Faleminderit
Gjekë Marinaj: Frank Shkreli, zëri i ndërgjegjes shqiptare në mbrojtje të demokracisë
E marte, 30.12.2025, 07:00 PM
FRANK SHKRELI, ZËRI I NDËRGJEGJES SHQIPTARE NË MBROJTJE TË DEMOKRACISË
Nga
Prof. Dr. Gjekë Marinaj
Në
një kohë kur fjalët shpesh humbasin peshën e tyre nën zhurmën e interesave të
përditshme, kur liria keqpërdoret e e vërteta relativizohet, emri i Frank
Shkrelit ngrihet si një kujtesë e gjallë e misionit të gazetarisë së vërtetë:
të shërbejë si ndërgjegje publike, si zë i arsyes dhe si mbrojtëse e palëkundur
e vlerave demokratike. Prej dekadash, ky gazetar, publicist dhe intelektual
shqiptar ka mbajtur ndezur dritën e fjalës së lirë në hapësirat shqiptare e
përtej tyre. Veprat e tij, e sidomos libri Demokracia nuk pret, përfaqësojnë jo
vetëm një bilanc të përvojës profesionale, por edhe një testament moral për
brezat që vijnë.
Frank
Shkreli është bir Shkreli i Malësisë së Madhe, një krahinë ku ndjenja e
dinjitetit dhe dashuria për lirinë janë po aq të thella sa rrënjët e lisave të
maleve. Ai u formua në një mjedis ku fjala kishte peshë, ku të drejtat e
njeriut nuk ishin të garantuara, dhe ku dëshira për t’u dëgjuar ishte një akt
guximi.
I
riu Shkreli, i pajisur me këtë ndjenjë të brendshme të lirisë, u largua nga
vendlindja drejt Perëndimit, në kërkim të një hapësire ku fjala mund të
thuheshe pa frikë. Fati e çoi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku do të
niste një kapitull të ri në jetën e tij — atë të gazetarit profesionist në
shërbim të së vërtetës. Në Washington D.C., ai iu bashkua redaksisë së Zërit të
Amerikës, një institucion që për shumë shqiptarë kishte qenë dritarja e vetme
drejt botës së lirë. Brenda këtij tempulli të gazetarisë së pavarur, Shkreli
gjeti jo vetëm profesionin e tij, por edhe misionin e jetës. Për më shumë se
tridhjetë vjet, ai punoi me përkushtim për të përcjellë lajme, komente dhe
analiza që ruanin një standard të lartë etike dhe një ndershmëri intelektuale
të pakrahasueshme. Nga ai mikrofon që për dekada jehonte në shtëpitë shqiptare,
puna e Shkrelit u bë sinonim i besimit, i maturisë dhe i profesionalizmit.
Pas
përfundimit të karrierës në Zërin e Amerikës, Frank Shkreli nuk e pa pensionin
si një ndalesë, por si një mundësi për t’u shprehur më lirshëm e më thellë. Ai
nisi të shkruante për mediat shqiptare dhe ato të diasporës, duke përfshirë
revista, portale dhe gazeta të ndryshme që vlerësonin mendimin e pavarur.
Shkrimet e tij janë pasqyrë e një vëzhguesi të mprehtë dhe të drejtë, që nuk
ndalet te pasqyrimi i ngjarjeve, por depërton në domethënien e tyre morale dhe
politike. Në çdo rresht, lexuesi gjen një përpjekje për t’u kthyer te thelbi:
te njeriu, liria, përgjegjësia dhe e vërteta.
Kështu
lindi ideja për të përmbledhur një pjesë të këtyre shkrimeve në tre vëllime që
do të përfaqësonte më shumë se një koleksion artikujsh: Demokracia nuk pret.
Titulli vetë është një deklaratë, një kushtrim. Ai shpreh urgjencën morale të
kohës sonë — se demokracia nuk është një objekt i ekspozuar në muze, as një
dekor që vendoset në programe politike; ajo është një proces që kërkon veprim
të menjëhershëm, përgjegjësi të përditshme dhe guxim qytetar. Ky libër është
një përmbledhje e përvojës intelektuale dhe shpirtërore të autorit. Ai përfshin
artikuj, komente dhe reflektime që përbëjnë një mozaik të mendimit të tij mbi
zhvillimet politike, morale dhe kulturore të botës shqiptare. Në thelb të çdo
faqeje qëndron një mesazh i qartë: demokracia është një projekt që kërkon
pjesëmarrje, jo vetëm vëzhgim. Liria nuk është një e drejtë që fitohet njëherë
e përgjithmonë; ajo duhet mbrojtur, forcuar dhe ushtruar çdo ditë.
Shkreli
e sheh demokracinë jo si një sistem të përsosur, por si një proces që
funksionon vetëm kur qytetarët nuk e braktisin. Ai paralajmëron për rrezikun që
sjell indiferenca, për ngurtësimin institucional dhe për krizën morale që
shpesh e gërryen shoqërinë nga brenda. Në këtë kuptim, Demokracia nuk pret nuk
është thjesht një libër politik, por një libër etik. Ai nuk i drejtohet vetëm
politikanëve, por çdo qytetari që beson se vendi i tij meriton më shumë se një
fasadë pluralizmi.
Stili
i Frank Shkrelit është i matur dhe i kthjellët. Ai nuk ngutet në përfundime,
por ndërton argumentin me kujdes, me një qartësi që rrallë gjendet në
publicistikën moderne. Shkrimet e tij mbartin elegancën e fjalës së përpunuar,
por edhe një ndershmëri të çiltër që buron nga përvoja. Ai nuk flet si ideolog,
por si qytetar. Nuk predikon, por nxit reflektim. Dhe pikërisht ky është
sekreti i ndikimit të tij. Në çdo faqe, lexuesi ndien se Shkreli nuk shkruan
për të bindur, por për të zgjuar ndërgjegjen. Ai e trajton lexuesin si
bashkëbisedues, jo si ndjekës. Kjo e bën veprën e tij të ndershme dhe
njerëzore. Në një mjedis ku diskursi publik shpesh bie në vulgaritet apo
retorikë boshe, shkrimi i Shkrelit është një frymëmarrje intelektuale: ai
kujton se gazetaria është edhe një formë edukimi, një mision moral, një detyrë
ndaj së vërtetës.
Një
nga meritat më të mëdha të Shkrelit është mënyra se si ai e trajton demokracinë
jo thjesht si sistem politik, por si kulturë qytetare. Për të, demokracia nuk
përkufizohet nga zgjedhjet, por nga vetë mënyra se si një shoqëri sillet me të
vërtetën, me përgjegjësinë dhe me ligjin. Ai beson se nuk mund të ketë
institucione të forta pa qytetarë të ndershëm, e as liri të qëndrueshme pa
moral publik. Në këtë kontekst, libri i tij është një ftesë për vetë-analizë
kombëtare: një thirrje për të parë në pasqyrë dhe për të pyetur veten jo çfarë
na mungon, por çfarë nuk bëjmë.
Në
shumë shkrime të tij, Shkreli përdor përvojën amerikane si pikë krahasimi — jo
për ta idealizuar, por për të treguar se demokracia nuk është dhuratë, por
rezultat i një pune të përditshme, i një përkushtimi të pandërprerë ndaj ligjit
dhe institucioneve. Përmes kësaj qasjeje, ai e vendos debatin shqiptar në një
kontekst universal: lufta për liri dhe drejtësi është e njëjtë kudo, ndonëse
veshur me ngjyrat e kohës dhe vendit.
Në
të gjitha veprat e tij, Shkreli ruan një standard të lartë profesional, të
mbështetur në tri shtylla: ndershmërinë, respektin dhe përgjegjësinë. Ai është
ndër ata gazetarë që nuk ka pranuar kurrë kompromis me të vërtetën, as me
përfitimin personal. Në karrierën e tij, nuk ka ndjekur asnjë grupim politik,
asnjë interes, përveç atij të lexuesit dhe të publikut. Kjo e ka bërë figurën e
tij të besueshme dhe të respektuar, madje edhe nga ata që nuk ndajnë të njëjtat
qëndrime. Ndaj, gazetaria e Shkrelit është një gazetari që kërkon lartësi, jo
sensacion. Ai beson se fjala duhet të ngrejë njeriun, jo ta ulë. Në këtë
kuptim, ai është vazhdues i një tradite të mirëfilltë të mendimit kritik
shqiptar, që shkon nga Faik Konica te Sami Repishti, nga Ernest Koliqi te
Martin Camaj — një linjë mendimtarësh që kanë parë fjalën si përgjegjësi
morale, jo si mjet pushteti.
Sot,
kur politika shpesh ndërhyn në çdo hapësirë të jetës publike dhe kur gazetaria
shpesh e humb funksionin e saj kritik, figura e Frank Shkrelit mbetet e
nevojshme. Ajo na kujton se gazetari i vërtetë nuk është ai që ndjek ngjarjen,
por ai që e kupton atë. Shkreli e ka bërë këtë gjithmonë: ka parë më tej se
lajmi i ditës, ka kërkuar kuptimin pas fakteve, ka shënjuar prirjet dhe
rreziqet që të tjerët shpesh i shpërfillin. Por mbi të gjitha, ai ka ruajtur
shpresën. Edhe kur kritikon, ai nuk bie në pesimizëm. Edhe kur denoncon, nuk
mohon mundësinë e përmirësimit. Në çdo analizë të tij ndien se beson ende te
njeriu, te shoqëria, te forca e fjalës. Kjo e bën librin Demokracia nuk pret
një vepër optimiste, pavarësisht kritikës së ashpër që përmban. Në fund të fundit,
ajo është një thirrje për dashuri ndaj vendit — jo në kuptimin sentimental, por
në atë etik: dashuri si përgjegjësi.
Nëse
gazetaria shqiptare e së nesërmes kërkon modele, ajo i gjen te njerëz si Frank
Shkreli. Ai përfaqëson tipin e gazetarit që e di se profesioni i tij është më
shumë se një zanat — është një shërbim publik. Ai na kujton se roli i gazetarit
nuk është të mbajë anë, por të mbrojë të drejtën e secilit për të ditur. Në
këtë kuptim, puna e tij është shkollë për brezat e rinj: një kujtesë se etika
dhe profesionalizmi nuk dalin kurrë nga moda. Kështu libri Demokracia nuk pret
është, në thelb, një manual për përgjegjësinë qytetare. Ai na kujton se
demokracia nuk ecën vetë, se ajo kërkon njerëz që ta mbajnë gjallë me vepra, me
fjalë, me kurajë. Dhe në këtë udhëtim të gjatë, zëri i Frank Shkrelit mbetet
një busull që tregon gjithmonë drejtimin e duhur: drejt lirisë, drejt
dinjitetit, drejt së vërtetës.
Në
horizontin shpesh të mjegullt të fjalës publike shqiptare, Frank Shkreli është
një dritë që nuk shuhet. Ai nuk është vetëm dëshmitar i kohës së vet, por edhe
pjesëmarrës aktiv në ndërtimin moral të shoqërisë. Veprat e tij janë një
thirrje për të mos pritur — sepse siç na kujton vetë titulli i librit të tij,
demokracia nuk pret. Ajo kërkon që secili prej nesh të marrë pjesë, të flasë,
të kundërshtojë, të ndërtojë. Kërkon guximin për të mos heshtur, për të mos u
pajtuar me padrejtësinë, për të mos e lënë lirinë të shkojë dëm.
Frank
Shkreli e ka bërë këtë gjithë jetën e tij: me penë, me zë, me bindje. Dhe për
këtë arsye, emri i tij nuk do të mbetet thjesht në faqet e gazetave, por në
kujtesën e një kombi që ende kërkon të mësojë se si të jetojë me dinjitet në
liri.

Tre vëllimet (I, II, III) Demokracia nuk pret të autorit Frank Shkreli









