Faleminderit
Florim Zeqa: Nebih Zeneli – hero i gjallë i arsimit shqip
E diele, 25.01.2026, 06:58 PM

Shfletim i historisë
Nebih Zeneli - hero i
gjallë i arsimit shqip
Shkruan:
Florim Zeqa
Secila epokë historike i ka heronjët
e vet. Pa dyshim se përgjatë rezistencës aktive paqesore e viteve të '90 ta
heronjë të vërtetë të arsimit shqip ishin punonjësit arsimor, të cilët me të
gjitha mjetet i dolën zot dhe e mbrojtën shkollën shqipe. Njëri ndër ta është
edhe Nebih Zeneli nga fshati Kollë i Vushtrrisë, i cili me guxim dhe heroizëm
të paparë e hapi shkollën në Vërnicë në kundërshtim me urdhërat e pushtuesve
serbë.
Heroizëm i përmasave vetëflijuese
Shkolla fillore "Emin
Duraku" në Vernicë asokohe ishte paralele e ndarë e shkollës me të njëjtin
emër në Novolan.
Kështu,
një ditë para fillimit të vitit të ri shkollor më 30 gusht 1992, drejtori i
dhunshëm Miliçkoviq Decimir e fton Nebihun në bisedë informative dhe i thotë;
nesër me të përfunduar orari mësimor i paraditës për serbët, duhet ta mbyllësh
me çelës derën për nxënësit shqiptarë, kjo është urdhëresë nga Ministria e
Arsimit e Serbisë, derisa shqiptarët nuk i pranojnë planprogramet e Serbisë në
këtë shkollë nuk kanë me hyrë më nxënësit dhe as personeli arsimor shqiptar!
Andaj,
dëgjo mirë i thotë Decimiri, mos gabo rastësisht me e hapë shkollën për
nxënësit shqiptar, se e humbë punën dhe bukën e familjes tënde!
Nebihi
pa një pa dy i përgjigjet në këtë mënyrë: "Pse unë e humbi punën nuk është
asnjë problem, unë shkollën do ta hapi, dhe i thotë se nxënësi i parë që vjen
do t'ia hapi derën e shkollës".
Pastaj,
drejtori i dhunshëm Miliçkoviq Decimir edhe e kërcënon ashpër më këto fjalë;
"ki kujdes, se hapja e shkollës paraqet rrezik të madh për ty, mund ta
humbasësh jo vetëm vendin e punën por edhe kokën"!
Nebihu
sypatrembur ia kthen: "Shumë pak rëndësi ka koka ime në krahasim me
shkollën shqipe".
Në
atë moment drejtori revoltohet, i kërkon të ia dorëzoj çelësat e shkollës.
Por
Nebihu nuk dorëzohet, nuk ia jepë çelësat!
Kështu
Nebih Zeneli me guxim dhe vendosmëri, me dashuri dhe përkushtim për shkollën
shqipe më 1 shtator 1992 i bie 'Ziles' dhe ua hapë derën nxënësve për hyrje në
shkollë.
Vlenë
për të theksuar se, atë ditë pak minuta para fillimit të orarit mësimor për
nxënësit shqiptar, kishin shkuar katër polic serbë në oborrin e shkollës për
t'a kërcënuar Nebihun.
Të
njëjtën gjë pushtuesit serbë kishin tentuar ta bënin edhe në shkollën Amë në
Novolan, por drejtori Izet Ferizi pa iu trembur çerpiku urdhëron hapjen e
shkollës shqipe sipas planprogrameve të MASHT-it të Republikës së Kosovës.
Nebihu
nuk ishte i vetëm, afër vetës e kishte mësuesin Feriz Ferizi (xhaxhai i drejtorit
Izet Ferizi) dhe të gjithë personelin arsimor shqiptarë të cilët ishin në
përkrahje të tij përballë policëve serbë.
Edhe
përkundër kërcënimeve dhe shantazheve, Nebihu qëndron stoik në mbrojtjen e
shkollës shqipe deri më 9 shtator 1992 kua ia dorëzojnë vendimin për largim nga
puna.
Pas
largimit nga puna, Nebihu detyrohet të bëjë punë të ndryshme për mbajtjen e
familjes me nder dhe dinjitet pa iu nënshtruar pushtuesve serbë.
Kush është Nebih Zeneli
Nebih (Shaban) Zeneli lindi më
08.02.1946 në fshatin Kollë. Rrjedhë prej një familje mesatare me tradita të
pastra atdhetare. Pas përfundimit të arsimit bazik në kohën e tij, në mungesë
të një vendi pune, angazhohet me punë të ndryshme, filluar nga ato bujqësore
dhe ndërtimore të kohës sa për të mbajtur me nder dhe dinjitet familjen e tij.
Nebih
Zeneli nga viti 1974 e fillon punën si Punëtor Ndihmës në shkollën fillore
"Emin Duraku" në Novolan, ku ka punuar deri në pensionim në vitin
2011.
Kontributi
i tij në shkollën ku ka punuar është i madh dhe shumëdimensional. Përveq punës
për të cilën ishte i ngarkuar, Nebihu kishte dhënë kontribut të çmuar në
mbarëvajtjen e arsimit shqip edhe në forma të tjera.
Sjellja
njerëzore dhe afërsia me nxënës, e bënte Nebihun të dashur dhe respektuar nga
nxënësit në mënyrë të barasvlefshme me një mësues klase.
Nebih
Zeneli kishte raporte tepër të ngushta dhe kolegiale me të gjithë personelin
arsimor dhe drejtuesit e shkollës shqipe.
Nebihu
asnjëherë nuk ishte lakuar së qëndruari vertikalisht në misionin e tij atdhetar
në mbrojtje të shkollës shqipe. Këtë e kishte dëshmuar përgjatë viteve të
'90-ta me punën pa pagesë në funksion të mbrojtjes së shkollës shqipe dhe jo
vetëm.
Pas
largimit të dhunshëm nga puna më 9 shtator 1992, pas përfundimit të luftës
Nebihu përseri kthehet në vendin e tij të punës, ku më përkushtim të madh e
vazhdon punën deri në pensionim më 8 shkurt 2011, me ç'rast Drejtoria e Arsimit
e Komunës së Vushtrrisë e nderon me Mirënjohje për kontributin e dhënë në procesin
edukativo-arsimor në shkollën fillore "Emin Duraku" në Novolan.
Nebih
Zeneli edhe sot e gëzon një respekt të madh në lokalitetin ku jeton për
heroizmin e treguar në kohët e vështira të okupimit klasik të Serbisë, të cilat
për ne shqiptarët ishin vite të krenarisë kombëtare.
Ndjehem me fat që e kam takuar Nebih
Zenelin në Kosovë dhe njohur më mirë përgjatë këtyre viteve të fundit këtu në
Itali, kur erdhi për vizita tek djali i tij, Ruzhdia. Më befasoi me
kthjellësinë e tij mendore dhe mbamendjen e ngjarjeve nëpër të cilat ka kaluar
dekada më parë.
Nebih Zeneli është dhe do të mbetet,
si një ndër shëmbujt më të mirë për gjeneratat e ardhshme si mbrohet atdheu
përmes qëndresës burrërore dhe rezistencës heroike, si mbrohet shkolla shqipe
dhe vlerat e pastra kombëtare.
Florim Zeqa, 24.01.2026











