Mendime
Florim Zeqa: Mungesa e reflektimit, pengesë e reformave në LDK!
E diele, 22.02.2026, 06:54 PM
Mungesa e reflektimit, pengesë e reformave në LDK!
Shkruan:
Florim Zeqa
Nga
zgjedhjet e vitit 2007 e deri më sot LDK-ja i ka humbur tetë palë zgjedhje
parlamentare, ka pësuar humbjet më të thella në vitet 2021 dhe 2025, por kjo e
fundit ështe më skandalozja në historikun e saj dhe atë për shumë arsye!
Vetëm dorëheqja kolektive e
drejtuesve partiakë do t'i hapte rrugë ndryshimit substancial dhe përmbajtësorë
LDK si parti humbëse e të gjitha
zgjedhjeve parlamentare nga viti 2007 e këndej dhe e humbjes së komunave të
mëdha në dy palë zgjedhjet e fundit lokale, nuk mund të mbulohet me asnjë lloj
kamuflazhi politik!
Çdo
tendencë për të kamufluar humbjen totale me proces të improvizuar zgjedhor, për
ta ruajtur vazhdimësinë kryetarit humbës në udhëheqjen e LDK-së, do të ketë
pasoja afatëgjata në ringritjen e këtij subjekti politik.
E
renditur e treta për të dytën herë me radhë, pa asnjë reflektim moral për
humbjen serike, e ka katandisur akoma më keq LDK-në!
Drejtuesit
e këtij subjekti politik duhet të respektojnë verdiktin e popullit dhe të
reflektojnë me dorëheqje kolektive para elektoratit për imazhin e dëmtuar të
LDK-së shtetformuese.
Elektorati
Rugovian i LDK-së e ndeshkojë rëndë me mos votim "Rrugen e Re" të
klanit Riinvest, duke i bërë të qartë kryetarit aktual dhe atij paraprak se nuk
ka "Rrugë të Re" dhe as "Lidhje të Re" për LDK-në perpos
asaj Rugoviane.
Mospërmbushja
e premtimit elektoral e kryetarit Abdixhiku për 'fitore dhe vetëm fitore' në
zgjedhje dhe 'për qeverisje të LDK-së', duhet të pasohet me aktin moral të
dorëheqjes së premtuar publikisht nga ana e tij!
Kur
dikujt i humbet busulla orientuese dhe ndërgjegja njerëzore duhet korrigjuar,
në të kundërtën, rrëshqitjen e tij nuk do të kenë të ndalur!
Improvizimi i "konfliktit"
me mentorin politik, lojë e pandershme e Abdixhikut
Pra, siq e ceka më sipër, rrëshqitjet
e Abdixhikut nuk kanë të ndalur! Pas shpëtimit në Kuvend, po e mendon ngritjen
e shpejtë përmes "konfliktit" të improvizuar me mentorin e tij
politik, Isa Mustafën, rrënuesin fatal të LDK-së Rugoviane.
Me
asgjë nuk lahet turpi dhe dëmi i shkaktuar ndaj elektoratit rugovian, i cili,
që nga shkuarja në amshim e liderit historik (Ibrahim Rugova) nuk e ka shijuar
asnjëherë kënaqësinë e fitores në zgjedhjet nacionale.
LDK
duhet t'i harrojë koalicionet me pushtetin dhe me opozitën, duhet t'i kthehet
vetëvetes dhe të korrigjoj gabimet serike të dy dekadave të kaluara dhe të
gjejë rrugën e duhur për ringritjen e madhe çfarë e dëshiron elektoratit pasiv,
i pakënaqur me udhëheqjen e LDK-së post-Rugoviane.
Sikurse
në zgjedhjet e vitit 2021, edhe në zgjedhjet e vitit 2025 pati rrjedhje të
madhe të votave nga "kazani" i LDK-së në drejtim të LVV-së.
Nga
kush dhe si ndodhen rrjedhjet, u mbetet drejtuesve të LDK-së që t'i riparojne
rrjedhjet e brendshme nga të 'famshmit' e partisë!
Lumiri,
sikurse dorëheqjen që e kthejë në mocion votëbesimi në Kuvend, ditëve të fundit
e ka simuluar edhe konfliktin me mentorin e tij politik, Isa Mustafa, për
rehabilitim e plotë të tij pas debaklit zhedhor!
Ruajtja e 'Status Quo'-s bie ndesh me
kërkesat e elektoratit
Kuvendi i fundit i LDK-së erdhi si
rezultat i një dorëheqje të paralajmëruar pas humbjes katastrofale në zgjedhjet
e 28 dhjetorit të vitit 2025. Ky nuk ishte as kuvend pune as kuvend zgjedhor,
por ishte një simulim i lodhët i funksionimit të demokracisë së brendshme
partiake!
Përmes
një procesi të improvizuar zgjedhor me votë të fshehtë u ruajt vazhdimësia e
udhëheqjes së LDK-së, të cilës, megjithatë iu dha një legjitimitet i
përgjysmuar. Mirëpo, me këtë u arrit qëllimi i stopimit të procesit të
reflektimit dhe reformimit të partisë.
Kriza
nëpër të cilën po kalon LDK-ja prej një kohe relativisht të gjatë është pasojë
e një mendësie autokratike të udhëheqjes së centralizuar, e cila ka shkaktuar
pakënaqësi të mëdha dhe zingjirore, e cila rezultoj me rënje drastike në
elektorat!
Me
simulime të kuvendeve zgjedhore dhe ndryshime kozmetike nuk arrihen reformat e
mirëfillta në LDK.
Rruga
e vetme për rikthimin politik dhe ringritjen e LDK-së është reformimi i
mirëfilltë dhe ristrukturimi nga baza elektorale e jo e kundërta e saj!
Përpjekjet
për të ruajtur me çdo kusht 'Status Quo'-në bie ndesh me kërkesat e elektoratit
për reforma përmbajtësore.
Për
'mbrojtjen' e lidershipit përmes simulimit të votës së lirë, u bë degradimi më
i madh i mekanizmave partiakë, filluar nga Kryesia Qendrore, Këshilli i
Përgjithshëm dhe Kuvendi i LDK-së. E njëjta gjë ndodhi edhe në Degë dhe Nëndegë
deri në pasivizim të strukturave organizative.
Largimi nga identiteti Rugovian,
fatal për LDK-në
Mendësia autoritare dhe modeli
centralist i drejtimit të partisë e ka rrënuar në themel demokracinë e
brendshme, duke e krijuar një sistem piramidal të bllokimit të reformave në LDK.
Humbja
e identitetit politik rugovian dhe kalimi nga një parti e qendrës së djathtë në
një parti autoritare, e ka margjinalizuar në ekstrem rolin e anëtarit të
partisë, të cilin nuk e pyet më askush për asgjë!
Me
Kuvendin e 31 Janarit 2026 u pamundësuan reformat dhe u përjashtua tërësisht
baza elektorale nga vendimarrja e partisë!
Margjinalizimi
i forumeve partiake dhe përjashtimi i anëtarësisë e shkaktoj reduktimin e
përkrahjes elektorale, për çka LDK-ja në dy ciklet e fundit zgjedhore e pësoi
rezultatin më të dobët nga themelimi i saj!
Andaj,
kjo e shtron nevojën imediate për reflektimin e të gjitha strukturave partiake
për dorëheqje kolektive dhe hapjen e rrugës për riorganizim të mirëfilltë të
partisë përmes një procesi të brendshëm zgjedhor, të rregullt dhe demokratik,
ku secili ka të drejt të zgjedhë dhe të jetë i zgjedhur në organet e partisë.
LDK-së nuk i duhet një lider i
pazareve politike, por një lider që vjen si rezultat i vullnetit të
elektoratit. Pra, drejtimi i partisë duhet t'i kthehet anëtarësisë mbi bazën e
parimeve demokratike.









