Faleminderit
Ismet M. Hasani: Me rastin e 85 vjetorit të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4)
E premte, 09.01.2026, 06:40 PM

Me rastin e 85 vjetorit
të kalimit në amshim të Gjergj Fishtës (4)
Nga
Ismet M. Hasani
TË TJERËT PËR A' GJERGJ FISHTËN (pjesa
4)
*
Fritz Radovani e Daniel Gazulli, nga
Australia, shkruanin:
"Veprimtaria e At Gjergj Fishtës,
në fushën letrare ishte me përmasa gjeniale, ku talenti dhe aftësia e Tij e
bani të njohur brenda dhe jashtë Atdheut. Ai ishte dhe asht një Poet i
përmasave që ka tërheqë vëmendjen e shumë bashkëkohësve edhe në Europë, por nuk
mbeti i tillë vetëm në fushën letrare, mbasi Ai, si Atdhetar i vërtetë,
veprimtarinë e Tij e shtrin edhe në lamën shoqërore dhe politike, ku mbrojti me
vendosmëni dhe guxim çështjen" tonë mbarëkombëtare. Jeta e Tij në shërbim
të Formulës "Fe e Atdhe" e lidhi përjetësisht me brohoritjen në kupën
e qiellit për Atdhe dhe ofshamën e
thellë të Popullit Shqiptar, të cilit i këndoi me aq mjeshtri në veprat e Tij
të pavdekshme. Sa ishte gjallë arriti majat më të larta të vlerësimit, sa u
quajt Poeti Kombëtar i Popullit Shqiptar, u vlerësue dhe nderue me një
mirënjohje të madhe me shumë dekorata, medalje e tituj nderi...".
*
"At Fishta, ky gjen me rrënjë në
tokën amtare të Popullit Shqiptar, që për shkak të njohjes së thellë që kishte
për letërsinë klasike dhe mbi jetën e sotme shpirtërore të kombeve të Europës,
u ngjit ndër majat ma të nalta të kulturës". (Prof. Dr. Norbert
Jokl)
*
"Sa qe gjallë, Fishta arriti
apogjeun e vlerësimit, uke u ngritur në piedestalin e lartë të Poetit
Kombëtar... Vetëm katër – pesë vjet pas vdekjes, jeta dhe vepra e Fishtës u
përballën në mënyrë të pashembullt, me synimin që ai të varrosej njëherë e
përgjithmonë, ose, e shumta, të mbetej si një njollë e zezë dhe e turpshme në historinë
e letërsisë shqiptare...". (Prof. Ndue Zef Toma)
*
"Vargjet e Lahutës mund t'i lexosh
në fillim, në mbarim, në mjedis apo në çdo mëngjes para se të fillosh
punën ditore. Ato të japin fuqinë e
jetës, fuqinë e punës, sepse mobilizojnë të gjitha ndjenjat e shpirtit... Aq
shumë imponohet kjo vepër, saqë disi kurrë më nuk e heq nga dora... Poeti ka
arritur të mishëronte të gjitha ligjshmëritë
artistike në poezinë popullore, sidomos
në përdorimin e figurave stilistike të krahasimit dhe të metaforës". (Engjëll
Sedaj)
*
Prof. dr. - Akademik Sabri Hamiti: "Ky poet i madh e veprimtar i shqiptarisë gjatë gjithë jetës
punoi për kombin dhe vendin duke jetuar në të. Lidhja e përhershme me ambientin
e
jetës shqiptare, ashtu si dhe
përkushtimi shpirtëror i atit françeskan, i vunë përgjithnjë vulën tipit të
artit të tij dhe përkushtimit të tij. Ai kishte dashurinë e zjarrtë të
Rilindësit për vendin, por jo mallin e mërgimtarit që këndon duke himnizuar,
prandaj brenda vetes rritste fuqinë vullkanike kundrejt fenomeneve e
paraqitjeve të këqija të botës shqiptare. Ai u bë një kritikues i ashpër i
realiteteve duke e kthyer artin e vet në tehun çallmor të satirës, duke prekur
fenomene të individit, po dhe të shoqërisë. Prandaj, shprehja e tij dhe poezia
e tij janë cilësuar si copë e atdheut, poezi e elementaritetit
kombëtar...!"
*
"Tetërrokëshi i ngadalshëm e vrap
e vrap, si e lyp zjarri i zemrës, asht i premë për poema epike. Me këtë ritëm
janë pre ngjetmi e pashoq fishtian, thërrmimet e
forta, uratat e mallkimet...". (Kostaq
Cipo)
*
"Nga poezia gojore Fishta mësoi
dhe shfrytëzoi atë që kuptimisht ishte më e rëndësishme, artistikisht më e
vlershme dhe me mundësi ndikimi estetik më të madh, por çdo gjë duke ia
nënshtruar sistemit të vet krijues,asimilimit në shkallën dhe mënyrën më të
lartë, qofte edhe atëherë kur në të parët flitet përshkrimi se në veprën e vet
ka futur pjesë të tëra të poezisë gojore". (Anton N. Berisha)
*
"Te Fishta ndjehet një vargëzim në
të njëjtën masë sa poeti erudit, aq edhe rapsodi popullor, që di të krijojë me
dorë të sigurt dhe shije të rrallë artistike orkestrimin e muzikalitetit të
vargjeve dhe të verbrit të tij të pashtershëm poetik". (Gjergj Zheji)
*
"At hyri aq thellë në shpirtin e
këngëtarëve të maleve shqiptare dhe diti të karakterizojë në mënyrë të
dhimbshme dhe të sigurt artin, botën ideale e gjithëmbërësisht të gjitha veglat
e armët e rapsodëve që gjenden edhe ndër më të skajshmet krahina të maleve.
Vetëm ai që gjendet në mes të kësaj bote mund të ndiente aq thellë zemrën e të
rrahmen e djellit të këngëtarit kombëtar shqiptar, mund të kuptonte aq mirë e
qartë mendimin e tij". (Norbert Jokl)
*
"Lahuta e Malësisë" mund të
qëndrojë përkrah veprave poetike ma të shquara të popujve të tjerë". (M.
A. Freünvon Godin)
*
Maksimilian Lamberc: "...Lahuta e malcis e Gjergj Fishtës, jo vetëm se ka rëndësi
në pikëpamje artistike, por edhe pse ajo, por si vena e mirë, sa ma shumë
vjet që të kalojnë aq ma vlerë merr,
duke qenë se ajo është pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e
dëshirave, e përpjekjeve, e luftës dhe vdekjes së shqiptarëve: me një fjalë,
Lahuta asht shprehja më e qartë e dokes të fshatarëve, banorëve të Maleve të
Veriut. E prej se doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga
tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari,
folkloristi, juristi e historiani i
nesërm ka për t'ia ditë për nder me dhjetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i
cili në Lahutë të Malcis na la një ritrar të Shqipnís, të përshkruar nga goja e
dëshmitarëve njëkohorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e shekullit XX me atë
ndryshim të vogël, që shqiptari pësoi ç'prej kohërave të largëta të
ilirio-trakëve".
( v i j o n )









