Faleminderit
Prend Buzhala: Rrëfyesi i urtësisë dhe pajtuesi i plagëve
E premte, 07.11.2025, 07:40 PM

RRËFYESI I URTËSISË DHE PAJTUESI I PLAGËVE
(Ese
për figurën e Anton Çettës në 30-vjetorin e vdekjes)
Nga
Prend BUZHALA
Në
secilën kohë kombi ynë ka nxjerrë njerëz që e ruajnë kujtesën, por edhe figura
që e shërojnë shpirtin e etnosit tonë. Anton Çetta ishte të dyja këto: Rrëfyes
i Urtësisë dhe Pajtues i Plagëve. Ai e deshi popullin e vet, jo i kapluar nga prirjet romantike të së shkuarës, por si
forcë të gjallë të shpirtit kombëtar, që duhej ndriçuar, kuptuar e çliruar nga
vetvetja. Nëpërmjet punës së tij të dyfishti: në fushën e mbledhjes së
folklorit dhe në misionin e pajtimit të gjaqeve, Anton Çetta u bë këpujë jetike
midis fjalës dhe veprës, midis urtisë që rrëfen dhe dashurisë që shëron.
1. Rrëfyesi i urtësisë
Anton
Çetta, i njohur shpesh me emërtimin emblematik “Plaku i Kosovës”, filloi punën
e tij të palodhur me mbledhjen e lëndës folklorike që në vitin 1953.
Fillimisht, kjo veprimtari e tij shtrihej në trevat e Drenicës, duke
regjistruar, ruajtur dhe analizuar tregime, këngë dhe mite të trashëguara brez
pas brezi. Me kalimin e kohës, aktiviteti i tij u zgjerua në shumë vise të
tjera të trojeve etnike shqiptare nën ish-Jugosllavinë, duke e kthyer mbledhjen
folklorike në një mision jetësor. Dy vite më vonë, paralelisht me këtë
aktivitet, dhe deri në fund të jetës, Çetta shkroi një sërë trajtesash,
studimesh dhe punimesh kushtuar letërsisë gojore, duke kontribuar në mënyrë të
vyer për ruajtjen dhe vlerësimin e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Në
të dy epokat e tij, në atë të mbledhjes e studimit të folklorit dhe në atë të
Pajtimit të Gjaqeve, Anton Çetta ka ditur t'i zgjojë prirjet më të mira të
popullit tonë. T'i zgjojë në çastet kyçe e kritike, për hir të një perspektive
ndriçuese më të gjerë e më të qartë: që kjo ndërgjegje të ngrihet në shkallë më
të lartë të vetëçlirimit nga plagët e së kaluarës. Është rruga e gjetjes së
vërtetë të vetvetes. Në
Në
epokën e parë të jetës së tij, atë të mbledhjes dhe studimit të folklorit,
Anton Çetta e kuptoi se një popull që nuk e njeh fjalën e vet të trashëguar, nuk
e njeh as shpirtin e vet. Ai e dëgjoi popullin me veshët e dijetarit, por më
shumë me zemrën e nxënësit të përulur, që mëson nga goja e urtësisë popullore.
Nëpër oda e fshatra, në male e në fusha, ai mblodhi zëra, fjalë, legjenda e
këngë, jo vetëm si dokumente etnografike, por si shpërthime të mendimit
filozofik popullor.
Nëpërmes
tij, fjala popullore mori dinjitet shkencor dhe folklori nuk u pa më si një
kujtim arkaik, por si vlerë universale e mendimit njerëzor. Çetta e dinte se
aty ku populli flet përmes përrallave dhe këngëve, ai shpreh kuptimin e vet të
jetës, të dashurisë, të dhimbjes dhe të nderit.
Ai
e pa në fjalën popullore bukurinë estetike, por e kundroi te kjo fjalë edhe
etikën e ekzistencës shqiptare, atë që e ruan përmes urtisë një moral të thellë
për bashkëjetesë, qëndresë e besë. Kështu, nëpërmjet vëllimeve të tij të
pasura, Anton Çetta u bë dëshmitari i madh i kujtesës kombëtare, ai që dëgjoi
shpirtin e popullit dhe ia dha formën e përhershme të dijes.
Rrëfyesi
i urtësisë është, pra, njeriu që ruan zërin e popullit nga harresa, që i jep
fjalës gojore peshën e librave dhe që e ngre urtinë në shkallë të vetëdijes
kombëtare. Ai është lexuesi më i thellë i shpirtit tonë kolektiv, që e di se
dija e vërtetë fillon nga dëgjimi.
2. Pajtuesi i plagëve
Në
epokën e dytë të jetës së tij, Anton Çetta u bë pajtues i gjaqeve, por në thelb
ai u shndërrua në pajtues të plagëve shpirtërore të kombit. Pas dekadash
përçarjeje, gjakmarrjesh e lufte për mbijetesë, ai kuptoi se kombi shqiptar nuk
mund të çlirohej nga jashtë, pa u shëruar më parë nga brenda.
Në
atë kohë, fjalët e tij kishin peshën e urtisë, por edhe zjarrin e besimit. Ai
nuk fliste nga katedra, por nga zemra e popullit. Thirrja e tij “Jo me i lanë
hasëm, por me i lanë vllazën” ishte një moto etike, por u bë edhe një manifest
i rilindjes morale shqiptare. Aty ku
gjaku dhe hakmarrja kishin mbajtur peng qindra
familje e gjenerata, ai arriti të ngrejë një kanun të ri të faljes, një
ligj shpirtëror të paqes.
Kështu,
Anton Çetta u bë oratori i shpëtimit kombëtar, që e shndërroi kuvendin e
pajtimeve në një tempull të ndërgjegjes. Ai e kuptoi më mirë se kushdo se
pajtimi nuk është akt formal, por proces i brendshëm i shërimit shpirtëror.
Ashtu siç thotë Desmond Tutu, “Pajtimi i vërtetë ekspozon dhimbjen, por vetëm
për ta shëruar atë”. Dhe Çetta e shëroi dhimbjen duke e kthyer në dashuri.
Në
këtë kuptim, Pajtuesi i plagëve bëhet një figurë morale; ai është mjeku i
shpirtit kolektiv që i mësoi njerëzit të kenë guximin të falin, ta njohin
njëri-tjetrin, të flasin me zemër, të dëgjojnë me shpirt. Ai është njeriu që e
ngriti aktin e faljes në epope morale kombëtare.
3. Nga fjala që ruan te
fjala që shëron
Dy
epokat e Anton Çettës nuk janë të ndara, por janë dy anë të një medaljeje: në
të parën ai ruajti kujtesën, në të dytën e çliroi. Në të parën dëgjoi zërin e
popullit, në të dytën i foli popullit. Në të parën kërkoi fjalën e urtisë, në
të dytën e bëri urtinë veprim.
Ai
e shndërroi folklorin në ndërgjegje kombëtare dhe pajtimin në akt historik të
humanizmit shqiptar. Ai është dëshmi e rrallë se dija dhe dashuria mund të
bashkëjetojnë në një shpirt të vetëm.
Te
ai urtia u bë njohje dhe njohja u bë shërim.
Kur
shumë shoqëri kërkojnë modelet e pajtimit pas konflikteve, përvoja e Anton
Çettës mbetet shembull universal i humanizmit që lind nga rrënjët, nga populli,
nga dashuria për jetën dhe për tjetrin. Ai tregoi se asnjë ligj nuk mund të
bëjë atë që bën ndërgjegjja, se asnjë pushtet nuk mund të shërojë atë që shëron
zemra.
4. Figurë e ndërgjegjes
kombëtare
Anton
Çetta është njëri nga ata njerëz që e
ndërlidhin lidhin historinë me shpirtin. Ai, në vend të ndërtimit të
tempujve e monumenteve, urdhëroi fjalën e faljes; në vend të traktateve
politike (siç na i shitnin aso kohe shumë intelektualë), krijoi paqe reale ndër
njerëz. Nëpërmjet tij, kombi shqiptar kuptoi se uniteti nuk vjen si dhuratë,
por si flijim; se pajtimi nuk është harresë, por kujtesë e ndriçuar.
Në
kujtesën tonë kulturore e morale, prandaj, Anton Çetta qëndron si figurë e
dyfishtë e dritës: Rrëfyesi i urtësisë, që na mësoi kush jemi dhe Pajtuesi i plagëve, që na mësoi si të jemi
bashkë.
Në
këtë bashkim të urtisë dhe dashurisë, fjala e tij mbetet dritë udhërrëfyese për
çdo kohë, sepse kombet që kanë njerëz si Anton Çetta, nuk kanë nevojë vetëm për
histori, ata kanë shpresë.










