Mendime
Idriz Zeqiraj: Zgjedhja e presidentit/es me përparësi interesin shtetëror
E enjte, 26.02.2026, 06:57 PM

ZGJEDHJA E PRESIDENTIT/ES ME PARËSI INTERESIN SHTETËROR
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Me
bashkëpunimin Vjosa-Albini, me veprimtarët tjerë, reciprokisht përfituan në
karrierë. Ndërsa Kosova dhe populli i saj përfituan shumë në shtetësi. Ata bënë
ndryshimin e madh dhe cilësor: Largimin nga pushteti i përgjakur të
"komandantëve" profanë , mujsharë dhe zullumqarë. Ata,
falsifikueshëm, u thirrën në akronimin prej tri germave "UÇK", në luftën e pa bërë. Realisht, prej 4 (katër)
të akuzuarve në Hagë, 3 (tre) prej tyre nuk ishin fare pjesë e luftës.
Përkundër, luftën e kishin parë në televizor, nga "Blloku i Zi" i
Tiranës. Nuk ishin as krerët dhe as bishti i UÇK-së.
Këtë
e thonë edhe anëtarët e hershëm të kryesisë të LPK-së dhe themelues të
"UÇK-së të LPK-së", madje me gojë dhe shkrim. Po citoj me emër vetëm
njërin syresh, Prof. Dr. Muhamet Kelmendin, në shkrimin: "Shkatërruesit e
UÇK dhe të LPK", duke akuzuar: "Hashim Thaçin, Azem Sylën, Xhavit
Halitin, Kadri Veselin, me intrigimt e Shqipërisë, Francës, Serbisë dhe të
grupeve greko-serbe".
Gjatë
luftës, me shantazh dhe kërcënim banditesk, dhunshëm e përgjakshëm, grabitën
milionat e Fondeve të Mërgatës. Pas luftës, të instruktuar nga sigurimsat
banditër të Enver Hoxhës, ekzekutuan ushtarakët luftë bërës të FARK-ut të
Ibrahim Rugovës; kuadrot dhe veprimtarët e LDK-së; për ta përvetësuar luftën e
tyre. Ekzekutuan gazetarët e luftës, të cilët denoncuan krimet e
"komandantëve" pa ushtarë. Eliminuan, gjithnjë, prapa shpines,
veprimtarët e hershëm, brenda llojit, pra, të LPK-së, për ta shmangur
konkurrencën e pritshme në Kosovën e lirë.
Me
qeverinë e komponuar nga zyrtarët e lartë social-komunistë të Tiranës, huazuan
metodat regjimit fashist të Enver Hoxhës, për t`i eliminuar fizikisht
kundërshtarët politikë, me gjak e terror, për ta nënshtruar popullin e Kosovës.
Shqiptarët e Kosovës, të cilët ishin përballur me soldateskën serbo-sllave,
"të armatosur deri në dhëmbë", tashmë, në liri, ishin bërë si
"pula të lagura". Sepse ishin të pambrojtur, rrastë të rrezikuar,
ngaqë po ekzekutoheshin në oborrin e tyre, në hyrjen e shtëpisë, të banesës! Në
shtëpitë
e
kulturës, në qytete dhe fshatra, ishte hequr fotografia e Presidentit Rugova,
duke u zëvendësuar me fotografi të "gjeneralëve" të vetëshpallur!
Filluan
zhvatjen e Kosovës, me tenderime abuzive dhe privatizime korruptive të pasurive
të brezave shqiptarë. Dhe, zbatharakët dhe brekëgrisurit e djeshëm, u bënë
multi-milionerë të sotëm. Uzurpuan troje e toka, nëpër qytete, në veçanti, në
kryeqendrën e Kosovës, në Prishtinë, duke ngritur vila e pallate, me paratë
abuzive qeveritare, me haraçin e vjelur përgjakshëm. Pallatet e ndërtuara i
dhanë me qira të majme, madje edhe shtetit, për Institucionet shtetërore, edhe
Ministri! Shantazhi dhe kërcënimi, për zyrtarë që mbronin pronën e shtetit,
kushtonte me jetë. Arkitekti dinjitoz
dhe me integritet, Rexhep Luci, u ekzekutua në mes të Prishtinës dhe askush nuk
dha llogari për krimin makaber!
Siç
e pranojnë eksponentët e OVL të UÇK-së, madje me mburrje, se PAN-i pagoi
milionat, për t`i marrë nga Haga dosjet penalizuese të katërshës. Ato ua sollën
në paketa nga Beogradi, duke ia besuar Zyrës Qendrore të OVL të UÇK-së në
Prishtinë, për t`i publikuar në media dhe shpërndarë në popull. Qëllimi ishte i
dyfishtë: I pari, pengimi i drejtësisë në Hagë, përmes frikësimit të
dëshmitarëve; se dyti, nxitja e gjakderdhjes ndër-shqiptare. Të paktën, qysh në
muajin e parë, janë shënuar dy vrasje, me bazë dosjet e denoncuara.
Urtësia
na mëson: "Një krua (burim) që ka rrjedhur gjithmonë, nëse nuk rrjedhë më,
të paktën, ai do të pikojë". Kjo vlen për fenomenin - presidenten Vjosë
Osmani. Ajo është mbesa e Kolonel Sylejman Vuçiternës, nga Vebovci, i
Vushtërisë, i arratisur në Shqipëri, me not përmes Lumit Buna. Në Elbasan
mbaroi Shkollën Normale, kurse në Torino të Italisë kreu Akademinë Ushtarake.
Ishte emëruar në krye të Komandës së Përgjithshme të Ushtrisë Kombëtare
Shqiptare. Ishte i martuar me vajzën e një familje të njohur, kishte 5 (pesë)
fëmijë, jetonte në Tiranë.
Në
Luftën e Dytë Botërore (LBD), Sylejman Vuçiterna u kthye në Kosovë dhe u priu
luftëtarëve nacionalistë, në mbrojtje të Kosovës dhe të Sanxhakut. Ishte dënua
me vdekje nga Qeveria jugosllave, por iku në Shqipëri, në vjeshtën e vitit
1944. U arestua më 14 nëntor 1944. Më 15 tetot 1948, në "Gjyqin
Special", të bërë në sallën e kinema "Kosova", u dënua me 30 vjet
burg. Në sallën e gjyqit ishte edhe vetë Enver Hoxha! Vuajtjen e dënimit e
bënte në kampin-burg të Vloçishtit, me punë të detyruar në tharjen e
"Kënetës të Maliqit". Nga tmerret e trajtimit në burg, tentoi
vetëvrasjen, duke prerë gishtat e këmbës me bel (hashov, lopatë e mprehtë).
Mjeku i burgut kërkoi dërgimin në spital, për kurim. Komandanti i burgut, Tasi
Marko, nuk e lejoi, por udhëroi varrosjen për së gjalli, në kanalin ku Koloneli
Vuçiterna punonte. Familja e tij u nxor nga shtëpia dhe u internua.
Historinë
e trishtme të Sylejman Vuçiternës e mësova nga shokët e tij, në vitet `80-a, në
Burgun e Burrelit, siç njihet në literaturën botërore, si "Burgu i
Vdekjes". Në vizitën e parë të Vjosë Osmanit, në cilësinë e Presidentes të
Kosovës, rrëfimin për gjyshin e shpalosi në sallën e Parlamentit shqiptar.
Deputetët e Partisë Socialiste (PS), të cilët kurrë nuk kërkuan falje dhe as
nuk u distancuan, për krimet e etërve të tyre, e konsideruan si "provokim
të rëndë dhe keqpërdorim të foltores të Parlamentit shqiptar"!
Megjithatë,
ajo denoncoi krimin e madh të Qeverisë së parë komuniste, të kryesuar nga
filo-sllavi Enver Hoxha, me byroistët e saj kriminelë, përmes vrasjes makarbe
të familjarit të saj, Kolonel Sylejman Vuçiterna.
Shtetarë
e pushtetarë të qeverive paraprake, si dhe argatët e tyre, mercenarë mediatikë,
analistë dhe banalistë rrugaçë, tashmë, të zbuluar si agjentë të shteteve
armike të Kosovës, për ta denigruar figurën e presidentes Vjosë Osmani, kanë
shpikur dhe shpifur, sikur babai i saj, Raif Osmani, përmes një zyre civile
komunale, i ka shërbyer pushtetit monist serb. E vërteta është se Raif Osmani
është nga anëtarët e parë të grupimit të Forcave të Armatosura të Republikës të
Kosovës (FARK), të themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova. Për këtë veprimtari, ai
është arrestuar, burgosur dhe dënuar me grupin e ushtarakëve, nën komandën e
Gjeneral Hajzeraj, në cilësinë e ministrit të parë të Mbrojtjes në Kosovë.
Dy
akuza bazë, që i bëhen presidentes Vjosë Osmanit, janë: "Presidentja ka
aprovuar veprimet e kryeministrit Kurti në verin e Kosovës, respektivisht,
çmontimin e strukturave paralele të Serbisë brenda territorit të Kosovës".
Përgjigja e saj është e qartë: "Për të gjitha veprimet në veri jemi
konsultuar dhe dakoorduar me kryeministrin Albin Kurtin, sepse kanë qenë
veprime të duhura dhe shumë të nevojshme, ngaqë strukturat ilegale serbe kanë
qenë të paligjshme".
Akuza
e dytë, po kaq bajate dhe banale, është se "presidentja Vjosë Osmani e
caktoi datën e zgjedhjeve, pikërisht, kur mërgimtarët do të vinin për Vitin e
Ri dhe dhe do të votonin masivisht për LVV"! Opozita të gjitha vendimet e
Qeverisë Kurti i dërgonte në Gjykatën Kushtetuese dhe vonesat në përgjigje,
burokratike apo edhe objektive, kushtonin në kohë, ditë dhe javë. Opozita e
papërgjegjshme dhe krejt e budallme, "si breshka ke nallbani", e çoi
vendin në zgjedhje! Dhe, pacipërisht e kriminalisht, për këtë e akuzonte
pozitën!
Ishin
dy data të mundshme zgjedhore: 21 apo 28 dhjetor? Udhtimi nga Mërgata, për në
Kosovë, është sa i mundimshëm, aq edhe i kushtueshëm. Bota Perëndimore dhe
botërore, dihet, ajo me zhvillim për punësim të emigracionit, ka rregulla
strikte dhe pushime të afatizuara. Mërgimtarët donin të përfitonin në kohë, në
ditë. Vjosa vjen nga bota akademike dhe është mençurake me taban. Këtë e thonë
edhe pedagogët e saj. Prandaj presidentja plotësoi dëshirat dhe nevojat e
mërgimtarëve, për t`u çmallur me familjarët dhe Kosovën e lirë, të munguar në
vite e dekada, përgjatë mërgimit të tyre dhe jo për interesat të krerëve të
veçantë partiakë.
Tashmë,
presidentja Vjosë Osmanit, në të gjithë veprimtarinë e saj politike, ka
dëshmuar se nuk bënë kompromis me krimin dhe kriminelët. Për vetë faktin se
Vjosa e mbylli mandatin e parë presidencial, pa qenë pjesë e ndonjë subjekti
politik, qoftë edhe simbolikisht, tregon se ka pasur paanëshmëri absolute
partiake, pa u merakosur për mbështetjen e nëvojshme, për mandatin e dytë
presidencial. Ky fakt domethënës, demanton bindshëm, se ajo nuk punoi për ta
siguruar karrieren e saj presidenciale, por i shërbeu me përkushtim
Atdheut-Kosovë, përtëritjen e miqësive, në nivel ndërkombëtar. Ajo, me
inteligjencën dhe maturinë diplomatike, në mendjet dhe zemrat gjithë shqiptare,
po na sjell imazhin e urtakut të papërsëritshëm, Presidentit historik, Dr.
Ibrahim Rugova.
Simpatia
masive e shqiptarëve është provuar me votimin plebishitar, të 14 shkurtit 2021,
me 300 mijë votues për atë, Vjosen. Të gjitha sondazhet të shqiptarëve vendorë
dhe botërorë, regjistrojnë edhe sot 80 % mbështetje për Vjosë Osmanin,
presidente të ardhshme. Kjo përzgjedhje referendumtare, po i tmerron ziliqarët
dhe inatçinjtë infektivë.
Sidoqoftë,
anashkalimi i Vjosë Osmanit, nga çfarëdo kalkulimi të mundshëm i Kurtit, me
partitë e tjera, do të ishte një pabesi dhe humbje morale e Albin Kurtit. Por,
mbi të gjitha, do të kishte kosto të lartë humbëse për Kosovën. Sepse, lidhjet,
tashmë, të krijuara me Qendrat e Vendosjes të politikës ndërkombëtare,
rezultojnë të suksesshme për Kosovën. Dhe, kjo, jo vetëm që nuk është pak,
përkundrazi, është kulmore.
Andaj,
duhet stimuluar dhe mbështetur, presidentja e sotme dhe e nesërme, Vjosë
Osmani, jo nga një parti politike, por nga i gjithë spektri politik, djathtas
dhe majtas. Dhe, këtë ia kemi borxh, parasë gjithash, Kosovës, popullit të saj
të shumëvuajtur, të cilin, disa nga politikanët e kanë përgjakur dhe zhvatur
pamëshirshëm dhe mizorisht.
Ju,
kuvendarë, mos abuzoni me një Kushtetutë, të hartuar nga miq të Serbisë, në
koordinim aprovues me ndoca pushtetarë të Kosovës, rrastë të shantazhuar me
dosje kriminale penalizuese dhe
kushtëzime të rënda. Pavarësia e Kosovës, do të shpallej edhe pa Kushtetutën e
Presidentit Ahtisari. Kësaj radhe lë të vazhdohet me pazaret e pista kuvendore.
Por, kjo Kushtetutë, me halle shumë për Kosovën, duhet ndryshuar, përfshirë
edhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të Presidetit/es nga sovrani, populli. Ashtu
siç duhet ndryshuar edhe rregulloren-ligj, votimin - Kosova me një zonë
zgjedhore -. Sot, deputeti është "elektron i lirë", voton me urdhër
të shefit të tij partiak, nuk i jep llogari askujt dhe, kinse, është përfaqësues i popullit!? Kësaj i thonë:
"Hajde rrenë, hajde"!
Është
provuar se inati është humbës në politikë. Zgjedhjet inatçore, ju, opozitë
hallakamë, përkundër vullnetit të popullit, i provuat dhe e pësuat, rëndshëm
dhe turpshëm, duke i shkaktuar humbje buxhetit të shtetit miliona euro dhe
mijëra ditë dhe orë m‡simi të humbura! Një stërmundim inatçor dhe idiotesk,
"përrallë me tupan"! Përsëri, edhe po të bëhen zgjedhje, sot apo
nesër, opozita aktuale, do të jetë humbëse përsëritëse, pavarësisht përmasës
humbëse apo përmirësuese të rezultatit, në raport me LVV dhe aleatët e saj në
pozitë. Përsëri Kurtin kryeministër do ta keni, sepse diferenca në përqindje
votash, është dhe do të mbetet fatale, tmerruese, madje shpresë-humbur për
fitore të afërme, derisa bashkëjetoni me krimin dhe kriminelët, brenda
subjekteve politike të juaja. Dhe, me këtë kokë të pamend, do të vazhdoni të
mbeteni opozitë e sotme dhe e nesërme.
Pavarësisht
deklarimit, deri në betim të opozitës, se "nuk votojmë dhe as nuk
qëndrojmë në sallën kuvendore, për zgjedhjen e Vjosë Osmanit presidente të
serishme", kujtoni referencën se "politika është art i së
mundshmes" dhe përmbyllni odisejadën zgjedhore në këtë fillim marsi 2026,
duke e zbutur trishtimin tuaj të skajshëm.
I
mençuri anonim ka thënë se "xhelozia brenë dhe shkatërron edhe dashurinë
më hyjnore!" Por, në rastin konkret, kur është fjala për presidenten Vjosë
Osmanin, xhelozia kundërshtare, nuk do të arrijë ta zvetnojë, dashurinë dhe
admirimin e shqiptarëve të kudondodhur. Dhe, ky vlerësim vjen për integritetin,
personalitetin dhe qëndrueshmërinë proverbiale, për të arritur qëllimet
fisnike, gjithherë, për të mirën e Atdheut-Kosovë, të vajzës mitrovicase dhe
nuses preshevare, Vjosë Osmani-Sadriu.









