Editorial » Latifi
Blerim Latifi: Kujtesa e mrekullisë dhe betejat e sotme
E marte, 24.03.2026, 06:59 PM
Prof. Blerim Latifi:
Përgjatë historisë, popujt e shtypur nga tiranë mizorë, kur
nuk kishin më shpresë ta ndryshonin vetë fatin e tyre, hidhnin sytë nga qielli.
Ëndërronin që prej andej t’u vinin shpëtimtarët. I përfytyronin në formën e
engjëjve të armatosur me zjarrin e drejtësisë hyjnore. Dhe kjo pritje, me
kalimin e kohës, merrte formën e feve.
Në marsin e vitit 1999, kjo pritje eskatologjike në Kosovë
mori trajtë njerëzore. Mbi qiellin e Kosovës u shfaqën shpëtimtarët. Ata nuk
ishin në formën e engjëjve të imagjinatës së lashtë fetare, por misionin e
kishin të njëjtë: të ndalnin një dramë gjenocidi që po luhej poshtë në tokë.
Dhe mrekullia ndodhi.
Sot, kujtesa e kësaj mrekullie dhe mirëmbajtja e rrjedhojave
të saj ende është përcaktuese për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dhe kjo
mirëmbajtje mbetet një betejë e përditshme. Një betejë kundër propagandës së
Serbisë dhe kundër subversioneve të saj në Kosovë, të cilat, përmes talibanëve
shqipfolës dhe sherr-budallëve të lleftizmit ekstrem, përpiqen ta kthejnë këtë
popull kundër shpëtimtarëve të tij.

_____________
Janë të shumta rastet në histori kur një diktaturë shembet
duke ndjekur skemën klasike: brenda vendit shpërthen një kryengritje, regjimi
përgjigjet me brutalitet, pastaj vjen përkrahja nga jashtë dhe regjimi bie.
Kjo skemë ishte përmbushur krejtësisht në rastin e Kosoves.
Strategët amerikanë, me gjasë, janë bazuar mbi këtë skemë
edhe në rastin e Iranit. Revoltat e janarit në Iran ishin aq të forta sa gati
morën trajtën e një kryengritjeje kundër regjimit, dhe sulmi amerikano-izraelit
mbi Iranin, me fokus fillestar eliminimin e elitës ushtarako-religjioze të
regjimit, synonte t’i krijonte hapësirë një kryengritjeje nga brenda.
Ditët pasuese nuk e përmbushën këtë skenar. Pse?
Një nga arsyet lidhet, sigurisht, me faktin se masakra mbi
protestuesit gjatë janarit ishte aq e madhe, saqë masa kritike e gatshme për
t’u hedhur në kryengritje mund të jetë neutralizuar.
Arsyeja tjetër është mungesa e një opozite të organizuar
brenda vendit, e cila do të mund të mobilizonte dhe bashkonte pakënaqësinë e
shpërndarë ndaj regjimit.
Thirrjet e Pahlavit, nga komoditeti i vilës së tij në SHBA,
për t’u ngritur kundër regjimit të ajatollahëve mund të kenë pasur kundërefekt.
Ai linte përshtypjen se po synonte që të tjerët të kryenin punën, ndërsa ai më
pas të kthehej në Iran për të marrë pushtetin. Me pak fjalë: një frikacak që
nuk pati guxim të bëjë punën e tij për të cilën ka 47 vite që llafos.
Kështu, gjërat tani po marrin një rrjedhë tjetër: negociata
për t’i dhënë fund luftës.
Kompleksi ushtarako-industrial i Iranit është pothuajse
krejt nën rrënoja dhe do të duhen disa dekada për t’u ringritur. Sigurisht,
amerikanët nuk kanë asnjë interes për një invadim tokësor dhe po lëvizin drejt
dhënies fund të sulmeve. Në fund, populli iranian do të kuptojë se humbi
shansin më të mirë historik për të hequr qafesh teokracinë totalitare dhe për ta
rilindur Iranin modern e demokratik, i cili u shkatërrua në vitin 1979.
Në fund të fundit një gjë është e qartë: askush nuk mund të
të bëj të lirë me zor.









