E shtune, 05.10.2024, 02:10 AM (GMT+1)

Mendime

Adnan Abrashi: Bumerangu negativ i një kompromisi të hidhur politik!

E premte, 27.02.2009, 11:50 PM


BUMERANGU NEGATIV I NJË KOMPROMISI TË HIDHUR POLITIK!

Nga Adnan Abrashi

Sikurse gjer më tashti, në analizat e mija edhe më tej do të tentoj ta ruaj atë shprehi të mirëfilltë konkretizuese përmes shembujve metaforik dhe sarkazmatik të visarit burimor  të të urtëve tanë popullor. Si një gurë e gjallë dhe e pashtershme për mua me këso shembujsh alegorik, është plaku mixha Dil, i cili, përveç se në popull njihet si njeri i urtë dhe i ndershëm, në vete si karakteristikë disponon mënyrën e interpretimit sarkazmatik të realiteteve tona aktuale shoqërore – politike. Më kujtohet mirë, kur në vazhdën e mbajtjes së bisedimeve për statusi përfundimtar të Kosovës me Serbinë (para se t’na vije Pakoja e famshme e Ahtisarit), e kisha kërkuar mendimin e urtë të këtij plaku për këto negociata. Mixha Dil atëbotë, sikur thuhet, pa asnjë qime në gjuhë, dhe në stilin e tij të mirënjohur thumbues, mu ishte përgjigjur kështu: “Eh, mora jaran i jem! Sikur t’i kishe qitë edhe “bolet” (testiset) e tuaja për tu pleqërua në çfarëdo bisedime, janë gjasat e sigurta që në fund patjetër ta humbasësh njërën pre tyre!” 
T’i kthehem temës dhe aty ku përmes kësaj mesele si shembull edhe dua të dalë!
Para një kohe, pikërisht në këtë faqe te respektuar të internetit, e kisha të botuar një artikull me titull: “Ja nisi, ja nisi...na qoftë për hair!? Në atë artikull, trajtoja një praktikë ekzekutuese të hidhur dhe të dhembshëm të zbatimit të një ligji tek ne, i cili, në tërë territorin e Kosovës, në emër të mbrojtjes speciale të tempujve fetare ortodokse serbe, legjitimon 44 këso zona mbrojtëse dhe përcakton kushte të veçanta të sigurimit fizik të tyre. Në atë ligj nuk parashihej vetëm konditat, sikurse,  për lejimin e çfarëdo ndërtimi në një diametër 50-100 metra përreth këtyre ndërtesave fetare serbe, drejtoritë komunale për urbanizëm, patjetër duhet të kërkojnë leje nga Zyra e Kishës Ortodokse Serbe, por flitej se para hyrjes dhe përreth tyre, do të instalohen edhe postblloqe të përhershme kontrolluese policore. Këto pika kontrolluese, fillimisht do të jenë vetëm statike, ndërsa më vonë do të kenë të drejtë të bëjnë edhe ndalimin dhe verifikimin e personave të dyshimtë që do të kalojnë atypari.
Si duket, ky projekt për provë, heshtazi dhe pa ndonjë bujë të madhe në opinion, ka filluar të zbatohet në Prizren. Merrni me mëndë!? Ky qytet i lashtë i traditës dhe kulturës historike edhe gjithëkombëtare që ka për shqiptarët, sipas këtij Ligji të zonave të veçanta të mbrojtura, do të jetë një hapësirë e sakatosur eksteritorialiti, e cila, praktikisht në strukturën e vet për Prizreni, përfshinë 7 tempuj ortodoks fetar serb. Tanimë dihet se njëra pre këtyre të shtatëve graviton në zemër të qytetit që njihet si “Sheshi Shatërvan”.
Edhe më parë para hyrjeve në këto kisha, mund të shiheshin roje të kompanive të ndryshme private të sigurimit, ndërsa, disa ditë të fundit, këto roje i kanë zëvendësuar automjet zyrtare të Policisë së Kosovës. Për këta polic të shtuar para kishave ortodokse serbe, ne prizrenasit në fillim menduam se mos është fjala për përcjellje të zakonshme protokollare policore të ndonjë delegacioni të huaj aty, por shpejt u vërtetuam se nuk ishte ashtu. Pas një verifikim zyrtar tek kompetentët policor, edhe unë u binda se, tani e tutje, mu sipas këtij Ligji në aplikim për zona të veçanta të mbrojtura, sigurimin fizik të tyre në 3 turne, do ta bëj Policia e Kosovës.
Sipas fjalëve të zëdhënësit të Policisë Regjionale të Prizrenit, ky është një urdhër nga lartë dhe për këtë qëllim është formuar një tog i veçantë pre 38-40 policësh, që kanë si detyrë të merren vetëm me këtë punë.
Thënë shkurt e shqip, në Policinë Regjionale të Prizrenit, si “roje të kotësisë”, ka filluar së vepruari një njësit special prej 40  policëve, të cilët pa ndërprerë në 3 turne, do t’i ruajnë me vigjilencë muret e tempujve të zbrazët mesjetarë serb, praktikisht në të cilat nuk shërben askush dhe as që shkon ndonjë besimtarë për lutje. E, nga kush do t’i rruajnë këto ndërtesa hyjnore këta “rojet e kotësisë”?! Nga shqiptarët mbase, sepse nuk ka nga kush tjetër!
Me këtë rast, unë nuk do të merrem me llogaritjen e nivelit të kostos së këtij projekti, dhe shifrave financiare që do të shpenzohen nga buxheti i Kosovës për këtë dedikim, por, tani e tutje, ne qytetarët e Prizrenit, edhe më fuqishëm do ta kemi atë frikë të vonuar, për të cilën nëpër tubimet e tyre, kaherë na kanë paralajmëruar aktivistët e lëvizjes “VETËVENDOSJE”:
1.  Mos vallë, përveç lejeve speciale që duhet të kërkojmë nga Zyra e Kishës Ortodokse Serbe për çfarëdo renovimi të objekteve tona që shtrihen në një diametër prej 50-100 metra, tani e tutje nuk do të kemi as lirinë e plotë të lëvizjes?! Ta zëmë, a ka mundësi të na ndaloj dhe legjitimoj si të dyshimtë dikush nga këto “rojet e kota”, nëse vërejnë se ndoshta atë ditë jemi të veshur disi ndryshe, apo nuk kemi mimikë disponuese të fytyrës?!
2. Pastaj, a do të ketë dhe sa postblloqe policore edhe në kilometrin e 5-të të rrugës:  Prizren-Prevallë-Brezovicë, ku aty si zonë e shpallur mbrojtëse është tempulli ortodoks serb i quajtur “Manastiri i Kryeengjujve”, me 100 - 200 hektarë të veta përreth, e cila konsiderohet si pjesë më piktoreske dhe më atraktive e qytetit tonë, në të cilën, gjatë ditëve të ngrohta vere, për shëtitje apo piknik familjar, atypari më së shumti frekuentojnë banorët prizrenas?!
3 A thua, gjoja të rritjes së sigurisë përreth këtyre objekteve të kultit fetar ortodoks serbe, me këtë ligj parashihet që ne emër të ndonjë dyshimi të bazuar, këta  “roje të kotësisë”, do të kenë kompetenca të kontrollohet çdo automjet që kalon në atë afërsi?!
4. A thua, kur ta zëmë, atypari do të zihet duke u puthur dhe përkëdhelur ndonjë qift i rastit, mos vallë ka mundësi që këta të rinë epshin e padjallëzuar të dashurisë së tyre ta paguajnë me ndalesë dhe marrje në pyetje, apo, me gjasa të përfundojnë edhe në burg, nën akuzën për provokim të qëllimshëm amoral ndëretnik?!
A thua, dhe athua ...ka këso athua shumë...!
Në veri të Kosovës, Serbia sundon përmes favorit të krijuar me dhunë  të shumicës serbe si popullatë dominuese(me përjashtimin e shqiptarëve), nga njëra anë, dhe lidhshmërisë gjeografike të kësaj hapësire që është në fqinjësi me territorin shtetëror të saj.  Ndërsa, në pjesët tjera të brendisë së Kosovës, fal eksterritorialitetit të fituar në bisedime e fundit, të ngjizura në Pakon e Ahtisarit, ajo politikisht po dominon edhe në këto pjesë të brendësisë. Përveç asaj faktike në veri, me këtë akt politik, Serbia edhe “de jure” ka pushtet të garantuar të kontrollit territorial të disa hapësirave të caktuara në Kosovë, për të cilën zyrtarisht, jemi patuar edhe ne vetë!?
Për fund si përmbyllje të këtij komenti,  me një plotësim të urtësisë së tij thumbuese, do t’i drejtohesha atij plaku popullor, në mënyrë të njëjtë si në stilin e tij metaforik:
- Nuk ish bash ashtu sikur the më sipër, mixha Dil, sepse “ Ndonjëherë me bo me i qitë në pleqërim edhe “bolet” (testiset) vetjake, nuk kishte gjasa që aty të humbasësh vetëm njërën, por në disa raste edhe më shumë...!?”

P. S. Autori i këtij artikull,  pranon se  as që e ka parë me sy këtë Ligj mbi zona të veçanta të mbrojtura, e lere më ta kishte lexuar atë, andaj,  aspak nuk e konsideron si ndonjë hendikep informativ këtë mangësi intelektuale, sepse, para votimit qorrazi të mu këtij ligji, të njëjtin nuk e kishin parë me sy as deputetët tanë. 



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora