëna Dhi, që mori rolin e mësuesit! Nuk thonë pa arsye se shpesh zë vend
edhe e gabuara, jo e vërteta! Nëpër skeçe estrade ka pasur raste replikash, kur
njëri për bëmat e tij mbrohej pas diplomës, e tjetri ia kthente:
"Diplomë ke, e di, por librat t'i hangri Nana
Dhi!"
Pas kësaj pauze, le të kthehemi tek shkrimtari ynë
Gjon Marku dhe tregimi i tij "Nana Dhija e Dorit", të
cilit i ka takuar të punojë, të drejtohet, madje edhe të dënohet prej modeleve
të zyrtarëve, që librat ua kishin ngranë dhitë e Dritëroit!
Kur doli kjo fabul për fëmijë, u përhap aq shpejt
thënie "ia ka ngrënë dhija librat", për të treguar një
njeri të pakulturë, një kuadër të paaftë e të padenjë, i cili, për pasojë, as
nuk dinte të sillej me vartësit e tij... ashtu si i ka ngjarë sutorit të
tregimit tonë.
Për vështrimin tonë, tregimi "Nana
Dhija e Dorit" (11) - i punonjësit zyrtar, në post shefi
drejtues, Dorianit, dikur drejtues i zyrës ku punonte edhe autori-narrator -
mund të kalojë edhe në përmasat e një novelëze. Si përherë në krijimet e veta,
Gjon Marku e nis rrëfimin me ngjarje dhe pozicione edhe të papritura, kur, si
besimtar, në prag të festës së Shën Mërisë, lexojmë:
"Po unë nuk kisha shkuar në fshatin e lindjes,
siç bëja zakonisht, sepse atë natë, për të ndezur ndjenjën time shpuzë, më
kishte ardhur e dashura ime, deputete në Parlamentin e Kosovës. Ajo si ikonë,
me zë të përmallshëm, pas asaj breshërie puthjesh e përqafimesh, më kishte
thënë: 'Në ty due me u shkri!' - Sa herë ajo vinte, brenda meje shpuzonte
zjarrin e shkimbur... U lava, e pastaj u ndala para saj. Ishte ora dymbëdhjetë
e dhjetë minuta e natës, dhe ne ishim krejt laku..., me buzët e cokërruara si
gotat mbështjellë prej atij tërbimi të ëmbël. Nata drithërohej tërbuar prej
epshit kur nga telefoni më vjen një sinjal...!"
Sinjali ishte urdhër i shefit, urdhëri i shefit
Dorianit:
"Nesër, në orën pesë të mëngjesit, takohemi te
Hotel 'Universi'. Do të jemi në Milot. Mos mungoni për asnjë lloj
arsyeje."
Drejtor Dorjani.
"O Zot, unë isha 'trup më trup' kur ndizet
thëngjilli i limfës... kur ajo (deputetja – lum Kosova për të!) shpuzoi zjarrin
e shkimbur... në trupin e saj plot musht..."
Sa herë në kësi skenash shkrimtari ynë përdor
foljen "shpuzoj", bëhet fjalë për një neologjizëm nga
emri "shpuzë-a": thëngjill i ndezur pa flakë; prush-i; sepse folja
nuk del në fjalorët e shqipes moderne.
Le të kalojë rrëfimtari ynë natën me deputetën
kosovarlie dhe ne të dalim tek e nesërmja, kur ai arrin në Milot. Fjala është
për një kontroll të beftë në tregun e bagëtive të atij qyteti, të njohur
pothuajse në gjithë Veriun e vendit.
"Ç'trishtim që jeton ky qytet brengë,"
shkruan autori, "ku shumë gjëra ecin për mbrapsht. Në këtë treg ku jeta
zgjohet herët, ne turremi (punonjësit shtetërorë të kontrollit!) pa dalë drita,
për të dukur sikur po bëjmë namin, sot ditë e festës së Shën Mërisë, ndërsa
njerëzit brofin turrevrap në këtë ditë të fundjavës për të siguruar bukën e
gojës..." (f. 30)
Autori ka zgjedhur ironinë therëse në takimin për
dhënie llogarie, sepse nuk qe paraqitur tek "Universi", duke ia vënë
në dukje se "më parë duhet thënë 'mirëmëngjesi', se aty ishte pazar e jo
zyrë" (!), "ne jemi autoritet inspektimi qëndror, jo varësi e
bashkisë, ne vetëm monitorojmë..."
Por ai (Dorian Shefi, pra!) turrej poshtë urës në
tregun e kafshëve, ku tinëzisht kërkonte të zinte mat ndonjë fukara. Papritmas
mëson se gjyshja e shefit kishte vdekur dhe po atë ditë do të varrosej, dhe
nipi nuk mund ta shoqëronte në banesën e fundit. Ai paskësh kapur një kasap që
po priste një ftujë; dhija kokprerë rrihte këmbët. Dukej se Doriani s'kishte
fëmijëri, sepse të gjithë fëmijët e botës i kujtojnë gjyshërit për moshën e
fëmijërisë, kur i duan aq shumë.
"I mbylla sytë dhe desha të lutem pak, por m'u
shfaq imazhi i nënës sime... shoh një koleg që i shkonte pas Dori-shefit për të
varrosur 'Nëna dhinë' në Milot, për t'iu servilosur eprorit të madh!..."
Më tej, përveç dhisë së futur në bagazh, u bllokuan
edhe dy kuintalë peshk në të njëjtin bagazh, jashtë çdo rregulli dhe norme
ligjore, dhe u dërguan në banjon e institucionit, pa gjetur specialistët e
vërtetë një klauzolë ligji për këto veprime idiote. Të gjithë ishin dikushi,
por ai, Dori, ishte askushi!
Autori ka gjetur mënyrën e monologut të brendshëm
për të shfryrë kundër një njeriu të vogël, të lig, të mbrapshtë dhe të
pasojshëm:
"Oh, medet! Gjyshja e vdekur, nisur në rrugë
pa kthim, që ti s'ke për ta parë kurrë, orëzi! Ikën ajo me një shark të bardhë
legjende, në qetësinë e të vdekurve..."
Në zyrën e tij, tek institucioni, dëgjohej zëri i
beftë pëshpëritës. Ishte zëri i gjyshes apo i "Nëna dhisë" së festës
së Shën Mërisë, dhisë viktimë - këtë s'e mora vesh kurrë! - shkruan autori,
sikur ziente mllefin për atë njeri që drejtonte. Që atë ditë, për atë mosbindje,
drejtori u përpoq ta zhijnte në gabime e thyerje rregulli, bile edhe bashkë me
Cute spiunin – një personazh, "viktimë" edhe ky i Dritëroit të Madh,
që tërë jetën i stigmatizoi deri buzë rrezikut e pasojave që mund t'i sillte
ajo kohë e mbrapsht.
Shqetësimet prej tij i vijnë vazhdimisht
autorit-rrëfimtar, madje edhe kur jepte gjak për motrën e sëmurë, moment kur
nisej për punë, pasi nuk donte të provonte shijen e mëshirës së monstrave rreth
tij.
Personazhet e Gjon Markut përpiqen të mbeten
njerëz, siç e ka shprehur ai edhe në vargje poetike. Ai nuk ndalet vetëm
përpara shefit që nuk duhej të ishte drejtues, por edhe ndaj Cute Kadriut -
spiunit të tij - që e ndiqte orë e çast; aq i pezmatuar e paraqet veten
rrëfimtari, sa me çfarë ka dëgjuar për një kohë tmerri që s'e ka jetuar, e
krahason gjindësin e Dorit e Cutes, këto subjekte nëpunësish urdhërdhënës, me
bëmat e toger Babës në tërë Mirditën dhe Zadrimën bashkë!
Një kriminel ordiner, veshur me pushtetin e
diktaturës komuniste, në krye të reparteve ndeshkimore, në vitet e para pas
Luftës II Botërore, varur me gjyq në Hajmel për krimet monstruoze që kishte
kryer, dhe më vonë - përfshirë në radhën e heronjve e dëshmorëve tek
përmbledhja me 7 vëllime "Yje të pashuar", hartuar nga
ushtaraku (shkrimtar) Resul Bedo.
F r a g m e n t:
"Dy ditë më vonë drejtori i madh ishte
transferuar, e drejtori Dori kishte ikur bashkë me shishet e verës që ia bënte
dhuratë kolegu im i zyrës, apo lekët që u mblidhnin subjektet dhe pafytyrësitë
e tij që bënte në këtë trevë... Pothuajse e kisha harruar këtë histori, por një
natë, teksa kthehesha vonë në Milot, kur hëna përgjonte një yll çunak, një dhi,
si duket e ndarë nga tufa, bërtiste diku ndër shkurret e bregut të Matit. M'u
kujtua Dor (Horri), drejtori, dhe historitë e 'Nana dhisë'. Imazhi dhe hija e
tij bridhte në kazanët e ngopur të qytetit ku kishte shumë minj të dhjamosur.
Imazhi dhe hija e tij del sapo dëgjon 'Nana dhinë', që kërkon ta kapë e ta
varrosë. Hija e tij është një shurdhmemece që e ndjek, që e përgjon, e mbikqyr.
Ai nuk mund ta largojë nga vetja, ajo e ndjek bashkë me të...
Ti ike pa folur asnjë fjalë nga ajo derë që nuk
bëzan. U fike në lotët e mallit të 'Nana dhive të Milotit', që ty, kudo që
venë, të mbajnë me vete si një plagosje. Ëndrrat të ranë si gjethet e
pikëlluara të vjeshtës. Ëndrra e jote zgërdhihet hijeve të Milotit dhe turret
të varrosë 'Nana dhinë'. Po nënë gjyshen, kush e varros, more orëzi?! Eh,
medet!... Në qiell lodronin shqiponjat dhe zotat. Nga nderimi për nanat,
përulen..." (12)
Në krijimtarinë narrative të Gjon Markut, rrallë
herë gjejmë tregime jo aq të hapura, por, deridiku, hermetike; sigurisht, këto
bëjnë e dalin në pah, sidomos në përvojat e tij jashtë vendit, kur ka udhëtuar
dhe kaluar javë e muaj në specializime profesionale. I tillë, mendoj se duhet
grupuar tregimi "Albumi me foto të një kohe të kaluar" (13).
Duket një rimarrje prej motivit "Një
natë mbret në një vend tjetër" (14), por më tepër duhet quajtur
si variant, lojëra shkrimesh që bëjnë të gjithë krijuesit, nga Kadareja deri
tek Anton Pashku i Kosovës, tek përmbledhja "Galtina".
Janë pothuajse të gjithë ata personazhe, por me një rend tjetër ngjarjesh dhe
përzier rrëfimi nga veta e tretë, në vetën e parë, kur subjektivizohen mjaft
veprime; me siguri, i vetmi tregim nga përvoja e autorit tonë në një shoqëri...
edhe jo me shqiptarë!
Literatura e
përdorur
1. Gjon Marku, Vij e hyj
brenda teje, Tregime, EMAL, Tiranë, 2023.
2. Floresha Dado, Proza
nëpër teknikat poetike, Toena, Tiranë, 1997, f. 192.
3. Gjon Marku, Vij e hyj
brenda teje, Tregime, EMAL, Tiranë, 2023, f. 162–163.
4. Le ta quajmë kështu,
derisa Fjalori i gjuhës shqipe, Tiranë, 2020, nuk e përmban; pra,
le t'ia bashkojmë fjalës "urtar-i", plak që merret si gjyqtar, për të
zgjidhur një çështje, për të pleqnuar.
5. Gjon Marku, Vij e hyj
brenda teje, Tregime, EMAL, Tiranë, 2023, f. 10.
6. Po ai, po aty, f. 16.
7. Po ai, po aty, f. 21–25.
8. Po ai, po aty, f. 24–25.
9. Po ai, po aty, f. 28–42.
10.Dritëro Agolli, Fjala
gdhend gurin, Vjersha e poema, Tiranë, 1977, f. 93–97.
11. Gjon Marku, Vij e hyj
brenda teje, Tregime, EMAL, Tiranë, 2023, f. 28–42.
12. Gjon Marku, Vij e hyj
brenda teje, Tregime, EMAL, Tiranë, 2023, f. 42.
13. Po ai, po aty, f. 44–56.
14. Shih vëllimin me të njëjtin
titull, Tiranë, 2011, f. 11.









