Faleminderit
Kujtim Mateli: Urim për ditëlindjen e 87 të prof. Eshref Ymerit
E enjte, 25.12.2025, 04:53 PM
Urim për ditëlindjen e 87 të prof. Eshref Ymerit
Nga
Kujtim Mateli
25 Dhjetori është ditë e shënuar për
njerëzimin, është dita e lindjes së
Krishtit. Por ne miqtë e prof. Eshref Ymerajt ndihemi
dyfish të gëzuar, festojmë ditëlindjen e tij. Prof.
Eshref Ymerajt, u lind në Mesaplik të Labërisë më 25 dhjetor të vitit 1938.
Sivjet, në këtë datë, festojmë 87 vjetorin e ditëlindjes së tij. I
urojmë dhe 100 vite të tjera, njeriut të shquar që gjithë jetën punoi për të
lartësuar vlerat e Atdheut tonë. Si njeri me njohuri të thelluara shkencore në
fushë të gjuhësisë dhe historisë, dy nga fushat që janë shtylla kurrizore e
identitetit tonë kombëtar, prof. dr. Eshref Ymeri ka dhënë një kontribut të
çmuar, të papërsëritshëm, që do të mbetet në kurorën e vlerave që janë krijuar
dhe do të krijohen edhe në të ardhmen.
Prof. Eshref Ymeri është autor i një
numri të konsiderueshëm veprash shkencore, si dhe i katër fjalorëve
frazeologjik dy gjuhësh: "Fjalor frazeologjik italisht-shqip"
(me bashkautorë, 2007), me mbi 15 mijë zëra; "Fjalor frazeologjik
rusisht-shqip" (2015), me mbi 25 mijë zëra; "Fjalor frazeologjik
anglisht-shqip" (2019), me rreth 25.500 zëra; dhe "Fjalor
frazeologjik frëngjisht-shqip" (me bashkautor, 2021), me mbi 40 mijë zëra,
si dhe i disa fjalorëve të tjerë. Një numër i konsiderueshëm shkrimesh
studimorë për gjuhën shqipe, e kanë lartësuar figurën e tij si gjuhëtar i
përmasave kombëtare. Katër fjalorët frazeologjik dy gjuhësh, bashkë me
kryeveprën e tij: "Fjalor frazeologjik i gjuhës shqipe",
Tiranë 2022, me 19.300 shprehje frazeologjike, një nga veprat më të rëndësishme
në gjuhën shqipe, përbëjnë veprën madhore monumentale që ky autor i dha gjuhës
shqipe dhe popullit të vet, i strukturuar në 1204 faqe, një pasuri që do të
jetë themeli mbi të cilin do të ngrihen studimet e tjera të mëtejshme. Një
vepër ka vlera, kur interesin për të e kanë jo vetëm bashkëkohësit e tij, por
kur pasardhësit i drejtohen asaj. Të evidentosh vlerat e gjuhës shqipe, do të
thotë të evidentosh vlerat e kombit tënd, që ai ka krijuar në rrjedhë të
historisë. Prof. dr. Eshref Ymeri gjendet në rreshtin e parë. Ka një shpirt
luftarak që do t`i shkonte moshës rinore, një kthjelltësi mendimi si atëherë,
kur ishte i ri dhe me mijëra studentë të tij e dëgjonin me kureshtje dhe
vëmendje. Prof. dr. Eshref Ymeri përfaqëson mençurinë dhe guximin e trevës së
Labërisë, bir i së cilës është dhe e ka përfaqësuar vendlindjen e tij me
dinjitetin e një atdhetari dhe shkencëtari të përkushtuar.
Libri më i fundit i prof. Eshref Ymerit " 'Rezonanca magnetike'
për Rusinë dhe rusët", Tiranë 2025, përbën një nga vlerat më
të çmuara në fushën e studimeve historike, sepse sjell para lexuesit qëndrimin
e 426 personaliteteve rusë dhe botërorë për psikologjinë e popullit rus,
mjedisin historik që ka formësuar karakteristikat e tij si popull, qëndrimin e
Rusisë në rrafshin botëror, por edhe qëndrimi i saj ndaj Shqipërisë dhe trojeve
shqiptare. Nëpërmjet këtyre personaliteteve me përmasa botërore, të cilët kanë
jetuar në kohë të ndryshme, na jepet qëndrimi i Rusisë në segmente të ndryshme
kohorë dhe roli i saj në skenën politike, raportet e saj me lirinë dhe
pavarësinë e popujve, ku qartësohet politika e Kremlinit si një politikë
antishqiptare në këta shekujt e fundit, që e parë në një plan më të gjerë është
një politikë antievropiane.
Rusia ka pasur vazhdimisht një pushtet
diktatorial, i cili ka ndikuar në tjetërsimin e njeriut rus, duke i dhënë atij
tipare agresive. Në fund të fundit, njeriu është produkt i rrethanave në të
cilat ndodhet. Një qasje e vazhdueshme agresive ndaj popujve të tjerë, e
tjetërson dhe individin. Kjo duket në ditët e sotme tek pushtimi i Ukrahinës
nga Rusia, masakrat e saj ndaj popullsisë ukrahinase. Të vrasësh një popull fqinj
me lidhje të vjetra historike, është një gjë e tmerrshme, një absurditet që
tregon se mendja njerëzore është tjetërsuar dhe mund ta përdorë armën për të
vrarë dhe shfarosur popuj të tjerë.
Prof. Eshref Ymeri, te vepra e tij
madhore: " 'Rezonanca magnetike' për Rusinë dhe rusët", ka skanuar
psikologjinë ruse, të formuar nën pushtete të vazhdueshme diktatoriale. Kundër
rrezikut rus, prof. Eshrefi kanë sjellë në libër revoltën e qindra
personaliteteve ruse, por dhe të atyre në rrafshin botëror, për t`i demaskuar
të këqijat e politikës ruse.
Autori nënvizon se Rusia ndaj popullit
shqiptar ka mbajtur dhe mban qëndrim jo miqësor, ka qenë gjithmonë në
mbështetje të shteteve fqinj për copëtimin e trojeve shqiptare duke i
mbështetur dhe nxitur ata sidomos serbët dhe grekët, synimet shoviniste të të
cilëve vazhdojnë të ekzistojnë në ëndrrat e tyre. Rusia edhe sot nuk e ka
ndalur luftën ndaj aspiratave të shqiptarëve për liri dhe pavarësi, është një
mbështetje e Serbisë për të mos e njohur shtetin e Kosovës.
Analiza të tilla në fushë të gjuhësisë
dhe atë të historisë, e lartësojnë profesorin e nderuar si një shkencëtar i
përmasave evropiane. Ne krenohemi me profesorin e nderuar Eshref Ymeri,
krenohemi me kombin tonë që ka nxjerrë dijetarë të krahasueshëm me ata të kombeve
të tjerë.
Në këtë 87-vjetor, nga thellësia e
qenies sime po të nis urimin: e festofsh ditëlindjen dhe 100 vite të tjera dhe
kurrë mos pushoftë së shkruari dora jote e artë!
Kujtim Mateli
Tiranë, 25 dhjetor 2025









