Editorial » Shkreli
Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare
E diele, 11.01.2026, 07:01 PM
ABAZ KUPI: I HARRUAR DHE I KEQTRAJTUAR NGA HISTORIA ZYRTARE
Nga
Frank Shkreli
“Ç’prej
momentit të parë që u sulmua toka jonë e shenjtë prej armiqve fashistë, ne kemi
qenë ata që kemi bërë çmos për të shpëtue nderin kombëtar dhe jemi përpjekjur
për bashkim të përgjithshëm dhe bashkveprim me të gjithë shqiptarët pa dallim
rryme dhe ideologjije. Ne jemi përpjekur për bashkim dhe vëllazërimin e
shqiptarëve për të larguar luftën civile dhe për të siguruar luftën e
përbashkët për shporrjen e okupatorit prej tokës sonë të shënjtë”. (Abaz Kupi).
Citim marrë nga libri, “Abaz Kupi” i autorit Makensen Bungo, Gjonlekaj
Publishing
Përshëndetjet
e mia më të sinqerta familjes së nacionalistit Abaz Kupit në 50-vjetorin e
kalimit të tij në amshim, Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës Vatra për
bashkorganizimin e këtij tubimi dhe për ftesën që më bëtë për të shënuar këtë
përvjetor të rëndësishëm.
Zonja
dhe Zotëri, pjesëmarrës në në këtë përkujtim,
Abaz
Kupi ishte dhe mbetet njëri prej të mëdhejve të historisë shqiptare. Por edhe
njeri ndër më të keqtrajtuarit prej historisë zyrtare. Sidomos, nga
historiografia zyrtare komuniste, megjithse Abaz Kupi mbetet një ndër figurat e
rëndësishme të historisë shqiptare për rolin e tij si ushtarak dhe politikan
nacionalist, por jo vetëm. Nuk dua as
nuk është rasti të futem më thellë në histori, sepse unë historian nuk jam, por
majfton të përmendet, ndër të tjera, roli i Abaz Kupit në luftën për mbrojten e
Durrësit nga pushtuesit fashist italianë me 7 prill, 1939.
Njihet
mirë gjithashtu edhe roli i tij gjatë Luftës së II Botërore, fillimisht, në
bashkrendim të luftës kundër okupatorit me lëvizjen antifashiste, por më vonë,
si atdhetar që ishte, ai detyrohet të largohej nga ajo lëvizje për arsye të
ndryshimeve të papujtueshme ideologjike dhe atdhetare me frontin.
Por
për arsye të ndryshimeve themelore me frontin se cila duhej të ishte Shqipëria
e pas luftës, si njëri prej udhëheqsve të lëvizjes politike, Legaliteti, Abaz
Kupi dhe shumë bashkatdhetarë anti-komunistë të tjerë, detyrohet të largohej
nga Atdheu, atëherë kur perdja e zezë e komunizmit ndërkombëtar ra edhe mbi
Kombin Shqiptar. Ndërkohë që liria për të cilën luftoi Abaz Kupi me shokë, u
zevëndësua me sundimin barbar komunist të regjimit të Enver Hoxhës, për pothuaj
një gjysëm shekulli. Vendosja e pushtetit komunist në Shqipëri, ishte kohë e
zezë në historinë kombëtare. Ishte koha kur pluralizmi politik shqiptar u vra
dhe u varros bashkë me kundërshtarët e komunizmit, me përjashtim të atyre që
mund të arratiseshin, si Abaz Kupi. Si përfundim, ai dhe shumë bashkatdhetarë,
bashmendimtarë të tij—kur po vedoseshin fatet e Shqipërisë së pas luftës,
detyrohen të largohen nga Atdheu dhe të vendoseshin, kryesisht në Shtetet e
Bashkuara, por jo vetëm. Këtu, ata
vazhduan – secili më vete por edhe në bashkpunim, por fatkeqsisht pa sukses –
përpjekjet e tyre për rrëximin e regjimit sllavo-aziatik komunist që ishte
instaluar në Tiranë pas Luftës së II Botërore, me ndihmën e agjentëve komunistë
serbo-malazezë, Dushan Mugosha dhe Miladin Popoviç.
Si
rrjedhim, qëndresa në mërgim e Abaz Kupit ndaj regjimit komunist të Tiranës si
dhe mbështetja e tij për Mbretin Zog, por jo vetëm, ishin ndër arsyet e tjera
që historiografia komuniste por, fatkqesisht, as qeveritë e viteve të
tranzicionit “post-komunist”, as historiagrafia zyrtare, nuk e kanë trajtuar,
nuk e trajtojnë as nuk vlerësojnë rolin e Abaz Kupit në mënyrë të drejtë për ti
dhënë vendin që i takon në historinë e shqiptarëve.
Normalisht,
edhe këtu në botën e lirë, ekzistojnë mendimet ndryshe në radhët e historianëve
jo-ideologjikë mbi rolin e personave dhe mbi ngjarjet historike me rendësi, për
qendrimet politike dhe për veprimtarinë e liderve si Abaz Kupi mund të jenë të
natyrshme dhe ndonjëherë edhe në kundërshtim me njëri tjetrin. Por në rastin e
Abaz Kupit dhe shumë kundërshtarëve të tjerë patriotë shqiptarë të regjimit
komunist shqiptar, që u detyruan të largoheshin nga Atdheu pas luftës, trajtimi
i tyre nga historiografia zyrtare shqiptare komuniste është e pashembullt në
historinë e shumë vendeve të tjera ish-komuniste të Evropës, pothuaj 80-vjet
pas luftës në Evropë.
Për
fat të keq, edhe sot pas 35-vite tranzicion, Shqipëria ishte gjatë regjimit
komunist dhe mbetet edhe sot, një vend ku trajtimi historik i figurave
kombëtare si Abaz Kupi -- ashtu siç e kishte përcaktuar regjimi komunist i
shekullit të kaluar, me etiketime – si reaksionar, fashistë, armik të atdheut,
i shitur, agjent, poliagjent e të tjera.
Në këtë frymë armiqësore, ish-kundërshtarët e komunizmit, si Abaz Kupi
vazhdojnë që, zyrtarisht, të demonizohen, të abuzohen, të keqtrajtohen me
qëllim që, më në fund, të harrohen – për rolin dhe kontributet e tyre ndaj
Kombit shqiptar.
Pyetja
sot në këtë 50-vjetor të kalimit në amshim të Abaz Kupit është se cila do
kishte qenë dhe cila do ishte sot Shqipëria nëse Abaz Kupi me klasën politike
jo komuniste të kohës do të kishte fituar betejat ushtarake dhe politike dhe
kundër komunizmit ndërkombëtar sllavo-aziatik të asaj kohen ë Shqipëri? Është shumë e vështirë t’i përgjigjemi kësaj
pyetjeje sepse atyre nuk iu dha kurrë mundësia të provonin veten e t’a bënin
Shqipërinë siç mendonin e donin ata, në atë kohë. Por një gjë është e sigurt se
sllavo-komunistët shqiptarë që morën pushtetin -- me në krye Enver Hoxhën dhe
me ndihmën e serbo-malazezve duke qeverisur Shqipërinë, brutalisht, për pothuaj
një gjysëm shekulli -- e shëndrruar Shqipërinë në një zonë krimi mu në qëndër
të Evropës duke vrarë, burgosur e persekutuar kundërshtarët politikë dhe
familjet e tyre dhe duke izoluar vendin, për pothuaj një gjysëm shekulli nga
bota e qytëruar perëndimore.
Por
ndryshe nga historiografia komuniste shqiptare – historia e vërtetë,
normalisht, nuk gënjen. Ajo flet edhe në heshtje. Me 7 prill, 1939, Abaz Kupi
ishte atje ku e thirri Atdheu. Në Durrës, aty ku u derdh gjaku i parë në
Evropë, shembëll rezistence kombëtare, në prag të Luftës së II Botërore -- nën
komandën e Abaz Kupit. Dhe më vonë në malet e Shqipërisë, ai ndërmori ndeshjet
e para luftarake me italianët për çlirimin e Shqipërisë. Duket se këto fakte
nuk kanë rëndësi për historiografinë komuniste sa i përket rolit të Abaz Kupit.
Nuk
dëshiroj ta politizoj këtë debat, por më duket ironik fakti se sot një
kryeministër i Shqipërisë i një partie politike socialiste, ish-komuniste,
gjunjëzohet para një kryeministreje italiane, përfaqsuese e një partie që
rrënjët e saja i ka në një parti neo-fashiste italiane. Duket se Shqipëria
zyrtare komuniste dhe post-komuniste ka bërë paqe me pasardhësit e fashizmit italian,
por jo me shqiptarët që gjithnjë etikohen si “fashist”. Jo se unë nuk dua që
Shqipëria të ketë marrëdhënie të mira me Italinë. Përkundrazi! Por më duket
disi hipokritik fakti se armiqtë e vjetër janë bërë miq, ndërsa shqiptarët
patriotë me epitetet komuniste, “fashist” e “reaksionar”, vazhdojnë të jenë,
zyrtarisht, të keqtrajtuar dhe të përjashtuar nga historiografia shqiptare, me
urdhër politik nga lartë.
Lufta
e II Botërore mund të ketë marrë fund për gjithë botën në vitin 1945, por për
Shqipërinë zyrtare ajo luftë vazhdon, fatkeqsisht. Jo luftë me përfaqsues ose
ish-përfaqsues të fashizmit apo nazizmit me të cilët sot janaë miq strategjikë,
por ajo luftë vazhdon në politikën shqiptare: është luftë shqiptari kundër
shqiptarit, për të cilët Lufta e II Botërore ende nuk ka marrë fund. Shqipëria dhe shqiptarët me të drejtë i
kërkojnë Greqisë heqjen e ligjit absurd të luftës me shtetin shqiptar. Po
Tirana zyrtare kur do të heq ligjin e luftës kundër patriotëve të Kombit si
Abaz Kupi, të etikuar nga regjimi komunist si “fashistë” e “tradhëtarë” dhe tu
njoh meritat e tyre historike. Ku është
zemërimi, o shqiptarë!
A
shihni se ku jemi! Për çdo vit përkujtohet Abaz Kupi dhe patriotë të tjerë,
kundërshtarë të komunizmit enverist -- të ndaluar e të përjashtuar gjithnjë nga
historiografia shqiptare -- duke u mohuar atyre meritat dhe rolin e tyre
pozitiv në historinë e Kombit. Ky është një debat që duhej bërë në fillim të
1990-ave, që kjo çeshtje të ishte zgjidhur me kohë, sepse tani është tepër
vonë. Ndërkohë që sot ne kërkojmë
trajtimin e drejtë të rolit historik të Abas Kupit nga historiografia zyrtare e
Shqipërisë, Tirana zyrtare hesht ndaj dukurive të glorifikimit të figurës së
Enver Hoxhës dhe komunizmit, vitet e fundit. Për fat të keq, duket se ky hendek
përçarës midis shqiptarëve sa vjen e zmadhohet, me heshtjen zyrtare sot,
ndërkohë që krimet e rënda të komunizmit të Enver Hoxhës ndaj shqiptarëve që
nuk pajtoheshin me të, po harrohen, ndërkohë që regjimit komunist po i falen
krimet barbare kundër njerëzimit. Një absurditet historik!
Ndonëse
Shqipëria është anëtare e Aleancës Euro-Atlantike, NATO dhe aspiron të bëhet
anëtare e Bashkimit Evropian, është i vetmi vend ish-komunist i Evropës
Lindore/Qendrore që: Nuk është distancuar, zyrtarisht, nga e kaluara e saj
terroriste komuniste. Nuk është përballur, seriozisht, me të kaluarën e mjeruar
komuniste. Tirana zyrtare, deri më sot, nuk ka dënuar, zyrtarisht, krimet e
regjimit barbar- komunist të Enver Hoxhës.
Dhe Kuvendi shqiptar nuk ka caktuar ende një ditë përkujtimore, kushtuar
viktimave të komunizmit në Shqipëri, ashtu siç kanë bërë vendet ish-komuniste
të Evropës. Në vend që të thuhet, ashtu ishte koha, të nxirret në dritë e
vërteta. Familja e Abaz Kupit nuk kërkon
asgjë më pak se të vërtetën!
Patriotët
e harruar, zyrtarisht, si Abaz Kupi me shokë, kundërshtarë politikë të regjimit
komunist të Enver Hoxhës, janë përjashtuar e keqtrajtuar deri në tallje nga
historiografia shqiptare, deri në ditët e sotëme, me qëllim që të zhduken deri
në harresë. Një shprehje popullore thotë se koha, eventualisht, i zhvesh të
gjithë. Të mirin e nxjerr në dritë e të keqin e le pa maskë. Shpresojmë!
Prandaj,
dënimi politik dhe historik nga regjimi komunist -- e që vazhdon edhe sot nga
qeveritë e tranzicionit -- i burrave të Kombit si Abaz Kupi, duhet të marrë
fund njëherë e mirë. Ky është një detyrim moral e kombëtar i politikës aktuale
shqiptare dhe i gjithë shqiptarëve të ndershëm që ia duan të mirën Kombit
shqiptar. Historia e vërtetë shqiptare
sot e kësaj dite vazhdon të kërkojë drejtësi për figurat e Kombit si Abaz Kupi
– figurë e demonizuar, padrejtësisht, nga regjimi komunist i Enver Hoxhës.
Urime
Federatës Pan-Shqiptare të Amerikës, Vatra të Amerikës, familjes së nderuar dhe
të vuajtur të nacionalistit të shquar Major Abas Kupit, që me këtë tubim
vazhdoni të kujtoni dhe nxirrni në dritë rolin patriotik të këtij nacionalisti
të shquar të kombit. Ju lumt!
Ju falënderoj për
vëmendjen!
Frank Shkreli









