Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës
E merkure, 28.01.2026, 06:57 PM
DITA NDËRKOMBËTARE E HOLOKAUSTIT DHE KRIMET E REGJIMIT KOMUNIST TË ENVER HOXHËS
Nga
Frank Shkreli
27
janari, Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Holokaustit, nuk është vetëm një
datë për hebrenjtë dhe tragjedinë unike të tyre. Është me të drejtë një kujtesë
universale për atë që ka ndodhur kur urrejtja ideologjike, pushteti absolut dhe
heshtja kolektive, bashkohen për krime të tilla kundër njerëzimit.
Pikërisht, për këtë arsye, kjo ditë fton
edhe shoqërinë shqiptare të ballafaqohet me krimet e veta historike –
veçanërisht me terrorin sistematik të regjimit komunist të Enver Hoxhës ndaja
kundërshtarëve politikë të regjimit të tij sllavo-komunist.
Në
mbarë botë e qytetëruar, Holokausti përfaqëson kulmin e së keqes shtetërore:
shfarosje e planifikuar, dehumanizim, kampe përqendrimi, zhdukje fizike e
morale. Regjimi i Enver Hoxhës nuk kreu Holokaust, por përdori të njëjtën
logjikë totalitare: armikun e shpikur,
ndëshkimin kolektiv, burgjet politike, kampet e internimit, pushkatimet pa
gjyq, shkatërrimin e elitës intelektuale dhe fetare, si dhe kontrollin absolut
mbi jetën dhe mendimin e shqiptarëve.
Është
absolutisht shumë me vend dhe e drejtë që sot Shqipëria dhe shqiptarët, si
gjithë bota, të kujtojnë Holokaustin.
Por sim und të heshtësh për Spaçin, Burrelin, Tepelenën, Qafë-Barin apo
për mijëra familje të internuara, për mendimin tim, kjo është një hipokrizi
politike dhe morale, pore dhe mbarë kombëtare. Nuk ka hierarki të vuajtjes, por
ka detyrim ndaj së Vërtetës. Ashtu siç bota thotë sot “Kurrë më” për
Holokaustin, edhe Shqipëria, Kosova dhe të gjithë shqiptarët duhet ta thonë
qartë “Kurrë më” për komunizmin, se nazizmi dhe komunizmi kishin shumë gjëra të
përbashkëta. Në këtë pikëpamje, Shqipëria dhe shumica e shqiptarëve janë unik
sa I përket të kaluarës komuniste në trojet shqiptare.
Problemi
është se në Shqipëri, ndryshe nga Gjermania pas nazizmit, dhe ndryshe nga
shumica e vendeve ish-komuniste të Evropës Qendërore e Lindore pas shembjes së
Murit të Berlinit, krimet e komunizmit nuk u dënuan kurrë zyrtarisht as
seriozisht. Përkundrazi, në Shqipëri e deri diku edhe enë Kosovë, ende sot
shihen përpjekje për rehabilitim të Enver Hoxhës, nostalgji publike,
relativizim i krimeve dhe heshtje institucionale. Kjo heshtje është një formë
bashkëfajësie morale.
Sot
kujtimi i Ditës së Holokaustit, jo vetëm për hebrenjtë, na mëson se harresa
është gjithmonë aleate e krimit. Dhe kujtesa, nga ana tjetër, nuk është
hakmarrje, por drejtësi. Siç kam theksuar shpesh kur kam folur për këtë subjekt
tepër të pakëndshëm, por shumë i nevojshëm për tu diskutuar -- se pa njohur dhe
dënuar krimet e regjimit komunist, Shqipëria mbetet peng i së kaluarës së vet.
Për fat të keq, arsyeja se status-kuoja e zhvillimeve politike në vend sot
35-vjet tranzicion, provon këtë fakt – Shqipëria mbetet peng i së kaluarës
komuniste përderisa nuk përballet me të vërtetën e krimeve të së kaluarës së
saj komuniste. Demokracia nuk ndërtohet
mbi mite, por mbi të Vërtetën hkistorike – sado e dhimbshme të jetë ajo, për të
gjithë. Por heshtja nuk është zgjidhje!
Të
kujtojmë Holokaustin do të thotë edhe të refuzojmë çdo formë totalitarizmi,
autoritarizmi dhe krimet e tyre kundër njerëzimit, sot dhe në të kaluarën,
përfshirë rastin e Shqipërisë dhe të shqiptarëve anë e mbanë trojeve të veta në
Ballkanin Perëndimor. Të cilët për një gjysëm shekulli kanë pësuar pasojat
kriminale anti-njerzore të një ideologjie krejtësisht e huaj dhe anti-shqiptare
në thelb, e që për dekada shkatërroi jetët e shqiptarëve dhe të familjeve të
tyre, në emër të një ideologjie çnjerëzore sllavo-aziatike. Kujtesa sot në
Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit është detyrim moral. Ndërsa heshtja është
mohim i historisë.
Por
heshtja nuk është neutrale. Ajo është zgjedhje personale dhe politikë zyrtare
shtetërore. Dhe kur bëhet fjalë për historinë, heshtja shndërrohet në mohim. Jo
thjesht në harresë rastësore, por në një akt të qëllimshëm për të fshirë role,
figura dhe kontribute që nuk i përshtaten narrativës zyrtare të radhës. Kujtimi i Holokaustit sot duhej të na
kujtonte dhe të na mësonte – të pakën nga historitë e popujve të tjerë, në rend
të parë hebrenjve -- se Historia nuk deformohet vetëm me gënjeshtra të hapura;
ajo deformohet edhe me atë që lihet pa u thënë. Me arkiva që nuk hapen, me emra
që nuk përmenden, me përvjetorë që kalojnë pa zë. Kjo heshtje prodhon një
kujtesë të rreme kolektive dhe edukon breza të tërë me një të kaluar të
amputuar.
Sidomos
në hapësirën shqiptare, heshtja institucionale ndaj figurave të caktuara
historike ka qenë po aq e dëmshme sa propaganda e dikurshme komuniste. Kur
shteti, akademia apo media zgjedhin të mos flasin, ata nuk po tregohen të
kujdesshëm, por marrin anë -- anën e të keqës – anën e gabuar të
historisë. Po legjitimojnë një version
të cunguar të historisë dhe po vazhdojnë një padrejtësi morale e intelektuale
ndaj Kombit shqiptar.
Prandaj,
po të jemi serioz për tu përballur me krimet barbare anti-njerëzore të nazizmit
dhe komunizmit, Dita e Holokaustit sot, na detyron të thyejmë heshtjen. Kjo
është detyrë qytetare! Është një kërkesë për të Vërtetën, për dinjitetin e
kujtesës dhe për një histori që nuk i shërben pushtetit, por faktit. Sepse një
shoqëri që pranon heshtjen si normë, pranon edhe mohimin e vetvetes. Për fat të
keq një pjesë e establishmentit politik, akademik e mediatik – mbeturina të
nomenklaturës së vjetër komuniste -- sidomos, në Shqipëri, ende e sheh njohjen
zyrtare të fakteve historike të krimeve të regjimit komunist si rrezik politik
dhe ekonomik për ta. Kam drojë se përderisa kjo elitë administrative – njësoj
si në kohën e komunizmit edhe sot në pseudo-demokracinë shqiptare – drejton
qeverinë, shtetin, ekonominë dhe kulturën – nuk mund të pritet ndonjë ndryshim
i madh prej tyre as sot në Ditën Ndërkombëtare të Holokaustit. Besnikëria e
tyre ishte dhe mbetet diku tjerë dhe jo ndaj të Vërtetës historike dhe
përballimit me krimet e sistemeve totalitare të së kaluarës..









