Mendime
Florim Zeqa: Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!
E enjte, 05.03.2026, 06:55 PM
Kosova drejt zgjedhjeve me dilema të mëdha!
Shkruan: Florim
Zeqa
Kjo çfarë po
ndodhë rreth zgjedhjes së Presidentit është e pafalshme për skenën parlamentare
të Kosovës, në veçanti për ata që i kanë fituar zgjedhjet! Mirëpo, kjo nuk i
liron nga përgjegjësia as partitë opozitare pavarësisht numrave në Kuvend.
Ngase secila parti parlamentare e ka për obligim ndërtimin dhe mbarëvajtjen e
institucioneve shtetërore. Të gjitha partitë pa dallim fuqie elektorale duhet
të kontribuojnë njëjtë për interesin e shtetit.
Zgjedhje për
prolongim të marrjes së përgjegjësive shtetërore
Zgjedhja e
presidentit nuk ka ardhur si befasi dhe as surprizë politike, por kjo ka qenë e
ditur që një kohë të gjatë, dhe ka qenë e pritshme se do të vijmë në këtë ditë.
Prandaj, është dashur që të bëhen disa parapërgatitje politike për gjetjen e
një emri konsensual për President të ri të shtetit.
Shkuarja në zgjedhje të jashtëzakonshme si pasojë e mos
zgjedhjes së presidentit është dëm i madh për vendin.
Përveq kostos financiare, vendi do të humbë kohën e artë
të konsolidimit dhe rekuperimit të dëmëve paraprake shkaku i zgjedhjeve të
shpeshta dhe të panevojshme!
Papërgjegjësia e liderëve partiakë, të cilët për inate
personale dhe ego të sëmuara për pushtet po e dërgojnë vendin drejt zgjedhjeve
e jo drejt zgjidhjes nuk guxon të kalojë pa ndëshkim nga elektorati kosovar!
Edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme do të kthehemi
sërish në të njëjtën pikë siq u kthyem pas zgjedhjeve të 9 shkurtit të vitit
2025, përkatësisht pas bllokadës së gjatë 9 mujore të mos krijimit të
institucioneve shtetërore, të cilat kanë mundur të themelohen menjëherë pas
çertifikimit nga KQZ-ja vitin e kaluar!
Andaj, kam dronë se e njëjta gjë do të ndodhë edhe pas
zgjedhjeve të jashtëzakonshme shkaku i mos zgjedhjes së presidentit, ku do të
kemi prolongim dhe stërzgjatje të procesit në formimin e institucioneve të
reja, ndoshta deri në vjeshtën e këtij viti!
Mos zgjedhja e presidentes Osmani edhe për një mandat nuk
është e rastësishme. Edhe pse në dukje të parë, mendohej se ishin në një linjë
me kryeministrin Kurti, ishte e kundërta e saj.
Mes Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit ishte krijuar një
hendek i thellë, ku secili prej tyre zhvillonin aktivitete ndaras në politikën
e jashtme. Politikat e jashtme nuk bëhen ndaras nga institucionet shtetërore,
por bëhen në unitet të plotë mes krerëve shtetëror, që i bie se, në politikën e
jashtme duhet të flitet me një zë të vetëm dhe të prerë, e jo me dy e tre siq
ka ndodhur në qeversjet e deritanishme, në veçanti tek kjo e fundit!
Kosova pa
President në mjegullën e madhe ndërkombëtare
Situata në të
cilën ndodhet Kosova në mjegullën e madhe nga pluhuri i luftërave
ndërkombëtare, gjegjësisht të luftës së gjatë Rusi-Ukrainë dhe fillimit të
luftës së përmasave globale në Lindjen e Mesme, Kosovës nuk ia jepë komoditetin
e shkuarjes në zgjedhje të jashtëzakonshme!
Të gjithë liderët pa dallim, pushtet dhe opozitë duhet
t'i thërrasin mendjes për vetëdijësim, që sa më parë të ulën dhe të merren vesh
mes tyre si vëllezër të një gjaku, për ta gjetur një zgjidhje optimale për të
evituar zgjedhjet dhe jo vetëm.
Ngase, kështu të ndarë, Kosova si shtet në embrion dhe në
përgjithësi si komb i shprishur do ta kemi të vështirë t'iu bëjmë ballë
kërcënimeve dhe rrezikut permanent që na kanoset nga fqinji ynë verior, për
shkak se zhvillimet e gjithmbarshme ndërkombëtare dita-ditës po bëhen më të
paqarta dhe më të pasigurta për të ardhmen tonë si shtet i pavarur dhe sovran.
Mos arritja e
marrëveshjes ndërpartiake për zgjedhjen e presidentit konsensual ka hapur
dilema të mëdha për stabilitetin politik ne vend. Kur kësaj t'i shtohet fakti
se asnjëra nga partitë parlamentare, perfshirë edhe partinë fituese nuk mund ta
siguroj kuorumin e nevojshëm në Kuvend, atëherë zgjedhjet e jashtëzakonshme
mbeten alternativa më e keqe e labirinthit politik kosov(r)ar.









