Editorial » Zejneli
Xhelal Zejneli: Noli – Ky Vigan Liberator
E shtune, 14.03.2026, 06:59 PM
PËRVJETORI I VAJTJES NË PAVDEKËSI TË APOSTULLIT TË SHQIPTARIZMIT
NOLI
– KY VIGAN LIBERATOR
Nga
Prof. Xhelal Zejneli
Noli ishte poet, dramaturg, klerik ortodoks, politikan,
diplomat, njeri i letrave, përkthyes dhe shqipërues i krijimeve letrare të
autorëve të huaj, muzikant. Njohës i nëntë gjuhëve të huaja, d.m.th. poliglot.
Theofan Stilian Noli (Lindi
në ?briktepe, Vilajeti i Edrenesë, Turqi, në 6 janar 1882 – Vdiq në Fort
Lauderdejl, Florida, ShBA, në 13 mars 1965). U shkollua në Harvard, Boston
University, New England, Conservatory of Music.
* * *
Fan Noli (1882-1965) ose Theofan Stilian Noli, ishte
udhëheqës i spikatur i bashkësisë shqiptaro-amerikane dhe figurë e shquar
poliedrike e letërsisë, e kulturës, e jetës fetare dhe e politikës shqiptare.
Lindi në fshatin Qytezë (Ibrik Tepe), në jug të Edrenesë, në Turqinë evropiane,
më 6 janar 1882. I ati, Stilian Noli, ishte një fetar i shquar dhe psalt në
korin e kishës. Noli ndoqi shkollën e mesme greke në Edrene. Në vitin 1900 u
vendos në Athinë, ku mundi të gjejë punë si kopist, sufler apo aktor. Me një
shoqëri teatrore të atjeshme vajti në Egjipt. Në vitet 1903-1905 punoi si mësues
i greqishtes dhe psalt i korit kishtar në Shibin el Khom, ndërsa në vitet
1905-1906 punoi si mësues në El Faiyum, ku ishte ngulur një koloni e vogël
shqiptare. Këtu shkroi një numër artikujsh greqisht dhe e përktheu në greqisht
veprën e Samiut Shqipëria – Ç’ka qënë, ç’është
e ç’do të bëhetë?, të cilat u botuan në shtypshkronjën shqipe në Sofje. Në
Egjipt u lidh me udhëheqës të bashkësisë shqiptare si Spiro Dine (1846?/1844-1922), Jani Vruho (1863-1931) dhe
Athanas
Tashko (1863-1915).
Në prill të vitit 1906, me një biletë avulloreje u nis për
në ShBA, duke kaluar nga Napoli dhe më 10 maj mbërriti në Nju-Jork. Pas tre
muajsh qëndrimi në Bufallo, vajti në Boston. Këtu, botuesi Sotir Peci (1873-1932) e angazhoi si zëvendësredaktor
në gazetën Kombi të Bostonit, ku
punoi deri në maj 1907 e ku botoi artikuj me pseudonimin Ali Baba Qyteza. Këtu
i lidh me bashkësinë shqiptare dhe më 6 janar 1907 themeloi në Boston shoqërinë
Besa-Besën.
Në këtë kohë, shqiptarëve të Amerikës u humbte durimi nga
ndikimi grek mbi kishën. Më 1907 Noli thirri një mbledhje të shqiptarëve nga
mbarë New-England. Këtu delegatët morën vendim të themelonin Kishën
Ortodokse Autoqefale Shqiptare, pra autonome, me Nolin si të parë. Më 9
shkurt 1908, Noli u bë dhjak në Bruklin, kurse më 8 mars 1908 u shugurua prift
ortodoks. Më 22 mars 1908, në sallën Knights
of Honor të Bostonit, Noli 26-vjeçar, për herë të parë, mbajti kryelartë liturgji
në gjuhën shqipe. Ky akt përbënte hapin e parë drejt organizimit dhe
njohjes zyrtare të Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare.
Nga shkurti 1909 deri në korrik 1911 Noli botoi gazetën Dielli,
tribunë e bashkësisë shqiptare të Bostonit. Më 10 gusht 1911 u nis për në Evropë,
me ç’rast vizitoi kolonitë shqiptare në Kishinjev (kryeqyteti i Moldavisë), në Odesë,
në Bukuresht dhe në Sofje. Me t’u kthyer në ShBA, më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën (1875-1942), i cili
kishte ardhur në ShBA më 1909 - themeluan Federatën
Panshqiptare Vatra, e cila u bë organizata më e rëndësishme e shqiptarëve në
Amerikë. Tani Noli ishte bërë i njohur si një prej udhëheqësve të bashkësisë
shqiptare në ShBA, por edhe si shkrimtar dhe botues i afirmuar i lëvizjes
kombëtare. Pasi kishte mbaruar Universitetin e Harvardit, më
1913 u kthye në Evropë. Në mars të vitit 1913 ndoqi Kongresin Shqiptar të Triestes,
të organizuar nga Faik Konica.
Në korrik të vitit 1913 Noli vizitoi për herë të parë
Shqipërinë dhe këtu, më 10 mars 1914, në prani të princit gjerman të një
familjeje protestante Vilhelm Vid (1876-1945) kreu të parën shërbesë kishtare ortodokse
në gjuhën shqipe. Në gusht 1914 Noli vajti në Vjenë për t’u kthyer në
ShBA në maj 1915. Nga 21 dhjetori 1915 e deri më 6 korrik 1916 ai qe përsëri
kryeredaktor i “Diellit” të Bostonit, tani gazetë e përditshme. Në korrik 1917
Noli u bë përsëri kryetar i Federatës
Vatra e cila, përballë gjendjes së rrëmujshme në Shqipëri, zuri ta shohë
veten si njëfarë qeverie shqiptare në mërgim. Në shtator 1918 themeloi të
përmuajshmen në gjuhën angleze The
Adriatic Review, e cila u financua nga Vatra, për të përhapur informacion për
Shqipërinë dhe për të propaganduar çështjen e saj. Këtë organ Noli e redaktoi në
gjashtë muajt e parë, për ta vazhduar drejtimin e tij Kostandin Çekrezi (1892-1959). Për të propaganduar për
njohjen ndërkombëtare të pavarësisë së Shqipërisë, me fondet e Vatrës
të mbledhura nën drejtimin e Nolit, delegatët shqiptaro-amerikanë u
dërguan në Paris, në Londër dhe në Uashington. Më 24 mars 1918, Noli u emërua
administrator i Kishës Ortodokse Shqiptare në ShBA, kurse në korrik të atij
viti, ndoqi në Mount Vernon, Virginia, një konferencë të popujve të shtypur, ku
u takua me presidentin amerikan Vudro
Uilson (Woodrow Wilson, 1856-1924), mbrojtës i të drejtave të pakicave në Evropë. Më 27 korrik 1919
Noli u emërua peshkop i Kishës Ortodokse Shqiptare në Amerikë. Më 1920, tanimë
i afirmuar si udhëheqës politik dhe fetar i bashkësisë shqiptare, si shkrimtar,
orator dhe analist politik, Noli u zgjodh kryetar i delegacionit shqiptar në Lidhjen
e Kombeve në Gjenevë. Më 17 dhjetor 1920 Shqipëria u pranua anëtare e
kësaj organizate. Kjo ishte një arritje politike e jashtëzakonshme e Nolit. Gazeta
The Manchester Guardian, në një
koment të saj të datës 23 korrik 1924, e cilësonte Nolin si “një
burrë që në çdo vend do të ishte i shquar. Diplomat i përkryer, specialist i
politikës ndërkombëtare, polemist i zoti, që në fillim ai la mbresa të thella në
Gjenevë. Ai i rrëzoi të gjithë kundërshtarët e tij ballkanas me një mënyrë
mjeshtërore, por gjithmonë me buzë në gaz. Njeri me kulturë të gjerë, që ka
lexuar çdo gjë që ia vlen të lexohet në anglisht dhe në frëngjisht”.
Nga Gjeneva u kthye në Shqipëri dhe nga viti 1921 deri më 1922 përfaqësoi Federatën
Vatra në parlamentin e Shqipërisë. Më 1922 u emërua ministër i jashtëm
në qeverinë e Xhafer Ypit (1880-1940), por pas ca muajve dha
dorëheqje. Më 21 nëntor 1923, Noli u shugurua peshkop i Korçës dhe mitropolit i
Durrësit. Tani ai qe edhe kreu i Kishës Ortodokse në Shqipëri, edhe udhëheqës i
një partie
politike liberale, opozitë kryesore kundër forcave të Ahmet Zogut (1895-1961), të
cilat mbështeteshin nga çifligarët feudalë dhe nga klasa e mesme. Më 22 prill
1924 u vra deputeti Avni Rustemi (1895-1924). Në varrimin e tij, Noli mbajti një ligjëratë
të zjarrtë që e ndezi opozitën liberale. Kjo periudhë e Shqipërisë është
quajtur Revolucion i Qershorit.
Më 17 qershor 1924 Noli u shpall kryeministër dhe pas pak
kohe regjent i Shqipërisë. Gjatë gjashtë muajve, ai drejtoi një qeveri demokratike, e cila u mundua të
përballonte problemet politike dhe ato ekonomike të shtetit të ri shqiptar që
ishin tej mase të rënduara. Por programi
i tij me 20 pika për modernizimin dhe demokratizimin e Shqipërisë, përfshirë
reformën agrare, doli se qe tepër i
nxituar për një vend pa tradita parlamentare. Në një letër dërguar një miku
anglez, ai do të shënonte më vonë arsyet e dështimit të tij: “Duke ngulur këmbë për reformat agrare, unë
ndeza zemërimin e aristokracisë çifligare. Duke mos i kryer ato, humba
mbështetjen e masave fshatare”. Me rrëzimin e qeverisë së tij nga forcat e
Zogut në prag të Krishtlindjeve 1924, Noli u largua përgjithmonë nga Shqipëria
dhe kaloi disa muaj në Itali. Më pas Noli kaloi disa vjet në Gjermani dhe në
Austri. Në nëntor 1927 vizitoi Rusinë si delegat ballkanas në Kongresin e
“Miqve të Bashkimit Sovjetik” në kremtimin e 10-vjetorit të Revolucionit të
Tetorit, ndërsa më 1930 u kthye në ShBA. Në Boston themeloi të përjavshmen “Republika”, që vetë me emrin e saj i bënte një
kundërshtim të hapur Ahmet Zogut, i cili më 1 shtator 1928 ishte shpallur Zogu
I, Mbret i Shqiptarëvet. Kjo gazetë u botua edhe si opozitë ndaj “Diellit”,
që tani e drejtonte Faik Konica, i
cili ishte pajtuar me Mbretin Zog dhe ishte bërë ministër fuqiplotë (ambasador)
i Shqipërisë në Uashington. Me përfundimin e afatit të vizës në ShBA, Noli u
kthye në Gjermani, kurse gazetën “Republika” e mori në dorë Anastas Tashko (1901-1994), derisa u mbyll më 1932. Më 1932 Noli ia
doli të kthehej në ShBA, kur iu dha edhe lejeqëndrim i përhershëm. U tërhoq nga
jeta politike dhe rifilloi detyrën në krye të Kishës Ortodokse Autoqefale
Shqiptare. Në dhjetor 1933 Noli u sëmur. Duke qenë se nuk qe në gjendje të
përballonte shpenzimet e mjekimit, u detyrua të pranonte si dhuratë 3.000
franga ari nga Shqipëria, për ironi pikërisht nga kundërshtari i tij i betuar
Ahmet Zogu. Ky gjest solli njëfarë pajtimi midis Nolit dhe Zogut dhe i zbuti
marrëdhëniet shpesh të ndera me Faik Konicën. Më 1935 iu kthye pasionit të tij
të madh, muzikës dhe në moshën 53-vjeçare u regjistrua në Konservatorin e Muzikës të Bostonit, ku
u diplomua më 1938. Më 12 prill 1937, ëndrra e madhe e Nolit për një kishë
kombëtare shqiptare u përmbush kur Patrikana e Stambollit njohu
zyrtarisht Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare. I pakënaqur vetëm me detyrat
ekleziastike, Noli iu kthye studimeve pasuniversitare në Universitetin
e Bostonit, ku më 1945, me një disertacion për Gjergj Kastriotin - Skënderbeun,
mori doktoraturën.
Në vitet e para pas përfundimit të Luftës II Botërore, Noli mbajti marrëdhënie
deri diku të mira me regjimin e ri komunist në Tiranë dhe ushtroi ndikimin e
vet në mënyrë që qeveria amerikane ta njihte. Nami si “peshkop i kuq” i bëri
mjaft armiq ndër qarqet e mërgimtarëve në Amerikë dhe shkaktoi polarizime mes
tyre. Më 1955, Federata Vatra i dhuroi atij një shumë prej 20.000 dollarësh,
me të cilën bleu një shtëpi në Fort Llodërdejll, Florida, ku edhe vdiq më 13
mars 1965 në moshën 83 vjeç.
Shënim: Artur Tashko lindi në Korçë më
10 prill 1901. Emri i tij i vërtetë ishte Anastas, por në art e përdorte emrin Artur Tashko. Më 1962 vendoset në
Bogota të Kolumbisë ku edhe vdiq ne vitin1994, në
moshë 93 vjeçare.
* * *
Politika dhe feja nuk qenë të vetmet fusha ku ai bëri emër.
Ai qe edhe dramaturg, poet, historian, muzikolog dhe sidomos
përkthyes i shkëlqyer me një ndihmesë të konsiderueshme në zhvillimin
e gjuhës letrare shqipe.
Veprimtaria letrare dhe
shkencore – Drama në tre akte “Israilitë dhe Filistinë”, Boston 1907. Është
një tragjedi 48 faqesh e shkruar më
1902, që mbështetet në Librin e Gjyqtarëve 13-16 të Dhiatës së Vjetër, histori
e njohur e Samsonit dhe Dalilës. Kjo është një nga të rrallat pjesë teatrore
shqiptare të kohës, që nuk vlon nga sentimentalizmi.
Noli ndjeu nevojën e teksteve
liturgjike në gjuhën shqipe ndaj i hyri përkthimit të liturgjive dhe të
ritualeve ortodokse që u botuan në dy vëllime: Librë e shërbesave të shënta të
kishës orthodoxe, Boston 1909
dhe Librë
e të kremteve të mëdha të kishës orthodoxe, Boston 1911, me 315 faqe.
Pason studimi historik për jetën dhe epokën e heroit
kombëtar shqiptar Skënderbeut: Historia e
Skënderbeut (Gjergj Kastriotit), mbretit të Shqipërisë 1412-1468, Boston
1921, botuar në shqip, 285 faqe. Varianti anglisht mban titullin George Castrioti Scanderbeg (1405-1468), Nju-Jork
1947 dhe është fryt i disertacionit të
doktoratës në Universitetin e Bostonit më 1945. Vjen studimi tjetër
shkencor mbi figurat e mëdha të së kaluarës - Jezui, Jul Cesari, Skënderbeu dhe Napoleoni. Dashurinë për
muzikën Noli e manifestoi me veprën “Beethoven
and the French revolution” (Bethoveni dhe Revolucioni Frëng) Nju-Jork 1947,
117 faqe.
Noli është edhe poet, ndonëse poezia e tij e
fuqishme deklamative është e paktë. Ajo është përmbledhur në vëllimin me titull
“Albumi”,
Boston 1948. Vëllimi përmban poezi
politike, që pasqyrojnë aspirata dhe frymë kombëtare si dhe ndjenja të zjarrta
sociale e politike të viteve njëzet e tridhjetë. Këtu janë edhe dy elegjitë, si Syrgjyn-Vdekur, poezi prekëse e shkruar në Berlin, kushtuar
shkrimtarit dhe atdhetarit të madh Luigj
Gurakuqit (1879-1925) të vrarë në Bari të Italisë më 2 mars
1925 nga një agjent i Zogut. Elegjia tjetër “Shpell’
e Dragobisë” i kushtohet Bajram
Currit (1862-1925) të vrarë në Dragobi më 29 mars 1925 nga
agjentët e shovinistëve serbë, të prirë nga Ceno Kryeziu (Hysen bej Kryeziu ose Ceno begu; Gjakovë, 1895 –
Pragë, Çeki, 14.10.1927). Në këtë vëllim janë përfshirë edhe poezitë prekëse me
frymëzim biblik, si “Moisiu në mal” dhe “Marshi i Krishtit”.
Ndihmesa kryesore e Nolit për letërsinë shqipe ishte si stilist,
gjë që vihet re në përkthimet që bëri. Ai mund të konsiderohet si njëri
nga stilistët më të mëdhenj në dialektin e jugut, duke rreshtuar
përkrah tij edhe Faik Konicën.
Përvoja e Nolit si aktor dhe orator, njohja me gjuhët e kulturës
botërore, me anglishten, me frëngjishten, me gjermanishten, me greqishten etj.
i dhanë mundësi ta zhvillojë shqipen dhe
ta ngrejë në shkallën e një gjuhe të përpunuar, të rrjedhshme e plot elegancë.
Përkthimet e Nolit - Përktheu katër
tragjedi të dramaturgut dhe poetit anglez Uilliam
Shekspirit (William Shakespeare, 1564-1616):
“Otello”, 1916, “Makbethi”, “Hamleti” dhe “Jul
Qesari”, Bruksel 1926. Përktheu nga anglishtja dy pjesë të dramaturgut
norvegjez Henrik Ipsen (Henrik Ibsen, 1828-1906) “Armiku i popullit” dhe “Zonja Ingra e Ostrotit”, Bruksel 1926.
Pason përkthimi i fuqishëm në shqip i pjesës së parë të “Don Kishotit” të shkrimtarit spanjoll Miguel De Servantes (Miguel de Cervantes Saavedra, 1547-1616) me titullin “Sojliu mendjemprehtë don Kishoti i Mançës”, Boston 1932/1933.
Pjesa e dytë e kësaj vepre u përkthye nga Petro
Zheji* (1929 - 14.03.2015) dhe u botua në Tiranë më 1977, bashkë
me përkthimin e Nolit. Pason romani “Kasollja” (1921) (La tarraca, 1898) i
romancierit spanjoll Visente Blasko
Ibanjez (Vicente Blasco Ibáñez, 1867-1928).
“Rubairat”, Bruksel 1924, Noli i përktheu
nga varianti anglez i poetit dhe shkrimtarit anglez Eduard Ficxherëlld (Edward Fitzgerald, 1809-1883). Përkthimin e “Rubairave” (Rubáiyát) të
poetit të madh persian dhe matematikanit Omar
Khajam (Omar Khayyam, 1048-1131), Noli e botoi me pseudonimin Rushid
Bilbil Gramshi dhe ua kushtoi poetëve persianë Genxhevi Nizami-t (1140-1209 ose 1141-1203) dhe Hafiz Shirazi-t (1326-1390 ose 1325-1389). Ky përkthim është ndër më të
përkryerat e Nolit. Është një kryevepër krijuese, po aq e lartë sa edhe
përkthimi në anglisht i Eduard Ficxherëlldit. Është i vetmi përkthim letrar i
Nolit që nuk është yshtur nga synime didaktike.
Shënim: Petro
Zheji ishte gjuhëtar, përkthyes, filozof dhe krijues. Si
poliglot, njihte italishten, frëngjishten, anglishten, spanjishten,
gjermanishten, rusishten, hebraishten, sanskritishten, greqishten e lashtë dhe
latinishten.
* * *
Duke qenë poliglot, Noli përktheu poezi të autorëve evropianë dhe amerikanë të
shekullit XIX, ndër ta shkrimtarin gjerman Johan
Volfgang fon Gëte (Jojann Wolfgang Goethe, 1749-1832); romancierin dhe poetin skocez, autor romanësh historikë, Sër Uollter Skot (Walter Scott, 1771-1832); poetin
dhe eseistin gjerman me prejardhje hebraike Hajnrih Hajne (Heinrich Heine, 1797-1856); poetin, dramaturgun dhe romancierin francez Viktor Hygo (Victor Marie Hugo, 1802-1885); poetin romantik rus Fjodor Ivanoviç Tjutçev (1803-1873); poetin dhe dramaturgut francez Aleksis-Feliks Arver (Alexis-Félix Arvers,
1806-1850); poetin amerikan, autor i
poemës “Skënderbeu” - Henri Uotsuorth Longfellou (Henry Wadsworth
Longfellow, 1807-1882); tregimtarin
dhe poetin amerikan, pararendës i simbolizmit Edgar Allen Po (Edgar
Allan Poe, 1809-1849); romancierin,
tregimtarin dhe poetin amerikan Herman
Melvil (Herman Melville, 1819-1891); poetin
dhe kritikun francez, autor i “Albatrosit”
Sharl Bodler (Charles
Baudelaire, 1821-1867); poetin dhe eseistin francez, fitues i parë i çmimit “Nobel”
për letërsi Arman Syli Prydom (Sully
Prudhomme, emri i vërtetë René François Armand Prudhomme,
1839-1907) dhe poetin simbolist dhe
eseistin francez Pol Verlen (Paul
Marie Verlaine, 1844-1896).
Noli dhe Konica, këta dy stilistë më të mëdhenj të gjuhës
moderne shqipe, të dy banues jo në Shqipëri por në ShBA, nuk i kanë kushtuar një
energji të madhe krijimtarisë letrare. Për arsye historike dhe politike, kulti
i frymës kombëtare ndër shqiptarët e asaj kohe ka pasur përparësi ndaj kultit të së madhërishmes estetike.
Ndonëse shkroi pak letërsi të mirëfilltë, Noli mbetet gjigant i letërsisë. Ai
dha ndihmesë të madhe që gjuha shqipe të arrinte potencialin e vet të
plotë letrar e krijues. Tanimë ishte krijuar një gjuhë letrare moderne.









