Mendime
Desada Metaj: Në vend të një “revanshi’ për Fehmi Abdiun
E enjte, 26.02.2009, 07:59 PM
Në vend të një “revanshi’ për Fehmi Abdiun
Nga Desada Metaj
Po të drejtohem personalisht në mënyrë publike, jo për t’iu bashkuar ndonjë fushate propagandistike apo politike, por për të kujtuar se në një betejë të tillë, ku dështojnë palët që nuk kanë qenë palë vite më parë, të humburit e mëdhenj ndjehemi ne, që kemi qenë realisht viktimat e atij sistemi.
Unë nuk po të shkruaj si gazetare, as si pjesë e stafit të TV “Klan”, por si mbesa e Selim Metës, vëllait të gjyshit tim, që vdiq në burgun e Ballshit në dhjetorin e vitit 1981.
Gjyshi im u pushkatua në vitin 1945 dhe vëllai i mbetur dhe i vetëm i tij, Selimi, e shtyu jetën në burgje e internime duke lënë rrugëve 7 fëmijët e tij. Nuk dua të merrem as me skenën e ridënimit të tij dhe as me fatin e paracaktuar prej regjimit për të. Por sot, kur debati rreth dënimit të krimeve të komunizmit po kthehet në ushqim dite për politikën, ne të persekutuarit kemi nevojë të shikojmë shembuj pendese dhe distance nga këto krime së paku nga autorët e shquar të tyre. Ju, zoti Abdiu, jeni “një shembull i mirë negativ” për të qetësuar mijëra shpirtra. Jeni një shembull i mirë negativ, jo se jeni më krimineli i gjithë gjykatëse të komunizmit, por jeni më i shquari i atyre që janë ende sot në detyrë. Po të ishte gjallë Bilbil Klosi, që më ka pushkatuar gjyshin, apo po të ishte në detyrë Arianit Çela, ti natyrisht do mbeteshe në hije. Por vonesa jonë e madhe për të dënuar krimet e komunizmit i dha kohë dhe shans shumicës së asaj skote të vdesë e qetë dhe pa brerje ndërgjegjeje. Nuk di në është fat apo fatkeqësi fundi i jetës së tyre, por di të them që ti mund të quhesh me fat që ke shans të dëshmosh pendesë dhe distancë nga krimet e një regjimi që i ke shërbyer. Mund të ishe dhe pak më i vjetër dhe nuk do ta kishe këtë shans. Do kishe ikur në heshtje si paraardhësit e tu. Shansin e ke që askush nuk po të drejton pistoletën te koka. Askush nga ne, nipërit dhe mbesat e atyre që kanë vdekur dhe janë persekutuar në burgje, nuk po kërkon shpagim fizik ndaj teje dhe shokëve të tu. Përkundër kësaj kemi dëshmuar tolerancë dhe përgjegjshmëri ndaj së shkuarës suaj.
Unë nuk pres që ligji i pezulluar prej jush të bënte ndonjë mrekulli. Nuk kam pritur as më parë, kur ju u rikthyet në pushtet në vitin 1997 të kishit ndonjë ndjenjë pendese. Por tashmë që beteja për një ligj për lustrim është bërë tërësisht politike dhe spekulative, ju keni shansin të ngriheni mbi palët dhe të dëshmoni se keni ndërgjegje. Unë nuk jam shumë e interesuar, nëse te ti apo ndonjë kolegu yt do të vijë ndonjë dosje që shqetëson qeverinë, që shqetëson kryeministrin apo ndonjë ministër të tij, qoftë ky dhe Lulzim Basha. Unë jam e shqetësuar që një nga orët e tua të zakonshme të punës si gjyqtar komunist ka shërbyer për të lënë në burg një njeri fatkeq, të moshuar, vetëm pse ishte vëllai i gjyshit tim, po ashtu i pushkatuar më 1945. Unë nuk e di ç’të duhen ty dhe tre muaj më shumë apo më pak punë apo rrogë në Gjykatën Kushtetuese. Di që ti, sapo u hap ky debat, duhet të merrje vetë iniciativën për t’u larguar. Jo për t’i bërë qejfin Berishës apo për të lënë keq Edi Ramën, por për të shmangur dhe këtë spekulim të madh me shashkat e luftës kundër komunizmit. Ti, dhe kur them Ti, kam parasysh gjithë “shokët” e tu që kanë dhënë vendime të tilla dhe janë ende në poste mund të bënit një gjest distancimi tashmë në fund dhe pastaj do të kishim një shans për të provuar sa realisht e kanë të tjerët luftën kundër komunizmit. Por ti e humbe këtë shans. Shokët e tu po ashtu e humbën këtë shans. Shqipëria po ashtu po e humbet shansin të ndahet nga e kaluara e saj me dinjitet dhe të sillet me të shkuarën e saj si një vend i emancipuar. Një nga arsyet është dhe vendimi yt për të dalë në pension gjykatës, edhe pse këtë profesion, jo vetëm për fajin tënd, e ke përdhosur gjatë një regjimi që ishte fatkeqësi e të gjithëve.
Unë të kërkoj ta bësh gjestin e largimit si qytetare e re e Shqipërisë, por dhe si mbesa e gjyshit që nuk e kam njohur, pushkatuar në vitin 1945 dhe si vajza e një babai, xhaxhai i të cilit është lënë në burg në pleqëri prej teje dhe ka gjetur vdekjen në qeli duke lënë fëmijët dhe fisin e tij në mjerim. Nuk dua t’i bashkohem në këtë thirrje as fushatës së atyre që flasin për shtet ligjor dhe kanë parasysh mbrojtjen ligjore për tipa si ty, as për ata që flasin për spastrim të sistemit nga njerëz si ju, por falin të tjerë politikanë dhe ish-komunistë fanatikë.
Unë do të isha e qetë mos të kisha punë me të kaluarën, por kur mendoj se aq vite sa unë jam sot, viktima jote, që është vëllai i gjyshit tim, i ka kaluar në burg, trishtohem thellë dhe kërkoj pak, fare pak: Të na lini të qetë, së paku duke mos ju pasur më në zyra gjykatash, në zyra partish dhe në zyra pushteti. Ka plot punë të tjera, me të cilat mund të jetoni dhe të mbani familjet tuaja. Askush nuk ju uron fatin e tim gjyshi dhe vëllait të tij, por as ju s’keni pse na mbani me zor të lidhur me kujtimet e hidhura të tyre.
Pa shumë respekt për ju dhe sërën tuaj
Desada Metaj
Gazetare