Faleminderit
Ismet Lekë Hajrullahu: Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit
E shtune, 17.01.2026, 03:56 PM
Gjergj Kastrioti – Skënderbeu, Atleti i Krishtit
Shkruan:
Ismet Lekë Hajrullahu
Gjergj
Kastrioti – Skënderbeu është figura më e ndritshme e historisë shqiptare dhe
një personalitet i shquar i Evropës së shekullit XV. Natyrisht që Gjergji nuk
ishte vetëm një komandant ushtarak, por një udhëheqës shpirtëror me vizion,
sepse me vizionin e tij e bëri që të dridhej Perandoria Osmane. Për më shumë se
një çerek shekulli ai udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Osmane, duke e
kthyer Arbërinë në kështjellë të rezistencës së pashembullt të asaj kohe dhe
krejt natyrshëm duke e vendosur në qendër të politikës evropiane. Papa Piu II e
quajti “Atleti i Krishtit”, një epitet që shpreh misionin e tij universal:
mbrojtjen e qytetërimit perëndimor.
Marin
Barleti e përshkroi si “mbrojtës i Arbërisë dhe tmerr i turqve” në veprën e tij
të botuar në Romë më 1508. Frang Bardhi e quajti “princ fort i fuqishëm dhe i
pathyeshëm i Epirit”. Fan Noli e vendosi në qendër të vetëdijes kombëtare, duke
e cilësuar “mbrojtës të qytetërimit perëndimor”. Aleks Buda e pa si themel të
kombformimit shqiptar, ndërsa Jup Kastrati dhe Kasem Biçoku treguan se figura e
tij ka qenë e pranishme në çdo epokë, nga kronikat e shekullit XV deri te
rilindësit e shekullit XIX.
Autorë
të huaj e kanë nderuar gjithashtu. Lord Byron e përshkroi Shqipërinë si “tokën
ku u ngrit Iskander, tema e të rinjve dhe pishtar i të mençurve”. Papa Kalisti
III e quajti “një digë e patundshme që ndali furinë e osmanëve dhe pengoi
përmbytjen e Evropës”. Historianë gjermanë të shekullit XIX e cilësuan si “mjeshtri
më i përsosur dhe më i madh i luftës i të gjitha kohërave”. Këto vlerësime
tregojnë se Skënderbeu u pa nga Evropa si mbrojtës i qytetërimit të përbashkët.
Në
betejën e Torviollit më 1444, Skënderbeu udhëhoqi Lidhjen e Lezhës kundër
ushtrive osmane të Ali Pashës. Me një forcë të vogël, por të disiplinuar, ai
arriti të thyejë një ushtri shumë më të madhe, duke treguar se strategjia dhe
guximi mund të përmbysin çdo epërsi numerike. Në Krujë, gjatë rrethimit të
vitit 1450 nga sulltan Murati II, qyteti rezistoi për gjashtë muaj dhe osmanët
u tërhoqën pa arritur qëllimin e tyre. Më 1467, Mehmeti II, pushtuesi i
Kostandinopojës, u përball përsëri me muret e Krujës dhe dështoi. Kruja u
shndërrua në simbol të lirisë shqiptare dhe në një pikë referimi për Evropën.
Në betejën e Oranikut më 1456, Skënderbeu tregoi se disiplina e ushtrisë dhe
përdorimi i zgjuar i terrenit ishin vendimtarë për fitoren. Këto beteja ishin
prova e qëndresës së një populli që refuzonte nënshtrimin dhe mesazh i qartë
për Evropën: Arbëria ishte e pathyeshme.
Diplomacia
e tij e zgjeroi këtë rol. Aleancat me Mbretërinë e Napolit, Hungarinë e Janosh
Huniadit, Venedikun dhe Papën e futën Arbërinë në qendër të politikës
evropiane. Skënderbeu nuk ishte vetëm komandant i një ushtrie, por përfaqësues
i një ideali më të madh: mbrojtja e vlerave të përbashkëta të qytetërimit
perëndimor. Epiteti “Atleti i Krishtit” ishte njohje e këtij roli.
Trashëgimia
e tij nuk u shua me vdekjen më 17 janar 1468. Përkundrazi, ajo u ringjall në
veprën e rilindësve, në kulturën dhe ndërgjegjen kombëtare. Rilindësit
shqiptarë e panë Skënderbeun si figurën që mishëronte lirinë dhe bashkimin
kombëtar. Naim Frashëri e quajti “shqiptar i madh, mbrojtës i atdheut”, ndërsa
Jeronim De Rada e vendosi në qendër të poezisë së tij si simbol të identitetit.
Për ta, Skënderbeu nuk ishte thjesht një kujtim i së shkuarës, por një
udhërrëfyes për të ardhmen. Ai u bë frymëzim për lëvizjet kombëtare, për
kërkesën për gjuhë, kulturë dhe shtet të pavarur. Në këtë mënyrë, figura e tij
kaloi nga historia në mit, nga kujtesa në ideal.
Skënderbeu
u varros në Lezhë më 17 janar 1468, në Katedralen e Shën Nikollës. Megjithatë,
varri i tij nuk ekziston më, sepse pas pushtimit të Lezhës në vitin 1478
osmanët e shkatërruan dhe eshtrat e tij u morën nga ushtarët, të cilët i
përdorën si hajmali. Kjo mungesë nuk është humbje: ajo është shndërruar në
simbol. Skënderbeu nuk pushon në një vend të vetëm; ai është i gjallë në çdo
shpirt dhe zemër shqiptari që rreh për Atdhe, dhe në çdo gur të Arbërisë që ruan
kujtesën e tij.
Gjergj
Kastrioti – Skënderbeu është shpirti i kombit, dëshmi e bashkimit dhe e
dinjitetit tonë kombëtar.










