Mendime
Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe!
E premte, 20.02.2026, 06:56 PM
PËR NJË NORMALITET NË MARRËDHËNIET SHQIPËRI-KOSOVË: JO FJALË BOSHE!
Nga
Frank Shkreli
17 Shkurti, 2026 shënoi 18-vjetorin e
shpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës. Në një shkrim të ditëve të
fundit Frank
Shkreli: 17 shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës | Gazeta Telegraf jam shprehur se 17
Shkurti, si Dita e Pavarësisë së Kosovës, është gjithashtu edhe dita kur, të
gjithë si shqiptarë pa dallim dhe kudo që jemi, kujtojmë në këtë ditë. Se liria
dhe pavarësia kanë emër, sakrificë, por edhe përgjegjësi politike historike dhe
kombëtare, sidomos, për klasën aktuale politike shqiptare në Kosovë dhe në
Shqipëri, pasi të gjithë shqiptarët kudo e ndjejnë Kosovën si atdhe shpirtëror
dhe histori të përbashkët. Argumentova se kjo është një datë që festohet
si simbol i krenarisë dhe shpresës për të gjithë shqiptarët, ashtu siç është
edhe 28 Nëntori, Dita e Pavarësisë së Shqipërisë. E kam thënë shpesh në të
kaluarën se normaliteti dhe stabiliteti i marrëdhënieve në tërësi midis Shqipërisë
dhe Kosovës është jetik për të ardhmen kombëtare dhe për integrimin
euro-atlantik të shqiptarëve, para se të jetë vonë. Në dyzina artikuj gjatë
viteve jam munduar të theksoj – që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës e deri
më sot --nevojën urgjente për një normalitet të marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë që
duhet të bazohet, ndër të tjera, në disa shtylla kryesore.
Jam shprehur se elita politike në
Tiranë dhe Prishtinë shpesh e përdor retorikën e të ashtuquajturit
"partneritet strategjik", midis dy shteteve shqiptare si një
instrument mashtrimi politik për konsum të brendshëm, ndërkohë që në realitet
këto marrëdhënie kanë pësuar gjatë viteve mungesa serioze, për të mos thenë
fatale, siç është mungesa e një bashkrendimi të mirëfilltë të politikave të
brendëshme dhe të jashtme midis Shqipërisë dhe Kosovës. Modestësisht, kam bërë
thirrje nga hera në herë, për kundërshtimin nga të dy palët e
nismave përçarëse, Frank Shkreli: Pushtimi i
Ukrainës nga Rusia dhe Ballkani i Hapur | Gazeta Telegraf, ndërkohë që kam
vlerësuar qëndrimin e udhëheqësve të Kosovës kundër nismave si "Ballkani i
Hapur", duke i cilësuar ato nisma përçarëse si projekte që mund të
dëmtojnë pavarësinë dhe interesat e Kosovës dhe shqiptarëve në përgjithsi, në
favor të ndikimeve rajonale jo-shqiptare, serbo-ruse, e të tjera. Kam nënvijuar gjatë viteve nevojën për
basshkrendim -- midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare -- të politikës së
jashtme. Kam bërë thirrje për një normalitet në marrëdhënie, që kërkon nga dy
shtetet shqiptare të kenë një zë të unifikuar në arenën ndërkombëtare, veçanërisht
në raport me miqtë strategjikë si SHBA-ja, për të shmangur dështimet
diplomatike dhe "turizmin politik", historikisht, pa rezultate
konkrete për asnjërën palë.
Kam folur shpesh mbi nevojën për politika
të përbashkëta për tu mbrojtur nga ndikimet e huaja, historikisht, të dëmshme
për interesat dhe identitetin kombëtar të shqiptarëve në trojet e veta
shekullore. Në mënyrë të veçant kam paralajmëruar se "flirtimi" i
udhëheqësve shqiptarë, në dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, me influencë të
jashtme politike, ekonomike dhe fetare turko-ruse, paraqet një rrezik serioz
për stabilitetin e të dy shteteve shqiptare dhe për vetë procesin e
normalizimit të marrëdhënieve mes tyre, por edhe me shtetet mike perëndimore,
siç ka provuar historia e viteve të fundit.
Shkak për këtë shkrim modest u bënë
vizitat e Presidentit të Shqipërisë, Z. Bajram Begaj dhe Kryeministrit të Shqipërisë,
Z. Edi Rama dhe takimet e tyre në Prishtinë -- me rastin e 18-vjetorit të
Pavarësisë së Kosovës – dhe takimet e tyre me Presidenten e Republikës së
Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrin e Kosovës, Z. Albin Kurti. Mediat
vendase njoftuan se në takimet e tyre liderët më të lartë të Shqipërisë dhe të
Kosovës, “riafirmuan edhe njëherë partneritetin strategjik dhe vëllazëror”. Fjalë që, fatkeqsisht, nuk është hera e parë
që i dëgjojmë nga liderë shqiptarë në takime të tilla të përbashkëta në Tiranë
ose në Prishtinë. Fjalimet e zjarrta, mbledhjet e përbashkëta ceremoniale midis
dy qeverive dhe deklaratat e përvitshme për “vëllazëri të përjetshme”, nuk
prodhojnë politika publike funksionale në asnjë fushë të marrëdhënieve të ndërsjellta.
Sipas ekspertëve, shembëll i këtij dështimi janë marrveshjet e shumta të
arrijtura gjatë viteve, por që shumica e tyre ende nuk zbatohen.
Duke marrë para sysh marrëdhëniet midis
dy shteteve shqiptare gjatë viteve të fundit, të gjithë kemi qenë dëshmitarë se
këto shprehje “vëllazërimi” kanë qenë dhe mbeten fjalë boshe të rastit dhe se
realiteti i marrëdhënieve midis Tiranës zyrtare dhe Prishtinës zyrtare, ka qenë
dhe mbetet diçka krejt tjetër. Këto
takime në Prishtinë, ditët e fundit, dhe fjalët që u shkëmbyen midis liderve më
të lartë të dy shteteve shqiptare më bindën edhe njëherë se marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë
vazhdojnë të vuajnë nga mungesat e vjetra në marrëdhëniet dy-palëshe dhe se ato
nevojitin një ndryshim rrënjësor, seriozitet kombëtar me vizion afatgjatë dhe
jo fjalë simbolike boshe diplomatike, sa për sy-e faqe.
Gatishmëria për “Riafirmimin edhe njëherë
të partneritetit strategjik dhe vëllazëror”, siç u shprehen këto ditë udhëheqsit
e të dy palëve në Prishtinë, nuk mjafton. Fjalët nuk mjaftojnë më. Rëndësi kanë
veprat! Prej vitesh, raportet midis Shqipërisë dhe Kosovës shpesh janë
shoqëruar me retorikë të zjarrtë patriotike, me mbledhje të përbashkëta
qeverish, deklarata “vëllazërore” dhe fotografi ceremoniale. Por përtej
simbolikës, realiteti kërkon diçka më shumë. Kërkon seriozitet kombëtar, vizion
strategjik politik dhe ekonomik si dhe përgjegjsi institucionale. Nuk mjafton
të flitet për ri-afirmim të “partneritetit vëllazëror”, në mënyrë emocionale,
ndërsa në praktikë pengesat burokratike politike dhe ekonomike midis dy
shteteve shqiptare vazhdojnë edhe kur bashkëpunimi ekonomik mbetet dukshëm nën
potencialin e duhur dhe të nevojshëm për të dy palët. Ndërkaq, politikat e jashtme nuk janë të
harmonizuara dhe jo në shërbim të interesave madhore kombëtare të gjithë
shqiptarëve, falë politikave dështuese të klasës aktuale politike që vepron më
shumë në shërbim të interesave personale dhe partiake, se sa në interesin
madhor kombëtar.
Shqipëria dhe Kosova ndodhen në një
rajon ende të brishtë politikisht dhe ekonomikisht, të rrethuar nga armiq
historikë të shqiptarëve, ku çdo mungesë bashkrendimi politik, ekonomik dhe në
politikën e jashtme midis Tiranës dhe Prishtinës, është shfrytëzuar dhe po
shfrytëzohet me mjaft mjeshtri politike e diplomatike nga Beogradi e Moska dhe
nga nga faktorë të tjerë në Evropë dhe në Ballkan që nuk ua duan të mirën shqiptarëve,
as nuk duan stabilitetin shqiptar as paqë të rajonit. Në këtë kontekst,
përgjegjsia për këto mungesa të dëmshme bie këmbëkryq mbi klasën politike në të
dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar. Që Shqipëria dhe Kosova të kalojnë, më në
fund, nga folklori politik i të ashtuajturit, “partneritet vëllazëror” dhe
përtej fjalëve që dëgjuam në Prishtinë, ditët e fundit, me rastin e 18-vjetorit
të pavarësisë së Republikës së Kosovës, atyre u duhet një bashkpunim dhe
bashkrendim më i ngusht, për të çuar përpara zbatimin e politikave serioze
mbarë-kombëtare, bashkrenduese dhe shtet-formuese, Tiranë-Prishtinë, për
shqiptarët në Ballkanin Perëndimor.
Koha e fjalëve të mëdha boshe që nuk
pasohen me vepra konkrete në marrëdhëniet Tiranë-Prishtinë, ka kaluar.
Qytetarët shqiptarë presin rezultate të prekshme e të dukshme. Ata kërkojnë treg
të përbashkët ekonomik funksional, projekte infrastrukturore të realizuara,
bashkëpunim arsimor e kulturor të institucionalizuar (abetarja e përbashkët nuk
mjafton) dhe sidomos, shqiptarët kërkojnë një zë të forte dhe të unifikuar në
çështjet politiko-strategjike në fushën e politikës së jashtme. Tirana dhe
Prishtina duhet të sillen si dy shtete sovrane që e kuptojnë se forca e tyre
rritet vetëm përmes bashkërendimit, jo përmes retorikës e përçarjeve. Një marrëdhënie normale shtet me shtet mes
Shqipërisë dhe Kosovës nuk e dobëson aspak idenë kombëtare — përkundrazi, e
forcon atë mbi baza moderne, euroatlantike dhe institucionale.
Normaliteti në marrëdhëniet
Shqipëri-Kosovë nuk është retorikë, por nevojitë seriozitet kombëtar! Është detyrim historik kombëtar e moral i
liderve aktualë të dy shteteve shqiptare. Një mundësi që historia dhe miqët
historikë të Kombit shqiptar ua ka dhënë shqiptarëve në shekullin XXI, nuk
duhet të abuzohet as të mos përfillet, por të përdoret në maksimum për të mirën
e të gjithë shqiptarëve pa dallim, në Ballkanin Perëndimor. Kjo mundësi e
shqiptarëve nuk mund të mbetet kurrsesi një eksperiment politik i pa realizuar.
Koha e simbolikës boshe ka mbaruar. Serioziteti kombëtar dhe normaliteti i
marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë nuk është dhe nuk mund të jetë një slogan por
është një përgjegjësi historike, kombëtare dhe morale, për këtë brez të
politikanëve shqiptarë sot. Trajtojeni si të tillë!

Gjergj Kastrioti – Skenderbeu në Prishtinë









