Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Prof. Dr. Mark Camaj, një pedagog erudit dhe humanist i përkushtuar i dijes
E marte, 06.01.2026, 06:57 PM
Prof. Dr. Mark Camaj, një pedagog erudit dhe humanist i përkushtuar i dijes
Nga
Gjekë Gjonaj
Prof. dr.
Mark Camaj (1947–2025) përfaqëson një nga figurat më të rëndësishme të arsimit dhe
kulturës në Mal të Zi, me ndikim të veçantë në formësimin e arsimit humanistik
dhe në afirmimin e komunitetit shqiptar në këtë hapësirë. Si profesor
universitar, studiues, filolog klasik dhe diplomat, ai la një trashëgimi të
qëndrueshme në disa fusha kryesore të jetës akademike dhe publike.
Formimi dhe studimet e larta
Mark
Camaj u lind më 4 tetor 1947, në fshatin Vuksanlekaj të Malësisë së Madhe
(Tuz). Arsimin fillor e kreu në vendlindje, ndërsa shkollimin e mesëm e vijoi
në institucionet françeskane në Split dhe Trogir, ku u formua intelektualisht
mbi bazat e një tradite klasike dhe humaniste. Studimet universitare i
përfundoi në drejtimin e Filologjisë Klasike në Universitetin “Shën Kirili dhe
Metodi” në Shkup, ku diplomoi në vitin 1974.
Përgatitja
e tij akademike u pasurua më tej me studime pasuniversitare në Dubrovnik
(Histori kulturore e bregdetit lindor të Adriatikut), me magjistraturë në
Universitetin e Zagrebit mbi kontaktet gjuhësore dhe veçoritë e të folmes së
Malësisë, si dhe me doktoraturë në Universitetin e Beogradit me temën “Onomastika e Malësisë”. Ky formim i gjerë dhe multidisiplinar
e renditi ndër njohësit dhe studiuesit më autoritarë të filologjisë klasike dhe
onomastikës në rajon.
Veprimtaria arsimore dhe akademike
Karrierën
pedagogjike e nisi si profesor i gjuhës latine dhe i historisë së lashtë në
gjimnazin “25 Maji” në Tuz (1974–1976), për ta vijuar më pas në Shkollën e
Mesme të Mjekësisë në Podgoricë (1976–1982). Nga viti 1982 u angazhua në
Institutin Historik, duke ndërthurur punën kërkimore me mësimdhënien e gjuhëve
klasike në disa institucione arsimore të Malit të Zi.
Nga
viti 1995 deri në pensionimin e tij në vitin 2015, prof. Camaj ishte pjesë e
Universitetit të Malit të Zi, kryesisht në Fakultetin e Filologjisë në Nikshiq
dhe në Fakultetin e Mjekësisë në Podgoricë, ku ligjëroi latinishten dhe
greqishten e lashtë. Krahas kësaj, ai dha mësim edhe në institucione të tjera
akademike të rajonit, përfshirë Universitetin e Prishtinës dhe Seminarin
Dioqezan në Shkodër.
Aftësia
e jashtëzakonshme për të përcjellë dijen e bëri atë një autoritet të padiskutueshëm
në fushën e tij, por edhe një model frymëzues për brezat që patën privilegjin
ta dëgjonin dhe të bashkëpunonin me të. Puna e tij si profesor u karakterizua
nga erudicioni i thellë, përkushtimi ndaj dijes dhe aftësia për ta transmetuar
traditën klasike te studentët, duke i orientuar ata drejt humanizmit, historisë
së qytetërimeve dhe mendimit kritik.
Kontributi në institucionet arsimore dhe kulturore
Prof.
Camaj ishte bashkëpunëtor i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Malit të Zi
(CANU) dhe anëtar i disa organeve profesionale arsimore. Ai luajti një rol të
rëndësishëm në themelimin e Gjimnazit Filologjik – një hap me rëndësi të
veçantë për zhvillimin e arsimit klasik dhe filologjik në vend.
Gjithashtu,
ai ishte autor dhe bashkautor i teksteve dhe manualeve arsimore, si dhe anëtar
i jurive për ndarjen e disa prej çmimeve më prestigjioze shtetërore, përfshirë
Çmimin “13 Korriku” dhe Çmimin “Oktoih”.
Angazhimi diplomatik dhe shërbimi publik
Në
periudhën 2004–2006, Camaj iu bashkua
shërbimit diplomatik si ambasador i shtetit të atëhershëm Serbi–Mal i Zi në
Shqipëri. Veprimtaria e tij diplomatike u shqua për profesionalizëm, komunikim
kulturor dhe ndërtim urash bashkëpunimi ndërmjet institucioneve dhe
komuniteteve. Ky angazhim pasuron profilin e tij si intelektual që, përtej
botës akademike, kontribuoi edhe në politikën e jashtme dhe në marrëdhëniet
ndërkufitare.
Personaliteti dhe trashëgimia
Gjatë
gjithë veprimtarisë së tij, profesori Camaj u shqua si një pedagog dhe humanist
erudit, i përkushtuar dhe fisnik, vlerat e të cilit, hapja ndaj dialogut dhe
interesi i sinqertë për mirëqenien e të tjerëve, lanë gjurmë të thella në jetën
e studentëve, bashkëpunëtorëve dhe kolegëve të tij.
Kontributi
i tij shumëanshëm në arsim, kërkim shkencor, kulturë dhe diplomaci e bën
figurën e tij të qëndrueshme në kujtesën akademike dhe shoqërore. Prof. dr.
Mark Camaj mbetet një nga përfaqësuesit më të spikatur të komunitetit shqiptar
në Mal të Zi dhe një protagonist i rëndësishëm i arsimit humanistik në rajon.
Prof.
dr. Mark Camaj ndërroi jetë më 23 prill 2025, duke lënë pas një trashëgimi të
pasur profesionale dhe morale, e cila do të vlerësohet për një kohë të gjatë. Largimi i tij lë një boshllëk të ndjeshëm në
Fakultetin e Filozofisë, në komunitetin akademik dhe në kujtesën shoqërore,
duke na obliguar njëkohësisht ta ruajmë dhe ta nderojmë veprën dhe
personalitetin e tij.
Çfarë humbi Malësia me vdekjen e birit
të saj, Prof. dr. Mark Camaj?
Me
ndarjen nga jeta të Prof. dr. Mark Camajt, Malësia humbi një nga bijtë e saj më
të ndritur – një personalitet të rrallë, të pajisur me dituri të thella
shkencore, me vlera të larta njerëzore dhe me një trashëgimi të pasur
profesionale që la gjurmë të pashlyeshme në arsim, shkencë dhe diplomaci.
Ajo
humbi një humanist klasik që e kuptonte dijen jo vetëm si profesion, por si
mision shoqëror; një pedagog që formoi breza të tërë studentësh, duke i mësuar
jo vetëm gjuhët dhe qytetërimet e lashta, por edhe etikën, përgjegjësinë dhe
mendimin kritik. Me largimin e tij, Malësia humbi një zë të urtë, të
ekuilibruar dhe përfaqësues dinjitoz të kulturës së saj në hapësirat akademike
dhe institucionale të vendit dhe më gjerë.
Humbi
gjithashtu një studiues të përkushtuar që e lidhi shkencën me identitetin,
historinë dhe trashëgiminë kulturore të vendlindjes. Në fushën e diplomacisë,
ajo humbi një intelektual që ndërtoi ura mirëkuptimi dhe dialogu, duke e
përfaqësuar me dinjitet shtetin dhe kulturën nga e cila vinte.
Por
mbi të gjitha, Malësia humbi një njeri fisnik – të thjeshtë në sjellje, të thellë
në mendim dhe të madh në vepra – një shembull të rrallë se si dija, karakteri
dhe shërbimi publik mund të bashkëjetojnë në një personalitet të vetëm.
Trashëgimia që ai la pas mbetet pasuri e përhershme për komunitetin, ndërsa
kujtimi i tij do të jetojë si frymëzim për brezat që vijnë.
Ishte
një privilegj i veçantë dhe një nder i rrallë ta kisha mik – një njeri me
mendje të ndritur, zemër fisnike dhe fjalë të matur, që pasuronte çdo bisedë
dhe çdo takim, sepse miqësia e tij buronte nga dituria, urtësia dhe humanizmi.









