Mendime
Florim Zeqa: Militantët shpirti i liderëve partiakë!
E merkure, 18.02.2026, 06:55 PM
Militantët shpirti i liderëve partiakë!
Shkruan:
Florim Zeqa
Menjëherë
pas rrethit të ngushtë të liderëve partiakë, janë të rreshtuar militantët,
gardianët më besnik të liderëve, të cilët janë të gatshëm të sulmojnë edhe
familjarët e tyre në rast kritike ndaj liderit të partisë!
Lideri militant, "gjeneral"
i militantëve të vërbuar
Militantizmi i verbër partiakë fare
lehtë mund të na çojë në përqarje akoma më të thella shoqërore. Liderët
karrierist përmes militantëve ngrisin barriera ndërshoqërore dhe përpiqen të
shembin çdo të arritur që është ndërtuar me gjak dhe sakrificë ndër vite e
dekada në këtë vend.
Liderët
partiakë, që do të duhej të ishin flamurtarë në shërbim të popullit, sillen si
komandantë të ushtrive të shpartalluara, e jo si ndërtues të rendit demokratik.
Ata
nuk bisedojnë për t'u marrë vesh mes tyre, por mendojnë për të mos u dorëzuar
në barrikadim kundër njëri-tjetrit.
Nuk
negociojnë për të mirën e shtetit, por kujdesën për të ruajtur krenarinë
personale nën flamurin partiakë.
Ky
është pak më tepër se militantizëm, është ego e sëmurë për pushtet e
mbështjellur me ngjyrat e flamurit partiak, e jo me ndjenjen e atdhedashurisë!
Militantët partiak të veshur me
petkun e shoqërisë civile
Militantët i gjen kudo dhe kahdo në
të gjitha ngjyrat partiake, i gjen në rrugë, në kafene dhe nëpër studiot
televizive. Fatkeqësia më e madhe e shoqërisë sonë është fakti se gazetarët që
shtiren si të pavarur, mbajnë anime partiake!
Gjellën
e kriposur që i ofrojnë publikut gazetarët nga kuzhinat partiake, e paraqet
kulmin e degradimit të shoqërisë sonë!
Pasi
militantët partiak të veshur me petkun e shoqërisë civile e kanë rrënuar në
themel shoqërinë, duke e politizuar sipas orekseve të liderëve partiakë.
Shoqëria
civile ka nevojë për gardianë që mbrojnë interesat e tyre e jo të partive
politike! Qasja partiake duhet të shërbejë vetëm si alternativë për të ardhur
deri tek e mira e përgjithshme, por jo të jetë e njëanshme dhe kategorikisht
përjashtuese ndaj atyre që mendojnë ndryshe.
Punoni për shtet më shumë se për parti
Ashtu sikurse liderëve partiakë që
nuk iu intereson shteti, por mbarëvajtja e partisë sipas llogarive të tyre,
edhe militantëve partiakë ju intereson partia e jo shteti, për shkak se ata paguhen
nga partia e jo nga shteti!
Militantët partiakë më shumë e duan liderin dhe prindin e tyre! Sado
i keq me qenë lideri, e adhurojnë me 'mish e me shpirtë' qysh e thotë populli!
Nuk ua nxjerr goja një fjalë të keqe, kurse prindi një dëshirë mos me ua
plotësu flasin zi e terr për të!
Për
ta nxjerrë shtetin nga kthetrat e uzurpatorëve dhe mashtruesve politik, në
fundin e dekadës së tretë të lirisë, Kosovës i duhet një fillim i ri, me njerëz
të rinj dhe ide të reja kreative për ta ndryshuar mentalitetin aktual
qeverisës, gjegjësisht të marrjes gjithçka nga shteti në atë të dhënjes
gjithçka për shtetin, për t'u shkëputur një herë e mirë nga të gjitha dukuritë
negative të së kaluarës.
Kur militantët partiakë t'i heqin
uniformat partiake dhe të vishen me petkun e idealit për shtet, atëherë mund të
flasim për funksionim të demokracisë.
Kur
partitë të bëhen pjesë përbërse e Republikës, dhe jo rrënues të saj, atëherë do
të kthehemi kah e mbara.









