Mendime
Florim Zeqa: Thirrje për riatdhesim të mërgimtarëve!
E hene, 16.02.2026, 06:54 PM
Thirrje për riatdhesim të mërgimtarëve!
Shkruan:
Florim Zeqa
Në
fillim të viteve të '90-ta, i organizuam 14 tribuna në komunën tonë, me moton:
"Rini zëri i atdheut të thërret", e cila për qëllim kishte
parandalimin e shpërnguljes së të rinjve shqiptarë nga Kosova. Kurse sot, nga
pozicioni i mërgimtarit ju drejtohem të gjithë bashkathdetarëve për riatdhesim
në trojet tona etnike si kusht për kthimin e jetës në vendet e boshatisura pa
banorë në zonat rurale dhe urbane gjithandej Kosovës!
Zeri i ndërgjegjës kombëtare thërret, kthehuni në
vendlindje
Sot,
pas 27 vjetësh në liri dhe pas 18 vjetësh në shtetin e pavarur dhe sovran, zëri
i ndëgjegjës kombëtare thërret si kushtrim për riatdhesimin e mërgimtarëve, për
t'i dalur zot tokës dardane të braktisur dhe lën shkretë!
Janë
njerëzit që i jepin kuptim jetës dhe shpresës, kurse shtëpitë pa banorë janë
ogur i zi i zhbërjes së shtetit dhe vdekjes së atdheut tonë që i mbijetoj të
gjitha stuhive të pushtimeve të gjata dhe barbare ndër shekuj!
Në
zonat rurale syri të sheh shkolla të mbyllura pa nxënës, kurse në zonat urbane
shkolla të hapura me pak nxënës, universitete me pak student, spitale pa mjek
dhe infermier!
Rrugëve
dhe trotuareve të qyteteve tona, syri të sheh më shumë qen endacak sesa të rinj
dhe të reja që i jepin shumë pak gjallëri dhe shpresë jetës në Kosovë!
Kosova
jonë e dashur, dita-ditës është duke u tretur në një vend të shkretë, pa
banorë! Kahdo dhe kudo që shkon gjithandej vendit syri të sheh shtëpi të
bukura, por të heshtura dhe të zbrazura pa banorë!
Fshatrat
e Kosovës janë kthyer në fantazmë, pa banorë dhe pa zëra fëmijësh, me toka
ndjerrina, pa blegërimën e bagëtive dhe ulurimën e qenëve besnik që qëndronin
si roje e shtëpive tona!
Largimi i të rinjve dhe familjeve
shqiptare nga Kosova e rrezikon të ardhmen e vendit
Është
tepër e dhimbshme kur dëgjon që familje të tëra, të lodhura nga skamja e
denigrimi social, nga humbja e të gjitha shpresave për një të nesërme më të
mirë në shtetin e lirë, më lot në sy, me dhembje në shpirt e mbyllin pragun e
shtëpisë së tyre, për t'u nisur drejt një shprese të re në vende të panjohura.
Është shumë e dhimbshme kur fëmijëve u ndërpritet fëmijëria në vendin e tyre;
kur nxënësit ndahen nga shokët e klasës, nga mësuesi që ua mësoi alfabetin e
gjuhës shqipe, nga familja e farefisi i gjerë, ndoshta për të mos u parë më kurrë
më mes vete në këtë jetë! Shuarja e shpresave, e ëndrrave, për të krijuar
lumturi të përbashkët familjare në shtetin amë, në vendlindje është gjëja më e
dhembshme që mund të përjetojë njeriu në jetën e tij.
Mallkimi dhe rënkimi i të ikurve me
shpirt të thyer nga vendlindja ndjellë kob për shtetin e Kosovës
Njerëzit nuk po ikin nga dëshira, por
nga pamundësia për të jetuar dinjitetshëm në atdheun e tyre. Ikja nga
vendlindja është zgjidhja e fundit, është rrugë e rëndë dhe e mundimshme, por
për fatin e keq të shumicës shqiptare, një grup njerëzish të papërgjegjshëm ua
kanë uzurpuar çdo pore të jetës në Kosovë.
A
ka dëshpërim më të madh, kur babai i një dëshmori, që e kishte të vetmin djalë,
i shkon tek varri dhe i thotë: "Lamtumirë o bir, unë po ta kthej shpinën
dhe po e lë vendin për të cilin dhe jetën ti o drita e vetme e jetës sime".
Jo
vetëm e dhimbshme, ky është mallkimi më i madh për politikanët që u është bërë
gjaku ujë, të cilëve përveç egos së pafundme për pasurim dhe uzurpim të
shtetit, nuk shohin gjë tjetër para vetës.
Atyre
politikanëve që u kanë mbet vetëm edhe pak ndjenja njerëzore në shpirtin e
tyre, duhet t'i thërrasin ndërgjegjes e të i thonë STOP kësaj gjendje mjeruese
në vend, në të kundërtën përveç mallkimit të bashkëkombësve të vet, një ditë do
t'i zërë edhe mallkimi i Zotit!
Thirrje nga thellësia e shpirtit
Të dashur bashkatdhetarë, mërgimtarë
në botën mbarë, përderisa në vitet e '90-ta na u dashtë të bëhemi 'kurban' për
familje dhe të dalim në emigrim për ta mundur varfërinë në përballje me
pushtuesin serbë, sot duhet të bëhemi 'kurban' për atdheun, për truallin dhe
shtëpitë tona të boshatisura!
Të
dashur bashkatdhetarë, ju që jeni nga 2-3 e më shumë vëllezër në emigrim, njëri
nga ju duhet të riatdhesohet në vendlindje për t'i dalur zot shtëpisë dhe
pasurisë së krijuar në vendlindje.
Ky
përveqse obligim familjarë, është edhe akt i lartë i vetëdijes kombëtare për ta
rikthyer shpresën për jetë në vendlindje. Vetëm në këtë mënyrë e kthejmë
gjallërinë dhe jetën në athdeun e braktisur.
Kthimi në vendlindje është heroizëm i
barabartë me ata që luftuan në fushat e betejës. Gjaku i derdhur në luftë
shpërblehet me kthim dhe riatdhesim në vendlindje. Në të kundërtën, braktisja e
vendit është largim edhe nga amaneti i dëshmorëve!
Florim Zeqa, 12.02.2026









