Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Blerim Latifi: Kujtesa e mrekullisë dhe betejat e sotme

| E marte, 24.03.2026, 06:59 PM |


Prof. Blerim Latifi:

Përgjatë historisë, popujt e shtypur nga tiranë mizorë, kur nuk kishin më shpresë ta ndryshonin vetë fatin e tyre, hidhnin sytë nga qielli. Ëndërronin që prej andej t’u vinin shpëtimtarët. I përfytyronin në formën e engjëjve të armatosur me zjarrin e drejtësisë hyjnore. Dhe kjo pritje, me kalimin e kohës, merrte formën e feve.

Në marsin e vitit 1999, kjo pritje eskatologjike në Kosovë mori trajtë njerëzore. Mbi qiellin e Kosovës u shfaqën shpëtimtarët. Ata nuk ishin në formën e engjëjve të imagjinatës së lashtë fetare, por misionin e kishin të njëjtë: të ndalnin një dramë gjenocidi që po luhej poshtë në tokë.

Dhe mrekullia ndodhi.

Sot, kujtesa e kësaj mrekullie dhe mirëmbajtja e rrjedhojave të saj ende është përcaktuese për ekzistencën e shtetit të Kosovës. Dhe kjo mirëmbajtje mbetet një betejë e përditshme. Një betejë kundër propagandës së Serbisë dhe kundër subversioneve të saj në Kosovë, të cilat, përmes talibanëve shqipfolës dhe sherr-budallëve të lleftizmit ekstrem, përpiqen ta kthejnë këtë popull kundër shpëtimtarëve të tij.

_____________

Janë të shumta rastet në histori kur një diktaturë shembet duke ndjekur skemën klasike: brenda vendit shpërthen një kryengritje, regjimi përgjigjet me brutalitet, pastaj vjen përkrahja nga jashtë dhe regjimi bie.

Kjo skemë ishte përmbushur krejtësisht në rastin e Kosoves.

Strategët amerikanë, me gjasë, janë bazuar mbi këtë skemë edhe në rastin e Iranit. Revoltat e janarit në Iran ishin aq të forta sa gati morën trajtën e një kryengritjeje kundër regjimit, dhe sulmi amerikano-izraelit mbi Iranin, me fokus fillestar eliminimin e elitës ushtarako-religjioze të regjimit, synonte t’i krijonte hapësirë një kryengritjeje nga brenda.

Ditët pasuese nuk e përmbushën këtë skenar. Pse?

Një nga arsyet lidhet, sigurisht, me faktin se masakra mbi protestuesit gjatë janarit ishte aq e madhe, saqë masa kritike e gatshme për t’u hedhur në kryengritje mund të jetë neutralizuar.

Arsyeja tjetër është mungesa e një opozite të organizuar brenda vendit, e cila do të mund të mobilizonte dhe bashkonte pakënaqësinë e shpërndarë ndaj regjimit.

Thirrjet e Pahlavit, nga komoditeti i vilës së tij në SHBA, për t’u ngritur kundër regjimit të ajatollahëve mund të kenë pasur kundërefekt. Ai linte përshtypjen se po synonte që të tjerët të kryenin punën, ndërsa ai më pas të kthehej në Iran për të marrë pushtetin. Me pak fjalë: një frikacak që nuk pati guxim të bëjë punën e tij për të cilën ka 47 vite që llafos.

Kështu, gjërat tani po marrin një rrjedhë tjetër: negociata për t’i dhënë fund luftës.

Kompleksi ushtarako-industrial i Iranit është pothuajse krejt nën rrënoja dhe do të duhen disa dekada për t’u ringritur. Sigurisht, amerikanët nuk kanë asnjë interes për një invadim tokësor dhe po lëvizin drejt dhënies fund të sulmeve. Në fund, populli iranian do të kuptojë se humbi shansin më të mirë historik për të hequr qafesh teokracinë totalitare dhe për ta rilindur Iranin modern e demokratik, i cili u shkatërrua në vitin 1979.

Në fund të fundit një gjë është e qartë: askush nuk mund të të bëj të lirë me zor.