Faleminderit
Gjon Keka: Gjergj Kastrioti jeton përgjithmonë në histori
E diele, 01.02.2026, 06:56 PM
Gjergj Kastrioti jeton përgjithmonë në histori
Nga
Gjon Keka
Eseisti
dhe historiani i njohur skocez Thomas Carlyle shkruante në një nga veprat e tij
kështu: „çdo gjë që shohim të përfunduar në botë është në fakt rezultati i
jashtëm, fizik, realizimi dhe mishërimi i mendimeve që banonin brenda njerëzve
të mëdhenj të dërguar në botë: shpirti i gjithë historisë botërore, mund të
supozohet në mënyrë të arsyeshme, se do të ishte historia e këtyre
njerëzve" që kanë vënë themelet e shteteve, kombeve dhe të parimeve apo
porosive udhëzuese për brezat e ardhshëm.
Kështu
që sa ishte gjallë në tokën arbërore dhe europiane, kryeheroi ynë Gjergj
Kastrioti (Skënderbeu) ende ishte në gjendje të shijonte famën e tij të
merituar, të rrethuar me shfaqje pothuajse të pakrahasueshme të trimërisë e
guximit në beteja të shumta, i favorizuar nga fisnikët tjerë arbëror krah tij
dhe nga populli arbëror por njëkohësisht edhe nga mbretërit e princat e popujt
europian të asaj kohe.
Popullariteti
që ai gëzonte, nga i cili kanë mbijetuar qindra gjurmë që nuk mund t'i shlyej
askush, mund të krahasohet vetëm me atë të Aleksandrit të Madh, Karlit të Madh
dhe Konstantinit të Madh. Ai ia detyronte popullaritetin e tij jo vetëm
sukseseve të tij ushtarake si një njohës rrënjësor i artit dhe strategjisë
ushtarake, por edhe cilësive që e zbukuronin besimin e tij të sinqertë në Zotin
dhe Atdheun Iliro-arbëror.
Karakteri
i popullit arbëror(sot shqiptar)do të tretej në mjegull po të mos ishte në
imazhin e gjallë të Gjergj Kastriotit dhe më pas heronjëve tjerë tanë e deri në
ditët tona, Pavarësisht njohurive tona të mjaftueshme por duhet thënë se edhe
të kufizuara për të, ai mishëron besimin,trimërinë, urtësinë, besnikërinë e
palëkundur ndaj zakoneve iliro-arbërore, unitetin, Atthemeluesin e shtetit
arbëror europian si dhe të identitetit kombëtar arbëror europian të vulour me
vulën e tij.
Në
kuadër të kësaj duhet ditur një fakt të gjithë se në Iliro-Arbëri pasi
apostulli Pal e solli Ungjillin, ai më pas u bë pjesë e pandashme e shpirtit
dhe trupit të iliro-arbërorëve. Apo sikur e kam thënë e shkruar shpesh se
Ungjilli që nga koha e Apostullit Pal më pas në kohën kur qeverisi Gjergj
Kastrioti e deri më sot u bë fryma e Dardano-Arbërisë, ndërsa trupi
arbëroro-dardan toka e tij që do të jepte fryte ungjillizimi e patriotizmi
kombëtar e human,
Sot
Shqipëria e Kosova kanë nevojë për një ringjallje në shpirt e mish, për fryte
ungjillizimi e humanizmi, kanë nevojë për dashurinë e Krishtit dhe për
patriotizmin e Gjergj Kastriotit, për dritë e paqe në mes vete si vëllezër, me
Zotin, të afërmin dhe fqinjët. Historiani,politikani dhe senatori romak Taciti
shkroi rreth vitit 100 pas Krishtit, se si më parë popujt përfshirë edhe
popullin tonë iliro-arbëror i festonin perënditë dhe heronjtë e tyre në këngët
e lashta; kënga sipas tij ishte forma e tyre e vetme e përkujtimit historik.
Kështu
bazuar në këtë mund të thuhet se historia fillon me legjendën, dhe mësimet e
historisë duhet të fillojnë gjithashtu me legjendën. Në legjendë, fryma
kombëtare jeton dhe merr frymë në menjëhershmërinë e saj që nga djepi shtëpiak
e vazhdon ndër breza; në legjendë, historia pasqyrohet ashtu siç i paraqitet
mendjes kombëtare, perceptimit kombëtar ende të brishtë, prandaj, këtu shihet
qartë që vetë njerëzit formojnë qenien e tyre më të brendshme, thelbin e tyre
kombëtar. Nëse mësimet e historisë duhet të përmbushin me besueshmëri detyrën e
tyre të stimulimit, zhvillimit të ndjenjës kombëtare dhe frymës kombëtare tek
nxënësit, studentët, qytetarët, populli dhe secili prej nesh, atëherë
legjendave në këtë rast veçanërisht atyre iliro-arbërore duhet t'u jepet shumë
më tepër rëndësi sesa ka qenë rasti deri më tani.
Në
të vërtetë, nëse shikojmë më nga afër, zbulojmë se në historinë e të gjithë
heronjve të mëdhenj të të gjithë popujve legjenda ende mbizotëron shumë
fuqishëm, por në historinë tonë ajo jo vetëm që lavdëron Aleksandrin e Madh
,Pirron, Konstantinin e Madh, Mbretëreshën Teuta, por arrin deri te Gjergj
Kastrioti(Skënderbeu), në të vërtetë legjenda luan një rol në jetën e çdo
heroi. Sepse të gjithë njerëzit e mëdhenj që depërtojnë në vetëdijen popullore
kapen menjëherë edhe nga fryma popullore, e cila i vendos ata në një sferë
ideale perceptimi, në mënyrë që ata të mund të shihen dhe vlerësohen jo vetëm
me sytë e mendjes, por edhe me sytë e zemrës. Bota e legjendës duhet të jetë
porta përmes së cilës studenti,por edhe secili lexues hyn në botën e historisë.
Përveç
legjendës është edhe arti, ku në fakt ne shohim se si p.sh. Gjergj Kastrioti
është pasqyruar në shumë gravura e portrete që nga koha e tij e deri më sot nga
mjeshtra të ndryshëm të artit të skulpturës dhe pikturës etj. Një prerogativë e
tillë e artit është lavdia e heroit të vërtetë, i cili, edhe pas vdekjes së tij
ende shkëlqen gjallë në pasqyrën e artit, si dielli që perëndon në dritën e
botës. Vetëm ai, gjoksi i të cilit nuk është i mbushur me soditjen e një heroi
të madh dhe mendja e të cilit e kap, nuk do të them njohuri, por të paktën
ndjenjën e përjetësisë, e cila zbulohet në gjenitë e kombeve, mund të pyesë
ende për "pse"-në e lidhjes së mirëthemeluar midis heroizmit dhe
artit, nëse ai ka parë pak thelbin e heroizmit. Me një kryehero si Gjergj
Kastrioti (Skënderbeu), nuk mund të bëhet fjalë për ringjalljen e famës së
emrit të tij, sepse ai është i gdhendur jo vetëm në faqet e përmbledhjeve
historike, kronikave e dokumenteve të ndryshme historike e arkivore, si dhe
analeve historike,por edhe në zemrat e gjalla të së tashmes të kombit tonë, të
arbërorëve të vërtetë të tij me tipare të pavdekshme.As nuk bëhet fjalë për
dhënien e një shenje të dukshme njohjeje për veprën e tij, sepse ai tashmë ka
fituar më të bukurën nga të gjitha përmes një shteti të lulëzuar arbëror të
kohës së tij të cilin e bëri të famshëm dhe i vendosi kufij zjarri mbrojtës që
nënkuptonte mbrojtjen e Arbërisë dhe Europës nga pushtuesi otoman si dhe i
bashkoi Arbërorët në një kuvend të përbashkët, që do të thotë se kuvendi i parë
apo parlamenti i parë në historinë e kombit tonë është Kuvendi i Lezhës i 2
marsit 1444.
Gjergj
Kastrioti e ngriti në mënyrë krenare Mbretërinë arbërore, ndërkaq nënat e
Dardano-Arbërisë rritën bijtë e bijat që luftuan për lirinë, pavarësinë dhe
unitetin arbëror dhe e mbajtën armikun larg përtej kontinentit Europian. Ai i
udhëhoqi ushtarët arbëror drejt fitores dhe jeton në histori përgjithmonë. Në
ballë të burrave të cilëve u atribuohet kryesisht suksesi i madh i luftës
kundër pushtuesve qëndron burrështetasi i madh, strategu, gjenerali i të gjitha
kohërave Gjergj Kastrioti "Dragoi i Arbërisë", i cili, duke vendos
unitetin arbëror, kishte dyfishuar forcën e Arbërisë. Ushtria jonë si ajo në
Shqipëri dhe Kosovë duhet t'i bëjë homazhe heronjve të Arbërisë dhe t'i ketë
frymëzime të përjetshme sidomos kryeheroin dhe heronjtë tjerë të epokës së
Gjergj Kastriotit e deri tek heronjtë e sotëm. Nuk duhet vetëm heronjtë modern
apo të kohëve të afërta por duhet filluar homzhet nga kryeheroi arbëror,
heronjtë e kohës së tij e deri më sot. Vetëm kështu të bashkuar në unitet, mund
të gëzohemi duke i parë se si bijtë e Arbërisë e Dardanisë nga të gjitha anët e
atdheut nderojnë nga thellësia e zemrës së tyre kryeheroin dhe heronjtë e
mëdhenjë të kombit tonë. Sepse ata vdiqën për çlirimin e Atdheut, poashtu ata
vdiqën për bashkimin e Atdheut iliro-arbëror, për lirinë dhe pavarësinë e
Atdheut të tyre.
Në
kohën e Gjergj Kastriotit askush nuk guxonte ta shikonte me përçmim emrin
arbëror,sepse emri i Arbërisë dhe arbërorëve në krye me atë kishte fituar famë
të mirë në Europën e asaj kohe dhe ishte bërë mburoja e saj. Ndërkaq mund të
thuhet se shfaqja e një heroi të madh nuk duhet ta lejojë një popull të mençur
të pushojë derisa arti i tyre kombëtar të ndjekë imazhin e tij. Dhe tani, nëse
edhe adhurimi i një ylli kishte kuptim në vetvete, sa më shumë mund të kishte
kuptim adhurimi i një kryeheroi, Adhurimi i heroit është admirimi i përhapur i
një njeriu të madh.
Unë
them shpesh gjatë shkrimeve të mia se njerëzit e mëdhenj sikur është edhe
kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti do të jenë përherë të denjë për admirim.
Gjergj
Kastrioti u shfaq si një diell që shkëlqente në horizontin e kohës së tij,
sepse që nga pushtimi otoman në trojet iliro-arbërore, marrja penga e Gjergj
Kastriotit dhe vëllezërëve të tij Atdheu ishte në terrë dhe zymtësi.
Bazuar
në historinë tonë kombëtar iliro-arbërore dhe vetëdijen fisnore e kombëtare,
Gjergj Kastrioti qëndron në krye të heronjëve të mëdhenj dhe model të popullit
tonë.
Mbi
të gjitha, Gjergj Kastrioti ynë i nguliti popullit arbëror një karakter vërtetë
arbëror, një dashuri të pastër për atdheun e tij të dashur, një kuptim të
thellë të sistemit madhështor të artit ushtarak të Arbërisë së kohës së tij
,por edhe sot dhe së fundmi, besim dhe dashuri të pakufishëm për atdheun e tij.
Nëse
sot do të kishim një brez të zgjuar e patriot do të dinin se si të shfrytëzonin
gjithçka mbi dhe nën tokën dardano-arbërore, të gjallët dhe të vdekurit; kur
dihet botërisht se historia jonë është e pasur ,e thellë për nga rrënjët dhe me
figura kombëtare e humane të njohur brenda dhe në Europë e botë sikur është
Gjergj Kastrioti, Karl Ghega, Nënë Tereza etj.
Le
të mos jemi shumë krenarë, sepse vetëm të jesh krenar e të mos ecësh udhës së
paraardhësve nuk na sjell asgjë dhe nuk na bënë aspak më të denjë dhe të
veçantë se të tjerët, por të mësojmë nga paraardhësit tanë, nga figurat
themeltare e humane kombëtare të kombit tonë, për të testuar reflektimet tona
të gabuara dhe larguar paragjykimet dhe injorancën nga mesi i popullit tonë.
Duhet
ditur se pavarësisht shumë trazirave,konflikteve, luftërave dhe ndryshimeve
politike që kanë ndodh deri më sot që nga koha e Gjergj Kastriotit, ne duhet
t'i ruajm me dashuri të thellë kujtimin e themeluesve të lirisë së tyre dhe ta
përcjellim kujtimin e veprave të kryeheroit dhe heronjëve, humanistëve e
patriotëve të kombit tonë brez pas brezi si një trashëgimi të pashlyeshme.
Kështu ata shkëlqejn si yje shpëtimtarësh mbi errësirën e të kaluarës, të
tashmes dhe të ardhmes sepse këta yje kombëtare e europiane të kombit tonë,
këta që nga kryeheroi ynë Gjergj Kastrioti,pastaj heronjtë, patriotët dhe
humanistët arbëror vazhdimisht rizgjojnë shpresën e një të ardhmeje më të
ndritshme sot e përgjithmonë. Për të ndezur te nipërit e mbesat e tyre të
vërtetë e besnik për nga ruajtja e gjakut dhe identitetit kombëtare europian
dardano-arbëror flakët e patriotizmit fisnik si dhe për t'u përcjellë atyre
dëshmi të një ndjenje entuziaste.
Me
pak fjalë ashtu si shkëndija ndez një zjarr ,ashtu edhe Gjergj
Kastrioti,heronjtë dhe patriotët dardan-arbëror na e kanë ndez zemrat tona
arbërore brez pas brezi duke u bë kështu edhe frymëzimi i madh i të gjitha
shekujve të kombit tonë deri në ditët tona. Ne sot të gjithë pa dallim duhet të
jemi kërkues heroik të dritës ashtu sikur ishin edhe paraardhësit tanë,sepse
vetëm kështu ne mund ta nxjerrim në dritë kombin tonë dhe ta bëjmë atë të denjë
për emrin e tij dhe t'ia plotësojmë testamentin paraardhësve tanë që luftuan e
dhanë djers e gjak që kombi i tyre të jetë i lirë dhe në dritë e me të ardhme
te qartë e të sigurt.










