Faleminderit
Albulena Pllana Breznica: Profesoresha Dr. Safete S. Juka: 'Dora d’Istria e dytë shqiptare'
E marte, 25.11.2025, 07:00 PM
PROFESORESHA DR. SAFETE S. JUKA: "DORA D'ISTRIA E DYTË SHQIPTARE"
NGA ALBULENA
PLLANA BREZNICA
Hyrje
Profesoresha dr. Safete S. Juka është
cilësuar si „Dora D’Istria e kohëve tona” për angazhimin e saj atdhetar,
humanitar dhe me shtrirje shumë të gjërë kulturore. Përkushtimi i saj ndaj
çështjes shqiptare të Kosovës dhe baraspesha mes dijes akademike dhe atdhedashurisë
e bëjnë një figurë të veçantë në historinë kulturore shqiptare.
Njohuritë fillestare për profesoreshën Safete
S. Juka i kam marrë nga shkodrani Isa Alibali, publicist dhe autor i disa
veprave letrare dhe politike, gjatë qëndrimit tim, disa vite rresht, në
Velipojë.
Dr. Safete S. Juka ka lindur në qytetin e
Shkodër, Shqipëri, në vitin 1920 sipas disa burimeve (shkronja “S” në mes emrit
dhe mbiemrit paraqet shkronjën e parë të
emrit të nënës së saj, Sofies). Ajo ishte vajza e Sofie dhe Musa Juka. Musa
Juka ish kryetar Bashkie në Shkodër (1916-1925) dhe ish ministër në kohën e
mbretërisë shqiptare (1925-1939). Familja Juka ishte pjesë e një familjeje me
traditë të madhe atdhedashurie në Shkodër. Me vendosjen e familjes në Tiranë,
Safetja mori mësimet e para në shkollën "Nëna Mbretëreshë", në
Tiranë. Pas largimit nga Shqipëria si pasojë e ndryshimeve politike, Safete
Juka kryen arsimin e mesëm në Vjenë të Austrisë. Më vonë ndoqi studime të larta
në Université de Paris (Sorbonne) (Paris), ku i përfundoi në vitin 1950. Sipas
disa burimeve doktoraturën e mbrojti në vitin 1969 në Francë në fushën e
shkencave shoqërore me specializim në letërsi. Disa vite dha mësime për histori,
gjuhë gjermane e frëngjisht në "Fieldstone School”, në Aleksandri. Gjatë
qëndrimit në Egjipt njihet me piktorë francezë, por edhe egjiptianë, të cilët e
nxisin që të marrë pjesë në një ekspozitë pikture. Në shtypin profesional
kritik dhe artistik të Aleksandrisë atë e mbiquajtën “Piktorja e Luleve”. Në
vitin 1970, u emërua profesoreshë në "Lehigh University" të
Pensilvanisë, ku dha mësime për letërsinë franceze të shekujve 19-të e 20-të.
Në Pensilvani, ajo përuroi dy ekspozita arti: njërën me piktura dhe tjetrën me
akuarel, me shije të hollë dhe delikate. Safete Juka e posedonte dhuntinë e
lindur dhe të kultivuar për artet figurative.
Veprimtaria dhe kontributi i profesoreshës Safete
S. Juka
Dr. Safete S. Juka ishte studiuese, kritike
arti, eseiste dhe veprimtare atdhetare – veçanërisht aktive në çështjen
shqiptare të Kosovës. Profesoresha Safete S. Juka përveç ngritjet vetanake si
studente, dokrorante dhe profesoreshë në Aleksandri e Pensilvani, ka publikuar
dhe përkthyer vepra shumë me vlera shkencore dhe atdhetare për çështjen
shqiptare.
Si analiste e talentuar e kulturës së
njerëzimit në përgjithësi, ajo u specializua në mënyrë të veçantë si njohëse e
thellë e letërsisë dhe artit francez. Ajo botoi në revista prestigjioze
franceze, evropiane dhe botërore, shkrime të cilat ravijëzohen në formën e
njësive monografike. Do të përmend këtu një studim të saj të mrekullueshëm për
piktorin francez Zhurzh Ruo që profesoresha Juka e quan “piktori i
shpirtrave” në revistën “Réalités”.
Botoi veprën në anglisht ”Kosovo: The
Albanians in Yugoslavia in light of Historical Documents” (1984), ku
trajtoi historinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm ishte
përkthimi i librit “Albanian Golgotha” të vitit 1913, nga gjuha gjermane e
shkruar nga shkrimtari, publicisti dhe politikani austriak Leo Freundlich (1875-1953), që shënon dokumentimin e masakrave ndaj shqiptarëve.
Ky libër për të cilin u kujdes profesoresha Safete Juka, u botua 15 vjet më
parë sesa të mbahej konferenca ndërkombëtare e Rambujesë, në Francë.
Veç kësaj, ajo dha një donacion të
konsiderueshëm, 40 000 (dyzetmijë) dollarë për Bibliotekën Kombëtare të
Shqipërisë si shenjë përkushtimi ndaj kulturës dhe arsimimit.
Veprat kryesore të saj
Kosova: The Albanians in Yugoslavia in light
of Historical Documents (New York, 1984), një studim historik-dokumentar
mbi shqiptarët në ish-Jugosllavi.
Albanian Golgotha (anglisht), përkthim
në anglisht i librit të Leo Freundlich mbi krimet serbe ndaj shqiptarëve gjatë
Luftës së Parë Botërore.
Studime të ndryshme akademike, ese, dhe
artikuj në revista ndërkombëtare, si: The French Review, Revue
Française, Les Lettres Romanes, Ecrits de Paris, South Asian
Review etj.
Shembuj temash: “Christianisme et sentiment
de la nature chez André Suarès et Georges Rouault”, “Le mythe de l’âge d’or et
le mythe de mémoire chez Mircea Eliade”.
Ese art-kritike dhe analiza pikture-letërsi:
për shembull, analiza të piktorëve francezë ose temave të natyrës dhe
mitologjisë.
Një studim i saj, quhet “Miti i moshës së
artë, miti i kujtesës së Mirce Eliadës”, botuar në “Ecrit de Paris”, për
magjinë e mitologjinë dhe iliro-shqiptarët.
Një studim, i çuditshëm lidhet me veprën e
Marsel Prustit. Quhet “Vetja (Uni) në veprën e Marsel Prustit”. Ky studim
rreket të analizojë hollësira gati të padukshme, tejet të vështira të
përcaktimit në fund të fundit të rolit të shkrimtarit Marsel Prust, si
kryepersonazh i vetvetes dhe i krejt vetes së vet.
Një tjetër shkrim plotësues është edhe “Krishterimi
dhe ndjenja e natyrës e Andrea Suaarezit dhe Zhurzh Ruoit”.
Ptofesoresha Safete S. Juka emblema kombëtare
e Kosovës
Në vitin 1982, organizohet në Amerikë një
konferencë shkencore për Kosovën. Safete Juka qe një ideatore e kësaj
konference, sepse çështja e Kosovës qe një çështje thelbësore për të. Në vitin
1984, ajo botoi në anglisht librin për Kosovën i cili bëri një përshtypje të
madhe në qarqet ndërkombëtare të diplomacisë. Në të vërtetë ky libër për
Kosovën në anglisht ishte përkthimi i një libri të intelektualit hebre nga
Vjena, i quajtur Leo Frojdndlih, botuar në vitin 1913, një libër që mund të
quhet një klithmë prej orakulli.

Safete S. Juka e kishte njohur dhe takuar
shumë herë Leo Frojdndlih kur ajo banonte dhe studionte në Vjenë. Libri i këtij
intelektuali të guximshëm kishte një titull të tmerrshëm“Golgota shqiptare”.
Për shumë vite, nuk u fol për këtë libër. Më në fund, duke kërkuar në arkivin e
Universitetit të Harvardit, profesoresha Juka e gjeti të vetmen kopje të fundit
që kishte mbetur nga libri i Leo Frojdndlih dhe e përktheu në anglisht. Në
1992, Juka dorëshkrimin e saj në anglisht ia dërgoi një shtëpie të vogël
botuese në Hamburg të Gjermanisë të drejtuar nga intelektuali gjerman Han Peter
Rrullman.

Prof. dr. Safete S. Juka, në Paris, pas mbrojtjes
së doktoraturës në Universitetin e Sorbonës
Ajo që është e çuditshme është se Rrullman
vendosi ta botonte librin në tre gjuhë, ta riprodhonte tekstin origjinal në
gjermanisht, ta botonte në gjuhën kroate (përkthimi i dijetarit kroat dr. Steve
Tomkin, që jetonte në Kanada, së bashku me dr. S.Leban, mjek kroat nga Bosnja)
si dhe në anglisht (përkthimi i Jukës). Në 1995, shtëpia botuese Lilo në
Tiranë, e përktheu librin “Golgota Shqiptare” dhe e botoi në shqip. Ky libër
është një parandjenjë dhe një argument për fatin e kombit shqiptar, është
përmendur nga shumë dijetarë dhe politikanë të Evropës dhe të Amerikës duke mos
harruar këtu edhe nobelistin, intelektualin e madh hebre Elie Vizel.
Vlerësimi dhe trashëgimia
Safete Juka është cilësuar si „Dora
D’Istria e kohëve tona” për angazhimin e saj atdhetar dhe shtrirjen
kulturore. Ndërsa përkushtimi i saj ndaj çështjes shqiptare të Kosovës dhe
baraspesha mes dijes akademike dhe atdhedashurisë e bëjnë një figurë të veçantë
në historinë kulturore shqiptare.
Shqiptarja e madhe, profesoresha Safete S. Juka, vdiq në SHBA më 20 nëntor 2005 dhe u
varros në Shkodër sipas amanetit të saj.
Profesoresha Safete S. Juka njihet nga
rrethet intelektuale për kulturat e mëdha të botës, qytetërimin egjiptian, atë
greko-romak, dhe dashurohet pafundësisht me universin e imazheve. Ishte
mësidhënëse, njohëse e disa gjuhëve botërore, humaniste, publiciste dhe përkthyese
e jashtëzakonshme. Ka publikuar dhe përkthyer vepra shumë me vlera shkencore
dhe atdhetare për çështjen shqiptare. Ajo u specializua në mënyrë të veçantë si
njohëse e thellë e letërsisë dhe artit francez.
Botoi në gjuhën angleze veprën”Kosovo: The
Albanians in Yugoslavia in light of Historical Documents” (1984), ku
trajtoi historinë dhe të drejtat e shqiptarëve të Kosovës.
Një tjetër kontribut i rëndësishëm ishte
përkthimi i librit “Albanian Golgotha” të vitit 1913, nga gjuha gjermane e
shkruar nga shkrimtari austriak Leo Freundlich (1875-1953), që shënon dokumentimin e masakrave ndaj shqiptarëve.
Profesoresha Safete S. Juka përveç
kontributit të saj shkencor, njihet si humaniste e rrallë, duke dhuruar
dyzetëmijë dollarë amerikanë pë Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, si shenjë
përkushtimi ndaj arsimit dhe kulturës shqiptare.









