Faleminderit
Fran Gjoka: Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës
E shtune, 13.12.2025, 06:52 PM
Një jetë e tërë në shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës
Portret
për NDUE SANAJ, ushtarak i lartë, drejtues, publicist dhe studiues
Të
shkruash për njerëzit që e meritojnë, është respekt dhe mirënjohjeje".
V. Hygoi
Shkruar
nga: Fran GJOKA
Të flasësh sot për
ushtarakët flokëthinjur nga pesha e rëndë e viteve, nuk është e lehtë. Ata janë
modest, flasin pak për veten e tyre, teksa kanë
shumë ndjenjë, krenari dhe dashuri për vendin. Kjo armate e madhe ushtarakëve
punuan e sakrifikuan shumë për mbrojtjen
e atdheut, duke qenë përherë të përkushtuar, ndaj detyrave dhe atdheut,
sakrifikuan për misionin e tyre të lartë të mbrojtjes dhe bënë të pamundurën për
t`i realizuar detyrat që u ngarkoheshin. I tillë është koloneli i suksesshëm në
pension Ndue Dodë Sanaj, i cili ka krijuar portretin e tij të plotë me vepra dhe
punë plot vetëmohim në shërbim të atdheut. Ai është biri i Gjurajve të Pultit,
është një prej atyre burrave të rrallë, që u rrit ndër male me frymë të lartë,
me fjalë të pakta, por me vepra të mëdha. Ai lindi më 1 shtator 1943, në zemrën
e Gjurajve të hershme, në një kohë të vështirë, por u rrit në një mjedis ku
trashëgohen në breza ndershmëria, besa dhe burrëria e malësorit, vlera të cilat
e shoqëruan atë në çdo detyrë, në çdo vend pune, në çdo faqe historisë së tij
si bir i vendit të shqiponjave.
Rrugëtimi i tij nisi mes maleve
Fëmijëria e tij
është e shtrirë mes Gjurajve e
Shënkollit. Pas shkollës 7-vjeçare (1951–1958), ai iu nis një rruge që kërkonte
përkushtim dhe vendosmëri: u regjistrua dhe vijoi suksesshëm shkollën ushtarake
“Skënderbe” në Tiranë. Ishte vetëm 15 vjeç kur veshi uniformën për herë të
parë, por serioziteti dhe qëndrimi i tij i burrëruar do ta bënin të dallohej që
në klasat e para. Nga viti 1958 deri në
vitin 1962, ai hodhi themelet e asaj karriere të gjatë që do të ndriçonte për
45 vite me radhë. Pas “Skënderbeut” Ndue Sanaj vijoi shkollën e Bashkuar të
Oficerëve, në profilin e gjitharmëshit (1962–1964),
sikurse dhe kursin tremujor të zbulimit (1967), Akademia e Shtabit të Përgjithshëm
(1968–1970), ku përgatiten strategët e ushtrisë. Së fundmi, pas viteve ’90, kreu
specializimet në Turqi (2000), që dëshmojnë se një ushtarak i vërtetë nuk
pushon kurrë së mësuari. Formimi i tij nuk qe thjesht profesional: ai mori disiplinën,
vëmendjen, gjakftohtësinë dhe përgjegjësinë, katër shtyllat e një oficeri drejtues.
Kam rastisur të bisedoj me njerëz të profesioneve të ndryshme për Nduen, i cili
mban një miqësi të gjerë shoqërore nga
te gjitha trevat. Të gjithë ata që flasin për Nduen e
përshkruajnë atë një malësor të vërtetë dhe krenar, që gjithë jetën ka
rrezatuar vetëm mirësi dhe frymë atdhedashurie. Për 50-vjet që ishte drejtues në
ushtri, Ndueja kurrë nuk e lëkundi karakterin e tij dhe asnjëherë nuk u tundua
nga përfitimet e padrejta materiale apo të famës, shoqërore, asnjëherë nuk diti
të diferenconte njerëzit sipas shoqërisë e miqësisë, por është dhe mbetet gjithnjë
pranë tyre, me pasionin dhe nivelin e lartë profesional, qytetar e intelektual.
45 vite në shërbim të atdheut, nga nëntoger në kolonel
Karriera e
kolonelit Ndue Sanaj është një kapitull i gjatë i historisë së ushtrisë sonë.
Ai ka shërbyer në afro çdo cep të vendit: në Krujë, Yrshek, Bushat, Pukë,
Kelmend, Has, Kukës, Shkodër… Ai ka mbajtur disa nga detyrat më kyçe të
strukturave ushtarake: Komandant kompanie zbulimi, këmbësorie e sulmuese
(1964–1968); komandant batalioni (1970–1975; 1994–1995); komandant Brigade
këmbësorie (1979–1982); komandant i FVVP Shkodër (1992). Në këto detyra Ndue
Sanaj u njoh si një komandant i drejtë, i prerë kur duhej, por gjithmonë
njerëzor, një cilësi që në ushtri nuk jepet me gradë, por fitohet me respekt.
Në shtab, ai mbajti detyra strategjike: Shef
operativ brigade; shef shtabi brigade; shef shtabi në FVVP Kukës; shef i degës
operative të Divizionit; shef shtabi Divizioni (detyra më e lartë e karrierës
së tij ushtarake). Kjo ngjitje e pandërprerë, e shtrirë për gati gjysmë
shekulli, flet për një njeri që nuk komandoi vetëm trupa, por gëzoi besimin e
shumë komandantëve e strukturave të të gjitha niveleve. Gradat e tij janë një
lloj harte e historisë së tij: të gjitha të merituara, të gjitha të ndërtuara
gur mbi gur. Kjo karriere e gjate ngjitjeje nga toger ne kolonel, tregon se Ndie
Sanaj është një burrë qe nuk e nisi dhe as e përfundoi karrierën me buje e
reklama, ua la te tjerëve te gjykonin për shërbimin perfekt qe beri ne shërbim
te mbrojtjes dhe shume shpejt, u shndërrua një nder figurat publike dhe
admiruese jo vetëm për Shkodrën dhe fshatrat përreth por për tere veriun e Shqipërisë.
Sa punoi e drejtoi ne ushtri, trashëgoi e përcolli te brezat e ri ushtarak,
mesazhin e një kulture te ngritur dhe profesionalizmi te spikatur. Këtë e pati gjithnjë
filozofi jete te tjetërsueshme, ndaj dhe vlerësimi ne ushtri ishte maksimal. Ai
thotë gjithmonë me bindje: "Po te ishte e mundur te bëhesha dhe një here i
ri, veç për ushtrinë do te dëshiroja te punoja e te kontribuoja me shume dëshirë
e pa asnjë hezitim".
Dekorata dhe tituj që shënojnë vlera dhe mbartin histori
Nuk ka dekoratë që
jepet rastësisht. E aq më pak në ushtri. Kolonel Ndue Sanaj është vlerësuar me:
Medaljen “Ylli i Kuq” (1968); Medaljen “Shërbimi Ushtarak” (1974); Urdhrin
“Ylli i Kuq”, klasa III (1978); Urdhrin “Shërbimi Ushtarak”, klasa III (1985);
Pas viteve të tranzicionit, shoqëria civile dhe komunitetet e trevës së tij nuk
mbetën pas: “Qytetar Nderi” i Pultit (2013); “Nderi i Shoqatës së Ushtarakëve
të Republikës së Shqipërisë” (2013); “Mirënjohja e Qytetit Shkodër” (2013);
“Faleminderit Kryetar!”, Shoqata Atdhetare, Dukagjini (2013); “Qytetar Nderi” i
Rrethinave (2015). Secili prej këtyre vlerësimeve është një roman më vete. Janë
mirënjohje për një jetë të tërë shërbimi. Ndërsa shkruaj këto radhë për këtë
njeri kaq të suksesshëm në punën drejtuese në ushtri, me vjen keq për harresën
e Këshillit Bashkiak te Shkodrës për dhënien e titullit: "Mjeshtër i Madh
i Punës". Për njerëz të tillë, të ditur, të emancipuar, tolerant dhe
kurdoherë në shërbim të atdheut ka shume nevojë shoqëria shqiptare.
Nismëtar dhe kryetar i shoqatës atdhetare “Dukagjini”
Për Ndue Sanajn,
shërbimi nuk mbaroi me heqjen e uniformës. Përkundrazi, filloi një kapitull
tjetër, ai i shërbimit qytetar e atdhetar. Më 13 maj 2003, së bashku me një
grup personalitetesh të trevës, ai themeloi Shoqatën Atdhetare “Dukagjini”.
Që prej asaj dite e deri sot ai është kryetari i saj i padiskutueshëm, një
figurë që i dha zë kujtesës së Malësisë, historisë, traditës dhe dinjitetit të Dukagjinit.
Po ashtu, prej dhjetorit 2003 ai drejton gazetën “Dukagjini”. Nëpër faqet e
asaj gazete, për gati dy dekada, ai ka ruajtur një pjesë të rëndësishme të
identitetit kulturor e historik të veriut. Me qindra artikuj, shkrime, studime
dhe refleksione kanë kaluar nëpër duart e tij, duke u bërë pjesë e një arkivi
të vyer për brezat që vijnë. Krahas përballimit te jetës ditore Ndue Sanaj nuk
pushon se shkruari.
Studiues dhe atdhetar
Në heshtjen e
librave të tij, që nuk janë të zhurmshëm, por të thellë, qëndron një tjetër
dimension i personalitetit të tij: ai i studiuesit. Ai ka botuar gjashtë libra
të rëndësishëm: Dukagjini,
Shqipëria ime aty (2014, 2020, 2023); Gjurajt (2016, bashkë me Arben Gjuraj & Vat
Gjoni); Historiku i familjes
Sanaj (2018); Kujtimet
e një ushtaraku (2019); Ndërkohë ka tre vepra të tjera në proces,
dëshmia më e qartë se mendja e tij kërkuese nuk njeh pension. Vepra e tij, e
mbështetur në burime, kujtime dhe kërkim të lodhshëm, është sot një shtyllë e
dokumentuar e historisë lokale dhe familjare të trevës së Dukagjinit. Një jete
te tere ne ushtri dhe krijimtari është mbushur sot me shume synime e vlerësime
te merituara.
Burrë dhe prind ideal
Shumë para se të
ishte kolonel, studiues, publicist apo drejtues, Ndue Sanaj ishte dhe mbetet
një familjar. Që prej vitit 1971, ai dhe bashkëshortja e tij, Veneranda (Vera),
ndërtuan një familje të shëndetshme, ku rritën tre vajza: Enkelejdën, Edmiren
dhe Enveidën. Kjo është ndoshta pjesa më e bukur e
portretit të tij: një burrë i ashpër në profesion, por një baba i qetë e i urtë
në shtëpi. Nduja mbetet një burrë ideal, një prind qe u gëzohet fëmijëve te
tij, kulturës dhe dijeve te tyre, një gjysh ku reflekton përkujdesje, dhe
dashuri atërore për nipërit e mbesat qe i quan "ëmbëlsira e
shpirtit".
Njeri i punës, i fjalës i veprës
Nëse do ta
përmblidhnim jetën e Ndue Sanajt me një fjali të vetme, ajo do të ishte: -Një jetë e tërë në
shërbim të atdheut, të komunitetit dhe të vërtetës. Ai është
shembulli i një oficeri që nuk e mbajti uniformën vetëm në trup, por edhe në
shpirt. I një shqiptari që nuk e harroi kurrë prej nga vinte dhe as për kë
duhej të punonte. I një njeriu që la gjurmë jo vetëm në fletët e dokumenteve të
ushtrisë, por edhe në mendjet e njerëzve, në historinë e Dukagjinit, në
kujtesën e Shkodrës dhe në zemrat e atyre që e njohën nga afër. Ai është
kolonel, por mbi të gjitha është Njeriu Ndue Sanaj, burri i punës, i
fjalës dhe i veprës. Kolonelit Ndue Sanaj i uroj me zemër jete te gjate, këtij
njeriu te thjeshte, te heshtur qe nuk ka njohur egoizmin dhe egocentrizmin, kësaj
blete qe ka mbledhur për vite te tera nektarin e jetës për te na sjelle ne
librat e tij mjaltin e shpirtit. Tani nuk me mbetet gjë tjetër veç te shpreh dëshirën
qe Ndue Sanaj te ketë edhe me shume vite jete, qe te na lere sa me shume vlera
te çmuara me krijimet e veta brilante. Kuptohet, qe brenda një shkrimi te tille,
është e vështirë te sjellësh para lexuesve figurën e gjere dhe te gjithanshme
te një intelektuali, shkrimtari, gazetari dhe te një ushtaraku te talentuar si
Ndue Sanaj. Sot i urojme pleqëri te mbare dhe i nderuar e krenar për vlerat e
tij qe kane qene dhe janë e do te jene udhërrëfyese për brezat e ardhshëm
ushtarakë.


















