Mendime
Idriz Zeqiraj: Presidente e Kosovës pas Vjosës, përsëri Vjosa
E diele, 01.03.2026, 06:57 PM

PRESIDENTE
E KOSOVËS PAS VJOSËS, PËRSËRI VJOSA
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Qeveritë
paraprake të Kosovës, dominoheshin nga pushtetarë të zhantazhuar nga Serbia,
përmes Francës dhe Tiranës zyrtare social-komuniste, me dosje penalizuese të
krimeve faktike. Në botën demokratike nuk ndodhë që pushtetarët e shantazhuar
nga armiku, të jenë në drejtim të shtetit apo të pushtetit, sepse armiku do të
bëhej bashkë hisadar. Mjerisht, kjo i ndodhi Kosovës tonë, për dy dekada
radhazi!
Ardhja
e Albin Kurtit në pushtet, me organizatën rebele Lëvizjen Vetëvendosje, e cila
për dy dekada bëri një opozitarizëm të vrazhdët, të dhunshëm, por, gjithsesi,
fort të motivuar dhe tërësisht të
justifikuar, ngaqë Kosova ndodhej në një rrezik real, për ndarjen e saj, nga
bijtë e saj bastardë, tashmë, nën shantazh dhe presion të egër të shteteve
armike. Koordinimi me Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla, me dy veprimtaret e
shquara, gjithherë, në shërbim të Kosovës, të përzëna përdhunshëm nga Isa
Mustafa, me klanin e tij, uzurpues të LDK-së, njëherësh, edhe shkatërrues të
partisë, dikur, zëmadhe në Kosovë dhe Ballkan.
Kryeministri
Kurti, me LVV të tij, aleatët Guxo dhe Alternativa, si dhe presidenten Vjosë
Osmani, u dakordësuan për kthimin e sovranitetin në Veriun e Kosovës, të cilin
qeveritë paraprake, në heshtje, ia kishin dorëzuar Serbisë. Miqtë e Serbisë në
BE, por edhe jashtë saj, ishin hapur në favor të Serbisë. Pse duhej të ishin në
kreun e Dialogut dy përfaqësues të
BE-së, Borell dhe Laiçak, pikërisht, nga dy shtete që ende nuk e njohin shtetin
e Kosovës, njësoj si Serbia?! Rastësi apo e qëllimshme?
Mjafton
të përmendim Draft-statutin e hartuar nga serbja e Kosovës, deputete në
Parlamentin e Serbisë. Ishte një Draft-statut autonomie të plotë të serbëve në
Kosovë, të gatshëm për ndarje të territorit të Kosovës dhe me perspektivë të
shkëputjes dhe bashkimit me Serbinë! Dhe, kërkesën e deputetes bizare të
Vuçiqit, sllovaku Mirosllav Laiçak e konsideron "të mirë dhe pikënisje për
dialogun e mëtejmë Kosovë-Serbi!" E turpshme, deri në gërdi! Me të drejtë,
presidentja Osmani kërkoi dialog me ndërkombëtarët, të prirë nga SHBA dhe jo me
Serbinë, pasi Kosova ka shpallur pavarësinë të njohur ndërkombëtarisht.
Edhe
opozita destruktive u bë palë me Vuçiqin dhe BE-në. Qëllimi ishte thellësisht
kundra-kombëtar, refuzimi i veprimeve në veri, për të larguar institucionet
paralele. Në shënjestër ishte kryeministri Kurti, intrigonin ke amerikanët, për
ta shpallur "non grata"!
Qeveria
tenderoi ndërtimin e dy urave mbi Lumin Ibër, paralele me Urën harkore,
"kufomë" e Evropës. Punohej me tre turne, natën me prozhektorë
ndruçues, nga frika e ndërhyrjes për ndalim të punimeve. Dy anëtare të kryesive
partiake, PDK dhe LDK, si dhe një jurist, u fiksuan nga kamera, në rrugëtim për
në Gjykatën Kushtetuese, për të kërkuar ndalimin e punimeve në urat në fjalë!
Me dhimbje, nuk e doja bashkimin e votës të LDK-së me PDK-në, në këtë marrëzi!
E hidhur, deri në pezëm.
Por,
ndodhi mrekullia, sikur për inat të atyre që zilia e smira, ndoshta, edhe
injoranca politike, nuk arrijnë ta shohin realitetin faktik. Shefi i KFOR-it,
duke u përgjigjur në akuzat e Serbisë, BE-s dhe të opozitës shqipfolëse,
deklaroi se "urat i bashkojnë njerëzit"! Firma ndërtuese e reduktoi
ndërresën e tretë të sforcuar dhe vazhdoi normalitetin.
Pikërisht
në këtë kohë ndodhi pezullimi i Dialogut Strategjik Kosovë-SHBA, marrëveshjen e
nënshkruar nga presidentja Osmani. Kësaj mase të paparalajmëruar, iu gëzua
shumë opozita. Një zyrtar amerikan bëri akuza idhnake e hiç diplomatike, duke
etiketuar dhe fajësuar, kryesisht, Kurtin, për acarimin e marrëdhënieve
Kosovë-Serbi!?
Presidentja
Vjosë Osmani ndërmori disa vizita radhazi SHBA dhe gjetkë në Evropë dhe botë.
Ajo takoi shefin e NATO-s, Mark Rutte, i cili, në bisedë e sipër, shprehu
simpatinë, duke i thënë asaj se "ju jeni presidentja ime e
preferuar". Në takimin me presidentin Trump, ai u shpreh: "A e shihni
këtë zonjë këtu, të ulur para meje? Ajo meriton gjithë respektin tonë, sepse
lufton e punon për atdheun e saj". E ftuar për pjesëmarrje në promovimin e
"Boshtit të Paqes", si bashkëthemeluese, presidenti Trump, në prani
të përfaqësuesve të shteteve pjesëmarrëse, do ta veçonte emrin e presidentes
Osmani, me vlerësimin e madh: "Po bënë punë të shkëlqyera".
Pa
mëdyshje kjo është dëshmi e një admirimi kulmor, për presidenten tonë, e cila,
me një stil komunikimi, gjithë sharmë dhe inteligjencë të lindur, i lënë mbresa
domethënëse burrështetasit të parë të superfuqisë botërore, presidentit Donald
Trump.
Realisht,
ky është një mesazh i qartë edhe për opoizitën e Kosovës, se SHBA e dëshiron
dhe e mbështetë për një mandat të dytë Vjosë Osmanin në krye të Presidencës të
Kosovës. Por, këtë jo vetëm nuk e vlerësojnë mediat mercenare të televizioneve
dhe të portaleve lumë të Kosovës, përkundër i bien "teneqes së
shpuar", se "Vjosë Osmani nuk
është figurë unifikuese, nuk mund të jetë as presidente konsensuale, se ka
mbështetur kryeministrin Kurti në veprimet e tij konfliktuoze me Serbinë, përgjatë
shtrirjes të sovranitetit në veriun e Kosovës"!
Opozita
PAN-iste, përkatësisht, subjektet politike të PDK-AAK-NISMA, kanë lindur nga
një mitër e përgjakur e LPK-së, të ideologjisë enveriste-staliniste,
sllavo-komuniste dhe "kullosin" në Lindje, me qendër Moskën. Kur po
përgatitej bashkimi i dy Gjermanive, LPK-ja protestonte në kryeqendrat e
Evropës, kundër këtij bashkimi, sepse, sipas tyre, "po dobësohet komunizmi
në shkallë botërore!"
PANI-i
ka një urrejtje patologjike ndaj Amerikës. Subjektet e koalicionuara në PAN,
deklarohen të djathta, por janë të majta ekstreme, tipike enveriste-staliniste.
Organizata
Vetëvendosje ishte si një organizim DEBATIK, të enveristëve të rinj, gjatë
Luftës së Dytë Botërore (LDB). Për fatin e mirë të kësaj organizate luftarake
për ndryshim, u largua grupi i parë prej 12 deputetësh, pastaj të individëve të
tjerë. Ata janë fort të infektuar me ideologjinë e mykur majtiste. Shikoni
marrëzirat e Partizës Socialdemokrate, se ke e propozojnë për president të
vendit?! Molliqaj me shokë e akuzojnë LVV, si "të shitur të
Perëndimi"! Ata duan ta shohin LVV, si para një çerek-shekulli, kur në
"kruzhokët" e tyre bjerrnin kohën, me citatet staliniste-enveriste!
Lëvizja
Vetëvendosje, tashmë, është heterogjene dhe majtizmi brenda saj është
minoritet, në raport me shumësinë e anëtarësisë dhe të elektoratit me orientim
djathtist. Edhe majtizmi i të mbeturëve, është zbutur, zvetnuar dhe moderuar,
gjithnjë në kahjen pozitive. Andaj, edhe e ka shumëzuar anëtarësinë e saj, në
përmasën gjeometrike.
Akuzat
që i bëhen Vjosë Osmanit nga LDK-ja, përkatësisht, klani i Isa Mustafës, se,
gjoja, "ajo shkatërroi LDK-në", janë shpifje të qëllimshme.
Përkundrazi. binomi Vjosë Osmani dhe Donikë Gërvalla e shpëtuan LDK-në nga
shuarja turpëruese. Sepse Isa Mustafa me klanin e tij, si bisht e patericë e
PDK-së, ishte "Kolonë e Pestë",
brenda partisë të Presidentit Rugova, e cila, realisht, dirigjohej nga
agjenti i trefishtë, Hashim Thaçi. PAN-istët tallën me LDK-në, duke thënë se
"ju ishit në pushtet, e kishit kryeministrin, ministritë, prokurorinë,
gjykatat, pse nuk i zbuluat vrasjet politike?!" Por, e fshehin të vërtetën
absolute, se organet vitale, kuadrot kryesorë shtetërorë, disa nga ministrat i
përzgjidhte agjenti i të huajve Hashimi.
Porosia
e gjyshës-plakë nga Qyshku i Pejës" "Albin, mos lësho pe", është
thirrje e zëshme për kryeministrin Albin Kurti, me LVV dhe aleatët e saj Guxo,
Alternativa, PSHDK. Sepse "lëshimi pe", në tërheqjen e kandidaturave
të para, për kompozimin e Kuvendit dhe të Qeverisë, pas zgjedhjeve të 9 shkurtit
2025, e lazdroi, e haliti opozitën destruktive dhe i kushtoi shumë Kosovës.
Kandidatura e vetme dhe e pandryshuar për - Presidente e Kosovës, pas Vjosës,
përsëri Vjosa -. Krejt njëjtë siç ndodhi pas përsëritjes të zgjedhjeve, të 28
dhjetorit, - pas Kurtit kryeministër, përsëri Kurti -.
Atëherë,
pse u dashka shkuar serishmi në zgjedhje?! A është normale kjo opozitë, që
shkonë në zgjedhje, edhe pse e dinë se nuk mund të ndryshojë asgjë përfituese,
për statusin e saj, ngaqë degradimi partiak i tyre është fatal. Pra, vetëm për
ta shënuar humbjen e radhës. E turpshme dhe e gërditshme në sytë e shqiptarëve,
sa të "mos kenë sy as faqe", për të kërkuar votat e elektoratit.
Akuzat
korale të opozitës hileqare dhe dështake PAN, për presidenten Vjosë Osmani,
janë të stisura dhe të shpifura. Halli i kësaj opozite nuk qëndron fare tek
akuzat e thëna. Përkundër, janë disa halle të tjera, të cilat nuk ua zgjidhë
Vjosa, sepse integriteti dhe personaliteti i saj nuk manipulohet. Ajo ka
dëshmuar se nuk bënë kompromis me parimet.
Denoncimi
dhe refuzimi publik, që i bëri opozitës PAN-iste Albin Kurti, duke mos e
pranuar në asnjë kombinturë bashkë qeverisëse, është parimor dhe skajshëm
domethënës. Sepse është e zhytur në krime serike, hajni zyrtare, haraçin e përgjakur,
kontrabandë miliardshe, (sipas Doganës të Kosovës), me serbët e veriut, tashmë,
të akuzuar për kontrabandë dhe krime tjera, të shpallur "non gratra",
nga DASH amerikan.
Për
rrjedhojë, subjektet politike PDK-AAK-NISMA, të koalicionuara në PAN-in
kriminal, nuk mund të besohet për asnjë nga akuzat super-shpifëse, të bëra
presidentes brilante Vjosë Osmanit. Kjo opozitë e shpëlarë, nuk ka as forcë dhe
as mundësi, për të bërë reforma. Përkundër, këto subjekte politike, kanë
damkosur kaq shumë vetën, sa u duhet një riformim partiak, duke i pastruar
radhët nga krimi dhe kriminelët e bollshëm, për ta shpëtuar, aq sa mund të
shpëtohet, anëtarësinë të mashtruar, të pafajshme.









